Operacionet / Policia, kontroll të përforcuar në shtatë qytete, arrestohen 12 persona

0
120

arrestime

Alma Çuka

Kontrollohen 235 ambiente, kryesisht bare, lokale nate dhe të lojërave të fatit. 1345 automjete janë bllokuar për mungesë dokumentacioni

Ngjarjet e disa ditëve më parë në Tiranë, ku u regjistruan dy atentate dhe vrasja e një vajze në Vlorë në ditët e para të këtij viti, detyruan drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didi, të urdhëronte nisjen e kontrolleve në rrugë, lokale dhe kazino. Shtatë qarqe të vendit janë bërë pjesë e planit operacional të Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale si pasojë e kontrolleve të shumta. Burime të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se nga ora 19:00 e datës 9 janar deri në orën 07:00 të datës 10 janar, policitë e qarqeve Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Shkodër e Lezhë kanë zhvilluar një sërë kontrollesh në segmentet rrugore, në lokalet e natës dhe në banesa. Policia e Shtetit në të gjitha këto qarqe është ndihmuar edhe nga 31 grupe të reparteve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Delta Forcë. Nga ana e policisë jepen detaje të hollësishme lidhur me operacionet e zhvilluara, ndërkohë që thuhet se kontrolle të tilla do të kryhen edhe në ditët në vazhdim.

 

Kontrollet në lokale nate

Pikat më të përfolura për rritjen e krimit janë kryesisht lokalet e natës. Policia tashmë ka gjithë informacionin se në këto lokale organizohet shpërndarja e drogës, shfrytëzohen për ushtrimin e prostitucionit dhe shitjen e armëve. Një pjesë e mirë e krimeve, sipas policisë, ndodhin në orët e vona të natës nga të rinj, të cilët konsumojnë alkool pa kontroll. Bëhet e ditur se janë kontrolluar gjithsej 235 ambiente, kryesisht bare, lokale nate dhe të lojërave të fatit, ndërkohë që janë bllokuar disa persona të cilët në këto lokale kanë rezultuar pa dokumentacion përkatës. Bëhet me dije gjithashtu se janë kontrolluar 1345 automjete dhe janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 10 automjete, si dhe janë pezulluar 5 leje drejtimi automjetesh për shkelje rrugore si dhe janë marrë dhe masa administrative me gjobë.

 

Arrestimet

Policia bënë me dije se gjithsej janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar 12 autorë, nga të cilët 5 për armëmbajtje pa leje (armë zjarri), 2 për armë të ftohta (thikë) dhe 3 për shkelje rrugore, si dhe janë ndaluar 2 persona në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Janë arrestuar 2 shtetas për mbajtje pa lejë të armëve të ftohta (thikë), si dhe 3 të rinj për drejtim të automjetit pa leje drejtimi. Gjithashtu janë kontrolluar 938 persona për kartën e identitetit dhe janë shoqëruar në ambientet e policisë 45 shtetas për mungesë të dokumentit të identifikimit. Policia thotë se nuk ka përfunduar kontrollin në të gjitha qarqet. Zhvillimi i këtij operacioni kryhet disa ditë pas ngjarjeve të rënda që ndodhën në Tiranë e Vlorë.

 

 

Lezhë

Përndoqi një vajzë, arrestohet 20-vjeçari

Policia e Lezhës bën me dije se ka vënë në pranga një 20-vjeçar, i dyshuar për përndjekjen e një vajze. Të njëjtat burime theksojnë se vajza, pasi është përndjekur ditët e fundit ka rënë edhe pre e dhunës së djalit të ri. Endrit Jaku, me banim në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës, u arrestua pas denoncimit të bërë ndaj tij. Në ngarkim të Jakut ka bërë kallëzim Sh. Gj., e cila ka thënë në polici se 20-vjeçari së bashku me një person tjetër kanë përndjekur, kërcënuar dhe dhunuar motrën e saj. Mësohet se duke e ndjekur ata e kanë shtrënguar me shall në fyt duke tentuar që ta mbysin. Dyshimet e para të uniformave blu janë se i riu ngacmonte prej kohësh vajzën që ka dhunuar, dhe përballë refuzimit të saj e ka kanosur dhe përndjekur. Në ngarkim të tij materialet i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Përndjekjes”.

 

 

Elbasan

Aksidentohet rëndë një person, arrestohet drejtuesi i mjetit

Një person mbeti i plagosur rëndë mëngjesin e ditës së djeshme si pasojë e një aksidenti automobilistik, ndodhur në segmentin Elbasan – Librazhd. Burime të Policisë së Elbasanit bëjnë me dije se është plagosur shtetasi Qemal Musai, i cili pasi u shoqërua për ndihmën e parë në spitalin rajonal, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë që bëri të mundur arrestimin e autorit të këtij aksidenti. Ndërkohë pas kryerjes së veprimeve të para në vendin e ngjarjes, po punohet për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit.

 

 

Tiranë

Rrihen dy vajza në mes të rrugës, nis procedimi penal

Dy vajza janë grindur në mes të rrugës me njëra-tjetrën. Por kjo nuk ka mbetur me kaq. Sherri mes tyre, sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, të cilat janë futur në materialet e policisë, ka degjeneruar në rrahje. Burime të policisë bëjnë me dije se një vajzë 27 vjeçe me inicialet L. M., banuese në Tiranë, ka rrahur për motive të dobëta një vajzë 19 vjeçe, me inicialet A. Sh., po me banim në Tiranë. Sipas të dhënave të para, mësohet se fillimisht vajzat kanë debatuar me fjalë, por më pas ata kanë filluar të qëllohen. Kështu, 27-vjeçarja, duke qenë në moshë më të madhe, ka goditur rëndë 19-vjeçaren. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në rrugën “Viktor Hygea”. Ndërkohë, në polici ka bërë kallëzim penal vajza 19-vjeçare. Ndaj 27-vjeçares mësohet se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë. Materialet për këtë shtetase i kaluan organit të Prokurorisë. Ajo do të procedohet në bazë të nenit 90 të Kodit Penal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency