Polemika e priftit françeskan/ Cili ishte shkuesi i Mbretit Zog për martesën e tij me Geraldinën?

0
131

Signature-registre-300x219Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

 Nuk resht ky letërkëmbim midis Mustafa Krujës dhe fratit françeskan, At Paulinit, për polemikat e kohës, ndonëse të izoluar tërësisht nga jeta e përditshme shqiptare, duke u ndodhur në emigrim, këto dy personalitete vazhdojnë në gjurmime historike. Kërkimet prej të dyja palëve mbërrijnë në të dhëna apo dilema që edhe një institucion me ekspertë e të paguar, nuk do arrinte të kishte këtë sqimë sqaruese e shpjeguese.

Në këtë letër prifti pukian, at Paulini rimerret sërish me martesën e Mbretit Zog, nëse ai kishte pasur një shkues politik apo ishte thjesht një martesë e zgjedhur nga vetë mbreti. Kruja në një letër pasardhëse i përgjigjet mbi profilin e “shkuesit” dhe pse deri në këtë kohë Zogu i konsideronte si kandidatura vajzat që shihte për t’u martuar. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 ***

Graz, me 28 Shtatuer 1954

Shum i dashtun Mik,

Po i a filloj mejherë me pyetje. Më thue në leter tande kto fjalë: “Mos harro se Ják Koçi ka pasë luejtun rolin kryesuer n’atë martesë, e ti nuk e dij a ké njohun mirë këtë shpirt të keq. S’âsht çudí qi dyshimet italjane t’i ketë pasë forcuem edhe ky”. Tashti un Ják Koçit veçsè i a kam ndie emnin e kam pasë ndie per tê se âsht shkues i Mbretit. Per mâ teper nuk kam ndie per tê. Mue më duket veç se edhe me Italjan nuk i ka pasë punët keq Ják Koçi. Mandej më duket mue se edhe martesa e Mbretit me nji ungareze nuk ka pasë pse me çue peshë dyshime italjane, mbasi aso kohe Italjant s’i kanë pasë pipat keq me Ungarez. Sido kjoftë m’a pershkruej mirë e sá mâ mirë Ják Koçin, pse m’ intereson fort kjo punë. Pse tipat si Ják Koçi më duket mue janë shum të perhapun në Shqipní; nuk e dij a âsht ky Jak Koçi Shqiptar apo Bullgar.

Tash ndoj pyetje tjeter. A ka dijtë Turkhan Pasha shqip? Kam pasë rasen me e lexue emnin e tij disa herë në ket verë e e kam pá se ky si ambashjator i Tyrkís në Petersburg ka pasë sugurisht nji randsí të madhe, mbasi Rusija per Tyrkí âsht kenë shteti mâ i randsishmi e mâ i drashtuni. Vetem m’ intereson a ka dijtë shqip apor jo. Ky me gjasë ka pasë kenë filoitaljan mâ vonë, si më ké pasë spjegue në nji leter.

Më ka pasë diftue nji herë Krist Maloki se Hasan Prishtina aq randsí të madhe ka pasë para Austrijakve e aq fort e kanë çmue kta, sa qi kishte të hîm e të dalun në Shtatmadhorín austro-ungare kúr të kishte zogun e qefit. Per Hasan Prishtinen m’intereson me dijtë, pse ky më duket mue po paska kenë nji nder asi Shqiptarësh, qi mund të thirren perimend patriot e edhe shum i zoti po paska kenë ky Hasan Prishtina. A âsht e vertetë apor jo?

At liberthin e Hans Krahe e kam porositë. Kúr t’a kem në dorë, do të t’a dergoj mejherë. Librin e Lambertzit endè nuk e kam marrë. Mâ mirë me thânë un e kam marrë blênin e dytë, ku janë perkthimet në gjuhë tedeshke të copave shqip të blênit të parë. Por blêni i dytë pá të parin nuk duhet kurrgjâ. Në blênin e parë âsht edhe nji gramatikë e shkurtë shqipe, mandej âsht edhe jetshkrimi i gjith shkrimtarve t’onë e ndoj gjâ tjeter e vogel. Prá blêni i parë ka randsí edhe pá të dytin, mjesá blêni i dytë pá të parin nuk lypet kurrgjâ. Po mos mora blênin e parë, un do t’a kthej edhe të dytin dalë.

Në nji katalog kam ndeshë në njeket liber, qi ndoshta t’intereson:

Van Ëindekens, A. J. Le Pélasgique. Essai sur un langue indo-européenne préhellenique. 1952

Libri âsht i shtypun në Belgjikë e edhe autori âsht flaming. Çmimi i librit âsht i dhânun në katalog: Franga belgj 275. Mbas gjaset i takon kund 6 dollar. Libri ka kund 200 faqe e jo mâ. Per nji liber kaq të vogel më duket mue teper shum 6 dollar. Sido kjoftë vetem sá deshta me t’a diftue ket liber.

Letres i erdh fundi e edhe mue po më duhet me e kputë me kaq. Shum shndet e të mira.

 

      I Yti

  1.            P. Margjokaj O.F.M.

 

Ramleh,  24. X. 1954

Fort i dashuni mik,

Letr’e jote 28 shtatuer:

  1. Martes’e Mbretit Zog me Gjeraldinën Apponyi âsht bâmë tash, me nisjativën t’ânde, nji themë interesante edhe për mue. Gjithça të mbërrîjë me marrë vesh si të vërtetë historike, kam me t’a shkruem, por dalekadalë. Ksi shtegu po të diftoj se Koçi paska qênë i dërguem në Budapest prej Zogut vetëm për ta lypun Gjeraldinën në mënyrën mâ diskrete mbasi ai e paska pasë zgjedhun vetë në bazë informatash qi paska pasun e fotografishë ndër kandidate të ndryshme, aristokrate hungare e austrijake. Nuk dij ende as kush kanë qênë kandidatet tjera, as kush i ka gjetun e i ka dhânë informatat qi u përkitshin. Gjeraldina nuk lypej drejtpërdrejt e patjetër për kunorë. Por si kandidate prescelta tue u ftue me shkuem në Shqipní me gjind të familjes së vet si vizitore, me qëllim qi t’a njihte mbreti edhe personalisht. Para Gjeraldinës paska pasë votun e banuem do kohë në Tiranë për të njâjtin qëllim nji tjetër aristokrate hungare, nji Teleki, e cila s’i paska pasë ramë për shtat Zogut, e jo për të mêta fisike, por morale: temperament i lehtë. Familja Apponyi, tue e dijtun këtê e tue pasë kenë informue mirë mbi personën e shkuesit, nji herë e paska prapsun atë farë arrengement-i,  edhe pse s’paska pasun nji opinion të mirë mbi Shqipninë. Por disa muej mâ vonë, Zogu paska insistuem, Apponyi-t qênkan informuem mâ mirë mbi Shqipninë e marrveshtja qênka kryem. Këto janë disa hollsina qi s’kanë lidhje me politikë, qi âsht subjekti kryesuer i këtij kuvêndi. Por jo edhe krejt pa interesë. Apo jo? Reservohem për ndonji qortim të vogël të këtyne lajmeve qi të shkrova, mbasi nuk i kam hetuem me mâ të mbrapmin skrupull.
  2. Për Jak Koçin un kam këtë bindje: ka qênë nji aventurjer nga mâ të poshtrit qi mund të gjinden në botë e pa shoq ndër Shqiptarë, i aftë me kryem çdo të ligë qi t’i vinte për dore për pare e për mëní. Sikur t’ishte nji personalitet historik, do të epsha edhe faktet mbi të cilat pështetet kjo bindje e ime. Por Jaku s’e meriton as me ndŷmë gojë e letër me tê e për tê, madje as vetëm me emnin e tij pa nji nevojë të domosdoshme. Personalisht s’më ka bâmë kurrë asnji të keqe.
  3. Turkhan Pasha ka pasë dijtun me folë shqip – ka qênë përmetar -, por preferonte me folë, as tyrqisht jo, veç frengjisht. Shqipen e dinte, natyrisht, gjymsa-gjymsa, si nji njeri qi âsht rritun, ka studjuem e shërbyem jashta Shqipnijet e gjithmonë ndër qarqe jo shqiptare. Merrte vesht gjithë ç’t’i thojshe shqip, për punë të thjeshta, edhe folte; por ndryshej shprehej frengjisht. Un kam bâmë shoqní me tê vetëm në Paris, katër muej në konferencën e paqës. Në mes t’onë ishin edhe shokë qi s’e dijshin tyrqishten, si Bumçi, Fishta e Gurakuqi. Prandej mundet qi frengjisht flitte për shak të këtyne, se ndoshta do të kishte folë tyrqisht
  4. Për relatat e Hasan Prishtinës me Ballplatzin s’të ka rrêjtun Maloki: kanë qênë të ngushta e fiduciose, intime, në dash thuej; por natyrisht vetëm për sa u përket pune të Shqipnisë e jo mâ përtej. Sa për shtatmadhorinë austro-hungare, mos t’a rrisim punën aqë tepër: nuk besoj kurrë qi ajo zyrë t’i ketë pasë kallzuem Hasan Prishtinës asnji nga fshehtsit’ e saja. Hasani ka qênë pa dyshim i zgjuetë, patrijot e trim. Kulturë s’ka pasun mâ shumë se mund të nxânë njeriu në nji gjymnaz tyrk t’asaj kohe. Nji frengjishte të keqe e ka pasë dijtun. Politikan revolucjonar, këndonte mjaft gazeta, por jo libra. Mjaft pasanik vetë, edhe krenar, ka pasun fatin mos me pasun nevojë me u shtrîmë dorën të hueje në jetën e tij politike. Stofë shtetisti s’ka pasun, por mâ tepër prjerrje aventurash guximtare.
  5. Për librin e Lambertzit paske menduem s’ka mâ mirë.
  6. Po të kritikoj nji shprehsí: “po mos mora”= po s’mora, po nuk mora, në mos marrsha.
  7. Faleminderës për shënimin e veprës Le pelasgique. Me gjithë qi bâka shtrenjt, s’kam çajre pa e blemë kur, ishalla, të kemë dalë n’Evropë. Shpresoj se s’ka me na u qellë shumë as Die illyrische Sprache e libr’ i Profesorit t’ând.

E tash, mbasi mbërrîna edhe un në mbarim të kartës, si të ndodh ty mâ të shumtën e herës, mbetsh me shëndet e me të mira sa uji.

Mustafa

 

Graz, me 6 Dhetuer 1954

Fort i dashtuni Mik,

Ket herë kam vonue do kohë per me t’i pergjegjë letres së mbrame, me 24 tetuer. Arsyeja âsht se kjeçë n’Italí e ndêja aty mâ se pesë javë. Më patën grishë me marrë pjesë në convegno  per studimet shqiptare, qi u mbajt në Palermo me 24-26 tetuer. Rruga shkuem e t’ardhun m’u pague si mue, si edhe gjith të të ftuemve prej drejtimit të convegno-s. Un prandej, mbasi rruga pague se pague, u nisa prej kndej qysh me 30 Shtatuer e ktheva vetem me 6 nanduer ktû. Nderkaq më kje grumbullue ktû në Graz bajagi postë, pse nuk kishin se si me m’i nisë letrat, tue m’u dashtë me ndrrue shpesh herë adresë neper Italí. Prandej, kur erdha, m’u desht me shkrue shum letra. E tash po i vjen rendi edhe letres s’ate. E tue kenë kjo mâ e randsishme se tjerat, duhet me e lânë natyrisht në marim, per me u ndalë nji grimë mâ teper në tê.

Nuk dij se kû ka me të gjetë kjo leter. Prandej jam tue t’a nisë kso here të rakomandueme. Mue më duket se më ké pasë shkrue nji herë tash vonë se keni nder mend me e lânë Egjiptin sá mâ parë e me dalë n’Europë.

N’udhtimin t’êm per Italí pata rasë me vizitue trí gjytete qi nuk i kam pasë pá kurr, dmth.  Assisi, Napoli e Palermo. Gzohem shum se edhe paçë rasë nji herë me pá dý nder kolonít shqiptare të Sicilís, dmth. Mezzojuso e Piana degli Albanesi. Po të kallxoj, si nder kllapa, qi 70% të Piana degli Albanesi janë komunista. Sivjet e kanë  thirrë kryetarin e Bashkís të Piana degli Albanesi në Shqypní e âsht sjellë atje per tre muej. Ka kthye në Piana e bân propagandë per komunista. Pata nafakë me e pá edhe ktê me 26 tetuer, qi kje dita e mbrame e kongresit apo e convegno-s, të cilen e kaluem në Piana degli Albanesi. Ishte nji ftyrë taman e mbrume e e pjekun per komunizem. Njekso ftyrash zgjedhin perherë të kuqt, pse me ta munden me i ndreqë punët e tyne mâ së mirit.

Por t’i lâm të kuqt, pse sot kam per të bâ shum pyetje. Kam lexue e kopjue prej librit t’Anselmo Loreçhio, qi nuk më perket mue, shum gjâna mbi Shqipní. Prej kndej po i marr do pyetje.

Si spjegohet puna qi Turkija lêjote shkolla gjithfarësh (greke, serbe, bulgare, rumene) e pengote shkollat shqipe e mâ vonë u çue aq peshë kundra alfabetit latin. Ket punen e dytë e kuptoj mâ mirë. Vorrin Turkis i a bâne njato shtete, shkollat e të cilvet Turkija i lêjote. Shqiptarët janë kenë sugurisht miq mâ të mirë per Turkí se sá Serbët, Grekët, Bulgarët e tjerët.

Loreçhio shkruen kështû: ” Gli intrighi stranieri e sopratutto le disposizioni arbitrarie (cosa d’altronde inesplicabile) prese dai governanti, hanno privato noi del diritto di avere le nostre scuole nazionali e sempre far arrestare nella maniera più crudele ogni tentativo a questo scopo”. Prap dikund mâ vonë permendë po në të njâjten rasë “bassi intrighi”. Mâ vonë, tue folë mbî alfabet, shkruen: “queste contese (per l’alfabeto)  erano provocate da intrighi sordi e misteriosi” (Intrigat e hueja dhe sidomos vendimet arbitrare e të pashpjegueshme, marrun nga qeveritarët, na kanë hequn të drejtën me pasun shkolla kombtare tonat dhe kanë ndalue rreptësisht çdo përpjekje në këtë drejtim” … “intriga të ulta” … “këto grindje (për alfabetin) ishin shkaktue nga intriga të heshtuna e të çuditëshme”) M’ intereson me dijtë kush janë kenë kta të huej qi kanë intrigue e e kanë influencue Turkín në dam të shkollave shqipe.

Në nji telegram qi dergojn kapodaít prej Gilan në Stambollë, thohen kto fjalë: “In conseguenza di un malinteso i cannoni e i fucili tuonano da un mese e mezzo in tutte le parti della nostra provincia….. “.   Ky telegram u dergue në korrik 1912.

Il Comitato centrale Albanese  “Kombi” kû e ka pasë selín?

Shka thue ti per këto fjalë: “In Albania l’interesse nazionale è sempre andato avanti alle considerazioni religiose”

Qytet i Shkupit a mund të thirrej në kohë të Turkís qytet shqiptar? A njimend zotnonte gjuha shqipe në qytetin e Shkupit?

Aty te Gilani harrova me të plotsue pyetjen, dmth në shka permbahet ky malinteso ?

Dikund tjeter thohen prap këto fjalë: “Nel 1204 (vjetët janë alla turca, por sugurisht dhe kjo vjetë kshtu âsht gabim shtypit!) in seguito ad ordine assurdo ricevuto, Ahmet Mukhtar Pascià si pose in marcia con 20 battaglioni contro Prizreni, ma grazie alle saggie misure prese dal Pascià non fu versato sangue”.  Kúr e n’ ç’ rasë ndodhi kjo gjâ?

Shka don me thânë fjala Merqes, psh. Merqes di Janina?

“Nel Kazá di Luros, cosi nei piani di Perlepi e Florina le terre e le case sono proprietà degli Albanesi” ase “tutte le proprietà sono degli Albanesi”. Kuzzo- valaçhi e israeliti non possiedono.  A âsht e vertetë kjo gjâ?

Tash, prej nji gurrës tjeter, po nxjerri këto pyetje: “Janina (në kohë të luftës balkanike) rá në dorë, prejsè u thye me pare e trathtoi… (“Janina durch Verrat und Bestechung gefallen” – me kto fjalë tedeshke lajmonte ministrín e vet perfaqsuesi gjerman prej Istambulit). E shton edhe këto fjalë: “Ismail Kemali habe dabei seine Hände im Spiel gehabt” (Ismajl Qemali ka pasë gisht në ket punë). Shka din e shka thue ti per ket punë? E kush kje ai a kush kjén ata qi trathtuen e qi u thyen me pare në Janinë?

A janë kenë  n’ushtrí t’Esat Pashës, qi luftoi në Shkoder kundra Malazezvet e Serbëvet edhe Kristjan, apor ishin të tanë ushtarët musulman? Ket pyetje po t’a bâj jo per tjeter, por vetem pse nder kondita qi Esat Pasha u pat vû Malazezve per dorzimin e Shkodres, kje dhe kjo qi mos me pasë të drejtë Malazezt me kontrolue çfarë elementash kristjan gjinden n’ushtrín e Esat Pashës. Se çfarë rândsijet ka mujtë me pasë kjo gjâ, un nuk e kuptoj.

Mue më duket se ket herë të kam bâ pyetje boll. Nji herë tjeter nuk di as vetë se shka me të pyetë, pse mâ i shpika sot.

Prap jam interesue me pyetë per Lambertz. Po qênka tue u shypë blêni I persrí, prandej kuptohet vonesa e madhe.

Kúr e ké menden me dalë n’ Europë? Tash po e shof se shi në letren e mbrame po m’a paske shkrue ket gjâ. Po të tokoi me ndejë gjatë n’ Europë, m’a merr mendja se ka me na tokue me u pá ndojherë perpara se të bâjsh hapin e madh e të kalojsh pertej oqeanit të hapët. Por tashmâ edhe ky oqean i pamasë po kapercehet me nji orë ajruer. Prandej afer se afer jemi.

Un nuk kam bâ kurr ndonji hap per me dalë n’ Amerikë. Shum e kanë bjerrë shpresen per Europen plakë. Vetë endè nuk e kam bjerrë shpresen n’ Europen, qi shum e thrrasin me fjalen tedeshke “Blindarm i Azís”. Blindarm shqip âsht “zorra qorre”. Pra, simbas tyne, Europa âsht zorra qorre e Azis. Mrekullí.

Shum shndet e urime të përzemerta per vjetin e rí, sadoqi heret âsht tash. Por deri at herë ndoshta nuk do të mundemi me të shkrue mâ. Letra e porositun e êmja do të ngjasë shum me të mërrijtë.

Prá edhe njiherë shndet e daulet e urime të perzemerta si per tý si edhe per motren.

            Miku i Yt.

  1. P. Margjokaj
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency