Krishtlindjet/ Pa mesazhe politike, Rama, Meta e Basha urojnë: Shpresë e ditë më të mira për shqiptarët

0
160

Krerët e politikës shqiptare u urojnë qytetarëve më shumë dashuri, paqe dhe harmoni

ceremonia per krishtlindje 25 dhjetor ne kishen ortodoksePolitika ia la dje plotësisht fjalën festës së Krishtlindjeve, duke u uruar besimtarëve të krishterë gëzime dhe mbarësi. Kështu, Kryeministri Edi Rama ndonëse nuk mori pjesë në ndonjë aktivitet, siç bënë politikanët e tjerë, uroi shqiptarët me anë të rrjeteve sociale. Ai u bëri thirrje besimtarëve katolikë të çojnë mesazhet e tyre, që mbrëmjen e djeshme u pasqyruan në pjesën ballore të ndërtesës së Kryeministrisë, në hyrje të ish- Bllokut. “Lini në mur mesazhin apo imazhin tuaj për të ndarë gëzimin e festave me kë dëshironi dhe përmes mesazhit për të derdhur një grimcë drite në shpirtin e kujt ka nevojë për solidaritetin tuaj!”, – shkroi Kryeministri në “Facebook”.

 

Meta

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vizitoi dje katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, nga ku uroi të gjithë besimtarët katolikë dhe gjithë popullin shqiptar për më shumë mbarësi për vitin e ardhshëm. “Do uroja të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe gjithë popullin shqiptar një mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre dhe në gjithë shoqërinë tonë”, – uroi Kryeparlamentari.

 

Basha

Me rastin e Krishtlindjeve, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, e kaloi këtë festë në qytetin e Shkodrës, prej nga përcolli urimet e tij më të mira për shqiptarët. Kryedemokrati uroi popullin shqiptar për ditë më të mira në vijim. “Nga margaritari i respektit dhe i bashkëjetesës fetare për Shqipërinë, Ballkanin, Evropën dhe mbarë botën, nga zonja Shkodër, dua t’u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Krishtlindjen! Festën e shpresës, dashurisë e të besimit! I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre, ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e ditës së sotme, të na frymëzojë e të na bëjë optimistë për një të nesërme më të mirë”, – përcolli urimet Basha. Kreu i opozitës zhvilloi një takim me ipeshkvin e Sapës dhe ipeshkvin e Dioqezës së Sapës, Imzot Luçiano Agustinin.

 

Urimet nga Princ Leka II

Urime për Krishtlindjen edhe nga trashëgimtari i Fronit Mbretëror, Princ Leka II. Urimin Princ Leka II e përcolli nëpërmjet një foto-kartoline, ku ishte shfaqur me të fejuarën e tij, Elia Zaharian. “Me rastin e festës së Krishtlindjeve, dëshiroj t’u shpreh urimet e mia të gjithë besimtarëve të krishterë! Kjo festë e bukur ka si kryefjalë dhurimin, ndaj uroj të jepni dhe të merrni sa më shumë dashuri!”, – thuhet në mesazhin e Princit Leka Zogu.

 

 Lutjet e Papa Françeskut për paqe: Shpëtoji fëmijët e panumërt, viktima të dhunës

Ati i Shenjtë u lut për të gjitha vendet që sot janë vatra konflikti dhe tensioni, fëmijët që dhunohen çdo ditë dhe njerëzit që merren pengje e masakrohen

Urime dhe lutje nga Ati i Shenjtë i Vatikanit për më shumë dashuri dhe paqe në botë. Papa Françesku mbajti dje në orët e mesditës një fjalim me rastin e Lindjes së Krishtit në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan, ku u ndal te fëmijët që vuajnë, tek njerëzit që përdoren dhe masakrohen. Ai u lut për paqe në vendet ku kanë shpërthyer vatra konflikti, Lindja e Mesme, Nigeria, Ukraina etj. “Atij, Shëlbuesit të botës, i lutem t’i ruajë vëllezërit e motrat e Irakut e të Sirisë, të cilët prej shumë kohe vuajnë pasojat e konfliktit në vijim, së bashku me anëtarët e grupeve të tjera etnike e fetare, pësojnë nga persekutimi brutal. Uroj që Krishtlindja t’u sjellë shpresë, atyre e të shpërngulurve të shumtë, refugjatëve, fëmijëve, të rriturve e pleqve të Rajonit e të mbarë botës; ta shndërrojë indiferencën në afërsi e mospranimin në mikpritje, ata të cilët sot kalojnë çaste prove të mund t’i marrin ndihmat e nevojshme humanitare për të përballuar ashpërsinë e dimrit, të rikthehen në vendet e tyre e të jetojnë me dinjitet. Uroj që Zoti t’i hapë plot besim zemrat e t’i dhurojë paqen e vet mbarë Lindjes së Mesme, duke nisur nga Toka e bekuar e lindjes së Tij e duke i mbështetur përpjekjet e atyre, që angazhohen faktikisht për dialog ndërmjet izraelitëve e palestinezëve”, – u lut Papa Françesku. Për Ukrainën, Papa u lut për uljen e tensioneve dhe tejkalimin e dhunës që vazhdon prej gati një viti. “Jezus, Shërbyes i botës, silli sytë e tu kah ata që vuajnë në Ukrainë e jepi kësaj toke të dashur, hirin t’i kapërcejë tensionet, ta mundë urrejtjen e dhunën dhe të rifillojë rrugën e vëllazërisë e të pajtimit”, – uroi Ati i Shenjtë i Vatikanit. Papa u lut që viti që vjen ta gjejë Nigerinë në paqe, të shpëtojnë njerëzit që merren pengje dhe shpesh masakrohen. “O Krisht Shërbyes, jepi paqe Nigerisë, ku vijon të derdhet përsëri gjak e shumë njerëz shkëputen brutalisht nga të dashurit e mbahen peng, ose masakrohen. Paqe kërkoj edhe për viset e tjera të kontinentit afrikan. Mendoj posaçërisht për Libinë, Sudanin e Jugut, Republikën Qendroafrikane dhe rajone të ndryshme të Republikës Demokratike të Kongos e u kërkoj atyre, që kanë përgjegjësi politike, të angazhohen, përmes dialogut, për t’i kapërcyer kundërshtitë e për të ndërtuar bashkëjetesën e qëndrueshme, vëllazërore”, -u lut Papa Françesku.

Një lutje e veçantë Ati i Shenjtë e bëri për fëmijët që janë viktima të dhunës dhe që janë të detyruar të shërbejnë në vatra zjarri si ushtarë. “Jezus, shpëtoji fëmijët e panumërt, viktima të dhunës, të shndërruar në sende në duart e matrapazëve e të tregtarëve të njerëzve ose të detyruar të shërbejnë si ushtarë. Zoti i ngushëlloftë familjet e fëmijëve të mbytur në Pakistan javën e kaluar. Qoftë pranë atyre, që vuajnë nga sëmundjet, posaçërisht pranë viktimave të epidemisë së Ebolës, sidomos, në Liberi, Sierra Leone e Guine. Ndërsa falënderoj nga zemra të gjithë ata, që po përpiqen me guxim t’i ndihmojnë të sëmurët dhe familjarët e tyre, përsëris ftesën e ngutshme për t’u siguruar asistencën dhe mjekimet e nevojshme”, – tha Ati i Shenjtë. Sipas Papa Françeskut, “vërtet shumë lot ka në këtë Krishtlindje, së bashku me lotët e Jezusit! Të dashur vëllezër e motra, uroj që Shpirti i Shenjtë t’i shndrisë zemrat tona, për të pranuar, Krishtin Fëmijë, lindur në Betlehem nga e Virgjëra Mari, shpërblimin që Hyji ia dhuroi secilit prej nesh, çdo njeriu dhe mbarë popujve të tokës. Uroj që pushteti i Jezusit, që është çlirim e shërbim, të ndjehet fort në zemrat e shumta, që vuajnë nga luftërat, persekutimet, skllavëria. Që me butësinë e vet, ky pushtet hyjnor ta shlyejë ashpërsinë nga zemrat e shumë burrave e grave, zhytur në mendësinë e botës e në indiferencë. Që forca e tij t’i shndërrojë armët në parmenda, shkatërrimin në krijimtari, urrejtjen në dashuri e dhimbsuri. Kështu mund të themi me gëzim: “Sytë tanë panë shpëtimin tënd!”. Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! Për shumë vjet!”, – mbylli fjalimin tradicional Ati i Shenjtë.

 

Berisha: Gëzimin e Krishtlindjeve e zbehin vuajtjet e fëmijëve dhe varfëria ekstreme

Ish-kryeministri Sali Berisha, i mbështetur tek mesazhi i Papa Françeskut, që tha se këto festa janë zbehur nga vuajtjet e fëmijëve, përmendi varfërinë në Shqipëri. Berisha u shpreh se si pasojë e politikave të qeverisë “Rama”, shumë familje janë në skamje dhe në pamundësi për të festuar me gëzim këtë festë të madhe. “Për fat të keq, në Shqipëri varfëria ekstreme, këtë vit, si rezultat i rritjes së taksave dhe shkatërrimit të dhjetëra mijëra vendeve pune, rritjes së papunësisë në rreth 40%, është rritur me 6,2 herë. Kështu që, sot, tek ne, janë dhjetëra e mijëra fëmijë dhe familje shqiptare që, të zhytura në skamje e mjerim, nuk festuan dhe nuk u gëzuan dot në këto Krishtlindje. Ndaj dhe le të urojme ne, me gjithë zemër, që Krishtlindjet që vijnë, fëmijët shqiptarë por edhe të mbarë botës, t’i festojnë më mirë, më të shëndetshëm, më të gëzuar, ashtu siç e meritojnë”, – shkroi Berisha në “FB”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency