Këngë Krishtlindjesh

0
476

Alba Kepi

Victoria Justice, Elizabeth Gillies, Ariana GrandeKrishtlindjet nuk do të ishin kaq të magjishme pa këngët dhe muzikën e tyre festive. Në çdo rrugë e ambient dëgjon këto ditë melodi hyjnore që qetësojnë shpirtrat e harrojnë hallet. Qëllimi i tyre i ngjan një shërbimi të detyrueshëm për ne humanët që përpiqemi ta mbyllim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Këngët e Krishtlindjeve i këndojmë, i kërcejmë, i pretendojmë e si një gjëegjëzë pa fund mërmërisim në mendje vargjet të vjetra, shpesh pa ua ditur kuptimin dhe pa pyetur kurrë kush i ka shkruar, kur e mbi të gjitha pse?

Festa e Krishtlindjeve është një traditë e bazuar tek një histori e vjetër mijëvjeçare, përcjellë epokë pas epoke me anë tregimesh, legjendash, mitesh që kanë frymëzuar kapituj të antologjisë letrare botërore, por edhe faqe të tëra të muzikës. Krishtlindja është edhe festa e këngëve, shkruar e kompozuar në rrjedhë shekujsh. Njihen me emrin këngë të Krishtlindjes ose këngë Kërshëndellash, si një gjini muzikore me tematikë kryesore festën e Lindjes së Krishtit. Rrënjët e këngëve më të famshme të kësaj feste janë mjaft të lashta, qysh në kohën kur njeriu me ardhjen e dimrit, përpiqej të falënderonte hyjnitë për rikthimin sa më të shpejtë të diellit e dritës. Fillimisht pagan, ky rit u shndërrua në të krishterë në v. 129 p.e.s, kur më 25 dhjetor në Romë, gjatë meshës u këndua Himni i Engjëllit. Më pas të shumtë qenë artistët që u dedikuan Krishtlindjeve këngë e vargje, kryesisht në gjuhën latine. Festa e Krishtlindjes frymëzoi shumë kompozitorëve të mëdhenj, si Oratori i Krishtlindjes i Bach; Simfonia e Krishtlindjes e Händel, duke arritur kulmin në epokën Vitoriane kur William Sandys e David Gilbert mblodhën nëpër gjithë Anglinë himnet e këngët më të mira të Krishtlindjeve. Falë koreve e grupeve të vogla muzikore fama e këtyre këngëve u përhap në çdo qytet e rrugë të Evropës. Gjatë epokave e dekadave të ndryshme, mjaft autorë të frymëzuar nga këngët antike të Krishtlindjeve krijuan hite muzikore Krishtlindjesh siç qe ajo e John Lenon më 1971, “Happy Christmas”.

“Jingle Bells” – Tingëllojnë Këmbanat

Është një nga këngët më të famshme të Krishtlindjeve e lindi në ‘800, në një kishë të Bostonit, për të kremtuar Thanksgiving Day, festë e dashur për të gjithë amerikanët. Autori e kompozitori i “Jingle Bells”, ishte pastor i një kishe në Boston e quhej James Pierpont. Ai e shkroi më 1857 për korin e fëmijëve të famullisë së tij, pikërisht me rastin e Festës së Falënderimit. Besimtarët e famullisë u mahnitën në atë kremtim, kur dëgjuan për herë të parë këtë këngë e kërkuan të rikëndohej e të rikëndohej. Titulli origjinal qe “One Horse Open Sleigh” e teksti përmbledh gjithë kuptimin festiv e argëtues të festës së Këshndellës. Efektet muzikore, realizuar me këmbana, u bënë lajmëtare të arritjes së Plakut të Vitit të Ri, duke rrëshqitur mbi slitën e tij, ngarkuar me dhurata. Në një peizazh pa fund, sundon e bardha dhe e kuqja, bardhësia e shpirtit dhe e kuqja e gjakut, që vlon e duke premton mrekulli të reja, në një Vit të Ri.

 

“Jingle Bells” – Tingëllojnë Këmbanat

Sa bukur të shkasësh

mbi slitë bashkë me ty,

në ajrin ku ndjehen

Zëra plot ëmbëlsi.

 

Të gjitha përnjëherësh

këmbanat tringëllojnë

me ta e bashkojmë zërin

Krishtlindjen e urojmë!

 

Tin, tin, tin, tin, tin, tin

tringëllima vijon

janë zilet e slitës

që shket s’pushon

 

Don, don, don, don, don, don,

Këmbana në këmbanare,

Lëkundet bashkë me ne

Kumbon e s’pushon fare!

Nga alpet deri në det,

presim plot me dëshirë

dhuratat që na sjell,

duarplot Jezusi i mirë!

 

Din, don, dan

Din, don, dan

Oh, sa lumturi,

Lind sonte për ne,

Mbi grazh Krishti fëmijë!

 

“Stille Nacht” – O e qeta Natë

Është një nga këngët më të përhapura të festës së Krishtlindjeve. Fjalët u shkruan më natën e Kërshëndellave të vitit 1818, nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri). Po atë natë u kompozua nga Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës pranë të Arsndorf. Sipas dëshirës së Joseph Mor, melodia u punua për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Duke e shoqëruar me kitare ai e këndoi vetë këngën, ndërsa Gruber performoi në pjesën e basit. “Stille Nacht” u përhap aq shpejt sa u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.

Ishte fillimi i shekullit, kur françeskani Atë Vinçenc Prenushi, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe kënga “O e qeta Natë”, u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920.

 

“O e qeta Natë”

Flej, o Qielluer,

Zojës në krahnuer.

Flej, mos kjáj,

ndale at’ váj.

Gjumi t’vjen,

por ty s’t’bahet me fjetë,

pse n’do kashta

t’rrin trupi Ty p’shtetë.

 

Jezus për p’shtim të gjithë neve,

Jezus për p’shtim të gjithë neve.

 

Ty Zoja Mri,

Ty gjithë dashtëni,

rrin tuj t’ruejtë,

ambël prujtë,

 

Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë;

Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë !

Jezus për p’shtim të gjithë neve,

Jezus për p’shtim të gjithë neve!

 

Jezuiti shqiptar Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke i qëndruar shumë më besnik tekstit gjermanisht.

 

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,

Krishti i lum sot ka le;

Shih si qeshet e bukura f’tyr’,

Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’

Flej, o i bukuri, flej

Flej, se shpresa je Ti.

 

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë

Krishti f’mijë i Zoj’s Mari

Qe, në prehen sa mir’ po i rri,

Ejt’këndojnë me brohori:

Erdh i lumi Mesi

Erdh i lumi Mesi.

 

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,

Me shpejti vijnë barijt

Me shikue k’te bukuri,

Me adhrue njik’te fëmijë

Krishti plot dashuni,

Krishti plot dashuni!

 

“We wish you a merry Christmas” – Ju urojmë gëzuar Krishtlindjen!

“We wish you a merry Christmas” – Ju urojmë gëzuar Krishtlindjen!”, nisi të këndohej që në shekullin XVI, fillimisht në viset perëndimore të Anglisë.

Ndërsa dihen mirë vendi e shekulli, kur nisi të këndohej kënga, nuk ka asnjë të dhënë për autorin e tekstit e të muzikës. Njihet veç fakti se lidhet me traditën angleze të njerëzve të varfër, që formonin grupe të vogla këngëtarësh për të kënduar në shtëpitë e të pasurve. Këngëtarët quheshin “carollers”, nga këngët e Krishtlindjes “Christmas Carols”.

Në këngë kujtohet edhe emri i ëmbëlsirës angleze, “figgy pudding”, tipike për festat e Krishtlindjes e të Vitit të Ri në shekujt e kaluar por që me kalimin e kohës, e humbi vlerën.

“Ju urojmë gëzuar Krishtlindjen!”

“Krishtlindjen për shumë vjet;

Krishtlindjen për shumë vjet!

Për vite shumë përsëri,

Gëzuar dhe Vitin e ri!

 

Na sillni pra puding

Pudingun na dhuroni

Shumë e shumë për të uruar:

të dyja Festat gëzuar!

 

 “White Christmas” – Krishtlindje e bardhë

“Krishtlindje e bardhë” është titulli i njërës prej këngëve më të bukura të Krishtlindjes, kompozuar nga Irving Berlin.

Ditën pasi e kishte gdhirë natën duke shkruar këtë këngë, Berlin mbërrin në zyrë dhe i thotë sekretares: “Merr penë e bojë e shënoje këtë këngë. Sapo shkrova këngën time më të mirë. Më të mirën, që kam bërë ndonjëherë”.

Irving Berlin është pseudonimi i Izrail Moiseviç Berlin (1888-1989), kompozitor amerikan, nga më të rëndësishmit e ‘900. Bir i një familjeje hebrenjsh rusë, të emigruar në SHBA në vitin 1893, nisi të punonte që në moshë të njomë. Qe autodidakt e nuk arriti kurrë t’i binte shumë mirë pianos, e as t’i lexonte rrjedhshëm notat muzikore. Në kompozim e hartimin e partiturave e ndihmonte një këshilltar i tij.

Më 1907 ndryshoi emrin e u quajt Irving Berlin. Po në këtë vit u publikua kënga e tij e parë, për të cilën paguhet veç me 5 cent, aq sa do të kushtonte dhe pulla e postës shtypur për nder të tij nga posta amerikane më 15 shtator 2002. Kompozoi disa këngë të njohura, ndërmjet të cilave “God Bless America” e “White Christmas”, regjistrimi më i suksesshëm i së cilës është, pa dyshim, ai i Bing Crosby, në vitin 1942. Më 3 tetor 1942 kjo këngë e kënduar nga Crosby, emër arti i Harry Lillis Crosby Jr., zuri vendin e parë në klasifikimin amerikan. Që prej atij momenti renditet çdo vit në listën e këngëve më të kënduara për Krishtlindje. Deri më sot janë realizuar 500 variante në gjuhë të ndryshme, gjë që e bën këngën më të kënduar në botë. Autori i kësaj kënge jetoi deri në njëqind e një vjeç dhe kënga e cila i dhuroi dhe çmimin Oskar, e realizoi për filmin “Holiday Inn”.

 

“Krishtlindje e bardhë”

E ëndërroj një Krishtlindje të bardhë,

Si kremtet me të cilat jam rritur.

Me toptha vez’llues përmbi Bredh,

Me zilkat e slitës duke shkitur.

 

Ëndërroj Krishlindje me dëborë

E të gjithë kartolinat që shkrova.

Urimet plot dritë e ngrohtësi,

Për festë që ju ju dërgova.

 “Tannenbaum” – O Bredhi i Krishtlindjes

Kënga “Tannenbaum” (O Bredhi i Krishtlindjes) së bashku me “Jingle Bells”, “White Christmas”, “Stille Nacht” e “Tu Scendi dalle stelle”, konsiderohen himnet më të famshme të Këshndellës, kapërcejnë epoka e vende, e janë pjesë e thesarit të muzikës botërore. “Tannenbaum” është këngë tradicionale gjermane e simbolizon një dedikim ndaj gjelbërimit e jetës së amshuar. Është një këngë popullore ku autori i fjalëve dhe i tekstit nuk njihen. Supozohet se i përket shekujve XVI e XVII (ndonëse disa studiues hamendësojnë se u këndua për herë të parë në mesjetë). Viti 1799 njihet si data e lindjes së saj. Më 1819 organisti i Lipsisë (Lajpcigut), Joachim August Zarnack(1777-1827), i frymëzuar nga kënga popullore, që këndohej në Slezi, me titull: “Ach Tannebaum”, kompozuar nga Melchior Franck, i shkroi vargjet e strofës së parë e më pas Ernst Gebhardt Anschütz shtoi, dhe dy strofa.

 

“Tannenbaum” – O Bredhi i Krishtlindjes

O bredh’i Këshndellës

sa bukur gjethon

lulëzon në pranverë

e nën dëborë që flokon.

Oh Bredh i Krishtlindjes,

Ti bredh që këndon!

 

O bredh madhështor,

i festës gjithë dritë,

sa bukur mes nesh

ty gjethi të shndrit.

Oh, Bredh i Krishtlindjes,

sa bukur bleron.

 

“Adeste Fideles” – Ejani, o bestarë!

Kësaj kënge nuk i njihet as autori i tekstit e as kompozitori. Sir John Francis Wade është autori që i kopjoi tekstin e melodinë. Mendohet ta ketë marrë nga një këngë popullore irlandeze, në vitet e largëta 1743-1744, për nevojat e një kori katolik, që po përgatiste këngët e Meshës së Mesnatës në Douai, qytezë në veri të Francës. Teksti fillestar i këngës kishte tetë strofa, nga të cilat Wade kopjoi vetëm strofën e parë, të pestën, të gjashtën e të shtatën. Strofa e dytë, e tretë dhe e katërt u kompozuan nga Étienne-Jean-François Borderies në vitin 1794. Ky himn këndohet në mbarë botën i përkthyer në gjuhë të ndryshme, por edhe në latinisht.

“Adeste Fideles”- Ejani, o bestarë!

Vraponi, o bestarë, gazmorë, ngadhnjimtarë!

Ejani, ejani, në Betlehem!

T’lémë Mbretn’ e Ejve s’bashkut ta shikojmë:

 

Ejani ta adhrojmë, ejani ta adhrojmë,

Ejani ta adhrojmë Zotin tonë !

 

2 Qe grigjët kanë lânë, barijtë për gjithë anë,

Të thirrun te djepi, pà frymë po vrapojnë.

Bashkë me barijtë, g’zueshëm të shpejtojmë!

 

Ejani ta adhrojmë, ejani ta adhrojmë,

Ejani ta adhrojmë Zotin tonë!

 

3 Dritën e amshueme, që shndrit do të vegojmë

Të Atit të pushtetshëm, që u ba njeri !

Pështjellun në ndriza, na pret Zoti fëmijë…

 

Ejani ta adhrojmë, ejani ta adh’rojmë,

Ejani ta adhrojmë Zotin tonë!

 

4 T’vrapojmë me takue, Ferishten lé në kashtë

Që sot krejt i vogël erdhi ndër ne.

Atë që na deshti, duhet fort me e dashtë

 

Ejani ta adhrojmë, ejani ta adhrojmë,

Ejani ta adhrojmë Zotin tonë!

 

 “Ti zbret nga yjet” – Ti ulesh prej Parrizit

Konsiderohet një nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjeve, me ritmin e një ninulle e lehtësinë vokalistike të çdo gjinie. Qe viti 1754 kur Shën Alfons de Liguori improvizoi, në një Kishë të Nolës, melodinë e “Ti zbret nga yjet”. U frymëzua nga dëshira e themeluesit të redentoristëve, autorit të shumë veprave asketike e dogmatike, rrëfyesit, muzikantit, dijetarit të madh, Shën Alfonsit, për t’ia predikuar Ungjillin çdo krijese, edhe me tinguj muzikorë. Qe një nga këngët më të preferuara të kompozitorit të famshëm Giuseppe Verdi. U përkthye nga poeti i madh shqiptar Ndre Mjeda.

 

“Ti ulesh prej Parrizit”

Ti ulesh prej parrizit,

O Zot e mbret madhnije.

E në tokë vjen m’ u bâ nieri

Vetem prej dashtenije:

Aq i dashtun jé per né

Qi në nji shpellë ti vjen me lé!

O Zot i lum,

Un s’e kam ditë se ti

Né të shkretët na don kaq shum!

Për ty qi rruzullimin

Gjithmbarë e ké krijue,

S’jânë gjetë as shpí as petka,

E zjermi të ka mungue.

Tash âsht dimen, akull, borë,

Me qindrue njashtu â zór.

O djalë i shkretë!

Prei së ftofti ti po dridhe,

Po dridhe e po bertet!

O Biri i të naltit Zot.

Ti pate gjith lumnín,

Por deshtas e ké lanun

E kapë e ké vorfninë.

Pra pse kján e pse gjimon,

Kerkush tý nuk po t’ankon:

Ti do me më msue

Se pa durim nuk mundet

Kerkush m’u shelbue.

Ne disha gja ti fshân

E kján, o bukuri,

Persč, si duhet, nieri

S’t’a din gjith at dashtëní;

Vesht e mora un i ngrati

Se at mundim t’a nep ty mkati;

O mkat mallkue!

Por ti, o Zot, më fal!

Më fal se jam pendue!

Ti flęn përmbi at grazhd,

O i lumi djalë plot hír.

Por zęmers me mârrë gjűm

I del fort pűn’ e fshtír.

 

 “Happy Christmas” – Krishtlindje të lumtura

Kjo këngë u shkrua nga John Lenon e Yoko Ono, frymëzuar nga një melodi tradicionale folk e njohur si Stewball. U publikua më 6 dhjetor të vitit 1971 e në vargjet e para të saj, ata i urojmë Gëzuar Krishtlindjen dy fëmijëve të tyre Julian e Kyoko. Lindur si një këngë proteste kundër luftës në Vietnam, kjo këngë u bë një nga himnet e festës së Krishtlindjes.

 

So this is Xmas

And what have you done

Another year over

And a new one just begun

And so this is Xmas

I hope you have fun

The near and the dear one

The old and the young

 

A very Merry Xmas

And a happy New Year

Let’s hope it’s a good one

Without any fear

 

And so this is Xmas (war is over)

For weak and for strong (if you want it)

For rich and the poor ones (war is over)

The world is so wrong (if you want it)

And so happy Xmas (war is over)

For black and for white (if you want it)

For yellow and red ones (war is over)

Let’s stop all the fight (now)

 

A very Merry Xmas

And a happy New Year

Let’s hope it’s a good one

Without any fear

 

And so this is Xmas (war is over)

And what have we done (if you want it)

Another year over (war is over)

A new one just begun (if you want it)

And so happy Xmas (war is over)

We hope you have fun (if you want it)

The near and the dear one (war is over)

The old and the young (now)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency