Skandali/ Sporti rus nën akuzë për doping

0
160

Jurges Veizaj

3000 sportistë rusë do të jenë në vëzhgim, për shkak se dyshohen se janë bërë pjesë e një rrjeti të mirorganizuar dopingu

peshengritja ruse nën akuzë për dopingDopingu është një ndër lajmet që bën bujë sa herë që preken sportistë anembanë globit. Më i famshmi është ai i Lens Armstrongut, por edhe shumë kampionë të tjerë. Së fundmi një krizë e madhe ka pushtuar edhe peshëngritjen shqiptare për sa u përket kampionëve te botës Godelli dhe Begaj, që rezultuan pozitivë në testin e dopingut. Mirëpo sportit rus i duhet që të përjetojë të njëjtin makth pas zërave të shumtë për një rrjet të mirorganizuar dopingu të shtrirë në të gjithë vendin. Agjencia Botërore e Antidopingut ka nisur menjëherë një hetim të gjerë pas akuzave të ngritura në një dokumentar të shfaqur në një televizion shtetëror gjerman. Zyrtarë të WADA-s tërhoqën rreth 3.000 analiza të sportistëve rusë të cilat do të kontrollohen me imtësi për të kuptuar situatën e vërtetë. Ministri i sporteve i Rusisë Vitaly Mutko rrëfeu se një komision i posaçëm i ngritur nga WADA vizitoi vendin pas kërkesës së vetë Agjencisë Botërore të Antidopingut madje ai konfirmoi gjithashtu edhe marrjen e afërsisht 3.000 analizave për t’i kontrolluar më pas në laboratorë të specializuar. Mutko shpjegoi për agjencinë R-Sport se i kishte shkruar një letër organizmit më të lartë në rruzull për sa i përket luftës ndaj dopingut ku deklaronte se Rusia është e hapur për të pritur çdo lloj komisioni si dhe për të vënë në dispozicion që të gjitha materialet e nevojshme. 56-vjeçari nga Krasnodari shtoi se një komision i veçantë i përbërë nga 3 vetë dhe i udhëhequr nga drejtori i sektorit të shkencës u mor me këtë çështje, por gjithashtu Vitaly Mutko konfirmoi se Rusia është e hapur ndaj çdo lloj hetimi. Dokumentari që u bë shkak për këtë hetim u shfaq gjatë muajit dhjetor në kanalin shtetëror gjerman ARD, e në një prej deklaratave më të famshme të këtij materiali thuhej se 99% e atletëve rusë përdorin doping. Në këtë përmbledhje flitej edhe për një mbulim të gjithë kësaj historie nga drejtuesit e Federatës Ruse të Atletikës, megjithatë në këtë dokumentar u njollos gjithashtu edhe Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Në programin e shfaqur në televizionin ARD konfirmohet se rreth 150 analiza të gjakut, ku përfshihej edhe emri i një atleti të famshëm britanik nuk janë kontrolluar siç duhet nga drejtuesit e IAAF. Këto deklarata mbollën shumë zemërim te drejtuesit e federatës ruse të cilët i quajtën akuza të tilla si spekulime dhe gënjeshtra, ndërkaq Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka nisur menjëherë një hetim për të verifikuar gjithçka. Më herët po gjatë këtij muaji WADA bëri të ditur se ish-numri 1 i Agjencisë Botërore të Antidopingut Dick Pound do të kryesojë një komision të veçantë që është ngarkuar të hetojë pikërisht përmbajtjen e dokumentarit gjerman, sidoqoftë konfirmohet se puna në lidhje me këtë çështje do të nisë ditët e para të vitit të ardhshëm.

 

Ramos: Ronaldo e meriton Topin e Artë

Mbrojtësi spanjoll Serxho Ramos është shprehur se Kristiano Ronaldo meriton të përfundojë para Manuel Nojerit dhe Lionel Mesit në garën për Topin e Artë. “Kristiano e meriton Topin e Artë. Ai është një fitues i lindur dhe nuk i pëlqen të humbasë. Ai dëshiron të fitojë gjithçka. Si një mik, e di se do të isha i lumtur për të. Sigurisht, ne të gjithë duam të njihemi si më të mirët. E di se ky ka qenë viti im më i mirë dhe mund të mburrem duke fituar katër tituj dhe duke qenë këtu. Këto çmime vijnë nga puna kolektive. Futbolli është sport ekipor dhe ekipi jonë po shkruan histori. Mendoj se kjo skuadër nuk ka limite. Është më shumë se një grup i lojtarëve. Jam krenar që i kam këta bashkëlojtarë. Trofetë individuale vijnë falë punës ekipore”, – ka thënë Ramos. Ndërkohë që për spanjollin është përhapur lajmi se Arsen Venger kontakt direkt me kampion e Serxho Ramos. AS shkruan se Venger personalisht ka kontaktuar Rene Ramos, agjentin e qendërmbrojtësit Serxho Ramos. Raportimet spekulojnë se Arsenali është i përkushtuar që të përfundojë këtë marrëveshje me sukses. Ramos nga ana tjetër ka pranuar se ai nuk është as afër rinovimit me Real Madridin.

 

 Ferguson: Brezi i 92-shit, arritja më e madhe

Ish-bosi i Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson, ka thënë se arritja më e madhe e tij ka qenë përfshirja e lojtarëve të gjeneratës së artë të vitit 92 në ekipin e parë. Në vitin `92 te Junajtid kanë qenë në pritje lojtarë të mëdhenj dhe përfshirja e tyre në top formë e në top ekip thotë Ferguson e ka bërë atë të jetë legjendar sot. “Shumë njerëz kanë interpretime të ndryshme për atë që unë kam bërë për Junajtidin përgjatë 26 viteve, me lojtarë të mëdhenj, si Runi, Ronaldo, Kantona, Kin, Robson, Shmakel. Po, sinqerisht, unë mendoj se shpirti i Mançester Junajtid ka ardhur nga ekipi i vitit `92. Unë mendoj se të gjithë kanë bërë më të mirën, drejtorët dhe të gjithë e filluam një epokë të artë të suksesit atëherë”, – deklaroi Fergi.

 

 Mavraj në top 10-shen e pasuesve në Bundesligë

Faza e parë e Bundesligës gjermane është dominuar tërësisht nga Bajerni i Mynihut dhe lojtarët e tij. Por, duke u bazuar te shifrat dhe statistikat e pasimeve në 17 ndeshjet e para, i vetmi që ka rivalizuar bavarezët ka qenë për çudi qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj. Shtatlarti kuqezi i Këlnit ka shkëlqyer në aspektin e pasimeve duke iu referuar minutave të aktivizuara dhe pasimeve të kryera. Në listën e bërë publike nga Liga gjermane, mbrojtësi shqiptar renditet i gjashti me 88.60% të pasimeve të sakta, që i korrespondon 342 pasimeve. Në 10-shen e parë bëjnë pjesë 8 lojtarë të Bajernit, Mavraj dhe Luis Gustavo në vendin e nëntë. Në krye të kësaj liste renditet braziliani Dante me 90.33%, që i korrespondon 1065 pasimeve. Mërgim Mavraj është shndërruar në një lider të padiskutueshëm në repartin e mbrojtjes së përfaqësueses shqiptare. Së bashku me Lorik Canën, ai i ka dhënë stabilitet prapavijës kuqezi duke ofruar siguri dhe potencë. Ai ka luajtur gjithsej 21 ndeshje me Shqipërinë dhe është zëvendësuar në vetëm njërën prej tyre. 28-vjeçari është cilësuar nga Lorik Cana si pasardhësi ideal për të mbajtur shiritin e kapitenit. Mavraj këtë sezon e pati të vështirë te Këlni, por më pas arriti të fitojë hapësira duke u aktivizuar gjithsej në tetë ndeshje.

 

Lista:

Futbollisti/Klubi/Saktësia/Pasime

 

  1. Dante (B. Mynih) 90.33% 1065
  2. Ksavi Alonso (B. Mynih) 90.03 1554
  3. Mehdi Benatia (B. Mynih) 89.75 517
  4. David Alaba (B. Mynih) 89.66 754
  5. Filip Lahm (B. Mynih) 88.65 749
  6. Mërgim Mavraj (Këln) 88.60 342
  7. Rafinja (B. Mynih) 88.58 963
  8. Juan Bernat (B. Mynih) 88.43 925
  9. Luiz Gustavo (Volfsburg) 87.56 821
  10. Mario Gëtze (B. Mynih) 86.74 671

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency