Standard.al

Rekomandime/ Avokati i Popullit, Veliajt: Të rishikohet formula e ndihmës ekonomike

Alma Çuka

 totozaniPas hetimit administrativ, kërkohet rishikimi i listave të familjeve në nevojë. 250 familje ankohen se janë lënë jashtë këtyre listave, ndërsa kundërshtohet formula e pikëzimit

Qindra familje në nevojë, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian, në të gjitha qytetet, i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit, duke kundërshtuar heqjen e emrave të tyre nga lista e ndihmës ekonomike. Janë rreth 250 ankesa të regjistruara pranë këtij institucioni. Ndërkohë, burimet shprehen se për një periudhë 2-mujore kanë kryer një hetim administrativ, duke dalë në fund me rekomandimet konkrete. Avokati i Popullit në këtë kuadër i është drejtuar ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, me rekomandimet përkatëse. Këto rekomandime janë: “Marrja e masave konkrete për rishikimin e formulës së sistemit të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike, duke rishikimi i studimit e bërë për këtë qëllim”; “Futja e elementëve sqarues në përgjigjet e familjeve të cilët përjashtohen nga skema e ndihmës, mbi arsyet reale të këtij përjashtimi”. Pas këtyre rekomandimeve Totozani i lë afat 30 ditë ministrit Veliaj për kthimin e një përgjigjeje lidhur me këtë problem të cilin ai e konsideron delikat.

 

Hetimi administrativ

Prej më shumë se dy muajsh, Avokati i Popullit ka kryer një hetim administrativ, mbështetur tek ankesat e depozituara me objekt “Përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike”. Pjesa më e madhe e këtyre ankesave vijnë nga qarku i Elbasanit, kryesisht nga komuniteti rom dhe egjiptian, qarku i Durrësit, por edhe nga njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës. Janë regjistruar rreth 250 ankesa për të cilat institucioni i Avokatit të Popullit ngriti dhe një grup pune, qëllimi i të cilit ishte verifikimi i gjendjes së këtyre familjeve në terren dhe më konkretisht në Komunën Bradashesh, pranë pallateve të egjiptianëve Elbasan, si dhe në lagjen “Beqir Dardha” në qytetin e Elbasanit. U inspektuan në vend 90 familje dhe rezultoi se ishin përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike kategoritë që dukshëm ishin në gjendje të vështirë ekonomike,

gra kryefamiljare, të cilat ishin të divorcuara ose u ka vdekur bashkëshorti, persona të cilët janë të papunë dhe që nuk janë përfitues të ndonjë pensioni apo të ardhure tjetër ekonomike, familjet me një ose dy pjesëtarë, familjet të cilat pretendohet se janë të vetëpunësuar. Për Avokatin e Popullit veprimet për mosdhënien e ndihmës ekonomike janë veprime, të cilat vijnë në kundërshtim të hapur me realitetin e vërtetuar në terren. Sipas Totozanit, familjet në nevojë janë përjashtuar nga lista e ndihmës ekonomike falë një formule dixhitale të pikëzimit, e përdorur nga ministri Veliaj. “Mostransparenca në momentin e aplikimit, duke mos patur një pasqyrim të pikëve të komponentëve të formularit, mosdhënia e një informacioni të detajuar pas verifikimit nga sistemi dhe verifikimi në terren nga administratorët shoqëror, të cilëve në jo pak raste ju rezulton gjendje që bie ndesh me përfundimet e nxjerra nga verifikimi i sistemit, e bëjnë më bindës qëndrimin unanim të përfaqësuesve që morën pjesë, që ky sistem duhet rishikuar me seriozitet nga ana e MMSR-së dhe Bankës Botërore”, – thotë Avokati i Popullit në raportin e dorëzuar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve sociale.

 

Hetimi/ Dyshohet se mashtroi me kredi, i komunikohet akuza ish-deputetit Gjergji

Njësia task-forcë në Prokurorinë e Tiranës i komunikon akuzën e “Mashtrimit me kredi” ish-deputetit të djathtë Sami Gjergji. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme, Gjergji, i dyshuar se ka mashtruar duke marrë para me kredi, është njohur me materialet e hetimit. Ndërkohë, nga të njëjtat burime thuhet se i dyshuari për këtë vepër nuk e ka pranuar akuzën. Mësohet se nga hetimet disamujore dhe bazuar në materialin kallëzues të njërës prej bankave të nivelit të dytë në vend, Prokuroria i ka komunikuar akuzën e mashtrimit me kredi, biznesmenit të vezëve Sami Gjergji. Sipas të dhënave të dosjes, thuhet se në vitin 2009, ish-deputeti Gjergji ka marrë një kredi me vlerë 1.7 milionë eurosh. Për këtë kredi, mësohet se biznesmeni-deputet ka lënë si garanci hipotekore tri objekte, të vlerësuara nga ekspertët e bankës, me një vlerë prej 5 mln eurosh. Banka e ka miratuar kredinë, dhe Sami Gjergji e ka tërhequr shumën. Hetuesit thonë se biznesmeni nuk ka shlyer këstet e pagesës, duke detyruar bankën, që gjatë këtij viti të kërkojë ekzekutimin e vendimit për marrjen e kolateralit të lënë nga Gjergji. Por, nga shitja e tyre dhe vlerësimi i bërë nga ekspertët e bankës, ka rezultuar se këto objekte, nuk kapin shumën e kredisë së marrë, ndaj dhe banka ka ngritur pretendimin se ish- deputeti e ka mashtruar. Ky pretendim, është kundërshtuar nga vetë biznesmeni. Sipas tij vlerësimi i kolateralit është bërë nga ekspertët e bankës dhe kanë qenë ata që kanë përcaktuar vlerën e tyre. “Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për rënien e vlerës së shtijës së objekteve në një kohë që ato janë vlerësuar në rregull nga ekspertët”, – ka thënë i dyshuari. Sipas akuzës, është provuar se Sami Gjergji gjatë dorëzimit të dokumentacionit në bankë për marrjen e kredisë, ka vënë në dispozicion dhe një shkresë ku thuhet se nuk ka detyrime ndaj personave të tjerë. Por, në të vërtetë ka rezultuar e kundërta dhe ai ka shlyer këto detyrime me paratë e përfituara nga kredia. Hetuesit thonë se ndaj ish-deputetit Gjergji mund të ngrihet edhe akuza e “Falsifikimit të dokumenteve” derisa banka të sqarojë gjithçka për kontratat origjinale të miratimit të kredisë.

 

Vlorë/ Grabiti paratë e pensioneve për të luajtur bixhoz, arrestohet 45-vjeçari

Policia e Vlorës bënë me dije se ka vënë në pranga një punonjës të postës, pasi dyshohet se ka grabitur paratë e pensioneve, të cilat i ka lënë më pas, duke luajtur bixhoz. Por ndaj tij, sipas policisë, nuk rëndojnë vetëm faturat e pensioneve, por edhe ato të energjisë elektrike. Bëhet e ditur se shtetasi Aranit Kodheli, 45 vjeç, pasi merrte paratë e energjisë elektrike dhe ato të pensioneve, të cilat duhet t’i depozitonte, shkonte dhe i luante në bixhoz. Ai akuzohet për 1.2 milionë lekë, një pjesë për t’u shpërndarë pensionistëve në Llakatund dhe një pjesë e faturave të energjisë që kishin shlyer banorët. Sipas policisë, këto lekë Kodheli i ka përdorur për të larë borxhet që kishte dhe një pjesë i ka luajtur bixhoz.

 

Comments are closed.