Shteti i së zhdrejtës

0
118

Brikena Bogdo

wallstPër të kuptuar nëse “po bëjmë shtet” apo ky është shtet i së drejtës a i së zhdrejtës, rrugëtojmë drejtë apo shtrembër, kthejmë kohën në histori. Heqim një paralele me qeverinë e parë shkodrane, tetëmujore, në Tuz, pothuaj e fshirë nga historia, ku kryetar i komisionit ose i qeverisë ishte Hodo Bej Sokoli. Prej muajsh po analizoj sjelljet politike, ekonomike, ushtarake, gjyqësore të kësaj qeverie, që ende nuk e praktikojmë sot dhe arrij në konkluzion se kemi rrugëtuar zhdrejtë.

Analizoj si janë sjellë të parët tanë, si kanë ditur edhe në kohë luftë të marrin vendime pa prepotenca, imponime, urdhërime, siç ka ecur dialektikisht një popull, i cili edhe në kohë lufte ka ditur të paqtojë (besa e paqtimit, kundër gjaqeve) dhe dialogojë. Të rishkruhet historia, por jo si një proces mekanik, me urdhër të Deux (Zotit), duke e deformuar atë, për ta shkëputur nga imponimi, përdorimi për interesat politik. Do të ishte më e vërtetë, nëse “të fuqishmit” do të shpreheshin për “rivlerësimin” e historisë për të kuptuar sa drejt është vepruar në iks kohë apo nga aksh personalitete, pasi gjithmonë jemi akuzuar për mungesë aftësie shtetformuese.

Shqipëria e viteve 1800 ishte tejet e varfër për t’u përballur me të gjithë të fuqishmit politikë kundër saj. Komisioni i Tuzit me kryetar Hodo Sokolin, ngriti tri komisione, ushtarak, gjyqësor dhe ekonomik. Komisionit ekonomik i ra barra që të mblidhte taksat, tejet të domosdoshme që të mbanin gjallë rezistencën. Dy ishin burimet kryesore të të ardhurave buxhetore: e dhjeta e drithit dhe tatimi i luftës. Vjelja e së dhjetës ishte e lidhur me stinën e korrjeve, që parashikohej të fillonte në qershor, ndërsa komisioni e kishte të ngutshme të përballonte ushqimin e përditshëm të mijëra luftëtarëve.

Kështu, përveç tatimit të luftës, qeveria shpalli një hua të brendshme, e cila do të dorëzohej në drithë (misër), ndërsa shlyerja do të bëhej nga komisioni në të holla. Edhe tatimi i luftës ra kryesisht në kurriz të tregtarëve dhe zejtarëve të pasur, ndërsa reshperët më të mëdhenj të Shkodrës do tatoheshin me 8 mijë groshë, secili. Tatimi do të dorëzohej, jo përnjëherësh, por në tri këste.

Disa reshperë shkodranë,megjithëse e dëshironin rezistencën kundër Malit të Zi, nuk pranonin të paguanin, qoftë tatimin e rregullt, qoftë huanë e brendshme, për shkak të koprracisë së tyre, por edhe të mosbesimit që Lidhja e Prizrenit do ia kthente. Kundërshtarët e huasë, të nxitur nga konsulli austro-hungarez Lippich, hartuan një protestë me shkrim, për t’ua dorëzuar konsujve të huaj, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre. Protesta nuk u nis, pasi nuk u arrit një minimum firmëtarësh. Megjithatë, Komiteti shpalli se, ai që do të kundërshtonte pagesën e huasë, do të arrestohej dhe do të dërgohej, në burgun e Tuzit.

Në letrat tij, Engjëll Çoba flet, ndër të tjera, edhe për rastin e dajës së tij, reshperit Filip Pema, i cili nuk donte të paguante tatimet prej 7 mijë groshësh, me pretekstin që ishte i sëmurë. Në Komision, filloi një diskutim, ku myslimanët ishin për ushtrimin e forcës ndaj tij, ndërsa katolikët ishin për dialog. Të dy palët ranë dakord për dialogim në hapat e parë. Trokitën në derën e Filip Pemës, i cili nuk pranonte as të hapte derën. Pasi hynë brenda, diskutuan me të me orë, derisa ai u bind dhe deklaroi, që brenda pak ditëve do t‘i jepte të gjithë shumën, në dorë, jo me këste. Dy reshperë myslimanë, që kundërshtuan deri në fund pagesën, me gjithë përpjekjen për dialog, u dërguan në burgun e Tuzit. Në të njëjtën kohë, për të njëjtin faj, u dënuan edhe dy reshperë katolikë. Po, e ka përdorur burgun qeveria e Tuzit, por pasi kanë dialoguar. Mbas 135 vitesh, në një kohë paqeje, nuk u gjetka dialogu dhe forma ligjore, në Shqipëri?

Por, edhe korrektesa e qeverisë së Tuzit ishte e jashtëzakonshme. E. Çoba më 17 maj 1880, shkruan se, huaja ishte me afat të shkurtër. Për habi të reshperëve, shlyerja e huasë nisi menjëherë, sapo filluan të arkëtoheshin këstet e para të tatimit, në të holla. Më 4 maj 1880, E. Çoba i shkruan Stef Biankit se, “qe tash mi paguen paret e huasë dhe u shlyem dhe m’u falën nderës për këtë sevap”. Shteti ka mekanizmat e tij të shtrëngimit, por në të njëjtën kohë, ka detyrimin të jetë korrekte me shtetasit e vet. Sot, është ende shumë i lartë borxhi i brendshëm i qeverisë ndaj biznesit (të gjitha qeveritë, me radhë, e lanë këtë biznes të pashlyer). Prandaj, duhet studiuar një popull, në dialektikën e tij historike, duke ndjekur aftësitë e tij shtetformuese.

Lihet të nënkuptohet që fjala burg është në kontekstin e kohës, por, me sa duket, jo në kontekstin e duhur ligjor. Së pari, duhet saktësuar ligji, ku jepen me shumë detaje modalitetet, pasi do të penalizohet i gabuari. Në të kundërt, anekdota, ku dikush për një presje shpëtoi nga vdekja, do të shndërrohet në realitet “Varje jo, të shpëtojë”. Ndërkohë që duhej: “varje, jo të shpëtojë”. Edhe presja është e rëndësishme në hartimin e ligjeve. Këtë ngriti Spartak Braho, ditë më parë, dhe u mbështet nga vetë kryeministri. “Mungesë profesionalizmi në hartimin e dispozitave ligjore­”. Ligji është në rrënjët e shtetit demokratik. Çfarë reformash do të bëjmë pa këto rrënjët “e hidhura”?

Shteti demokratik, gjithashtu si qëllim final, ka prosperitetin. Forca shtrënguese e shtetit është mjet për të arritur këtë prosperitet, jo qëllim në vetvete. Arvizu në “Top Story” solli zërin e publikut: “taksa për ditë më të mirë, po nuk po i shikojmë këto ditë më të mira“. Komisioni i Tuzi, mbi 130 vjet me parë,t zgjodhi formën e dialogut për taksimin. Sot, thelbi i suksesit të taksimit është antikorrupsioni, lufta kundër hajdutërisë së organizuar dhe asaj ordinere.

Si e zgjidhi hajdutërinë Napoleoni? Përsëri, kthehemi në kohë, e cila na vjen në ndihmë, në formën e anekdotës. “Zotëri, administrata vjedh”, i thanë Napoleonit. Rritini rrogat, tha ai. Mbas disa kohësh i thonë se përsëri vjedhin, por më pak në numër. Rritini përsëri rrogat, tha Napoleoni. Përsëri mbas pak i thanë se kanë mbetur shumë pak që po vjedhin. Ata futini në burg, janë hajdutë. Të jesh i varfër dhe të jesh hajdut, janë dy koncepte të ndryshme, që e kuptoi në mënyrë të suksesshme ai gjenialitet botëror. Edhe kjo formë sjellje, që na vjen si anekdotë, tregon kahun pozitiv të forcës shtrënguese të shtetit, që në konceptin bazë, ka rritjen e mirëqenies. Por, Napoleonin e lartësuan kodet, që u vendosën në themelin e shtetit ligjor, demokratik francez.

Aktualisht, në botë, po tentohet të modifikohet nocioni burg, me metoda alternative, si rehabilitimi, prandaj duhet të menaxhohet me shumë kujdes metodologjia burg. Nëse fut në burg atë që e përfshin kodi penal, je brenda shtetit të së drejtës, por nëse penalizon punonjësit e administratës, duke i hequr nga puna, për vepra që nuk i përmban kodi i punës, je brenda shtetit të së zhdrejtës. Në se e bën se, “duhet të fusim disa në burg”, për të treguar forcën shtrënguese të shtetit, ose le t’i bjerë lapsi, kujt t’i bjerë, këtu jemi brenda shtetit të së zhdrejtës.

Na lind pyetja, kush është nocioni real i të bërit shtet? Së pari, shtet ligjor, (hasim veprime jashtë ligjit), së dyti, shteti i së drejtës, (hasim shkelje të të drejtave të njeriut), së treti, shtet i prosperuar, (hasim varfëri ekstreme), së katërti shtet profesional, (amendamente pa profesionalizëm) së pesti shteti korrekt, (ende shteti debitor ndaj biznesit). Si përfundim jemi në shtetin e së zhdrejtës, pasi nuk po përmbushen ende elementet themelore të shtetit demokratik, të shtetit ligjor dhe atij të së drejtës.

Në kohën e qeverisë së Tuzit, divergjencat ishin fetare dhe ata e patën aftësinë që të bashkërendoheshin. Sot, divergjencat janë politike, prandaj duhet të bashkërendohen krahët politikë. Mbase, ashtu si përpara 135 vitesh, ku u pozicionuan “Përtej katolikëve dhe myslimanëve”, sot për ndryshime kodesh, apo për të ecur “ligjërisht me reformat”, mbase duhet të vihet në funksion teoria “përtej së majtës dhe së djathtës”. Nëse, në kohë lufte, ku ajo që ka më pak vlerë se çdo gjë është jeta e njeriut, synohet të dialogohet, me pikësynim bindjen e tij, përse të mos realizohet në kohë paqeje? “Drejtësia kërkon konsensus të gjerë… është qeveri arrogante, nëse vazhdon kështu mundet që, shumë shpejt, ta shohë veten në opozitë” (Arvizu).

Ligji derivon të drejtën apo e drejta derivon ligjin është si pula vezën apo veza pulën, por më mirë po i marrim si një binom që janë në themel të shtetit demokratik. Shteti demokratik ndryshe quhet shtet ligjor ose ndryshe shteti i së drejtës. Nëse tejkalon ligjet, ke tejkaluar të drejtën. “Tejkalimi i së drejtës” shprehet Kadare. Nëse tejkalon të drejtën, e drejta nuk të përket më ty, por palës tjetër, kundërshtarit. Një shtet demokratik ndryshe quhet shteti i së drejtës që, nëse nuk menaxhohet, siç duhet ligji, transformohet shumë lehtë në shtetin e së zhdrejtës.

Sot flasim për vitin “0” të një qeverie, që gjithsesi është në një pozicion shumë më të mirë se një qeveri në kohë lufte. Por, edhe viti “0” mbart rreziqe si qeveria në luftë, që shigjeta, ashtu si mund të ecë kah pozitiv, mund të spostohet edhe kah negativ.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency