Dosja/ Rrahën komshiun për t’i marrë paratë, dërgohen në gjyq të rinjtë nga Rrashbulli

0

Alma Çuka

 gjyqE rrahën dhe e detyruan t’u dorëzonte paratë, në të kundërt do ta vrisnin. Policia ndërhyri, pas kallëzimit nga i riu, për të neutralizuar grabitësit. Kërkonin 6 mijë euro

Një djalë i ri nga fshati Rrashbull i Durrësit ra pre e disa djemve të lagjes së tij, të cilët nën kërcënimin e armëve të ftohta e detyruan të dorëzonte shumën e parave të kërkuara. Një histori, e cila nuk është e vetme në morinë e ngjarjeve të shumta që ndodhin çdo ditë në vend. Sipas organit të hetimit, bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 21 gusht të këtij viti. Ishte kohë plazhi dhe i dëmtuari me familjen e tij tregtonin fruta-perime në një market në plazh. Historia e përjetuar nga i riu për pak ditë tronditi edhe familjen, e cila ishte nën presion. Ndërkohë, Prokuroria arriti të zbardhte çështjen brenda një kohe të shkurtër, duke kryer edhe veprime stimuluese.

 

Ngjarja

Florenc Ruçi është me banim në fshatin Rrashbull, Durrës. Është i vetëpunësuar në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku tregton si ambulant fruta. Në dt. 18 apo 19 gusht 2014 rreth orës 20:00 ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar vetëm tek dyqani minimarket i vogël në pronësi të shtetasit B. G. pranë shtëpisë për të blerë një paketë cigare. Pasi mori cigaret nga dyqani është kthyer për në shtëpi, ku sapo është afruar në një kryqëzim pranë fushës së sportit i kanë dalë përpara shtetasit Flamur Popoçi dhe Ilirjan Toshi, të cilët i njeh mirë, pasi i ka komshinj në lagje. Flamuri dhe Ilirjani ishin në këmbë dhe sapo u afruan, shtetasi Flamur Popoçi i drejtohet duke i thënë: “Ku je? Kemi gjithë ditën që të kërkojmë”. Florenci i përgjigjet: “Kam qenë në shtëpi dhe në punë”. Flamuri vazhdoi duke i thënë që “po pret burri i huj të cilit i kanë humbur 6000” (gjashtë mije euro) pa përmendur emër se cili ishte ky person. Më tej Florenci i thotë: “Nuk e di se për çfarë po flisni”. Pas kësaj bisede Flamuri bashkë me Ilirjan Toshin filluan që ta godisnin në pjesë të fytyrës me grushte e shpulla si dhe me shkelma nga këmbët e brinjët. Në këtë moment Ilirjani i mori me forcë telefonin tip “Samsung”. Gjithashtu në momentin që po e qëllonin i kanë thënë: “Ti ia ke blerë H. H.”, ndërsa Florenci u thoshte: “Nuk ia kam blerë unë, pasi nuk kam lekë të blej makinë për vete jo për H. H.” sqaron se H. H është një shok i tij rreth 23 vjeç që jeton në një lagje me Florencin.

 

Rrëmbimi

Pas kësaj Flamuri së bashku me Ilirin nxorën nga xhepi nga një biçak dhe duke ia drejtuar Florencit e kërcënuan që të shkonte me ta në plazh. Pas kësaj Florenci së bashku me Flamurin e Ilirin u nisën në këmbë nga Rrashbulli për në plazh, duke ecur në linjën hekurudhore. Florenci tentoi që të largohej prej tyre, por ata e kapën nga krahët dhe e detyruan që të vazhdonte rrugën me ta. Rreth orës 21:00, bashkë me Ilirin e Flamurin dolën në plazh, ecën bregut të detit nga pjesa e quajtur Agip-Ura e Dajlanit deri kur shkuan te hotel C….G…. Aty pasi arritën para hotelit u ulën në plazhin para hotelit secili nga një shezlong plazhi ku aty erdhi dhe një person tjetër i cili ishte i njohur i Ilirit e Flamurit. Sipas kallëzimtarit, roja ishte rreth të gjashtëdhjetave dhe ata e thërrisnin xhaje. Florenci u shtri në shezlong dhe bëri sikur flinte gjumë, ku ndërkohë Iliri e Flamuri u larguan bashkë me xhajen e 2-3 djem të tjerë u ulën diku rreth 10 metra larg Florencit në një shezlong tjetër. Pasi pa që Iliri e Flamuri u larguan, rreth orës 01:00 Florenci u hoq zvarrë nëpër rërë derisa u largua rreth 100 metra larg e iku me vrap në shtëpi. Në shtëpi shkoi rreth orës 02:00, ku i ka shpjeguar mamasë për ngjarjen sipas tij që Ilir Toshi e Flamur Popoçi e kërcënuan dhe e kishin rrahuar dhe marrë telefonin. Në dt. 21.8.2014, në kohën kur ishte në shtëpi, pasi ishte duke bërë disa instalime elektrike, ka marrë aparatin e telefonit të motrës tip “Nokia” dhe i vendosi numrin e tij telefonit dhe e ndezi atë rreth orës 10:00. Aty ka parë që i erdhi një thirrje e humbur me numër privat. Pas 15-20 minutash i bie përsëri telefoni me numër privat dhe pasi e hap rezultoi se telefonuesi ishte shtetasi Flamur Popoçi, i cili i tha që hajde në plazh dhe sill me vete 1000 euro për person për kokë, pra 2000 euro gjithsej, se ndryshe do t’i kishte punët keq, pasi do të vinte tek shtëpia dhe do ta vriste. Florenci i tha Flamurit që do të vinte për rreth 30 minuta.

