Standard.al

Zgjedhjet lokale/ Berisha: PS i ka fituar në tavolinë, s’di nëse mund të pranohen

Erneta Shevroja

 Berisha deklarata per BankenIsh-kryeministri paralajmëron një përgjigje “therëse” për shefin e qeverisë për darkën me gazetarët, rritja e energjisë karastrofale për shqiptarët

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se zgjedhjet lokale me hartën e re territoriale janë të destinuara të fitohen me raportin 51 me 9 për koalicionin e majtë. Në një takim me mediat, ish-kreu i PD-së tha se me ndarjen e territorit në 61 bashki, rezultati i zgjedhjeve është parashikuar që 51 prej tyre të fitohen nga PS-LSI dhe vetëm 9 të fitohen nga Partia Demokratike. Nëse do të hyjë e djathta në zgjedhjet lokale, Berisha tha se këtë e vendos kryetari i partisë bashkë me Këshillin Kombëtar të PD-së. Berisha foli edhe për darkën e Kryeministrit Edi Rama me gazetarët, të cilën ish-kryeministri e cilësoi të neveritshme, ndërsa fjalimin thumbues të Ramës e cilësoi si mungesë mikpritjeje dhe aspak e denjë nga ana e shefit të qeverisë. Berisha paralajmëron një përgjigje serioze ndaj Kryeministrit sa i përket darkës me gazetarët dhe pronarët e mediave. Ish-kryeministri bëri një pasqyrim të Shqipërisë për vitin që po kalon, 2014.

 

Zgjedhjet

Sa u përket zgjedhjeve, Berisha rezervohet të japë një përgjigje nëse PD-ja do të hyjë dhe për rezultatin që mund të pritet, që sipas ish-kreut të demokratëve, favorizon të majtët. “Në analizën elektorale të cilitdo, përjashto ekspertët e PD-së, çdo njeri, edhe ju po të merrni të dhënat, në analizën elektorale është bërë që, nga 61 bashki aktualisht PS-ja të dominojë në 51 prej tyre. Atëherë ky është problemi. A do të pranohet që të bëhet paraprakisht një marrje në tavolinë e zgjedhjeve. Në vitin 2000 u zhvilluan zgjedhjet lokale dhe Presidenti Carter dhe fondacioni na ndihmoi duke dërguar një ekip. Në raport ai tha se zgjedhjet janë të vdekura pa u zhvilluar dhe nuk erdhën t’i monitorojnë. Se çfarë qëndrimesh do të mbahen nuk e di. Bojkoti nuk është praktikë evropiane dhe ndonjë vendi të lirë, por që të parashikosh rezultatin 50 me 9 nuk e di sesa mund të pranohet. Këto do të jene çështje të një debati dhe të një dialogu. Ne jemi një vend me kontratë me BE-në dhe ne jemi të detyruar të punojmë për standard, pasi zgjedhjet janë shtylla kryesore e marrëveshjes së Kopenhagenit.

 

Darka

Ish-kryeministri e cilëson shefin e qeverisë aspak mikpritës. Kjo, referuar darkës që Kryeministri Edi Rama organizoi me gazetarët dhe pronarët e mediave. Berisha e dënon organizimin, ndërkohë paralajmëron një përgjigje, një prononcim të veçantë, që nga toni, mund të kuptohet se do të jetë e papritur dhe shumë serioze. Këtë, tha Berisha, do ta bëjë edhe në emër të mediave, pasi këto të fundit, sipas tij, e kanë pasur të vështirë përgjigjen. Në një prononcim të veçantë unë do të dënoj me përçmim dhe e neveri darkën e thartuar, që sipas skenarit të Çakulit iu ofroi Edi Rama, duke dëshmuar se është i padenje për të qenë mikpritës. Për të mos thënë shumë gjëra të tjera. Atij do t’i përgjigjem pasi mediat e kanë pasur të vështirë përgjigjen. Në emër të tyre do t’i japë një përgjigje të merituar”, – tha Berisha.

 

Çmimi i energjisë

Enti Rregullator i Energjisë, dje vendosi përfundimisht çmimin e ri të energjisë që do të faturohet nisur nga 1 janari. Sipas Berishës, mesatarizimi i quajtur nga qeveria nuk është gjë tjetër veçse një rritje “katastrofale”. Sipas të dhënave që dha ish-kryeministri, çmimi i energjisë do të pësojë rritje deri në 25 për qind më shumë se çmimi aktual, dhe kjo do të prek sidomos shtresat e varfra ndërsa favorizohen të pasurit. “Mesatarazim rreth 9.5% i thonë 25% rritje. Kjo është rritje katastrofale. Është një rritje tmerrësisht e rëndë për qytetarët shqiptarë. Dhe është e pamotivuar. Mesatarazim është lehtësim i vërtetë për ata që shpenzojnë mbi 1 mijë kilovat dhe është gjobë e tmerrshme për së paku 75% që janë brenda fashës 300 kilovat, por edhe për pjesën tjetër që arrijnë 600 kilovatë. Pra, kjo është një rritje shumë e madhe e çmimit. Rritje që nuk ka bërë kush kurrë në një kohë kur çmimi në Shqipëri është më i lartë se në terma nominale. Më i lartë se në Maqedoni në Serbi dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Kurse në terma reale është 2 deri në 5 herë me i lartë se në çdo vend tjetër në Evropë. Në këtë kontekst kjo është një gjobë masive që ju bëhet qytezave shqiptarë dhe unë jam i bindur se ata që protestuan më aq zemërim do të dine t’i tregojnë vendin kësaj qeveri të ule çmimin me çdo kusht se me këtë çmim nuk do të mund të përballojnë jetën shumica dërrmuese e shqiptare”, – deklaroi Berisha.

 

Rendi dhe siguria

Ish-kryeministri e vlerësoi vitin 2014, si viti i tritolit, shtetit policor dhe të maskave. “Ky vit që lamë pas është viti i tritolit, për shkak të viktimave, shpërthimeve, por edhe terrorit të krijuar me hedhjet në erë gjatë aksioneve. Gjatë këtij viti ka pasur rritje të vrasjeve dhe dhjetëfishim të grabitjeve me armë. Trafiqet janë shndërruar në lumenj që vërshojnë në të katër anët e kufijve të Shqipërisë. Si ndihen shqiptarët sot? Vidhen më pak apo më shumë nga administrata apo qeveria, dua të them ka më shumë apo më pak korrupsion? Sot në Shqipëri korrupsioni është shndërruar në sistem, në përputhje me postulatin “se kur vjedh kryeministri të gjithë vartësit e tij vjedhin pa ngurrim dhe e quajnë të ligjshme”, – tha ish-kryeministri.

 

Ekonomia

Sa i përket situatës ekonomike Berisha tha viti 2014 mund të quhet viti i zi. Ai tha se ekonomia shqiptare u fut në skenarin grek, për shkak të rritjes së borxhit publik. “Për herë të parë në 24 vjet ekonomia shqiptare bie në recesion. INSTAT nuk ka nxjerrë të dhënat e fundit, sepse po përgatit shifrat e Ramës, duhet të falsifikojë rritjen ekonomike të tremujorit të tretë. Ekonomia shqiptare u fut në skenarin grek. Marrëveshja e CEZ-it ishte e dështuar”, – deklaroi Berisha.

 

 Çmimi i energjisë, Basha: Është krim, thellon krizën e ekonomisë, rrit varfërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi krim rritjen prej 25 për qind të çmimit të energjisë elektrike. Ai tha se kjo rritje do të thellojë edhe më shumë krizën e ekonomike dhe do të varfërojë edhe më shumë qytetarët shqiptarë. “Rritja prej 25% e çmimit të energjisë për 75% të shqiptareve është një krim. Po goditen më të pamundurit, ata që nuk kanë asnjë mundësi ta përballojnë këtë rritje çmimi në kohe krize. I godet me këtë rritje çmimi pikërisht ai që ju premtoi para një viti uljen e çmimit të energjisë, ai që ka 6 muaj që thotë “çmimi nuk do të rritet, gënjen opozita. Laku ju ka ardhur në fyt shqiptarëve. Rripi është shtrënguar aq shumë sa po këputet. Rritja e çmimit të energjisë do ta thellojë krizën ekonomike, do t’i zhysë edhe më thellë shqiptarët në varfëri dhe papunësi. I vetëdijshëm për mashtrimin e tij kriminal, sot që dha mandatën e kobshme ia mbathi për Prishtinë, me stilin e tij hidh gurin e fshih dorën. Por përgjegjësisë para shqiptareve nuk do mund t’i ikë dot, kudo ta mbajë vrapin”, – shkroi dje Basha në “Facebook”.

Comments are closed.