Intervista e Knut Fleckensteinit /“Nëse ke të dhëna kriminale, në Gjermani s’bëhesh dot deputet. Çfarë prek hapja e dosjeve”

0
107

K Fleckenstein at the 13Th Eu Russia PCC Top TableRaportuesi i PE-së: Sundimi i ligjit do të thotë edhe se si qeveria vepron me qytetarët. Ramën s’e takova dot, se është jashtë vendit

 

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, deklaroi dje se në Gjermani është shumë e vështirë që një person me të dhëna kriminale të bëhet pjesë e Parlamentit. Në një intervistë për “Ora News”, europarlamentari foli gjerë për dekriminalizimin e Parlamentit, si edhe për çështjen e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, Fleckenstein komentoi edhe negociatat me palët politike në vend, që sollën marrëveshjen mes shumicës dhe opozitës, si edhe foli edhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore dhe aksionet e reformat e ndërmarra nga qeveria.

 

 

Ju keni negociuar muajin e fundit të vitit 2014 për të kthyer opozitën në Parlament. A ishte e vështirë?

Nuk ishte e lehtë, sepse Partia Demokratike kishte arsyet e veta për të mos marrë pjesë dhe miku im, Eduard Kukan nga EPP, dhe unë, duhej të gjenim një mënyrë për të ndërtuar urën. Dhe mendoj se në fund, siç e dini, funksionoi dhe është lajmi kryesor dhe lajm i mirë për Shqipërinë.

 

Dhe, nëse nuk do të kishte ndodhur?

Nëse opozita do të mënjanonte të punonte në Parlament për një kohë më të gjatë, shumë njerëz në Bruksel do të kishin menduar se dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë ishte vendim i gabuar, sepse pa një Parlament funksional, nuk është e paraparë që të jesh pranë Bashkimit Evropian.

 

A ka rrezik që një situatë e tillë të përsëritet me zgjedhjet lokale?

Pyesni lojtarët në Parlamentin tuaj, veçanërisht Partinë Demokratike. Unë nuk e di, kam dëgjuar për probleme atje, kam dëgjuar nga ana tjetër se Gjykata Kushtetuese e ka hetuar dhe erdhi në përfundimin se gjithçka është në rregull me këtë ligj. Nuk e di, nuk jam arbitër, nuk jam mësues, por zakonisht partitë shkojnë në zgjedhje, duke u përpjekur të marrin votat e njerëzve dhe shpresoj që në këtë rast, në fund do të ketë një situatë ku të gjithë marrin pjesë.

 

Do të doja t’ju pyesja për një fjali specifike që thatë në takimin me gazetarë që ishte: “Ligji duhet të zbatohet në një rrugë të ligjshme ose në një mënyrë të ligjshme”. Çfarë deshët të thoshit me këtë ose, më mirë ta themi, kujt ia adresuat këtë?

Kisha shumë takime në 48 orët e fundit dhe pashë se kjo qeveri vërtet po fillon të zbatojë ligjet dhe kjo është një gjë e mirë. Për shembull, nëse shtëpitë janë ndërtuar pa ndonjë leje, kjo nuk është në rregull. Por nëse thua pastaj se duhen shkatërruar shtëpitë, duhet të ketë një mundësi për qytetarët që të shkojnë në gjykatë dhe ta diskutojnë këtë vendim dhe kjo është gjithashtu e rëndësishme. Sundimi i ligjit nuk do të thotë vetëm ligje që kompanitë nga jashtë të ndihen të sigurta të investojnë këtu, por janë edhe për atë se si qeveria vepron me qytetaret dhe sigurisht është edhe për të paguar faturat e energjisë.

 

A është kjo edhe një çështje e të drejtave të njeriut, e respektimit të të drejtave të njeriut?

Po, në fund po, sepse asnjë qytetar nuk duhet të jetë i pashpresë para qeverisë së tij. Duhet të ketë edhe mundësinë të aplikojë, të shkojë në një gjykatë, të luftojë për të drejtën e tij personale.

 

Pse nuk e takuat Kryeministrin tonë këtë herë?

Këtë herë nuk e takova, sepse mendoj që është jashtë vendit, e takova në fund të shtatorit, kemi folur në telefon, ndërkohë takova zëvendëskryeministrin dhe pesë ministra dhe u informova shumë mirë.

 

Keni folur shumë për sundimin e ligjit. Ne kemi dy çështje paralele këtu, kërkesën për të pasur një dekriminalizim të Parlamentit dhe në të njëjtën kohë të kemi sundim të ligjit.

Duket pak ironike, sepse ata që duhet të mbikëqyrin, ata që duhet të drejtojnë procesin drejt vendosjes së ligjit, janë pikërisht ligjvënësit. Si mund ta kemi këtë proces me dy drejtime njëkohësisht?

Dekriminalizimi i Parlamentit nuk është shprehja e duhur, sepse nuk është i gjithë Parlamenti kriminal. Nuk e di, por ndoshta njëri apo tjetri kanë të dhëna kriminale, por shumica e anëtarëve të Parlamentit janë atje për të bërë më të mirën e vendit dhe sigurisht duhet të ndryshojnë rregullat, të luftojnë kundër korrupsionit, të luftojnë kundër krimit të organizuar.

 

A keni njerëz në Parlamentin gjerman që kanë të kaluar kriminale? Çfarë bëni në një rast të tillë, nëse keni dikë me dosje kriminale?

Në Gjermani nuk është e lehtë të bëhesh anëtar i Parlamentit, nëse ke të dhëna kriminale, sepse pikë së pari duhet të tregosh se nuk ke asgjë të tillë në të kaluarën tënde të afërt; së dyti, kur ke qenë në burg, për shembull, pas kësaj, ke të drejtën të kthehesh në shoqëri, të fillosh një jetë të re dhe nuk mund ta ndalosh dikë përgjithmonë, pasi ka bërë një gabim në të kaluarën. Nuk është kaq e lehtë sa duket. Por në Gjermani…

 

Nuk mund të ndodhë…

Kurrë mos thuaj kurrë, por është shumë e vështirë të hysh, nëse ke të dhëna kriminale.

 

Duke qenë pjesë e vendeve që dolën nga diktaturat komuniste ose pjesë e vendeve postkomuniste, le ta themi kështu, çfarë do të kishit bërë ose, për ta thënë më qartë, çfarë bëtë në Gjermaninë Lindore, si i zgjidhët çështje të tilla në një pjesë ish-komuniste të Gjermanisë që ishte në një mënyrë e pavarur nga Gjermania Federale për dekada?

Ne kemi diçka si një ministri për këtë çështje, që i shikon dosjet dhe përpiqet të gjejë çfarë ndodhi dhe veçanërisht çfarë kanë bërë persona të caktuar. Nëse dikush, për shembull, do të kishte bërë gjëra të këqija gjatë kohës së komunizmit në Gjermaninë Lindore, nuk do të kishte pasur vërtet mundësi që të bëhej zyrtar publik dhe të bëhej anëtar i Parlamentit, sepse media është gjithmonë transparente dhe publike, media do të raportonte për këtë dhe do t’u thoshte njerëzve se çfarë njeriu është ai. Dhe nuk do të merrte më votat dhe në raste të veçanta, është e ndaluar që të ketë një punë publike. Mendoj që është një detyrë shumë e rëndësishme e medias gjithashtu që të tregojë kush është ky njeri apo ai njeri, sepse është e papranueshme, sepse ai bëri këtë apo atë. Nëse është e vërtetë, është detyra juaj do të thosha. Nga ana tjetër, varet nga shoqëria të thotë se ku janë limitet, kufijtë, vijat e kuqe, po. Çfarë është tepër dhe çfarë ishte pjesë e sistemit, pa i lënduar njerëzit në raste individuale. Por ky është një diskutim që çdo shoqëri duhet ta bëjë vetë.

 

Dhe pyetja e fundit. Shqipëria në një mënyrë po përpiqet të përballet me të kaluarën e vet komuniste, edhe pse kanë kaluar 25 vjet tani. Ne dëgjojmë se Shqipëria do të përdorë modelin gjerman për të hapur dosjet e atyre njerëzve që kanë punuar për regjimin e kaluar dhe kanë qenë pjesë e strukturave të sigurisë dhe të strukturave të tjera. Ne e quajmë thjesht hapje të dosjeve. Çfarë do të thotë hapje e dosjeve, sipas modelit gjerman? Çfarë do të shohin dhe do të ndiejnë njerëzit?

Hapje e dosjeve do të thotë qe nëse dikush është fajtor apo duket të jetë fajtor, që çoi njerëz në burg apo që vrau njerëz, atëherë duhet të marrë përgjegjësi, të shkojë në gjykatë dhe varet nga vendimi i gjykatës, mund të arrestohet.

 

Do të përjashtohej nga jeta publike, nga postet publike?

Po, po, të dyja, varet nga çfarë ka bërë nëse në të vërtetë ka vrarë njerëz, nëse vërtet i ka çuar në burg pa bërë gjë gabim, thjesht pse kishin mendimin e gabuar apo diçka të tillë. Duhet të marrin përgjegjësi, kështu është. Nga ana tjetër, mos mendoni që i marrim 100 për qind të atyre që janë fajtorë. Natyrisht jo. Por ata që mund t’i kapim vërtet, do t’i trajtonim në këtë mënyrë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency