Vendimi/ Atentatet e 5 janarit, efektivi Roland Meta nën akuzë për “Vrasje me dashje”

0
146

policia ne Atentatet e 5 janaritPas komunikatave të policisë, hije dyshimi për lidhjen e ngjarjeve me njëra-tjetrën. Prokuroria argumenton se efektivi i policisë ka vrarë një njeri, ndërkohë nuk ishte në detyrë

Efektivi i policisë, Roland Meta, i cili u bë protagonist në ngjarjen e datës 5 maj në rrugën “Islam Alla”, ku gjatë një shkëmbimi zjarri me armë, mbeti i plagosur ndërsa u vra shtetasi Artur Baze, do të qëndrojë në masën e arrestit me burg, deri në përfundim të hetimeve. Ky është vendimi i Gjykatës së Tiranës, pas kërkesës së bërë nga prokurori i çështjes. E ndërsa ishte i pranishëm në vendin e krimit dhe mori pjesë në eliminimin e atentatorit që dyshohet se ka qenë vrasës me pagesë, Meta nuk arriti të bindte organin e akuzës se në kushtet ku ndodhej, ishte i detyruar të vepronte në atë mënyrë. Prokuroria nga ana e saj pretendon se efektivi i policisë ka vrarë një person me dashje, ndërsa nuk ndodhej në detyrë. Dhe këtë pretendim organi i akuzës e mbështet tek materialet e referuara nga Policia e Shtetit. Në rast se Gjykata në përfundim të hetimit gjyqësor do të marrë parasysh pretendimet e akuzës, atëherë efektivi i policisë në bazë të nenit 76 të Kodit Penal, rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg.

 

Rrethanat e ngjarjes

Ngjarja, për të cilën janë ngritur dyshime për shtetasin Meta ka ndodhur në mbrëmjen e datës 5.1.2014, në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ku i dyshuari dhe disa persona të tjerë janë gjendur nën goditjen me armë zjarri të qëlluara nga shtetasi Artur Baze. Sipas policisë, në reagim të sulmit nga ana e shtetasit Baze, ku fillimisht ka mbetur i plagosur shtetasi Pajtim Serjani, personi i dyshuar Roland Meta, i cili rezulton të mos ketë qenë në shërbim në atë moment, i ka bërë thirrje agresorit “Ndal Policia!” dhe “Hidhe armën në tokë!” Agresori Baze ka tentuar të largohet me vrap në rrugën “Ismal Alla”, i ndjekur nga ana e personit të dyshuar Meta. Gjatë ndjekjes, ndërmjet këtyre dy personave ka pasur shkëmbim zjarri, nga e cila ka mbetur i plagosur shtetasi Meta, i cili menjëherë është dërguar në spital me automjetin e një shtetasi që gjendej aty pranë. Ndërsa më pas, pas mbërritjes së policisë, është gjetur i vdekur shtetasi Artur Baze ose i quajtur ndryshe (Arianit Sterjo).

 

Provat

Në bazë të provave të grumbulluara gjatë këtyre hetimeve paraprake, nga ana e policisë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Roland Meta, pasi rezulton se, me armë zjarri, ka qëlluar dhe ka vrarë viktimën Arjanit Sterio alias Artur Baze, i cili pak momente më parë ka qëlluar duke tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasit: Pajtim Serjani, Denis Ramani, Ditmir Reçi si dhe të arrestuarin Roland Meta. Prokuroria shtoi gjatë seancës së masës së sigurimit se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova që i arrestuari Roland Meta të ketë konsumuar elementet e veprës penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i K. Penal, pasi me veprime aktive dhe me dashje eventuale ka vrarë me armë zjarri shtetasin Arjanit Sterio alias Artur Baze.

 

Neni 6 i ligjit nr. 72/2014 “Për armët”, ku u mbështet Prokuroria

Përgjegjësia për pasojat e përdorimit të armës

  1. Punonjësit e policisë apo subjektet e tjera, të cilat përdorin armë zjarri, kanë përgjegjësi personale, përveç rasteve në të cilat punonjësi është në përbërje të njësisë që vepron në një operacion policor ose ushtarak, në zbatim të nenit 173, pika 2, të Kushtetutës, dhe kur urdhri i dhënë nga drejtuesi i operacionit për të qëlluar nuk është i kundërligjshëm.
  2. Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe subjektet e tjera, kur përdorin armët e zjarrit në kundërshtim me këtë ligj, përgjigjen penalisht, sipas llojit të veprës penale të kryer, në përputhje me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë.

 

 Atentati ndaj Shullazit, mister, policia asnjë autor të dyshuar

Ndërsa ndaj efektivit të policisë policia dhe prokuroria proceduan, duke e lënë në burg pa afat pas ngritjes së akuzës për vrasje me dashje, ende nuk ka asnjë të dhënë për ngjarjen e po asaj nate të 5 janarit ku në vendin e quajtur Qafa e Kasharit, iu bë atentatit një prej personazheve të njohur të botës së krimit, Emiljano Shullazi dhe shokut të tij të ngushtë, Gilmando Dani. Policia deri në këto momente e deklaron të ndara të dy ngjarjet, duke theksuar me forcë se nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa ka hipoteza të ndryshme të cilat flasin për të kundërtën. Një prej tyre është orari i atentatit, për të vazhduar më tej me gëzhojat e shumta të gjetura në vendin e ngjarjes dhe armët e krimit të cilat u deklaruan se ishin gjetur atë natë. Nga dy ngjarjet e së njëjtës datë aktualisht ndodhet në burg vetëm një efektiv policie, i cili reagoi dhe eliminoi atentatorin gjatë kohës së nuk ishte në shërbim. Ndërsa për autorët e dyshuar të atentatit ndaj Shullazit nuk ka asnjë të dhënë. Policia deri tani nuk ka dalë me ndonjë deklaratë dhe të shpjegoi se deri ku shkojnë gjurmët e tyre. E vetmja që ka reaguar dhe kërkon zbardhjen e ngjarjeve të rënda është opozita.

 

Ristani: Edi Rama hesht, Prokuroria të bëjë transparencë dhe të hetojë ngjarjet

Kur kanë kaluar katër ditë nga dy ngjarjet e rënda të ndodhura brenda një harku të shkurtër kohor, opozita reagon sërish përmes një deklarate për shtyp. Këtë radhë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ristani, denoncon alibinë që ka ndërtuar qeveria për Emiljano Shullazin, për përplasjen e përgjakshme me armë në mes të Tiranës. Ristani i bën thirrje Prokurorisë të bëjë transparencë e të hetojë me profesionalizëm për interesin më të lartë publik. Sipas tij, është e qartë se qeveria,nuk dëshiron të flasë lidhur me dy ngjarjet e fundit në Tiranë dhe kjo thotë ai është e qëllimshme. “Teksa heshtin, dhe nuk bëjnë transparencë, është e dukshme, se nga ana tjetër, qeveria po jep gjithë ndihmën e nevojshme për të lehtësuar rrethanat e bandës me të cilën ka lidhje, me të cilën bashkëpunon. Është fakt tani i pranuar edhe nga zyrtarët se kemi një alibi për Emiljano Shullazin, i cili sipas policisë është gjetur i pastër, i paarmatosur. Të gjithë të dhënat tregojnë të kundërtën. Raportimi në media, informacionet që dalin nga burime të policisë dhe gjithë rrethanat e ngjarjes janë krejt të kundërta me ato që nxjerr Ministri i Brendshëm. Çdo kush e ka kuptuar se Ministri i Brendshëm drejtpërdrejt dhe Kryeministri në distancë, po dezinformojnë qëllimisht që banda kriminale dhe kreu i saj, t’ia hedhin paq, pa asnjë orë burgu”, – tha në fjalë e tij sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Opozita shprehet se transparenca për këtë krim të rëndë, ndodhur në mes të qytetit është me rëndësi të jashtëzakonshme, ndërsa i bën thirrje organit të akuzës të vendos ligjin. “Nëse banda kriminale e kreu i saj për shkak të lidhjeve që ka me Ministrin e Kryeministrin, i shpëton ligjit edhe pas ngjarjes së fundit me përleshje të përgjakshme e me viktima, atëherë kanë rënë të gjitha garancitë për rend e siguri publike në vend. Nëse kjo ndodh, Emiljano Shullazin nuk duhet ta kërkojmë më në Rrugën e Kavajës, por në zyrat qendrore të qeverisë”, – tha Ristani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency