Dyqind e dymbëdhjetë ditë grevë në qendër të Prishtinës

0
139

212 ditë janë bërë, që kur ish-punëtorët e fabrikës së gypave nga Ferizaj kanë hyrë në grevë.

Dyqind e dymbëdhjetë ditë grevë në qendër të PrishtinësNë një tendë të vendosur në qendër të Prishtinës në mes të ndërtesës se qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, punëtorët që aktualisht kanë mbetur vetëm 10 nga 45 sa kanë filluar grevën, kërkojnë nga autoritetet kompetente t’iu ndajnë mjetet nga privatizimi i fabrikës ku ata kanë punuar.

Dhjetë punëtorë qëndrojnë në këtë tendë pasi 35 të tjerë kanë ndërprerë, për shkak të problemeve shëndetësore, pasi në këtë tendë kanë përcjellë temperaturat e larta e tashmë edhe ato të ulëta.

Fabrika e gypave në Ferizaj është privatizuar në vitin 2007, më metodën e spin-off–it special. Por, mbi 25 milionë euro ish-punëtorët konsiderojnë se i takojnë atyre.

Njazi Asllani, kryetar i këshillit grevist të fabrikës se gypave, thotë se greva ka filluar më 27 maj të këtij vit. Ai për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se po ballafaqohen më vështirësitë rënda për shkak gjendjes shëndetësore të grevistëve, pasi mosha e tyre sillet nga 55 deri në 75 vjeç.

Problem paraqitet edhe sigurimi i ushqimit, pajisjet dhe mjetet e nevojshme për të qëndruar në tendë, kontrollimet mjekësore dhe hospitalizimi i të sëmurëve.

Pavarësisht këtyre problemeve, grevistët janë të vendosur të qëndrojnë deri në realizimin e kërkesë se tyre, thotë Asllani.

Respektivisht, shlyerjes se borxhit për mbi 25 milion euro që janë paga të papaguara për 10 vjet të 912 punëtorëve të kësaj fabrike.

“Jemi të vendosur, pavarësisht temperaturave të ulëta, do t’i përballojmë temperaturat më të ulëta se deri më tani edhe dimrin tjerët nëse nuk përfundon kjo lëndë, do të presim këtu”, – tha Asllani

Në favor të këtyre punëtorëve kishte vendosur edhe Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë vendosi që dhënia e mjeteve të ekzekutohet nga qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kurse në muajin mars të këtij viti, qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të ekzekutohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për pagesën e borxhit ndaj këtyre ish punëtorëve.

Fehmi Mehmeti, një grevistë tjetër mbi të 70-at, thotë se mos ekzekutimi i akt gjykimit të Gjykatës Kushtetuese është shndërruar në lojë me ish-punëtorët.

“Ne kemi të drejtë dhe do të qëndrojmë këtu edhe gjatë këtij dimri por edhe vitin tjetër nëse është e nevojshme”.

Në anën tjetër, Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka thënë se sapo Kuvendi i Kosovës të emërojë anëtarët e rinj të bordit të drejtorëve, agjencia do të paraqesë për aprovim në bord, kërkesën për pagesën e këtyre punëtorëve.

“Agjencia është duke bërë përgatitjet e duhura, në mënyrë që sapo të emërohet ky organ( bordi i drejtorëve) të krijohen kushtet ligjore. Më pas agjencia do të informojë bordin e drejtorëve dhe do ti prezantohet rasti për shqyrtim. Do të thotë se nuk ka nevojë për protesta dhe greva por kjo çështje është e përcaktuar ligjërisht dhe duhet”, – ka thënë ai.

Ndryshe, këshilli grevist ka kërkuar nga qeveria e re, Kuvendi i Kosovës dhe Agjencia Kosovare të Privatizimit që të përshpejtohen procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit të AKP-se, në mënyrë që kërkesa e grevistëve të realizohet dhe greva të ndërpritet.

 

Edhe Zafiri paralajmëron revoltë qytetare

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale mund të nxisë demonstrata dhe revoltë qytetare. Ai përmes një postimi në “Facebook” shkruan se gjendja e rëndë ekonomiko-sociale u pa edhe me projektligjin e buxhetit për vitin 2015.

Lexojeni postimin e plotë të Berishës: “Grumbullimet e problemeve jetësore në Kosovë nuk jan për me u injoru, gjendja e rëndë ekonomike/sociale, pasiguri fizike e qytetarit dhe bisneseve që janë si rezultat i ksaj krize, situata e rëndë politike, mosfunksionimi i shtetit në gjithe territorin e Kosovës e bëjnë shumë të mundshme revoltën qytetare për një jetë më të mir, dhe kjo ngritje qytetare që mund të shëndrohet në demostrata ndoshta jo shumë të këndshme por që sipas gjasave do të mbetet rruga e vetme, pasi garnitura politike ka shuar shpresat për një jetë më të mir, kjo u pa edhe me Projektligjin e buxhetit për 2015. Z.B”

 

 Vatikani kërkon që në Kosovë të mos ketë islamofashistë

Krerët e Kishës Katolike në Kosovë sa herë flasin për njohjen e Kosovës nga Vatikani përmendin mungesën e një ligji me të cilën njihen bashkësitë fetare në Kosovë, duke përfshirë edhe Kishën. Mirëpo, kështu nuk mendojnë zyrtarët e diplomacisë së Kosovës.

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thotë se për Vatikanin është më e rëndësishme të mos përhapet ekstremizmi islamofashist sesa miratimi i një ligji për njohjen e Kishës. “Ndoshta më shumë rëndësi sesa aprovimi i ndonjë ligji për Vatikanin është që Kosova të jetë zonë tolerante për fenë krishtere, katolike apo ortodokse, që ekstremizmi islamofashist që po shkatërron komunitetet e krishtera në Lindjen e Mesme të mos shfaqet në Kosovë dhe që Kosova të vazhdojë edhe më tutje se ndërtuari marrëdhëniet dhe relacionin e veçante që ka me Selinë e Shenjtë ndër shekuj”, – ka thënë Selimi për “Express” të enjten.

“Sa i përket Vatikanit, njohja apo jo e Kosovës nuk varet nga vetëm një vendim apo vetëm një ligj por është çështje më komplekse”, – ka shtuar ai.

Ndërkohë, Selimi ka sqaruar se Ministria e Drejtësisë ka draftuar një ligj tjetër për të rregulluar veprimtarinë e institucioneve fetare.

Ai pret që legjislatura e re të miratojë këtë ligj, i cili mundëson shtetit të ketë mjete për të kontrolluar organizmat fetarë. “Ministria e Drejtësisë ka draftuar një ligj, ndërsa me ndihme të BE-së po ashtu janë marrë disa komente nga Komisioni i Venedikut sa i përket kualitetit të këtij ligji. Tani u takon deputetëve të Kuvendit të ri të aprovojnë draft Ligjin me apo pa ndryshimet e propozuara nga Komisioni i Venedikut. Mendoj se ky ligj është i rëndësishëm sepse mundëson shtetin të ketë mjete të kontrollit mbi organizmat fetare, por edhe ju jep autonominë vepruese dhe dalluese përfaqësuesve të feve tradicionale kosovare”, – ka shtuar ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency