Vendimi/ Shpallet fajtor për korrupsion, dënohet tri vite burg gjyqtari i Pukës

0
155

Alma Çuka

 Shtjefën LleshiJepet dënimi i parë me burg për një gjyqtar. Bashkëpunoi me prokuror, avokat dhe sekretare. Iu kërkua zbutja e masës së sigurimit për 6 persona nga familjarët e tyre

Gjyqtari i Pukës, Shtjefën Lleshi, shpallet fajtor nga Gjykata e Shkodrës për veprën penle të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve” dhe dënohet me tri vite burg. Vendimi u dha dje, ndërsa bëhet me dije se të njëjtën masë dënimi kërkoi për ish-gjyqtarin edhe organi i Prokurorisë. Veprën penale gjyqtari sipas hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor e kreu në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas të dhënave të Prokurorisë, gjyqtari Lleshi, në bashkëpunim me prokurorin e rrethit të Pukës në atë kohë, si edhe disa zyrtarë të tjerë të gjykatës dhe sistemit të drejtësisë, kishin marrë shuma të konsiderueshme parash nga një person, me qëllim zbutjen e masave të sigurisë për disa familjarë të një qytetari tjetër. Këta persona tha akuza akuzoheshin për pjesëmarrje në një protestë të paligjshme në lagjen Nushaj, Pukë. Ajo protestë zhvillohej kundër ndërtimit të një sipërmarrje private, për të cilën protestuesit pretendonin se u prishte pronat e tyre. Sipas kallëzimit dhe e provuar më pas gjatë hetimit dhe gjykimit, ish-gjyqtari Shtjefën Lleshi dhe zyrtarët e tjerë të sistemit të drejtësisë, kishin marrë para për zbutjen e masave të sigurisë dhe lirimin e 6 familjarëve të kallëzuesit.

Hetimi për këtë çështje u zhvillua nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa gjykimi u zhvillua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, si gjykata më e afërt me qytetin e Pukës, ku kishte ndodhur vepra penale.

 

Arrestimi

Gjyqtarit Lleshi iu vunë prangat teksa hynte në shkallët e pallatit ku jetonte në lagjen “Don Bosko” të kryeqytetit. Operacioni ishte koduar “Shpërblimi”. Gjyqtari u arrestua pak ditë pasi në pranga ranë 6 personat bashkëpunëtor, të cilët u gjykuan në një dosje më vete dhe që janë prokurori, kancelarja e gjykatës, sekretarja, një avokat dhe sekserët. Arrestimi i gjyqtarit 58-vjeçar, u krye menjëherë pasi Gjykata e Tiranës aprovoi kërkesën për arrestim dhe masën e sigurimit personal “arrest në burg”, të kërkuar nga Prokuroria. Kurse KLD i kishte hapur rrugën hetimit dhe arrestimit me një mbledhje urgjente, duke votuar unanimisht. Lleshi akuzohet për skandalin e korrupsionit në gjykata, publikuar nga emisioni “Fiks fare”.

 

Operacioni

Policia e kryeqytetit bëri me dije se arrestimi i gjyqtarit Shtjefën Lleshi është kryer në funksion të hetimit në kuadër të procedimit penal nr. 6390, datë 15 nëntor 2013, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore, në Prokurorinë e Tiranës, e në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Rrethit, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për ndërprerjen e aktivitetit kriminal të kryer prej tij në fushën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. “Lleshi dyshohet se në bashkëpunim me të dyshuarit e ndaluar dhe në masë arresti, Pëllumb Prençi, Liljana Shkjau, Meliha Kukaj, Fran Dashi, Friz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi, kanë ndërhyrë në procedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nga “Arrest me burg”, në “Detyrim paraqitje”, me qëllim për të përfituar shpërblim financiar”, – tha akuza në fjalën e saj.

 

 Vrasja/ Ishte nisur në Siri, vritet 32-vjeçari nga Kërraba

Një tjetër shqiptar vritet gjatë luftimeve në Siri. Ishte nisur për në vendin e luftës, në nëntor të vitit 2012 dhe familjarët tashmë konfirmojnë se 32-vjeçari Artur Koçollari është vrarë. Sipas të dhënave të policisë, ai ndoqi itinerarin Tiranë-Stamboll dhe më pas nëpërmjet Turqisë kaloi për në shtetin sirian. Pak kohë pasi kishte mbërritur në Siri ai arriti të merrte dhe bashkëshorten dhe tre fëmijët. Për to ende nuk ka asnjë të dhënë ndërkohë që priten informacionet e shërbimit informativ mbi vendndodhjen e tyre të saktë dhe mundësitë e rikthimit në Shqipëri. Mësohet se Koçollari nuk ka udhëtuar i vetëm drejt Sirisë. Së bashku me të ka qenë dhe Hasan Korvafaj një tjetër shqiptar i vrarë gjatë luftimeve. Sipas policisë Korvafaj dhe Koçollari u shoqëruan në aeroport nga Bujar Hysa dhe Erjon Korvafaj, i biri i Hasanit. Udhëtimi i tyre u organizua nga radikali islamik shqiptar, Bujar Hysa. Si Korvafaj ashtu edhe Koçollari frekuentonin xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë, ku është imam radikali islamik shqiptar Genci Balla, i cili besohet se është frymëzuesi i tyre për pjesëmarrje në xhihad. Këta persona tashmë ndodhen nën akuzë për rekrutim të besimtarëve myslimanë drejt Sirisë, me qëllim dërgimin e tyre në frontin e luftës. Prokuroria e Krimeve të rënda ende nuk ka përfunduar hetimet për këtë kategori personash të besimit mysliman, të cilët dyshohet se kanë shfrytëzuar besimin për të rekrutuar qytetarë të shumtë dhe dërgimin e tyre drejt Sirisë.

 

Banda e “babagjyshëve”/ Policia shfaq provat, Ilir Kupa mohon përfshirjen

Policia e Shtetit publikon disa video, përmes të cilave shfaqen persona të armatosur dhe të veshur me uniforma policie dhe në disa raste edhe rroba të babagjyshëve të vitit të ri, duke vjedhur argjendari në Tiranë dhe në Laç. Por ndërsa policia paraqet prova dhe thotë se është e bindur se ka vënë në pranga personat e dyshuar për grabitjen e 13 argjendarive, i ashtuquajturi kapo i grupit kriminal, Ilir Kupa, kundërshton çdo deklaratë dhe provë të servirur nga akuza. Ilir Kupa është shprehur në Prokurori dhe para trupit gjykues se nuk ka lidhje me vjedhjet e argjendarive. Ai është shpallur i pafajshëm ndërsa është shprehur se deklarimet e mikut të tij të vjetër me të cilin është njohur vite më parë në Greqi, Agustin Sula, nuk mund të merren të mirëqena. Sipas tij, Sula është përdorues droge dhe në këto kushte thëniet e tij dalin të pavlera. Para gjykatës Kupa pretendoi se prokuroria nuk ka prova që implikon atë në 13 vjedhjet e kryera nga banda e drejtuar nga ai edhe nga qelia e burgut. Këtë qëndrim mbajti edhe avokati mbrojtës pas daljes nga salla e gjyqit. Ndërkohë prokurori Besnik Muçi, i paraqiti gjykatës disa prova material, mes tyre edhe rrëfimin e të penduarit të bandës, Agustin Sula i cili ka treguar me detaje të gjitha grabitjet e kryera nga “banda”. Sipas prokurorisë, Kupa është drejtuesi “bandës” së grabitësve, të cilët brenda 12 muajve kanë kryer 13 vjedhje në Shqipëri dhe Maqedoni, duke përvetësuar rreth 20 kg flori dhe shuma të mëdha parash, të cilat i shpenzonin në lokale nate dhe lojëra të fatit. Mes vjedhjeve të njohura është edhe ajo e grabitjes së argjendarisë në Maqedoni, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë shoku i tyre Miljan Elezi, të cilin e kishin braktisur së bashku me makinën me të cilën kishin kryer grabitjen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency