Takimi i fundvitit/ Çfarë ndodhi në mbrëmjen me gazetarët, Rama: Batuta edhe me “armiqtë”

0
141

rama16-300x163Kryeministri Edi Rama organizoi mbrëmjen e djeshme takimin e fundvitit me gazetarët dhe pronarët e mediave në Pallatin e Brigadave. Disa prej të pranishmëve ishin të ftuar paraprakisht për të mbajtur një fjalim, por të një natyre jo të zakonshme. Të ftuar ishin edhe ata që konsiderohen si armiqtë ose kritikët e qeverisë, të cilët mbajtën një fjalim humori. Në fillim mbrëmja nisi ma aktorin e “Portokallisë”, Florian Binaj, i cili duke imituar kreun e qeverisë, nuk ngurroi të bënte batuta me aksionet e ekzekutivit për energjinë elektrike dhe ndërtimet pa leje apo edhe ato që lidhen me ashpërsimet e Kodit Rrugor. Përdorimi i fjalës “burg” solli jo pak batuta edhe mes vetë të ftuarve në mbrëmje. Më pas fjalën e mori edhe gazetari Baton Haxhiu, i cili mes humorit dhe ironisë nuk ngurroi të theksonte: “Rama do të bëhet kryeredaktor i të gjithëve ne”. Po ashtu në podium nuk mungoi edhe Turjan Hyskaj, i cili nuk kurseu humorin, duke iu drejtuar Kryeministrit: “Të lutem bëj diçka të keqe, që më pas edhe Andrea Stefani të të shajë një herë në jetën e tij”. Po një fjalim të po kësaj natyre mbajti edhe Kryeministri Rama, i cili kishte vendosur të “imitonte” mbrëmjen e fundvitit të Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë. Mes humorit, Kryeministri u shpreh se mungonin vetëm ata që nuk dëshironin të merrnin pjesë dhe në këtë nuk kishte lidhje burgu. “Është një mundësi fatlume që në prag Krishtlindjesh të kesh një darkë me njerëz që të kanë quajtur frikacak dhe pa moral, të rrezikshëm disa herë, që kanë tentuar gjithë vitin t’i tregojnë popullit anën e errët tënden, që punojnë çdo ditë që ti të mos gëzosh një sukses. Por sidoqoftë, askush prej jush nuk mungon se është në burg, s’ka për t’i gjetur gjë, vetëm nëse nuk paguajnë energjinë”, – tha Kryeministri. Më pas, ai ka përmendur edhe pronarin e TV “Klan”, Aleksandër Frangaj, duke thënë se tani Mero Baze do shkruajë se “Frangaj u ul sërish në krye të vendit”. Po ashtu Rama ka ngacmuar edhe Andi Bushatin dhe Fatos Lubonjën. Për këtë të fundit ka thënë se është gjithmonë vigjilent ndaj tij dhe, sipas Ramës, “nuk do të binte dakord me asgjë”. Nuk ka munguar edhe batuta për Arjan Çanin, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të hapur armiqësore. “Arjan Çani është i pazëvendësueshëm dhe han bukë veç”. Kryeministri bëri pjesë të batutave të tij edhe botuesin e “Focus Group”, Irfan Hysenbelliun, duke pohuar se ky i fundit kishte marrë një kredi për të shlyer faturat e energjisë dhe ishte bërë qytetar i rregullt, por shtoi: “Tani mjerë bankat”. Ndërkaq, në këtë mbrëmje nuk munguan edhe incidentet, ku drejtori i Informacionit në “A1 Report”, gazetari Ilir Babaramo, u largua në mënyrë demonstrative nga darka e Kryeministrit Rama me gazetarët. Shkak për këtë u bë fakti se ai nuk e gjeti emrin në listë. I irrituar nga ky fakt, Babaramo debatoi për afro gjysmë ore me përgjegjësen e zyrës së shtypit në Kryeministri dhe një nga organizatorët e mbrëmjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency