Reforma në drejtësi/ Misioni Euralius. Ekspertët ndërkombëtarë: Të ngrihet gjykatë disipline, Byroja e Hetimit të jetë si modeli kroat

0
125

Për të luftuar korrupsionin duhet prokurori funksionale dhe prokurorë të pavarur në vendimmarrje

kld2Në kohën kur komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi nis mbledhjen e parë të tij pa opozitën, gjë që mund të ndryshojë pas marrëveshjes së votuar dy ditë më parë në Parlament, ekspertët ndërkombëtarë japin pikat kyçe, ku, sipas tyre, duhet të fokusohet ky proces. Misioni Euralius 4 që ka nisur nga puna në shtator ka shpërndarë tek institucionet një raport, sipas të cilit këshillon ngritjen e një gjykate disipline për të kontrolluar sjelljet e gjyqtarëve dhe të anëtarëve të KLD-së. Ndërkaq, ekspertët ndërkombëtarë të Euraliusit theksojnë në raportin e publikuar nga “TCH” se një strategji antikorrupsion përbën pikënisjen e gjithçkaje dhe në këtë kontekst një alternativë e sugjeruar prej tyre është që Byroja Kombëtare e Hetimit të jetë sipas modelit të USKOK të Kroacisë. “Por që kjo byro të jetë efikase ka disa pyetje që duhet të zgjidhen sikurse është roli prokurorisë në të, kontrolli nga gjykata i veprimeve të akuzës, sistemi i rotacionit dhe kontrolli i njësisë antikorrupsion, por edhe kuadri ligjor që garanton pranueshmërinë e provave në gjykatë”, – thuhej në raport.

 

Ku duhet të ndërhyhet

Në raportin e Euraliusit theksohet nga ana tjetër se nevojiten përpjekje të mëtejshme për ndarjen korrekte të veprës penale të pastrimit të parave, ndërkohë që hetimet proaktive mbi pasurinë e pajustifikuar duhet të rriten. Për këtë propozohet një bashkëpunim ndërinstitucional dhe aftësi teknike në hetimin e krimeve financiare. “Megjithëse fluksi i dosjeve hetimore është në rritje, efiçenca dhe llogaridhënia është rritur. Por për të luftuar korrupsionin është e nevojshme një prokurori funksionale. Për këtë duhet të ketë prokurorë të pavarur në vendimmarrje, zbatim parimesh të njëjta dhe forcimi të rolit të Këshillit të Prokurorisë”, – pohohet në raport. Ndërkohë që sipas Euralius, edhe Gjykata e Lartë ka nevojë për implementimin e një programi për shpërndarjen e informacionit tek publiku rreth unifikimit të praktikës gjyqësore. Në lidhje me KLD-në, raporti i Euraliusit thekson se nuk ka rregulla të qarta për llogaridhënien e tij si trupë kolegjiale. “Por këshillat gjyqësore duhet të jenë me të përgjegjshëm duke paraqitur raporte për veprimtarinë e tyre, ku edhe duhet të tregojnë parimet që kanë ndjekur dhe rezultatet që kanë arritur”, – pohoi Euralis. Sa i përket detyrës së Ministrisë së Drejtësisë, e cila mban të dhënat statistikore që vijnë nga prokuroritë dhe gjykatat, misioni mendon se duhet një sistem më i qartë gjurmimi, i cili do të shërbejë për të pasur një pamje të qartë se si performojnë institucionet e drejtësisë. Ndërkaq duke marrë për bazë faktin se paga neto e një gjyqtari në shkallën e parë është 585 euro dhe i Apelit 892 euro, misioni nënvizon se duhet të ndiqen praktikat më të mira botërore, që do të thotë se duhet rritur buxheti për gjyqësorin deri në tre për qind të buxhetit të shtetit, për ta përdorur si një instrument kundër korrupsionit në gjyqësor. Komisioni i reformës në drejtësi nisi punën pak ditë më parë me mbledhjen e parë me vetëm anëtarët e mazhorancës, ku në pritje të zhvillimeve politike pas marrëveshjes mes palëve, në përfundim të punimeve të tij do të propozohet për miratim një pakete e plotë projektligjesh të nevojshme për reformimin e legjislacionit, që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë ato kushtetuese. Komisioni për reformën në drejtësi, për të cilin opozita deri më tani ka kërkuar ekspertizën e mbikëqyrjen e thellë të ndërkombëtarëve për një reformë të tillë, do të ketë mandat 6-mujor dhe përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency