Ndryshimet fiskale, ja si ndryshojnë taksat kombëtare në 2015-ën

0
229

Ervin Kaduku

taksat kombëtare biznesiPas ndryshimit në ligjin për taksat kombëtare, ministri i Financave ka nxjerrë urdhrin përkatës, sipas të cilit përcaktohet në hollësi çdo ndryshim që duhet të kenë parasysh subjektet tatimore, duke filluar nga 1 janari 2015.

Në taksat kombëtare bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Pika 1 e udhëzimit “Dispozita të përgjithshme”, ndryshohet me këtë përmbajtje:

Agjentët e taksave kombëtare përcaktohen me këtë ligj, ndërsa agjentët e tarifave përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe titullarëve të institucioneve përkatëse.

 

Agjentët tatimorë

Taksat dhe tarifat kombëtare vetëvlerësohen dhe vetëdeklarohen, nga agjentët e taksave dhe tarifave, kur ato mblidhen nëpërmjet tyre, apo nga vetë paguesi i tyre, individi, personi juridik apo fizik, kur ato nuk mblidhen nëpërmjet agjentit. Agjentët e taksave dhe tarifave, apo vetë individët, personat juridikë dhe fizikë pagues të tyre, në cilësinë e personit të tatueshëm, deklarojnë dhe paguajnë detyrimet për taksat dhe tarifat kombëtare sipas dispozitave të ligjit dhe të këtij udhëzimi.

Çdo person i tatueshëm, subjekt i taksës dhe tarifës kombëtare, apo çdo “agjent i taksës dhe tarifës kombëtare”, i ngarkuar nga ligji me mbledhjen e tyre, duhet të bëjnë një deklaratë për çdo muaj, jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të muajit paraardhës për të cilin bëhet deklarimi. Periudha tatimore për deklarimin dhe pagimin e taksave dhe tarifave kombëtare, është përcaktuar në ligj.

Nuk janë të detyruar të paraqesin deklaratë për taksat dhe tarifat kombëtare, ata persona, të cilëve, taksa apo tarifa kombëtare e paguar prej tyre, u është mbajtur nga agjenti i ngarkuar i taksës apo tarifës kombëtare, i cili ka më pas detyrimin për deklarimin dhe pagimin e tyre në administratën tatimore, si dhe administrata doganore per taksën e rentës minerare të paguar nga personat juridikë/fizikë në doganë për produktet minerare të eksportuara.

Çdo person i tatueshëm, subjekt i taksës dhe tarifës kombëtare apo çdo “agjent i taksës dhe tarifës kombëtare”, i ngarkuar nga ligji me mbledhjen e tyre, duhet të paguajnë taksat dhe tarifat kombëtare të deklaruara për atë periudhe tatimore (muaj), në ose para datës së detyrueshme të deklarimit.

Për pagesën me vonesë të tyre nga paguesi i taksës/tarifës kombëtare apo agjentët e taksave dhe tarifave kombëtare zbatohen sanksione sipas dispozitave të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Personat e tatueshëm apo agjentët të cilët kanë detyrimin për të deklaruar dhe paguar taksat dhe tarifat kombëtare, deklarojnë shumat e taksave dhe tarifave kombëtare vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al. Deklaratat tatimore të taksave dhe tarifave kombëtare, si dhe deklarata e rentës minerare konsiderohen të dorëzuara, në datën e dërgimit elektronik të deklaratës së plotësuar nga ana e personit të tatueshëm.

Personat e tatueshëm subjekte të taksave dhe tarifave kombëtare, si dhe agjentët e taksave dhe tarifave kombëtare, duhet të dorëzojnë deklaratat e tyre tatimore edhe në qoftë se për periudhën tatimore nuk kanë për të paguar detyrime për taksat apo tarifat kombëtare.

Mosdeklarimi brenda datës 15 të muajit pasardhës, i çdo periudhe tatimore nga personat e tatueshëm subjekt i taksave dhe tarifave kombëtare, apo agjentëve të taksave dhe tarifave kombëtare, ndëshkohet me gjobë për mosdeklarim sipas dispozitave të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Agjentët e taksave, të cilët janë ngarkuar me mbledhjen e tyre sipas përcaktimeve në nenit 5 të ligjit, përfitojnë si komision një përqindje të caktuar të arkëtimeve nga taksat kombëtare.

Përqindja e komisionit që përfiton secili nga agjentët e taksave kombëtare përcaktohet në ligj.

Agjentët e tarifave kombëtare, të përcaktuar me udhëzim të përbashkët përfitojnë si komision një përqindje të caktuar të arkëtimeve nga tarifat kombëtare. Përqindja e komisionit që përfiton secili nga agjentët e tarifave kombëtare përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe titullarit të institucionit përgjegjës.

Agjentët e taksave vetëllogarisin shumën që përfitojnë nga komisioni duke shumëzuar përqindjen e komisionit të përcaktuar në ligj me vlerën e arkëtimeve nga taksat për periudhën tatimore.

Agjentët e tarifave vetëllogarisin shumën që përfitojnë nga komisioni duke shumëzuar përqindjen e komisionit të përcaktuar me udhëzim të përbashkët me vlerën e arkëtimeve nga tarifat për periudhën tatimore.

Agjentët e taksave dhe tarifave mbajnë drejtpërsëdrejti vlerën e komisionit që përfitojnë të llogaritur si më sipër, si dhe deklarojnë dhe paguajnë në llogari të Drejtorisë Rajonale Tatimore, shumën e mbetur, pasi zbritet vlera e komisionit që ata përfitojnë.

Kriteret e përdorimit të shumave të komisioneve që përfitojnë agjentët e taksave kombëtare, përcaktohen në ligj. Shumat e përfituara të komisioneve mund të përdoren për qëllimet e mëposhtme: për shpërblimin e punonjësve në formën e vështirësisë në punë, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi që rregullojnë këtë problem; për pagesën e punonjësve të rinj, për rastet kur është e nevojshme të merren punonjës të rinj, për përballimin e mbledhjes së taksave dhe tarifave kombëtare; për mekanizimin, informatizimin, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe për përballimin e shpenzimeve të tjera për vjeljen e taksave dhe tarifave kombëtare.

Të ardhurat e përfituara në formën e komisioneve nga agjentët e mbledhjes së tarifave kombëtare, përdoren nga këta agjentë sipas nevojave të tyre.

 

Karburantet

Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 27 lekë/litër për benzinën dhe 27 lekë/litër për gazoilin.

Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për benzinën dhe gazoilin e prodhuar në vend.

Për benzinën dhe gazoilin e importuar, importuesi e paguan taksën e qarkullimit pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e zhdoganimit, në momentin e kryerjes së këtyre procedurave.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor mban drejtpërsëdrejti vlerën e komisionit që përfiton të llogaritur në përputhje me këtë udhëzim. DPSHTRR llogarit dhe transferon për llogari të njësive të qeverisjes vendore shumën e të ardhurave që ju takojnë këtyre njësive nga taksa e mbledhur, si dhe deklarojnë dhe paguajnë në llogari të Drejtorisë Rajonale Tatimore, shumën e mbetur, pasi zbritet vlera e komisionit që ata përfitojnë si dhe vlera e transferuar te njësitë e qeverisjes vendore.

Për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte e importuar, importuesi në momentin e importimit paguan taksën e karbonit, pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e zhdoganimit, për sasinë e importuar.

Deklarimi dhe pagesa e taksës së karbonit për benzinën, gazoilin, qymyrin, vajgurin, solarin, mazutin dhe koksin e naftës të importuar, në administratën tatimore, bëhet nga administrata doganore si agjente e përcaktuar nga ligji për mbledhjen e kësaj takes.

 

Renta minerare

Taksa e rentës minerare për mineralet apo nënproduktet e eksportuara nga personat juridikë dhe fizikë që detyrohen me ligj të paguajnë këtë taksë, paguhet në organet doganore në momentin e kryerjes së procedurës së eksportit.

Deklarimi nga personat fizikë dhe juridikë të rentës së paguar në doganë, në përputhje me formularin e deklarimit dhe pagesës së taksës së rentës minerale bëhet vetëm për efekt deklarativ. Dogana transferon të ardhurat e rentës minerale të eksportuar në buxhetin e shtetit.

Pjesa e të ardhurave nga renta minerale, sipas përqindjes së përcaktuar në Ligj, që u takon njësive të qeverisjes vendore shpërndahet nga strukturat përgjegjëse të buxhetit në Ministrinë e Financave. Ministria e Financave njofton zyrtarisht drejtorinë rajonale të tatimeve/doganave, përkatëse, dhe njësinë e qeverisjes vendore, për masën e llogaritur të shpërndarjes së të ardhurave nga renta minerale. Drejtoritë Rajonale të tatimeve dhe doganave paraqesin kërkesën për transferimin e fondit në degën përkatëse të thesarit. Dega e thesarit ku ndodhet drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesit procedon, duke përdorur metodën e transferimeve të brendshme në sistemin e informatizuar financiar të qeverisë.

 

Ambalazhet

Taksa e ambalazheve plastike caktohet në masën 100 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Vetëm për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohet në masën 50 lekë/kg. Këto ambalazhe e kanë përmbajtjen prej lënde të parë plastike. Kjo taksë zbatohet për të gjithë artikujt prej plastike, në rastet kur importohen veçmas apo prodhohen në vend, si dhe kur materiali plastik zë, të paktën, 51 për qind të masës së përgjithshme të ambalazhit që ambalazhon produkte të tjera të klasifikuara në kapitujt, krerët, nënkrerët dhe kodet e tjera tarifore të nomenklaturës së kombinuar të mallrave për produkte që importohen apo prodhohen në vend.

Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore në momentin e importit, në rastet kur ambalazhet plastike importohen dhe pagesa e taksës për sasitë e importuara të ambalazhit plastik kryhet pranë degëve doganore ku janë kryer procedurat e zhdoganimit.

Taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend caktohet në masën 50 lekë/kg, me kusht që subjekti ta provojë këtë fakt me anë të kartës teknologjike të prodhimit, deklaratave të importimit të lëndëve të para, si dhe dokumentimit të blerjeve të lëndëve të para brenda vendit. Kjo taksë mblidhet nga administrata tatimore në rastet kur produktet paketohen, ruhen apo ambalazhohen me ambalazh plastik, të prodhuar nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Administrata tatimore është përgjegjëse për monitorimin e lëndëve të prodhuara nga riciklimi për qëllime përdorimi të ambalazheve.

Subjektet prodhuese të ambalazhit plastik nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend paguajnë taksën për të gjithë sasinë e shitur.

Taksa e ambalazheve të qelqit caktohet në masën 10 lekë/kg dhe zbatohet si në import, ashtu edhe në prodhimin vendas. Kjo taksë zbatohet për të gjithë artikujt prej qelqi, në rastet kur importohen veçmas, si dhe kur materiali i qelqit zë, të paktën, 80 për qind të masës së përgjithshme të ambalazhit që ambalazhon produkte të tjera të klasifikuara në kapitujt, krerët, nënkrerët dhe kodet e tjera tarifore të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.

Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore në momentin e importit, në rastet kur ambalazhet e qelqit importohen dhe pagesa e taksës kryhet pranë degëve doganore ku janë kryer procedurat e zhdoganimit për sasitë e importuara.

Për ambalazhet e plastikës dhe të qelqit të të gjitha llojeve të importuar, importuesi e paguan taksën përkatëse pranë degëve doganore ku kryhen procedurat e zhdoganimit, në momentin e kryerjes së këtyre procedurave.

Deklarimi dhe pagesa e taksës së ambalazheve në administratën tatimore, bëhet nga administrata doganore si agjente e përcaktuar nga ligji për mbledhjen e kësaj takes.

Për ambalazhet e plastikës dhe të qelqit të të gjitha llojeve të prodhuar në vend, deklarimi dhe pagesa e taksës së ambalazheve në administratën tatimore, bëhet nga çdo tatimpagues prodhues i këtyre ambalazheve në vend.

 

Përdorimi i truallit shtetëror

Niveli, aplikimi dhe llogaritja e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim, bëhet sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr. 10270, datë 22.4.2010 “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Të gjithë personat juridikë dhe fizikë, subjekte të kësaj takse, janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore.

 

Taksa mbi sigurimet

Taksa mbi primet e shkruara, me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil, është tre për qind e shumës së primit.

Shoqëritë e sigurimit të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në rolin e agjentit janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë taksën mbi primin.

Personat fizikë apo juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë me mjete në pronësi të tyre gjatë vitit kalendarik,përkohësisht vetëm njëherë brenda një viti kalendarik,ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe që dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, targën dhe lejen e qarkullimit, me kusht që të kenë paguar detyrime të prapambetura, nëse kanë.

Pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, prokurorisë etj., për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar dhe pagesat e taksës së mjeteve të vërtetuara si të vjedhura nga organet e prokurorisë.

 

Përjashtimet

Përjashtohen nga pagimi i taksës së akteve dhe të pullës: veprimet zyrtare, që kërkohen nga autoritetet e huaja, në bazë reciprociteti; regjistrimi i lindjeve dhe i vdekjeve, si dhe shënimet në regjistrat e gjendjes civile. Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Sasitë, kushtet dhe kriteret përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Deklarimi dhe pagesa e taksave

Deklarimi dhe pagesa e taksave dhe tarifave kombëtare për periudhën tatimore dhjetor 2014, bëhet brenda datës 15 janar 2015, sipas këtij udhëzimi dhe formularëve bashkëlidhur tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency