Standard.al

Hetimi/ Ish-drejtuesi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, sërish në Gjykatë

Alma Çuka

Ndrea Prendi Akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Bashkë me zëvendësin e tij, Artan Hoxha, dyshohet se kanë paguar një punonjëse 7 muaj pa u paraqitur asnjëherë në detyrë

Ndrea Prendi, ish-komandant i Gardës së Republikës, pritet të përballet sërish me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndryshe nga procesi i parë, ku ai u akuzua si përgjegjës për vrasjen e katër demonstruesve përpara Kryeministrisë dhe u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit në vitin 2013, këtë herë Ndrea Prendi së bashku me ish-zëvendësin e tij, Artan Hoxha, përfundojnë në Gjykatë në cilësinë e të pandehurve për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Dy ish-drejtuesit e lartë të Gardës do të përballen me akuzën e dhënies së 7 muajve rogë për një punonjëse, për të cilën pretendohet se nuk ka qenë asnjë ditë në punë. Sipas Prokurorisë, në përfundim të hetimeve, është provuar se dy ish-drejtuesit e Gardës kanë abuzuar me ligjin, duke firmosur për tre vjet, nga 2011-ta deri me 2013-ën, pagën për ish-shefen e sektorit të Burimeve Njerëzore Shqipe Spahiu, e cila për 7 muaj nuk i ka ngjitur shkallët e institucionit. Kjo është provuar nga verifikimi i dhënave të sistemit TIMS, ku ish-shefja e Personelit, Shqipe Spahiu, ka rezultuar jashtë Shqipërisë. Edhe kjo e fundit pritet të përgjigjet para Gjykatës për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”. Dosja ndaj tre ish-zyrtarëve të Gardës tashmë ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës dhe pritet hedhja e shortit për caktimin e trupës gjykuese. Kallëzimi për të pandehurit është bërë nga Ministria e Brendshme në korrik të këtij viti, pas auditit të bërë në Gardën e Republikës, ku janë konstatuar shkeljet administrative dhe penale. Ndërkohë, Ndrea Prendi ka qenë i pandehur edhe për vrasjen e demonstruesve të 21 Janarit dhe u dënua me 1 vit burg. Ndërsa Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 24 vjet heqje lirie. Dosja ndaj gardistëve të akuzuar për vrasje ndodhet në Gjykatën e Lartë, ku ende nuk është caktuar data e shqyrtimit të ankimit të prokurorisë

 

Kontrolli i Ministrisë së Brendshme

Nga auditimi i Ministrisë së Brendshme në Gardën e Republikës bëhet me dije se për pagat e punonjësve është konstatuar se listëpagesat për prezencën mujore, për periudha kohore, kur shefja e sektorit të Burimeve Njerëzore Shqipe Spahiu, nuk ka qenë e pranishme në Shqipëri është paguar dhe se këto lista janë nënshkruar nga vetë ajo, si dhe konfirmuar nga ish-drejtuesit e Gardës dhe për kohën që ajo nuk ka qenë e pranishme në Shqipëri.

Sipas akuzës, listëpagesat dhe urdhrat për periudhën që shtetasja nën hetim Shqipe Spahiu, ka përfituar pagë pa qenë e pranishme, janë nënshkruar nga ish- drejtuesi Ndrea Prendi. Ndërkohë, në materialin e akuzës thuhet se ish-drejtuesi Ndrea Prendi ka nënshkruar periudhën nga data 1.1.2010 deri më datë 31.3.2010, nga data 14.7.2011 deri më datë 2.7.2011 dhe nga data 3.11.2011 deri më datë 31.1.2012. Ndrea Prendi është larguar nga detyra në muajin janar 2012. Ndërsa ish-drejtuesi Artan Hoxha ka nënshkruar dhe paguar për vitin 2012 dhe 2013, fillimisht për periudhën janar 2012 e në vazhdim. Nga krahasimi i bërë midis listëpagesave dhe të dhënave në TIMS, rezulton se shtetasja Shqipe Spahiu ka dalë nga Shqipëria më 9.10.2012 dhe ka hyrë në RSH, më datë 8.6.2013.

 

Deklarimi i Prendit

Në deklarimin e tij, shtetasi Ndrea Prendi, në lidhje me faktet e gjetura, ka shpjeguar se ka ushtruar detyrën e komandantit të Gardës, nga data 25.10.2005, deri më datë 23.1.2012, kohë kur është larguar, për shkak të procedimit penal për ngjarjet e datës 21 janar 2012. “Para largimit nga Shqipëria, që përkon me fundvitin 2009, shefja e Personelit, shtetasja Shqipe (Jasimi) Spahiu, më ka bërë me dije për largimin nga strukturat e Gardës, për arsye familjare, pasi kishte probleme me shëndetin e fëmijëve të saj. Para largimit të saj për jashtë shtetit, shefja e Personelit ka propozuar për emërim në personel dy kandidatura nga jeta civile, njëra me formim juridik, për të cilat është urdhëruar të fillojë procedura për t’u marrë efektiv në Gardë – qëllimi ishte për plotësimet organike në Personel dhe zëvendësimin e shefes së Personelit. Një nga këto propozime është miratuar nga ministri i Brendshëm para largimit të shefes së Personelit nga Shqipëria dhe propozimi tjetër është miratuar pas disa muajsh, në fillim të vitit 2010.

Është miratuar largimi i shefes së Personelit në fund të vitit 2009 për të shkruar jashtë shtetit, pasi atje ndodhej i shoqi dhe dy fëmijët e saj, duke përfshirë lejen vjetore për këtë vit, por duke pasur parasysh që ekzekutimi i kërkesës për largimin nga puna do të bëhej me fillimin e vitit 2010, me qëllim që të mbylleshin problemet e fundit të vitit me personelin. Me largimin e shefes së Personelit, puna në Sektorin e Personelit nuk po funksiononte siç duhej, specialistja e Personelit e sapoemëruar, me gjithë përpjekjet e shumta që bënte, nuk po arrinte në nivelin e duhur dhe në fillim të vitit 2010 kërkoi të largohej, pasi nuk e përballonte dot detyrën që kishte marrë. Në këtë situatë, kur puna në sektorin e Personelit u bllokua, i është kërkuar shefes së Personelit të shikojë mundësinë e rishikimit të kërkesës për largim nga Garda edhe për disa muaj, pasi gjatë kësaj periudhe fillonte puna përgatitore për procesin e konkurrimit për gradë të efektivit dhe më e rëndësishmja duhej të realizohej zëvendësimi i ushtarëve aktivë me nënoficerë profesionistë me pagesë, një punë mjaft e madhe dhe që duhej të realizohej në një kohë të shkurtër, pasi rrezikohej përmbushja e detyrës me lirimin e ushtarëve të gjithë njëherësh.

 

Puna online

Shefja e Personelit ishte pjesë e grupit të punës prej dy vitesh në diskutime të shumta me drejtuesit e strukturave në Gardë, strukturat e linjës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Financave dhe njihte mirë të gjithë procedurën e nevojshme për ketë qëllim.

Shefja e Personelit është shprehur se për arsye familjare nuk mund të kthehej në Shqipëri, por ishte e gatshme të kontribuonte duke punuar online me stafin me të njëjtin përkushtim, sikur të ishte në detyrë, gjatë gjithë kohës fizikisht. Kjo nuk është pranuar nga Prendi me argumentin se një person i larguar nga detyra nuk mund të kishte të drejtë të njihej me detyrat në personal, pasi kjo detyrë kërkonte përgjegjësi dhe ishte sekret profesional. Shefja e Personelit, thotë Prendi, duke e parë dhe si përgjegjësi të saj situatën jo të mirë në Sektorin e personelit për vazhdimin normal të punës, ka shprehur gatishmërinë që të shfrytëzoj periudhën dy muaj leje me pa të drejtë pagese dhe lejen vjetore për të ndjekur problemet shëndetësore me fëmijët dhe të vazhdoj të punoj online duke ndjekur të gjitha detyrat në Sektorin e Personelit. Shpjegime ka dhënë dhe zëvendësi i Ndrea Prendit Artan Hoxha. Ndërkohë dosja është depozituar në Gjykatë dhe pritet hedhja e shortit elektronik dhe më pas caktimi i datës së gjykimit.

 

Të pandehur:

Ndrea Prendi, i dtl. 1959

Akuzuar: Se ka kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal.

Artan Hoxha, i dtl. 1976

Akuzuar: Se ka kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal.

Shqipe Jasimi, e dtl. 1961.

 

Comments are closed.