Abuzimi Mbyllet hetimi për tre ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Vlorë, dosja në Gjykatë

0
153

Gjykata-e-Vlores_2

Alma Çuka

Dyshohet se abuzuan me legalizimin e objekteve në zonat bregdetare. “Shpërdorim detyre” në 41 raste. Para Gjykatës, ish-drejtori dhe dy ish-përgjegjës të zyrës së ALUIZNI-t

 

Mbyllet hetimi për tre ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Vlorë dhe dosja shkon për gjykim në Gjykatën e këtij rrethi. Burime të Prokurorisë së Vlorës bëjnë me dije se pas një hetimi që zgjati rreth një vit, u bë i mundur koordinimi i provave dhe verifikimi i tyre dhe më pas përcaktimi i përgjegjësive për secilin nga tre zyrtarët. Të njëjtat burime në një raport të hollësishëm shprehen se Roland Tafilaj, ish-drejtor i zyrës, si edhe shtetasit Besnik Zërra dhe Stela Deromemaj, ish-përgjegjës të ALUIZNI-t të këtij qyteti, dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Hetimi ndaj tre personave në fjalë nisi pas depozitimit të një kallëzimi penal nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në dhjetor të vitit 2013. Këta zyrtarë, sipas Prokurorisë, akuzohen se, në kundërshtim me ligjin, në 41 raste kanë kualifikuar për legalizim objekte dhe parcela ndërtimore informale që sipas planeve urbanistike të miratuara rezulton se ndodhen në vende ku nga studimet përkatëse janë parashikuar rrugë, trotuare apo që janë parashikuar si zonë e gjelbër. Në materialin e Prokurorisë së Vlorës thuhet se ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t Vlorë, Roland Tafilaj, aktualisht është nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, në vijim të një tjetër hetimi që po përfundon po për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” nga ana e Prokurorisë së Sarandës, për shkak të dhënies së disa lejeve të ndërtimit në zonën e Ksamilit. Gjithashtu, po i njëjti person, pak muaj më parë, është dënuar me 1 vit e gjysmë burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë për “Shpërdorim detyre” në dhënien e lejeve të legalizimeve për disa objekte të tjera. Kjo çështje është aktualisht duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit Vlorë.

 

Hetimi

Sipas Prokurorisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një kontroll në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë, lidhur me procedurat e ndjekura për legalizimin e objekteve dhe parcelave ndërtimore informale nga ana e kësaj Drejtorie. Në përfundim të raportit thuhet se ALUIZNI në Vlorë ka legalizuar në kundërshtim me ligjin një sërë objektesh parcelash ndërtimore informale. Përfundimet e raportit të KLSH-së, u hetuan me hollësi nga organi i akuzës. Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë administruar kopje e njësuar me origjinalin e të gjitha praktikave të dosjeve të legalizimeve të përmendura në kallëzimin penal, janë administruar nga Drejtoria Rajonale e ALUZINI-t Vlorë kopje e njësuar me origjinalin e të gjitha studimeve urbanistike që lidhen me vendet ku ndodhen objektet informale dhe parcelat ndërtimore të legalizuara, si dhe njëkohësisht është vendosur kryerja e një ekspertimit teknik me specialist të fushës, me qëllim për të verifikuar përputhshmërinë e objekteve dhe parcelave informale të miratuara me kriteret për legalizimin e tyre. Prokuroria ka arritur në përfundimin se në 41 raste janë kualifikuar për legalizim objekte dhe parcela ndërtimore informale që sipas planeve urbanistike të miratuara rezulton se ndodhen në vende ku nga studimet përkatëse janë parashikuar rrugë, trotuare apo që janë parashikuar si zonë e gjelbër. Lidhur me të gjitha këto objekte ka përfunduar procedura e legalizimit dhe njëkohësisht shtetasit e mësipërm janë pajisur me aktin administrativ të lejes së legalizimit, që i bën ata pronarë të parcelave dhe objekteve informale të legalizuara.

 

Shkeljet e të pandehurve

I pandehuri Besnik Zërra ka nënshkruar në cilësinë e përgjegjësit të sektorit të urbanizimit në 21 raste, duke kualifikuar kështu në kundërshtim me ligjin objekte informale të cilat duhet që të ishin përjashtuar nga procedura e mëtejshme e legalizimit. Edhe në vetë formularin e aktit të kualifikimit janë përshkruar kërkesat nëse objekti informal cenon sistemin rrugor rajonal apo nëse shkel vijën e ndërtimit. Në këto raste nga përgjegjësi i sektorit është përshkruar që këto kërkesa nuk cenohen, duke kualifikuar kështu për legalizim objektet informale, të cilat në fakt nuk plotësonin kërkesat e mësipërme dhe duhet që të ishin përjashtuar nga procesi i legalizimit. Në 17 raste nga hetimet e kryera ka rezultuar se përgjegjës i sektorit të urbanizimit ka punuar e pandehura Stela Deromenaj (Jakoel), duke kualifikuar kështu kundërshtim me ligjin objekte informate, të cilat duhet që të ishin përjashtuar nga procedura e mëtejshme e legalizimit. Në tre raste mungojnë aktet e kualifikimit në dosjet e lejeve të legalizimit, por edhe këto janë dosje të së njëjtës periudhë kur kanë punuar si përgjegjës të sektorit të urbanizimit dy të pandehurit e mësipërm. Në raportin e kontrollit është përshkruar se në momentin kur është kryer auditimi nga ana e KLSH-së në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë nuk kanë qenë të administruara në mënyrë të plotë planet e studimeve urbanistike në planimetri dhe në planshete, por vetëm vendimet e miratimit të tyre. Nga verifikimet e kryera nga grupi i kontrollit në arshivën e Drejtorisë Rajonale të ALUZINI-t Vlorë ka rezultuar se nuk janë gjetur studimet urbanistike pjesore në planimetri. Sipas raportit të kontrollit në datën 27.0=2.2012 janë tërhequr prej tyre në arshivën e Bashkisë Vlorë të gjitha studimet urbanistike në planimetri dhe në planshete, të cilat janë të domosdoshme për të përcaktuar nëse një ndërtim informal i caktuar përmbushte ose kriteret për të përfituar nga ligji i legalizimit. Në këtë mënyrë procedura për kualifikimin e objekteve dhe të parcelave informale të mësipërme ka vijuar pa u ballafaquar në mënyrë të plotë të dhënat me studimet urbanistike pjesore të miratuara në planimetri dhe në planshete.

 

Shkeljet e drejtorit

I pandehuri Roland Tafili në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë, si dhe të pandehurit Besnik Zërra dhe Stela Jakoel (Deromemaj), në cilësinë e ish-përgjegjësit të sektorit të Urbanizimit në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë, kanë kualifikuar për legalizim parcelat ndërtimore dhe objektet informale të përmendura më sipër, të cilat nuk plotësonin kriteret për tu legalizuar. Këto veprime të të pandehurve kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit, pasi janë legalizuar ndërtime informale të ndodhura në parcela informale që përbëjnë pronë publike dhe që janë parashikuar në studimet urbanistike si rrugë, trotuar, apo si hapësirë e gjelbër dhe ku nuk mundet që të ketë ndërtime, si dhe njëkohësisht iu kanë sjellë personave që kanë kryer legalizimet përfitime të padrejta, pasi në favor të tyre është kryer në kundërshtim me ligjin legalizimi i parcelave dhe ndërtesave informale të cilat nuk duhej që të ishin legalizuar. Hetimi fillimisht janë kryer edhe ndaj ish-përgjegjësit të hartografisë së ALUIZNI-t në Vlorë, Gentian Zeneli. Por pas hetimeve rezultoi se Zeneli nuk ka pas përgjegjësi për dhënien e lejeve te legalizimit dhe se përgjegjësia direkte u mbetet tre të pandehurve të mësipërm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency