Zbardhen orët e debatit në Kuvend/ Negociatat deri në mesnate, arrihet pakti PD-PS: Ja cfarë përmban. PD sot në Parlament

0
107

Gëzim Saliu

pollo balla vasiliPrapaskenat e negociatave, Rezoluta do të implementohet brenda 6 muajve, sot votohet në Kuvend

Pas më shumë se 6 orësh negociata, të zgjatura deri në mesnatë, mazhoranca dhe opozita mundën të finalizonin një marrëveshje të firmosur mes tyre, e cila do të mundësojë rikthimin e opozitës në Kuvend. Rreth orës 23:35 të mbrëmjes së djeshme, përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës arritën marrëveshjen për t’i dhënë fund bojkotit të parlamentit. Të pranishëm në takimin e tretë të zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Kryesinë e Kuvendit, nga mazhoranca ishte deputeti Taulant Balla dhe Petrit Vasili, ndërsa nga Partia Demokratike ishin Genc Pollo dhe Oert Bylykbashi. Marrëveshja u konfirmua si nga përfaqësuesit e mqazhorancës ashtu edhe nga ata të opozitës. “Arritëm një marrëveshje, ndërsa fjalën e fundit do ta kenë deputetët në Kuvend”, u shpreh Genc Pollo, i mandatuari i Partisë Demokratike. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se marrëveshja është gjithëpranuar nga të dyja palët . “Presim që këtë marrëveshje të përkthyer në rezolutë ta votojnë nesër të gjithë deputetët. Sigurisht që baza e marrëveshjes është deklarata e Kukan-Fleckenstein”, tha ai.

Negociatat
Ndërkohë që në takimin e parë dhe të dytë në Kryesi, palët u ndnë për disa çështje. Të mandatuarit nga mazhoranca, Taulant Balla për PS-në dhe Petrit Vasili për LSI-në, theksuan se shumica u shpreh e gatshme në negociatat me PD-në për të respektuar pikë për pikë Kartën e Parimeve të propozuara nga PE dhe për ta votuar atë më pas si rezolutë në seancën e sotme parlamentare. Por, sipas tyre, PD propozoi pika shtesë që nuk përfshiheshin në draftin e PE-së, për të cilat ato nuk mund të shprehnin dakordësi. Nga ana e saj, PD, e cila përfaqësohej në këto diskutime nga deputetët Oerd Bylykbashi dhe Genc Pollo, bëri të ditur përmes këtij të fundit se u ra dakord për disa pika dhe për disa të tjera ende nuk kishte konsensus. Duke iu përgjigur reagimit të kolegëve të së majtës, Pollo pohoi më vonë: “Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim”. Përgjatë neociatave pati ndërprerje të shpeshta të takimit në Kuvend, pasi negociatorët e partive largoheshin nga ambientet e Kryesisë drejt kryetarëve respektivë të partive, Rama dhe Basha, për të sqaruar zhvillimet e paktit dhe mundësitë e zgjidhjes. Ndonëse rezoluta nuk u firmos nga ana e demokratëve, mundësitë e rikthimit të opozitës në Kuvend ditën e sotme janë ende të realizueshme, duke marrë parasysh faktin që negociatat vazhduan dje deri natën vonë përmes telefonatave. Ndërkohë, përmes Ballës, shumica bëri të ditur se do ta votojë ditën e sotme rezolutën e PE-së edhe nëse nuk do të jetë në sallë opozita, për të treguar, sipas tij, vullnetin e shumicës për bashkëpunim e konsensus.
Kundërshtitë
Pas pëfundimit të takimit në Kryesinë e Kuvendit, në emër të mazhorancës, Taulant Balla dhe Petrit Vasili ftuan opozitën të ishin të pranishëm sot në Kuvend për ta miratuar rezolutën atë pikë e presje, pa i hequr apo shtuar gjë. “Ne prej momentit të parë mbështetëm deklaratën e më pas draftin e marrëveshjes që Kukan dhe Fleckenstein arritën që të bënin dje. Që në mëngjes kemi dalë në deklaratë që e mbështesim. Në takimin me dy përfaqësuesit e PD, pamë që pati edhe kërkesa të tjera për t’u shtuar dhe për të hyrë në detaje të panevojshme për një marrëveshja parimesh, kjo nuk ishte në frymën e asaj që dje dy eurodeputetet arritën dje në Tiranë. Nesër Kuvendi i Shqipërisë është i gatshëm që marrëveshjen e propozuar dhe të miratuar nga PE ta miratojë. Shtesa një pas një dhe pafund thjesht e dëmtojnë procesin dhe nuk shtojnë asgjë mbi atë që u arrit me angazhimin shumë të frytshëm të dy eurodeputetëve”, – tha Balla. Në të njëjtën linjë Vasili theksoi se deklarata që pritej të firmosej dje ishte riprodhim strikt i rezolutës së dy eurodeputetëve. “Tërë elementët themelorë që përbënin edhe shqetësimin madhor të opozitës, që kishin të bënin me mënyrën e votimeve që kërkojnë konsensus të gjerë apo dekriminalimi i opozitës, janë të materializuara në dokument, dhe shtesat e tjera, nuk kanë lidhje me një qëndrim themelor, por tregojnë një vullnet të munguar për t’i shkuar deri në fund këtij procesi. Duhet të bëhemi modestë dhe të mos shtojmë eksperiencë tonë të varfër politike në raport me atë të pasur evropiane, por të pranojmë atë që ndërkombëtarët na ofruan”, – tha ai. Ndërkohë, i pari që doli nga takimi, deputeti i PD-së Genc Pollo tha se është rënë dakord për disa pika me mazhorancën dhe për disa të tjera ende nuk ka konsensus. “Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes mes palëve është që mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë 3/5 e votave për të amenduar ligje pa konsensusin e opozitës. Dekriminalizimi i Kuvendit dhe që të drejtat e opozitës të mos shkelen nga një pushtet arbitrar. Ne sot diskutuam që këtë bazë parimesh ta kthejmë në një rezolutë dhe me mazhorancën të vendosim një afat 6-mujor për të përmbushur këto detyrime. Kemi rënë dakord edhe për një sërë çështjesh, por ende jo për disa të tjera, që duhen shtjelluar”, – theksoi deputeti i PD.

 

Pikat e PD që u kundërshtuan nga PS

1-Për të konfirmuar vendosmërinë e plotë , në mënyrë imediate për të zbatuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky zbatim duhet të ndërmerret direkt dhe në frymën e besimit nga instucionet përgjegjëse. Partitë angazhohen pa asnjë vonesë në ngritjen e komisioneve hetimore përmes miratimit me një të katërtën të votave. Shumica e komisioneve hetimore duhet të kontrollohet nga pala kërkuese.

2-Partitë duhet të ndërmarrin një rezolutë përfshi hapa solid për dikriminalizimin e deputetëve të tanishëm dhe të ardhshëm në parlament bazuar në praktikat më të mira të Parlamentit Europian. Kjo do të arrihet me amendimin e ligjit si dhe në kontrollin periodik të integritetit të deputetëve si për të tashmen dhe të ardhmen e tyre kriminale brënda dhe jashtë territorit të Shqipërisë

3-Partitë do të adoptojnë ndryshime në rregulloren e procedurës parlamentare e cila duhet të garantojë kohë të barabartë mes Kryeministrit dhe drejtuesit të opozitës në parlament, përfshi përgjigje për cdo ndërhyrje të kryeministrit gjatë seancave plenare. Maxhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej 3 të 5-tave në parlament duke anashkaluar opozitën

 

Braçe: S’është më marrëveshje, nuk pranojmë asgjë mbi paktin e propozuar nga PE

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, reagoi dje në rrjetin social FB ndaj zhvillimeve për marrëveshjen e mundur mes palëve duke deklaruar se PS nuk do të pranojë asnjë shtesë në paktin e propozuar nga PE. “Tani nuk eshte me marrëveshje. S’ka lidhje as me as me maxhorancen e as me qeverine! Ne pranuam marrëveshjen e smund të pranojmë më asgjë mbi atë marrëveshje të konfirmuar nga dy negociatorët e PE. Jo, tani është thjeshtë hakmarrje e Sali Berishës kundër një grupi deputetësh në PD”, – u shpreh ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency