Rezoluta e përbashkët/ Dekriminalizimi i Kuvendit, debati mes PD dhe PS: Sa dhe deri ku do të shkojë?

0
120

Gëzim Saliu

 seanca parlament gjitheperfshireseVasili: Për dekriminalizimin, Këshilli i Evropës do të duhet të ketë rol përcaktues

 Bylykbashi: Rezoluta përmes dekriminalizimit i jep mundësi PS-së të shpëtojë nga kanceri që e ka kapur

Pas miratimit me 126 vota në Parlament të rezolutës së përbashkët mes PD-së, PS-së dhe LSI-së që i dha fund ngërçit politik në vend, palët tani do të kenë si sfidë kryesore implementimin e saj në formë ligjore. Me nisjen e sesionit të ri parlamentar në janar, së bashku me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ku rol kryesor do të luajë parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës dhe posaçërisht Komisioni i Venecias, pritet që të nisë konkretizimi i rezolutës përmes ndryshimeve ligjore. Dy do të jenë ndryshimet që do të duhen të marrin formë përfundimtarë brenda 30 qershorit nga Parlamenti. Së pari, do të ndërhyhet në rregulloren e Parlamentit lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore si dhe së fundmi do të ndërmerret ligji për dekriminalizimin e Kuvendit, çështja e cila lidhet me individët që kanë rekorde kriminale. Kjo e fundit përbën edhe sfidën parësore, e cila pritet të kalojë edhe përmes debatit mes mazhorancës dhe opozitës, ku fillimisht çështje që do të hapë replika pritet të jetë ajo që lidhet me formën dhe metoda që do të ndiqet për të vendosur këtë ligj. Pavarësisht se në këtë proces do të përfshihet edhe ekspertiza ndërkombëtare, duke marrë parasysh impaktin që ky ligj do të ketë tek deputetët dhe individët që mbajnë poste, nuk përjashtohen debatet e përplasjet mes palëve deri në arritjen e ligjit përfundimtar për dekriminalizimin e Parlamentit.

 

Qëndrimet

Sipas kreut të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili ishte edhe një ndër firmëtarët e marrëveshje mes negociatorëve të dy palëve, sa i përket pikës që prek rishikimin e rregullores, është rënë dakord ndjekja e praktikave më të mira vendase dhe e Parlamentit Evropian. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe për çështjen e dekriminalizimit, por në këtë rast Vasili pohoi për TV “Klan”: “Palët do të veprojnë ngushtësisht me Këshillin e Evropës, pasi i duhet dhënë fund gërmimit në të kaluarën e përfaqësuesve politikë”. Sa i përket modelit që do të ndiqet, deputeti i LSI-së tha se ende nuk është vendosur nëse do të ketë një komision të posaçëm që do të merret me ndryshimet ligjore apo një grup pune, ku ekspertë nga radhët e shumicës dhe opozitës, në bashkëpunim me Parlamentin Evropian, do të bashkëpunojnë për të zbatuar brenda 30 qershorit rezolutën. Ndërkaq, negociatori tjetër i kësaj marrëveshjeje, demokrati Oerd Bylykbashi, e cilësoi rezolutën si një shans të madh për Parlamentin Shqiptar për të shpëtuar nga ai që e cilësoi si kriminalizim i Kuvendit. “Ne flasim për impenjimin politik, publik të të gjitha forcave politike dhe individë që kanë probleme që kanë më pas me këtë marrëveshje është problemi i tyre. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje i kemi dhënë mundësi Parlamentit Shqiptar dhe demokracisë shqiptare të shpëtojë nga kjo e keqe e madhe që është kriminalizimi i Parlamentit dhe i çdo sfere tjetër të jetës publike. I jep mundësi demokracisë të zhvillohet sipas atyre standardeve të cilët e kërkojnë çdo shqiptar dhe nga ana tjetër i jep mundësi PS në mazhorancë të shpëtojë nga ky kancer që e ka kapur”, – u shpreh ai. Duke mbetur tek dekriminalizimi, Bylykbashi tha në intervistën për “Ora News” se do të jetë një proces që do të kërkojë zbatim brenda 6 muajve të parë të vitit 2015. “Do të ketë rregulla, do diskutohet për çështje të individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë poste publike ose kërkojnë të zgjidhen dhe emërohen. Detyra që i ka vënë Parlamenti vetes me këtë marrëveshje është që, duke filluar nga janari dhe me afat të fundit 30 qershorin, do punojmë që ky problem të shkojë drejt zhdukjes”, – u shpreh deputeti i PD-së.

 

Çfarë parashikon rezoluta për dekriminalizimin

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.

 

Ligji i ri me shtesa parash për ligjvënësit/ Balla: S’ka rritje pagash për deputetët, hoqëm qiratë e shtëpive për deputetët e qarqeve

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, mohoi dje që në seancën e fundit parlamentare për sesionin, i cili sapo u mbyll, të jetë miratuar ndonjë ligj apo vendim për rritjen e pagave dhe dietave të deputetëve. “Nuk ka asnjë rritje pagash për deputetet. Përkundrazi, të jeni të sigurtë që nuk do ta votonim një gjë të tillë. Nesër Kuvendi i Shqipërisë do të sqarojë se janë bërë shkurtime, por jo rritje. Ndër shkurtimet, pas shumë vitesh, hoqëm edhe qiratë e shtëpive për deputetët e qarqeve pranë Tiranës. Për herë të parë këtë vit deputetët marrin 0 lekë shpërblim për fundvit”, shkruante Balla në rrjetin social në “Facebook”. Reagimi i nënkryetarit të grupit parlamentar socialist erdhi pas publikimit të lajmit, ku përfshihej ligji i votuar në Kuvend “Për trajtimin e deputetëve”, sipas së cilit shtohen pagat për kryetarët e grupeve parlamentare dhe krerët e komisioneve të përhershme. Për kryetarët e grupeve të PS, PD dhe LSI, me vendimin e ri do t’i shtohet 15% mbi pagën e deputetit, ndërsa për kryetarin e grupit të PDIU-së shtimi i pagës do të jetë vetëm 5%, pasi ka në grup më pak se dhjetë deputetë. Po ashtu dhe krerët e komisioneve të përhershme do të kenë një shtesë page me 5%. Shtesa e pagave për krerët e grupeve dhe kryetarët e komisioneve do të ketë një vlerë prej 11 mijë dollarësh në buxhetin e Kuvendit. Ndërsa për 127 deputetë të tjerë shpërblimi për pjesëmarrje në komisione do të jetë 2 mijë lekë për 12 mbledhje maksimumi në muaj. Për dietat për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, Kuvendi ka parashikuar një fond prej 335 mijë dollarësh për 127 deputetë. Projektvendimi parashikon që 142 mijë dollarë të shkojnë si fonde për të paguar qiranë e deputetëve që ndodhen në qarqe të largëta. Ndërkohë edhe për shpenzimet e transportit do të ketë bonus.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency