Blater: FIFA do të reformohet

0
112

sep blater2Bosi i qeverisë së futbollit ka theksuar rëndësinë e reformimit të FIFA-s, për shkak të opinionit të njerëzve që e kanë sulmuar kohët e fundit

Sep Blater e pranon se nevojitet shumë punë për të rikthyer besueshmërinë në institucionin e FIFA-s pas akuzave për skandalin korruptiv për caktimin e Botërorëve 2018 dhe 2022. Skandalet me ryshfetet dhe më pas problemet në ndërtimin e stadiumeve apo punëtorët që kanë humbur jetën gjatë këtyre ndërtimeve janë mjaft shqetësuese dhe shtojnë gjithmonë edhe më shumë zërat kundër zhvillimit në dimër. Pak ditë më parë, kreu i zyrës së hetimit në Komitetin e Etikës, Mikael Garsia, u largua nga kjo detyrë për shkak të konfliktit me drejtuesit më të lartë për raportin përfundimtar në lidhje me këtë çështje. FIFA bëri me dije se shumë shpejt do ta publikojë raportin që synon të pastrojë imazhin e institucionit. “Opinioni publik është shumë i rëndësishëm sepse futbolli është një lojë shumë popullore në botë. Prandaj në këndvështrimin tim është jetike që të restaurojmë besimin që njerëzit kanë ndaj FIFA-s”. Një qëndrim me nota më të ulëta nga kreu i FIFA-s, Sep Blater, i cili nuk ka pranuar të ndryshojë destinacionin e Botërorit 2022, pavarësisht se në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka pasur influenca me ngjyrim korruptiv për t’ia caktuar Katarit të drejtën e organizimit. “Kam bërë disa rekomandime për të cilat kanë rënë dakord të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Të paktën për një herë të vetme jemi shfaqur në unison sepse të gjithë ishin dakord për publikimin e raportit, në mënyrë që t’u japim fund zërave që lidhen me këtë çështje”. Mandati i presidentit aktual të FIFA-s, Sep Blater skadon në vitin 2015 por sipas të gjitha gjasave, ai do të kërkojë një tjetër 4 vjeçar në krye të institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror. Sfidanti i vetëm në këtë garë për Blater do të jetë francezi Zherom Shampanj, i cili nuk ka zgjedhur gjuhën e ashpër për të kërkuar votën. Disa kohë më parë, zv.presidenti i Shoqatës së Klubeve Evropiane, Umberto Gandini, u shpreh se një arsye e fortë që kjo të mos ndodhë është se sezoni i skuadrave ndërpritet në mes. “Nëse duhet të kemi argumente të forta ja ku është një: klubet evropiane do të ndërprisnin sezonin për të luajtur Kupën e Botës. Ky është një vendim që nuk na vjen për shtat. Ne kërkojmë më shumë informacione rreth kësaj çështjeje”. Në vijim, ai kërkon që Katari të respektojë premtimet që ka bërë në lidhje me freskimin e stadiumeve, në mënyrë që Botërori të zhvillohet rregullisht në muajt e verës. “Teknologjia është një pjesë shumë e rëndësishme e botës në të cilën jetojmë dhe Katari fitoi pikërisht për këtë arsye. Ata ishin të vetëdijshëm për vështirësitë që do të hasnin gjatë rrugës”. Në fund të deklaratës, Gandini e bën të qartë se me vendimin e FIFA-s për ta zhvilluar Botërorin e vitit 2022 në dimër duhet të kenë konsensusin nga të gjitha ekipet.

 

Flamini: Arsenali do të forcohet përsëri

Francezi i “topçinjve”, Matjë Flamini, është i bindur se Arsenali do të forcohet shumë pas kthimit të lojtarëve të lënduar. Mesut Ozil, Xhek Uillshajër, Aron Ramsej e Mikel Arteta janë në mesin e mungesave, të cilët mbajnë pozitën e gjashtë në tabelë. Mesfushori beson se klubi ka nevojë për të gjithë lojtarët për të pasur një sezon që duhet mbajtur mend. “Do të ishte çmenduri të mendonim sepse kemi humbur shumë lojtarë kyçë dhe kthimi i tyre është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Pa dyshim që kemi nevojë për ta, sepse në kampionat dhe në fazat e fundit të Ligës së Kampionëve, nuk mund të kesh sukses me 11 lojtarë. Nevojiten 25, prandaj është i rëndësishëm kthimi i tyre”, – ka deklaruar Flamini.

 

Hazard: Premier Liga, më e mira

Mesfushori i Çelsit, Eden Hazard, është shprehur se Premier Liga është liga më e mirë dhe më e vështirë në botë. Belgu është në sezonin e tretë me Blutë dhe raportohet se është gati për të nënshkruar kontratën e re që do ta bëjë atë lojtarin me pagën më të lartë në histori të klubit. “Anglia është shtet i futbollit. Kur isha në Lile, fansat ishin të zhurmshëm dhe arritëm shumë suksese. Kjo vlen edhe për reprezentacionin e Belgjikës, por Anglia është Angli dhe është më e mira për futboll. Ka shumë fansa dhe këndojnë për mua. Është gjithmonë mirë t’i dëgjosh. Anglia ka ligën më të mirë sepse nuk ka ndeshje të lehtë. Mund të humbësh nëse nuk je i përqendruar sa duhet. Është liga më e bukur, sepse është më e vështira. Dallon nga Franca. Në Angli njerëzit jetojnë për futboll. Ata nuk mendojnë asgjë tjetër. Krejt çka duan ata është të shohin ndeshjet në stadium. Gjithmonë janë 42 mijë vetë në “Stamford Bridge”. S’ka ndeshje të vogël. Fansat janë gjithmonë aty, edhe në ndeshjet si mysafir”, – ka deklaruar Hazard.

 

Galiani: Milani mund të kualifikohet në Ligën e Kampioneve

Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galiani, beson se kuqezinjtë mund të kualifikohen në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Sezoni i kaluar ishte për t’u harruar për kuqezinjtë, mirëpo këtë sezon nën drejtimin e Filipo Inzagit, ata kanë treguar shenja përmirësimi. Në 16 javët e para, Milani i ka humbur vetëm tri ndeshje dhe aktualisht gjendet vetëm dy pikë prapa pozitës që çon në Ligën e Kampioneve. “Nëse luajmë kështu, mund të konkurrojmë për një vend në Ligën e Kampionëve. Në edicionin e kaluar, përherë humbnim nga skuadrat e mëdha”, – ka theksuar Galiani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency