Me Fleckenstein/ Basha: Territorialja, kundër interesave kombëtare, s’do këtë zgjedhje me këtë hartë

0
121

Erneta Shevroja

Basha Me Fleckenstein “Qeveria vazhdon qasjen e njëanshme jo për të sjellë reformë në drejtësi, por për ta kapur atë”

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, realizoi dje disa takime me krerët e shtetit, ku u njoh me reformat e nisura dhe të planifikuara në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Eurodeputeti është takuar me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, kreun e opozitës, Lulzim Basha, dhe në mungesë të Kryeministrit, ai ka zhvilluar një takim me zv.kryeministrin Niko Peleshi. Fleckenstein po ashtu ka zhvilluar takime edhe me ministra. Në takimin e djeshëm me liderin e demokratëve, Lulzim Basha informoi raportuesin e PE-së në Shqipëri, Knut Fleckenstein, mbi zhvillimet më të fundit në vend dhe po ashtu me shqetësimet lidhur me reformën në drejtësi, dhe me atë territoriale, që tashmë konsiderohet e mbyllur me verdiktin që dha Gjykata Kushtetuese, në muajin dhjetor të vitit që sapo kaloi. Kryedemokrati edhe një herë ka përsëritur se me hartën territoriale, që ndan territorin në 61 njësi bashkiake, nuk do të ketë zgjedhje lokale që janë parashikuar të zhvillohen më 21 qershor.

 

Zgjedhjet lokale

Eurodeputeti dje në mesditë zhvilloi takimin me kreun e demokratëve, Lulzim Basha, në selinë blu. Në takimin e dytë zyrtar brenda një kohe shumë të shkurtët me eurodeputetin Fleckenstein, kreu i demokratëve nuk e përqendroi fjalën e tij vetëm te dekriminalizimi i Kuvendit, por edhe tek reformat e ndërmarra tashmë nga qeveria. Mes të tjerave, Basha foli edhe për reformën administrative-territoriale, e miratuar vetëm me votat e mazhorancës, që, sipas tij, është kundër interesave kombëtare. Ai është shprehur e kjo ndarje në 61 njësi bashkiake i shërben vetëm interesit të “dyshes Rama-Meta”. Basha ka denoncuar “ndarjen territoriale, duke e konsideruar si një hartë të interesave elektorale të dyshes Rama-Meta, kundër interesit kombëtar. Basha ka theksuar se “nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë”.

 

Reforma në drejtësi

Qëndrimi i demokratëve mbi reformën në drejtësi është po ashtu shqetësues, është shprehur kryedemokrati. Sipas tij, reforma shumë e rëndësishme, ajo në drejtësi është e njëanshme dhe nuk zbatohet thirrja e demokratëve për ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë. Basha tha se qeveria “vazhdon me qasjen e njëanshme jo për të sjellë reformë në drejtësi, por për ta kapur atë, duke mos e futur në korsinë evropiane, të gjithëpërfshirjes, të qëndrueshmërinë e marrjes së konsensusit e ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë”.

 

Dekriminalizimi i Kuvendit

Çështja me të cilën u mbyllën dhe punimet e Kuvendit për vitin që sapo ka kaluar, ajo e dekriminalizimit, sipas Bashës ishte diçka urgjente. Basha tha se “çdo ditë e më shumë bëhet i nevojshëm dekriminalizimi dhe ngjarjet e fundit në Tiranë, nxorën zbuluar lidhjet qeveritare të një bande të rrezikshme kriminale”.

Kryetari i Partisë Demokratike e informoi z. Fleckenstein për paligjshmërinë me të cilën qeveria po cenon të drejtën e pronësisë së qytetarëve, duke “shembur objektet në zotërim të ligjshëm, në kundërshtim me procedurën ligjore, duke u mohuar pronarëve ankimimin gjyqësor”. Basha e njohu eurodeputetin “me arbitraritetin që po manifeston qeveria me aksionet policeske ndaj qytetarëve të pamundur, çka ka sjellë shpesh pasoja dramatike në humbje jete, dhe në ndëshkime të papranueshme me errësirë edhe në ditët e ndërrimit të viteve për mijëra qytetarë të vendit”.

Sipas Bashës, qeveria me aksionet e saj shkel të drejtat e njeriut. Paligjshmëria që po nxitet nga qeveria, ka sjellë një shkelje masive të të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet e administratës”, – ka nënvizuar kryedemokrati. Vizita e Fleckensteit vjen në kuadër të përgatitjes së progres-raportit për vendin tonë, por edhe për të parë nga afër zbatimin e rezolutës që Kuvendi miratoi në mbyllje të sesionit, marrëveshje që ktheu në Kuvend opozitën. Ndërkohë të premten është parashikuar konferenca për shtyp pas takimit që Fleckenstein do të ketë me deputetët Taulant Balla dhe Majlinda Bregu në lidhje me ecurinë e zbatimit të marrëveshjes mazhorancë-opozitë.

 

Takimet e Fleckensteinit/ Peleshi: Ligji do të sundojë në çdo aspekt të jetës në vend

 Në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ndodhet në vend, raportuesi pranë BE-së për Shqipërinë është takuar me zv.kryeministrin Niko Peleshi dje në orët e paradites. Në këtë takim, zv.kryeministri është shprehur për reformat e ndërmarra nga qeveria për sundimin e ligjit në të gjitha aspektet e jetës dhe për rëndësinë e reformës në drejtësi.  “Qeveria shqiptare është e vendosur për sundimin e ligjit në çdo aspekt të jetës së vendit dhe për rëndësinë që do të ketë reforma në drejtësi gjatë vitit 2015”, – deklaroi Peleshi. Sipas njoftimit nga Kryeministria, në fokus të bisedës mes tyre ka qenë progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe ecuria e përmbushjes së pesë prioriteteve. Zëvendëskryeministri falënderoi Fleckenstein për angazhimin e tij personal në mbështetje të dialogut politik në vend dhe e njohu atë me hapat e ndërmarra nga qeveria për përmbushjen e pesë prioriteteve si dhe me planet e saj për reformat që do të ndërmerren në të ardhmen. Ndërkohë nga ana e tij eurodeputeti Fleckenstein shprehu gatishmërinë e tij dhe të Parlamentit Evropian për të ndihmuar Shqipërinë dhe njohu përparimin e bërë në përmbushjen e pesë prioriteteve të integrimit. Ndërkaq, në orët e pasdites, eurodeputeti është takuar me disa ministra të kabinetit qeverisës. Ai ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

 

Meta takim me Fleckenstein: Bashkëpunimi politik, thelbësor për reformat

Raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, u takua dje edhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, me të cilin ndau pikëpamjet e tij për zhvillimet më të fundit politike në vend. Eurodeputeti e ka vlerësuar rikthimin e deputetëve të opozitës në Kuvend, pas gati 6 muajsh, si një hap shumë pozitiv. Raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein u shpreh se përfundimi i bojkotit parlamentar të opozitës vlerësohet si një zhvillim pozitiv për demokracinë shqiptare duke vënë në dukje se Parlamenti Evropian do të jetë gjithnjë pranë Shqipërisë për avancimin edhe më të shpejtë të procesit të integrimit evropian. Po ashtu, edhe kreu i Kuvendit, Meta, vlerësoi hapin e opozitës për thyerjen e bojkotit. Meta vlerësoi rikthimin e opozitës në Kuvend gjatë muajit dhjetor dhe nënvizoi vullnetin për të mirëpritur një angazhim edhe më aktiv të të gjitha palëve politike si dhe të shoqërisë civile e grupeve të interesit në funksion të përmbushjes së prioriteteve që kërkon integrimi evropian i vendit. Kryeparlamentari Meta ka shprehur mirënjohjen e tij për përpjekjet e eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Parlamentit Evropian në mbështetje të dialogut politik dhe frymës së bashkëpunimit konstruktiv në Shqipëri. Meta dhe Fleckenstein shprehën bindjen se Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e frymës së bashkëpunimit substancial politik në vend dhe në progresin e reformave madhore që nevojiten, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe strukturave të Bashkimit Evropian është thelbësor në këtë drejtim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency