Në Paris në marshimin e paqes/ Rama: Shqipëria e vëllazërisë fetare do mbajë lart flamurin e lirive, të drejtave e barazisë

0
139

Gëzim Saliu

rama ne marshim me lideret“Terroristët s’kanë asnjë lidhje me fenë, me Profetin dhe me Zotin. Koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin”

Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës dje në Marshimin e Paqes, të miliona qytetarëve të botës, në sheshin Republika të Parisit, në përgjigje të vrasjeve terroriste të ndodhura ditët e fundit në Francë. Dhjetëra liderë botërorë ishin pjesë e këtij marshimi madhështor, në shenjë solidariteti dhe aleance kundër terrorizmit, dhe në mbështetje të vlerave të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit. Në një reagim për mediat shqiptare, pjesë e delegacionit, Kryeministri u shpreh se ky delegacion ndodhet aty për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, e të drejtave, dhe të barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve fetare. “ Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk është goditur vetëm Parisi. Është goditur çdo vend që është i lidhur me vlerat që Franca përfaqëson, me vlerat e lirisë, të barazisë, të vëllazërimit që Franca ka mishëruar, në mënyrën e vet më të lavdishme. E nga ana tjetër, të gjithë duhet të kuptojnë që aktet mund të ndodhin këtu, mund të ndodhin kudo, por lufta kundër terrorizmit zhvillohet sot, në të gjithë vendet tona edhe kur aktet ndodhin jashtë vendeve tona. Ne jemi këtu për të dëshmuar se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lart flamurin e lirive, flamurin e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos bjerë në kurthin e urrejtjes, në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës, ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tonë”, tha Rama.

 

Deklarata

Sipas kreut të qeverisë shqiptare kjo luftë dëshmon se përpjekja e armiqve të lirisë është një përpjekje që synon përçarjen mes feve, ndërkohë që terroristët theksoi Rama nuk kanë asnjë lidhje me fenë me Profetin dhe me Zotin,: “sepse nuk ka Zot, nuk ka Profet dhe nuk ka fe, që inkurajon vrasjen e njerëzve, që inkurajon përçarjen dhe që inkurajon shfarosjen e një pjese në emër të një pjese tjetër”. I pyetur se sa imune është Shqipëria nga skenarë të tillë, kryeministri u përgjgij duke pohuar se askush nuk është dritëshkurtër për të folur për imunitet të një vendi apo të një vendi tjetër. “Në momentin që është goditur njeri nga vendet e familjes evropiane, e botës demokratike ku ne bëjmë pjesë, jemi goditur dhe ne drejtpërdrejtë, jo simbolikisht, por realisht, sepse goditen ato vlera dhe ato themele, mbi të cilat ne kemi vendosur të ndërtojmë jetën dhe të ardhmen tonë”, tha ai. Në këtë kontekst, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se vendet kanë bërë një zgjedhje të qartë për tolerancën, për lirinë, për të drejtat e panegociueshme të njerëzve përballë sipas tij një zgjedhje tjetër që kërkohet të na imponohet përmes përçarjes. “Duke synuar që t’i ndajë myslimanët dhe kristianët. E të mos harrojmë se, nëse duam një shembull të qartë se si trajtohen kundërshtarët, se si trajtohen armiqtë, se si toleranca dhe paqja triumfon mbi dhunën dhe luftën, janë vetë episodet e jetës së Profetit Muhamed”, u shpreh Rama. Më herët, ndërsa udhëtonte drejt Parisit, kryeministri Rama shkroi ndër të tjera në një postim në FB dhe Tëitter se,: “Është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin. Ky është momenti ynë për t’u përgjigjur në emër të shpresës dhe bashkëpunimit mes njerëzve mbi këto vlera të shkëlqyera e të panegociueshme.”. Kreu i qeverisë shqiptare shoqërohej në këtë marshim nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, përfaqësues të 4 komuniteteve fetare në vend, si dhe përfaqësues të medias, gazetarë dhe analistë.

 

Homazhet

Delegacioni shqiptar, i cili përbëhëej nga kryeministri Rama, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, përfaqësues të 4 komuniteteve fetare në vend, si dhe përfaqësues të medias  zhvilloi homazhe pranë ndërtesës së revistës “Charlie Hebdo”, në nderim të 12 të vrarëve tragjikisht, duke vendosur edhe një kurorë me lule. Më pas kreu i qeverisë mori pjesë në pritjen që Presidenti francez Francois Hollande rezervoi për liderët botërorë pjesëmarrës në marshimin solidarizues mbarë botëror kundër terrorizmit.

 

Intervista për Francë 24/ Kryeministri: Sulmi terrorist në Paris edhe ndaj Shqipërisë. Tre lapsat solidaritet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë në televizionin francez “France 24” deklaroi dje se sulmi terrorist që u bë më 7 janar në Paris, ku u vranë 17 persona nuk ishte sulm vetëm ndaj Francës por edhe ndaj Shqipërisë. “Këtu, Islami është pjesë e jetës, dhe kur them këtu them në Europën demokratike, në Europën e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Pra me kë do ta bëjmë luftën ? Kundër kujt, kundër vetes ? Nëse shkojmë në këtë drejtim, do të bëjmë ekzaktësisht atë që terroristët duam që në të bëjmë. Në këto kushte natyrisht që duhet shumë më shumë koordinim në terma të sigurisë, në terma këshillimi dhe informacioni edhe gjithë komponentëve të tjerë. Por duhet një Europë më e fortë, duhet më shumë Europë, jo më pak Europë”. Ndërkohë moderatorja e televizionit e pyeti kreun e qeverisë për tre laspat në xhepin e xhaketës me ngjyrat e flamurit francez. “Po, më erdhi e natyrshme t’i vija sot kur u nisëm. Kam lapsa gjithnjë mbi tavolinën time në zyrën kryeministrore se më pëlqen të jem kah arti, jo ekonomistësh dhe jo aq politikanësh. Dhe i mora këto lapsa për të treguar solidaritet, sepse po e përsëris që ne e ndjemë këtë sulm si sulm ndaj nesh si shqiptarë”, u shpreh Rama.

 

Ambasadori i ri i SHBA-ve Donald Lu mbërrin në Tiranë

Pasditen e djeshme mbërriti në Tiranë ambasadori i ri amerikan në vend, Donald Lu.  Në një postin në “Facebook” ambasada Amerikane në vendin tonë publikoi një foto të momenteve të para në Shqipëri të ambasadorit të ri. “Bashkohuni me ne dhe t’i urojmë mirëseardhjen Donald Lu”, shkruhej në profilin e ambasadës.  Dy ditë më parë ambasadori u prezantua për popullin shqiptar me anë të një video mesazhi, nga ku ai foli me një shqipe gati perfekte, të mësuar gjatë kohës së pritjes për t’u aprovuar nga Senati amerikan.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency