Vrasjet, skandali i QSUT-së dhe truproja e ministres/ Rama: Furtunë në gotë, po bëjmë reforma të thella që prekin interesa të mëdha

0
137

Gëzim Saliu

edi rama me flamur sakte“Kundërshtarët politikë po dalin nga binarët e arsyes, pakënaqësi mes atyre që u është prishur bashkëjetesa me shtetin e me ligjin. Nuk ka rilindje pa sakrifica e vështirësi”

Kryeministri Rama komentoi dje ngjarjet e ndodhur ditët e fundit, duke dhënë përgjigje ndaj akuzave të opozitës për videon e QSUT-së, truprojën e ministres së Arsimit si edhe vrasjet në Tiranë. Sipas kreut të qeverisë, të gjitha këto nuk janë asgjë më shumë: “Ngritja e një furtune në gotë”, pasi theksoi Rama, reformat e ekzekutivit kanë prekur shumë njerëz që nuk kanë jetuar me ligjin. Për kryeministrin, reformat që po bën qeveria janë të thella dhe po prekin struktura të konsoliduara prej kohësh. Në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Rama pohoi se vendi po rilind dhe se rilindja nuk mund të vijë pa sakrifica e vështirësi.

 

Reagimi

Në reagimin e tij për ngjarjet e fundit të ndodhura në vend, Kryeministri theksoi: “E patë se si u ngrit një furtunë në gotë me një video nga QSUT që tani na del se qenka e manipuluar?! E patë se si u ngrit një furtunë në gotë për një truprojë ministri që u tha “bënte lek me punësime” dhe pastaj na doli se s’kishte punësuar dot askënd, po kishte humbur edhe punën e vet për të shkuar para drejtësisë? E patë se si u ngrit një furtunë në gotë për një “luftëtare” kundër korrupsionit që u tha se e larguam ngaqë u trembëm prej heroizmit të saj dhe pastaj na doli se qenka një abuzuese e paepur me ligjin e me detyrën shtetërore?! Shume shpejt do ta shihni edhe se si, po njësoj, në gotë është ngritur dhe furtuna mbi ngjarjet e fundit kriminale në Tiranë. Vetëm pak durim, sepse në këtë rast ka një hetim që kërkon kohën e vet”. Më tej në komentin e tij, kreu i qeverisë tha se mazhoranca po bën reforma të thella duke lëvizur, sipas tij, ujëra të ndenjur e të qelbur prej vitesh. Në këtë kontekst Rama shtoi se me këtë aksione e reforma të qeverisë po preken interesa të mëdha dhe struktura të konsoliduara prej kohës për së prapthi. “Natyrshëm kundërshtarët politike po dalin edhe më shumë nga binarët e arsyes. Natyrshëm kundërshtarët mediatike po hidhen edhe më lart përpjetë se zakonisht për ta bërë tra çdo qime. Krejt natyrshëm po krijohen edhe pakënaqësi mes atyre qe u është prishur një mënyrë e caktuar bashkëjetese me shtetin e me ligjin, apo mes atyre që pas njëzet vjet zhgënjimesh i duan gjërat të zgjidhen të gjitha me shkopin magjik”, – u shpreh ai. Gjithashtu, në reagimin e tij, Rama nuk ngurroi të theksonte se mazhoranca nuk qeveris për pushtetin e saj, porse, sipas tij, për të vënë pushtetin ne shërbim të interesave të kombit e njerëzve të këtij vendi. “Prandaj dy gjëra janë të qarta: 1. Qeveria reagon menjëherë ndaj çdo krimi, abuzimi e shkeljeje dhe shteti në tërësi ka filluar të reagojë pas shumë vitesh paralize. 2. Lajmet e furtunave që përhapen në forma deri edhe histerike duke i përfshirë shikuesit, dëgjuesit, lexuesit në vorbulla të ngritura pa analizuar e verifikuar faktet e pretenduara, duhen marrë me shumë rezerve. Kurajo, Shqipëria po rilind dhe siç nuk ka lindje pa dhimbje as rilindje pa sakrifica e vështirësi nuk mund të ketë!”, – përfundoi reagimin e tij kryeministri Rama.

 

 Ngjarjet në Tiranë/ Berisha: Rama nuk mbulohet dot me gjethe fiku, është meduza e krimit

Ish-kryeministri Berisha reagoi dje ndaj ngjarjeve të ndodhura në Tiranë, duke e cilësuar kreun e qeverisë, Rama, si të lidhur me botën e krimit. Sipas deputetit demokrat, qeveria po mbron kriminelët e ndërsa po i kundërvihet opozitës me padi si në mënyrë për të fshehur lidhjet e saj. “Tre nete me pare, Tirana u terrorizua nga nje krim serial i bandes se qeverise Shullazi, u pergjaken Rruga e Kavajes, Rruga D Hila dhe, rreth 20 minuta me vone, edhe autostrada ne dalje te Tiranes.Dje, Policia e shtetit policor, qe ka burgosur me urdher te Rames per energji adoleshenten qe rriste tre jetim se nuk kishte para per te paguar energji apo qe kishte marre ne komisariat edhe femije pese vjecar me te emen, po per kete shkak, liroi me nderime te vecanta mekembesin e qeverise ne banden Shullazi, Emilianon. Ky akt kriminal akuzon rende Ramen dhe tregon lidhjet e tmerrshme te tij me krimin dhe me kete bande, si kryetari de fakto i saj. Ne kete gjendje, Rama i zbuluar me lakuriq se ne plazhet e botes, vrapoi dje me terbim te gjeje nje gjethe fiku per te mbuluar turpet e tij. Ai zgjodhi per te tille padine penale dhe civile ndaj Edi Palokes, vetem e vetem se, ne emer te opozites, ai i beri dje publikisht Rames disa pyetje per lirimin e Shullazit dhe qe atij i ngecen keqas ne fyt”, – shkruante Berisha në rrjetin social “FB”. Në fund të reagimit të tij Berisha kërkoi largimin e Kryeministrit Rama dhe qeverisë përmes protestave popullore. “Lidhjet e Edi Rames me krimin dhe bandat jane te tmerrshme, te pazgjidheshme dhe mjerisht me pasoja katastrofale per vendin dhe stabilitetin e tij! Vetem largimi i tij, me protesta mbare popullore, do te shpetojne Shqiperine!”, – u shpreh ai.

 

Hyjnë në fuqi/ Ndryshimet e Kodit Rrugor, rriten gjobat, patenta me pikë

Hynë në fuqi që nga dita e djeshme ndryshimet e Kodit Rrugor, të cilat i bashkëngjiten përditësimit të ligjeve në fushën e transportit, sipas direktivave të Bashkimit Evropian. Në bazë të këtyre ndryshimeve, do të rriten gjobat për shkelësit si edhe do të nisë patenta me pikë. Përmes këtyre ndryshimeve, do të ketë detyrim për drejtuesit e mjeteve që t’i pajisin automjetet me ndenjëse të posaçme për fëmijët deri në 12 vjeç. Po ashtu, personat që do të merren me transport pasagjerësh do të pajisen me leje të veçantë drejtimi. Nga ana tjetër me ligjin e ri ndryshon edhe masa administrative e vendosjes së gjobave, kryesisht për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet dhe vjedhjet. Gjithashtu ndryshimet rrisin kohëzgjatjen e kurseve të detyrueshme për tu pajisur me patentë, për rrjedhojë tarifa më të larta ku aktualisht kushtonte 37 mijë lekë dhe me ndryshimet e reja ligjore, sipas pronarëve të autoshkollave vlera e tij nuk do të jetë më pak se 50 mijë lekë. Po ashtu ligji i ndryshuar parashikon që të gjithë personat që kane varësi nga alkooli apo lëndët narkotike nuk do të pajisen me leje drejtimi, apo personat që transportojnë fëmijët në shkolla duhet të kenë leje të posaçme për ta kryer këtë funksion.

 

 OSHEE, kërkesë Kuvendit për faturat e energjisë së deputetëve

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kërkon Kuvendit të dhëna për faturat e energjisë së 140 deputetëve të legjislativit. Nëpërmjet një shkrese dërguar Kuvendit në muajin dhjetor, duke iu drejtuar sekretares së përgjithshme të Parlamentit, Albana Shtylla si dhe drejtorit të Kabinetit të këtij institucioni, Gëzim Veleshnja, OSHEE kërkon që të bëhen verifikime për librezat e energjisë së deputetëve. Nga ana tjetër bëhet e ditur se deputetët janë njohur me kërkesën e OSHEE-së, ndërsa pritet që Kuvendi t’i dërgojë së shpejti një shkresë Operatorit të Shpërndarjes për faturat e energjisë së deputetëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency