Banka e Shqipërisë shtyn afatet për masat e nxitjes së kreditimit

0
131

bsh 2Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e javës së kaluar shtyrjen e afatit të masave për nxitjen e kreditimit. Këto masa hynë në fuqi në maj 2013 dhe ishin konceptuar që në fillim me natyrë të përkohshme, me afat deri në 31 dhjetor 2014. Por, duke parë që rritja e kreditimit nga sektori bankar vlerësohet ende e dobët dhe e brishtë, si rrjedhojë e faktorëve që përfshijnë cilësinë e aktiveve të bankave dhe pritshmëritë për rritjen ekonomike, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që këto masa të shtyhen më tej në kohë.

Konkretisht, periudha e zbatimit të masave që mbështesin kreditimin përmes kërkesave më të ulëta për kapital, zgjatet deri në qershor 2015. Ndërkohë, masat që kufizojnë investimet e bankave jashtë vendit do të jenë të vlefshme deri në fund të dhjetorit 2015. Në kuadrin e paketës së masave për nxitjen e kreditimit, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” në dy drejtime.

Për rritjen e portofolit të kredisë së dhënë brenda vendit mes niveleve 4% dhe 10% nuk do të ketë nevojë për mbulim me kapital. Rritja e kredisë brenda këtij intervali i zbritet totalit të aktiveve të bankave, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. E thënë më thjesht, Banka e Shqipërisë incentivon bankat që e rrisin kredinë me të paktën 4% dhe kjo do të vazhdojë deri në fund të qershorit 2015.

Në të kundërt, vendosjet e parave jashtë vendit do të shoqërohen me rritje të kërkesës për kapital. Kjo do të bëhet duke i shtuar totalit të aktiveve vlerën emërore të rritjes vjetore në klasat “veprime me thesarin dhe transaksione ndërbankare” dhe “veprime me letrat me vlerë”, duke ndikuar kësisoj në uljen e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Ky rregull do të vazhdojë të aplikohet gjatë gjithë vitit 2015, me qëllim që bankat të kufizohen në investimet jashtë vendit dhe të financojnë më shumë ekonominë shqiptare.

 

Kredia dhe rritja ekonomike

Në teorinë e ekonomisë, kredia dhe rritja e prodhimit kanë një lidhje të padiskutueshme pozitive në periudha afatgjata.

Kredia është një kolonat kryesore ku mbështetet rritja ekonomike, veçanërisht në një vend si Shqipëria, ku tregjet e kapitalit janë ende të pazhvilluara. Megjithatë, studimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo lidhje nuk është aq e fortë në periudha afatshkurtra, sidomos në momentet e rimëkëmbjes së ekonomisë pas krizave të forta ekonomike e financiare.

Në rastin e Shqipërisë, është vënë re një ngadalësim i shpejtë i normave të kreditimit për sektorin privat, por aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje pozitive, ndonëse të ulët. Sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, kredia është mbështetëse e investimeve dhe e konsumit privat, por këta përbërës të kërkesës agregate mund të rriten edhe në mungesë të kreditimit në periudha afatshkurtra, sikundër rritja ekonomike mund të udhëhiqet edhe nga përbërësit e tjerë të kërkesës agregate, si shpenzimet publike dhe rritja e eksporteve.

Në fakt, këta dy faktorë kanë pasur një ndikim mjaft të fortë në ekonominë shqiptare vitet e fundit, duke kompensuar dobësimin e kreditimit. Mbajtja e shpenzimeve të larta publike i ka mundësuar Shqipërisë të ruajë rritje ekonomike pozitive, por me koston e një borxhi që ka kaluar nivelin 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe eksportet vitet e fundit kanë regjistruar norma të larta të rritjes, kryesisht falë lëndëve të para.

Por, si shpenzimet e larta, publike, ashtu edhe rritja e eksporteve janë komponentë të kërkesës që po zbehen. Çështja është sa do të mundet ekonomia të vazhdojë të rritet pa një rritje të mirëfilltë të kreditimit. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, kjo mund të vazhdojë të ndodhë edhe për një kohë të shkurtër, por në afatin e gjatë rritja mund të vijë vetëm në kushtet e rritjes së kredisë.

 

Vijon tradita, rriten çmimet e ushqimeve në fundvit

Çmimet e shumicës për disa artikuj ushqimorë, veçanërisht fruta dhe perime, kanë nisur rritjen këto ditë, me 5 deri në 20 lekë.

Pikat e pakicës pohuan se furnizimet e fundjavës kanë qenë më të shtrenjta për mandarinën, specin e kuq, domaten dhe kastravecët. Secili nga këto artikuj ka pësuar rritje deri në 20 lekë nga grosistët.
Një kilogram speca të kuq u shit në fundjavë nga shumica me 135 lekë nga 120 lekë që kishte qenë në fillim të javës. Një kilogram mandarinë është shitur me 65 lekë nga 60 që ishte në fillim të javës. Çmimi i kastravecëve është rritur me 20 lekë për kilogram dhe çmimi i domateve me 10 lekë për kilogramë.
Pikat e pakicës, jo vetëm që e kanë transmetuar rritjen e shumicës më të njëjtat ritme, por edhe më shumë. Speci i kuq u shit me 150 lekë, mandarina me 80-85 lekë, kastravecët mbi 1200 dhe domatet nga 120-150 lekë.
Tregtarët e shumicës pohojnë se, rritja e çmimeve është nxitur nga rritja e konsumit për shkak të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ky është një fenomen i njohur tashmë.
Institucionet të ndryshme, si tatimet, Autoriteti i Ushqimit, Bashkia e Tiranës vitet e kaluara i kanë kontrolluar tregjet për frenimin e rritjes së çmimeve.

 

Kompania e naftës ARMO ndëshkohet me gjobë për mosrespektim të rregullave mjedisore

Inspektorati i Mjedisit ka ndëshkuar me një masë administrative në vlerën e 5 milionë lekëve të reja kompaninë e naftës “ARMO sh.a”, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kompania ka dëmtuar mjedisin duke kryer shkarkime të naftës në lumin Gjanicë në qarkun e Fierit. Mësohet se Inspektorati i Mjedisit nisur nga kontrolli i ushtruar ndaj kompanisë ka evidentuar shkeljet e bëra për shkarkimet e mbetjeve të hidrokarbureve në lumin Gjanicë, duke i shkaktuar një dëm ekologjik mjedisit përreth.

Nisur nga kjo situatë, Inspektorati ka vendosur të gjobisë në shumën e 5 milionë lekëve të reja kompaninë “ARMO” për dëmet e shkaktuara.
Mbetjet e kompanisë “ARMO” prej kohësh janë kthyer në shqetësim për banorët e zonës, veçanërisht për Ballshin, ku jo pak herë ata kanë kërkuar ndihmën e qeverisë për të minimizuar dëmet që shkakton kjo kompani nga punimet e nxjerrjes së naftës.

 

Zvicra jep 300 mijë franga për projekte të shkencave sociale

Zvicra ka akorduar një shumë prej 300 mijë frangash zvicerane për periudhën 2014-2016, në projekte të shkencave sociale, duke u fokusuar në mbështetjen e studiuesve të rinj dhe ndërkombëtarizimin e studimeve të tyre.

22 studiues dhe 5 institucione kërkimore shqiptare do të jetë pjesë e 8 projekteve kërkimore rajonale, të cilat kanë për qëllim nxitjen e reformave sociale, ekonomike dhe institucionale në rajon.

Ky investim cilësohet si gjë pozitive për ekonominë dhe fushën e studimeve. Por shqetësues është fakti se më së shumti janë organizatat jofitimprurëse që përfitojnë dhe jo departamentet e kërkimit shkencor.

Përveç studiuesve individualë dhe grupeve kërkimore, institucionet kërkimore që do të përfshihen në këto projekte janë: Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim; Instituti Shqiptar i Medias; Qendra Shqiptare për Kërkime Sociale-Ekonomike; Partnerët Shqipëri si dhe Instituti për Studime Bashkëkohore.

Gjatë viteve të fundit, Programi Rajonal për Promovimin e Kërkimit Shkencor në Ballkanin Perëndimor (RRPP) ka mbështetur rreth 50 projekte kërkimore në Ballkanin Perëndimor me vlerë 3.7 milion franga zvicerane.

Që prej vitit 2008, institucionet dhe studiuesit shqiptarë kanë marrë pjesë në 20 projekte kërkimore me vlerë rreth 740,000 franga zvicerane.

 

 Kriza thellon hendekun social në SHBA

 Kriza financiare e viteve të fundit ka zgjeruar më tej diferencën midis të pasurve dhe klasës së mesme, madje është regjistruar një nivel rekord historik.

Vlera mesatare neto e të ardhurave të familjeve të mesme amerikane ka qëndruar në 96 mijë e 500 dollarë në periudhën 2010-2013, referuar të dhënave të Rezervës Federale. Ndërsa të ardhurat e familjeve të pasura u rritën mesatarisht në 639 mijë e 400 dollarë në 2013 nga 595 mijë e 300 dollarë që ishin një vit më parë. kjo do të thotë se të pasurit kanë 6.6 herë më shumë pasuri, krahasuar me shtresën e mesme, shumë më lart se 4.1 që ishte raporti në 1998 dhe 3.4 herë në 1983.

Ndërsa, krahasuar me familjet me të ardhura të ulëta, gjithashtu është regjistruar një rekord i ri, pasi familjet e pasura kanë një pasuri 69 herë më të lartë. Sipas analistëve arsyeja kryesore e zgjerimit të këtij hendeku është mënyra se si ndërtohet pasuria.

Të pasurit kanë më shumë mundësi të investojnë në tregun e aksioneve, që ka qënë vazhdimisht në rritje në kohët e fundit. Përpara shpërthimit të krizës financiare në vitin 2007, pasuria e klasës së mesme u rrit deri në 158 mijë e 400 dollarë, por kriza financiare globale e përgjysmoi pasurinë e kësaj shtrese në SHBA.

 

 Gjermania kundër rrymës, rriten pagat reale

Pagat reale në Gjermani janë rritur me 1.8% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është edhe rritja më e madhe në më shumë se tre vjet dhe mbetet një mbështetje potenciale për konsumin privat, nëpërmjet të cilit qeveria po synon të nxisë rritjen.

Të dhënat nga Zyra Federale e Statistikave në Gjermani tregojnë se një punonjës me kohë të plotë paguhet mesatarisht 3.541 euro në muaj, duke mos përfshirë këtu taksat dhe pagesat e veçanta.

Ndërsa punonjësit në sektorin bankar, atë të sigurimeve dhe komunikimeve regjistruan pagat më të larta në këtë mesatare. Pagat nominale ndërkohë janë rritur me 2.6% gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, dhe bindshëm më shumë se rritja e çmimeve të konsumit me 0.8% gjatë së njëjtës periudhë.

Zyra e statistikave në vend shpjegon se norma e ulët e inflacionit, më e ulëta në 20 muajt e fundit, është edhe arsyeja kryesore e kësaj rritje të pagave reale në vend. Duke pasur parasysh se eksportet gjatë vitit të ardhshëm pritet të jenë ende të dobëta, kryesisht për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Kremlinit, konsumi privat pritet të jetë faktori kyç në rritjen ekonomike gjatë 2015.

Pagat e larta në Gjermani mund të ndihmojnë edhe një Eurozonë të brishtë, duke nxitur kështu konkurrueshmërinë e rajonit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency