Standard.al

Eurodeputeti negociator i PE-së/ Fleckenstein zbardh prapaskenat e paktit PD-PS: Për dekriminalizimin ka shumë për të bërë

“Secila palë e ka përvojën me bojkotimin e Parlamentit, besoj se mjafton për këtë shekull”

FleckensteinEurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili ishte edhe një ndër negociatorët e zgjedhur nga Parlamenti Evropian së bashku me Kukanin për të garantuar marrëveshjen mes palëve politike vë vend, zbardhi dje disa detaje nga pakti. Në një intervistë për “Deutsche Welle” Fleckenstein tha se PD ishte partia që kërkonte dhe këmbëngulte më shumë në disa pika të paktit, duke theksuar se çështja e dekriminalizimit të Kuvendit do të ketë shumë punë përpara. “Besoj se shumë më tepër këmbëngulëse ishte Partia Demokratike, sepse ajo donte të eliminonte ato shkaqe, që e bënë të braktiste Parlamentin dhe në kuadër të ndërmjetësimit pika më e vështirë ishte gjetja e një forme të shkruar. Rezoluta që do të duhej të miratonte Parlamenti duhej të formulohej në një mënyrë të tillë që nga njëra anë të mos ishte shumë e përgjithësuar, por nga ana tjetër ajo mund të përmbante vetëm ato gjëra që mund të negocioheshin për një kohë të shkurtër. Por puna në parlament fillon tani, kur vjen puna për dekriminalizimin, ka shumë punë për të bërë”, – u shpreh ai. I pyetur përkatësisht për dekriminalizimin, pikë e cila ishte kërkesa kryesore e demokratëve, Fleckenstein tha: “Ne kemi rënë dakord ta trajtojmë këtë çështje se si veprohet në këso rastesh në vende të tjera të BE-së. Atje trajtohet në mënyra të ndryshme. Duhet të kemi një rregullore dhe sigurisht brenda kuadrit kushtetues, me të cilën bëhet e qartë se nuk duam të kemi të bëjmë me njerëz të inkriminuar qoftë në parlament, qoftë në postet publike”.

 

Kompromisi dhe ndihma e BE-së

I pyetur lidhur me faktin e ndërhyrjes së herëpashershme të Bashkimit Evropian për të zgjidhur mosmarrëveshjet e thella mes dy partive, eurodeputeti theksoi se kjo ka të bëjë më shumë me kulturën politike. “E dini se cila është vështirësia kryesore: e gjitha është një çështje e kulturës politike. Në Gjermani p.sh. socialdemokratët do të bënin fushatë zgjedhore kundër konservatorëve, CDU, sepse ne besojmë se është një politikë më e mirë ajo që propozojmë ne, socialdemokratët, por ne nuk do të shkonim aq larg, sa të pretendojmë se ajo që bëjnë kundërshtarët drejtohet kundër popullit. Ne e kemi besimin se secila palë bën më të mirën që mundet për vendin. Ne nuk jemi të një mendimi vetëm për rrugën që na çon aty. Këtë mirëkuptim bazë nuk e gjen në Shqipëri”, – u shpreh ai. Ndërsa pyetjes nëse negociatorët gjatë bisedimeve u kanë bërë të ditur palëve politike në Shqipëri se sa të paaftë duken në sytë e publikut shqiptar, por edhe në BE, Fleckenstein tha se Brukseli do të donte që palët të binin dakord mes tyre pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Në këtë kontekst, eurodeputeti kërkoi që t’i jepej fund praktikës së bojkoteve, e cila, sipas tij, është përdorur mjaft nga të dyja partitë politike. “Për BE mund të them se sigurisht që ne do të dëshironim më shumë që partitë të binin në ujdi vetë pa ndërmjetësues, por nëse kjo është e nevojshme, ne jemi të gatshëm. E dini cila është më e rëndësishmja këtu: partitë duhet të flasin më shumë me njëra-tjetrën dhe jo mbi njëra-tjetrën. Po qe se një dialog i tillë zhvillohet, atëherë gjërat do të lëvizin më shpejt se tani edhe në Shqipëri. Po qe se lejohem, po bëj një formulim me pak ironi: Secila palë e ka tani përvojën e saj me bojkotimin e gjatë të Parlamentit. Dhe besoj se kjo për këtë shekull mjafton”.

 

Reformat

Një ndër pikat e paktit ishte se mazhoranca e cila nuk do të mund të përdorë pushtetin e saj të shumicës së cilësuar për reforma të rëndësishme, por vetëm me konsensusin e opozitës. Lidhur me këtë pikë, Fleckenstein tha: “Mendoj se reflekton frikën se nuk mund të bëhet punë e vërtetë opozitare në Shqipëri me një mazhorancë të tillë. Por duhet të them se as Kukan dhe as unë nuk shkuam në Tiranë për të ndryshuar mazhorancat në Parlament, sepse këtë e vendosën votuesit dhe do ta vendosin rishtazi herën tjetër. Këtu bëhej fjalë për një konsensus të gjerë për reforma të rëndësishme që duhen ndërmarrë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ky projekt nuk është projekt i një partie, pavarësisht kush qeveris”. Lidhur me këtë reforma, eurodeputeti bëri të ditur se ato lidhen me komisionet hetimore, të drejtat e partive në parlament si edhe dekriminalizmin e Kuvendit.

 

Comments are closed.