 

Telefonata në polici

Pas kësaj telefonoi tek salla operative nga numri i tij dhe i shpjegoi se çfarë i kishte ndodhur. Punonjësi i policisë i kërkoi që të shkonte në Drejtori të Policisë dhe të merrte takim me punonjësit për të bërë kallëzim e për të ndjekur çështjen në rrugë ligjore. Ka dalë në këmbë nga shtëpia dhe në rrugën e lagjes takoi H. H., i cili ishte me makinën e tij “Mercedes-Benz” ngjyrë jeshile e hapur. H. i tha: “Më kanë thënë Ilirjani me Flamurin që ti ma ke ble makinën”. Florenci i tha që kjo nuk është e vërtetë, pasi e kanë shpikur ata. Më pas u nda me H. H. dhe me një furgon të linjës së Sukthit ka vajtur në Drejtorinë e Policisë Durrës.

 

Veprimet stimuluese

Pas regjistrimit të procedimit penal nga ana e organit procedues është autorizuar kryerja e veprimeve simuluese. Të dëmtuarit i janë dhënë paratë nga ana e Policisë Gjyqësore, me qëllim dorëzimin e tyre tek personat që e kërcënonin. Rreth orës 11:00, janë parë pranë stacionit të trenit shtetasit Flamur Popoçi dhe Ilirjan Toshi, të cilët po prisnin Florencin në një lokal pranë agjencisë së udhëtimeve “Adriatika”, të cilët më pas janë arrestuar në flagrancë dhe gjatë kontrollit, shtetasit Ilirjan Toshi i është gjetur sasia prej 1000 eurosh. Nga hetimi rezulton se deklarimet e të dëmtuarit përputhen me provat e administruara në këtë hetim. Konkretisht, me aktin e ekspertimit mjekoligjor, datë 23.8.2014, rezulton se tek i dëmtuari Florenc Ruçi janë konstatuar një dërmishje me lokalizime që janë shkaktuar me mjete të forta që nuk kanë shkaktuar humbje të aftësisë për punë. Nga hetimi rezulton se të pandehurit Flamur Popoçi dhe Ilirjan Toshi komunikojnë mes tyre dhe kordinojnë veprimet me qëllim marrjen e parave të kërkuara të dëmtuarit Florenc Ruçi. Lidhur me telefonin për të cilin i dëmtuari deklaron se i është marrë nga i pandehuri Ilirjan Toshi në bashkëpunim me të pandehurin Flamur Popoçi, rezulton se me shkresën e kompanisë datë 10.12.2014, për numrin e telefonit të përdorur nga i dëmtuari në datën 15.8.2014 dhe në vazhdim, karta e telefonit është përdorur nga aparati i telefonit të sekuestruar Ilirjan Toshit gjë që tregon se është i njëjti aparat i cili ka qenë në pronësi të të dëmtuari, dhe më pas i është sekuestruar të pandehurve Flamur Popoçi dhe Ilirjan Toshi.

 

Durrës/ Plagoset rëndë në një aksident djali i kryebashkiakut të Durrësit

Ka mbetur i plagosur, por pa rrezik për jetën, në një aksident rrugor, djali i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. 20-vjeçari Xhuljo Dako u aksidentua me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, pranë rrethrrotullimit të ish-Kënetës, teksa po udhëtonte në drejtim të Tiranës. Ngjarja ndodhi pak minuta pas mesnatës. Sipas policisë, i riu, pasi mori ndihmën mjekësore në Durrës, u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Dyshimet e para të policisë janë se shkak për këtë aksident ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte 20-vjeçari.

 

Kërcënimi/ Apeli liron nga burgu avokatin që kërcënoi Kryeministrin me mesazhe

Gjykata e Apelit, në ditën e shenjtë të Krishtlindjeve, i dha të drejtë avokatit Bashkim Hoxha për të festuar me familjen. Në këtë mënyrë, Apeli ndryshoi masën e sigurimit për avokatin Hoxha, nga ai i burgut në atë të shtëpisë deri sa Gjykata të shprehej me një vendim të formës së prerë. Në vendimin e lirimit, mësohet se gjyqtarët kanë argumentuar mungesën e rrezikshmërisë së avokatit Hoxha, për të ndërhyrë në prishjen e provave të prokurorisë. Vendimi i lirimit është zbatuar nga institucioni i paraburgimit “Jordan Misja”, efektivët e të cilit e kanë shoqëruar avokat Hoxhën në ambientet e banesës së tij, që ndodhet pranë Rrugës së Dibrës në kryeqytet. Lirimi i avokati erdhi pas 25 ditësh qëndrimi në qeli me akuzën e “Kanosjes për shkak të detyrës” dhe “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Pavarësisht vendimit të lirimit nga burgu, mësohet, se prokuroria do të vazhdoje hetimet ndaj avokat Hoxhës, dosja e të cilit, pritet të dorëzohet në Gjykatën e Tiranës, ku ky i fundit do të përgjigjet për kërcënimet ndaj kryeministrit. Gjate seancës së vlerësimit të masës në gjykatë dhe marrjes në pyetje nga prokuroria, Bashkim Hoxha ka shprehur pendesë për veprimin e kryer, duke i kërkuar ndjesë kryeministrit dhe familjes së tij për shqetësimin. Sipas akuzës, mëngjesin e datës 29 nëntor, avokat Hoxha i ka nisur një mesazh urimi kryeministrit, dhe nuk ka marre përgjigje. Kjo e ka irrituar avokat Hoxhën, i cili rreth orës 10 të se njëjtës ditë, i ka çuar një tjetër mesazh shefit të qeverisë, këtë herë me tone kërcënuese dhe fyese.