Deklarata e përbashkët e Kukanit dhe Fleckensteinit/ PE mbyll misionin: Konfirmoni marrëveshjen në formën e një rezolute parlamentare

0
102

knut FleckensteinPasi zhvilluan negociatat me palët politike në Shqipëri, dy negociatorët e Parlamentit Evropian Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kërkojnë që PD dhe PS të materializojnë marrëveshjen e propozuar prej tyre në një rezolutë të përbashkët parlamentare. Në deklaratën e përbashkët, eurodeputetët theksuan se është përgjegjësi e të dyja palëve që të krijojnë kushte për të patur një dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv, për të plotësuar ambiciet e shqiptarëve për integrimin evropian të vendit. “Vlerësojmë faktin që partnerët tanë politikë ishin në gjendje të binin dakord rreth propozimit tonë sa i përket parimeve të bashkëpunimit në parlament. Në propozim përfshihej rikthimi i punës gjithëpërfshirëse dhe efikase në parlament, respektimi dhe implementimi i vendimeve të gjykatës kushtetuese dhe përkushtimi për të adresuar çështjen e personave me precedentë penalë në zyrat publike.Tashmë, inkurajojmë liderët politik në Shqipëri për të vazhduar dhe për të shtuar përpjekjet e tyre në finalizimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme për punë efikase në parlament dhe të konfirmojnë marrëveshjen e tyre në formën e një rezolute të përbashkët parlamentare. Politikanët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësi për funksionim efektiv të institucioneve demokratike në vend”, – theksohej në deklaratë. Më tej, eurodeputetët theksuan se Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv politik midis mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të plotësojnë ambiciet evropiane të qytetarëve të saj. “Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve për të krijuar kushte dhe të sigurojnë që dialogu të zhvillohet kryesisht në parlament. I bëjmë thirrje edhe një herë opozitës të rinisë punën në parlament dhe të vazhdojnë me detyrat parlamentare, ndërsa sa i përket mazhorancës të mbështesin kushtet për dialog gjithëpërfshirës brenda këtij institucioni. Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e mëtejshme për të rinisur bashkëpunimin dhe dialogun politik ndërpartiak, i cili është kryesor për procesin e integrimit në BE”, – pohohej në deklaratën e përbashkët.

 

Marrëveshja e propozuar nga PE-ja/ Shumica të mos përdorë 84 votat, konsensus me opozitën për reformat sa herë është e mundur

1-Opozita kthehet në Parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmangur bojkotit të Parlamentit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur

2- Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të angazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare

3- Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias

4- Përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Evropian, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Evropiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike

 

PS, Balla: Gati të votojmë rezolutën sot në Parlament, presim PD-në

Partia Socialiste deklaroi dje se është gati të votojë rezolutën e Parlamentit Europian për marrëveshjen me Partinë Demokratike, në mënyrë që opozita ti rikthehet jetës parlamentare. Në emër të PS-së, deputeti Taulant Balla theksoi maxhoranca është gati që të votojë që ditën e sotme këtë rezolutë. “Për ne, deklarata e tyre është 100 përqind në linjë me qasjen parimore që PE ka dhe që i takon tashmë Kuvendit të Shqipërisë ta mbështesë tërësisht. Ne jemi gati ta kemi këtë qëndrim parimor një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta votojmë nesër sëbashku me deputetët e Partisë Demokratike në Kuvend”, tha Balla. Ai shtoi se tashmë janë në pritje të përgjigjes së PD-së, por pavarësisht kësaj ai tha se maxhoranca do ta votojë sot këtë dokument. “Le të shpresojmë që PD është gati të kthehet në punë dhe të votojë bashkë me ne këtë rezolute fjalë për fjalë siç është. Në pritje të reagimit të PD, ne do të shohim mundësinë që sidoqoftë të votojmë nesër këtë dokument, si shprehje të palëkundur të shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë”, – përfundoi Balla.

 

PD: Mbështesim deklaratën e parimeve, gati të fillojmë punën për rezolutën

Partia demorkatike u shpreh dje plotësisht dakord me marrëveshjen e propozuar nga Parlamenti Evropian përmes dy negociatorëve të tij, duke theksuar se është e gatshme të nisë punën për përkthimin e saj në një rezolutë parlamentare. Fillimisht ka qenë deputeti genc Pollo, i cili në emër të PD-së i ka shkruar dje eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, duke i falenderuar ata për përpjekjet e tyre për një mirëkuptim politik mes palëve dhe normalizimin e jetës parlamentare. “Ne konfirmojmë marrëveshjen tonë mbi Deklaratën e Principeve, siç ju e keni nënvizuar. Ne biem plotësisht dakord që kjo duhet të çojë në një rezolutë parlamentare. Ne jemi gati të punojmë së bashku në këtë drejtim”, thuhej në email-in e Pollos. Ndërkohë ditën e sotme PD përmes një deklaratë pas asaj rtë publikuar nga eurodeputetët ka theksuar angazhimin e saj në këtë proçes. “Partia Demokratike konfirmon mbështetjen e plotë për Deklaratën e Parimeve dhe është e gatshme të fillojë menjëherë punën së bashku për rezolutën e përbashkët parlamentare. Partia Demokratike përshëndet dhe mirëpret angazhimin e mëtejshëm të Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të BE për mbështetjen në vazhdim, të procesit të normalizimit të jetës parlamentare”, – thuhej në deklaratë.

 

 Kuvendi sot në seancën e fundit për sesionin parlamentar

Kuvendi mblidhet ditën e sotme në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar. Ndërkohë që pritet me interes se cili do të jetë vendimi i opozitës, pra nëse do të marrë pjesë në punimet e kësaj seance, në rendin e ditës janë përfshirë diskutimi i disa projektligjeve, si dhe votimi i disa çështjeve të tjera. Mes tyre veçohen ndryshimet në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore”; ato në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ndryshimet në ligjin e “prokurimit publik”, etj. Po ashtu Kuvendi pritet të miratojë dhe tre kandidaturat për anëtarë të Bordit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare dhe të Drejtorit e Nëndrejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së; miratimin e kandidaturave për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; pr/rezolutën “Për njohjen dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit”, si dhe pr/vendimin “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency