Udhëzimi / Ndryshojnë taksat për biznesin e vogël, ja sa do të paguhet nga 1 janari

0
245

taksat

Ervin Kaduku

Nga data 1 janar 2015, deklarimi dhe pagesa e detyrimeve tatimore do të bëhen sipas procedurave dhe formularëve të rinj të përcaktuar me udhëzime të ministrit të Financave

 

Nga data 1 janar 2015, administrata tatimore do të vërë në funksionim Sistemin e ri Informatik Tatimor. Ky është një sistem i ndryshëm nga i mëparshmi dhe, sipas ekspertëve, shumë më praktik në përdorim. Zëvendësimi i sistemit ekzistues me sistemin e ri është një zhvillim historik për Administratën Tatimore dhe marrëdhëniet e saj me tatimpaguesit.

Nga data 1 janar 2015, deklarimi dhe pagesa e detyrimeve tatimore do të bëhen sipas procedurave dhe formularëve të rinj të përcaktuar me udhëzime të ministrit të Financave.

 

 

Shkalla tatimore

 

Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, aplikohet shkalla tatimore 7.5% mbi fitimin e tatueshëm. Fitimi i tatueshëm nënkupton fitimin neto, pra diferencën e të ardhurave bruto me shpenzimet e zbritshme të biznesit. Në çdo rast, për çdo tatimpagues dhe lloj veprimtarie, tatimi i llogaritur për këtë kategori, nuk mund të jetë më i vogël se 25.000 lekë në vit, ose jo më e vogël se pjesa e proporcionale e vlerës prej 25.000 lekë për periudhën e kryerjes së veprimtarisë, kur tatimpaguesit regjistrohen, çregjistrohen apo kalojnë në regjistrin pasiv, gjatë vitit.

 

Shembull: Nëse në fund të vitit fiskal 20XX, tatimpaguesi realizon një qarkullim vjetor prej 2.800.000 lekësh dhe fitimi i tij i tatueshëm është 200.000 lekë, atëherë detyrimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin është vlera më e lartë midis shumës fikse prej 25.000 lekë dhe shumës së llogaritur të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin prej 15.000 lekë (7.5% x 200.000 lekë).

 

Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, kuota fikse e tatimit është 25.000 lekë në vit ose sa shuma proporcionale e tatimit fiks për periudhën e kryerjes së veprimtarisë, kur tatimpaguesit regjistrohen, çregjistrohen apo kalojnë në regjistrin pasiv, gjatë vitit.

 

Parapagimi i detyrimit tatimor 

 

Gjatë vitit ushtrimor, tatimpaguesit që janë subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me qarkullim vjetor në intervalin nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit, e paguajnë detyrimin tatimor në formë parapagimesh, të ndara në katër këste tremujore gjatë vitit. Llogaritja e detyrimit tatimor dhe e kësteve tremujore për vitin vijues, bazohet në të dhënat e “Formularit të Deklarimit të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin” të vitit paraardhës, që është bashkëngjitur këtij Udhëzimi dhe pjesë përbërë e tij. Pra katër këstet e detyrimit tatimor të vitit vijues, llogariten duke marrë në konsideratë fitimin e deklaruar dhe tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e llogaritur nga tatimpaguesi për vitin paraardhës. Këstet e parapagimeve të përcaktuara mbi këtë bazë u njoftohen tatimpaguesve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, brenda datës 1 prill të çdo viti.

Këstet e parapagimeve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të llogaritura si më sipër për vitin ushtrimor, paguhen nga tatimpaguesit në afatet e mëposhtme: brenda datës 20 prill për tremujorin e parë, brenda datës 20 korrik për tremujorin e dytë, brenda datës 20 tetor për tremujorin e tretë, brenda datës 20 dhjetor për tremujorin e katërt.

Pagesa e kësteve të parapagimeve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin bëhet në bankat e nivelit të dytë ose Postës Shqiptare, nëpërmjet Urdhër-Pagesës përkatëse të gjeneruar nga sistemi informatik i tatimeve.

 

Shembull: Tatimpaguesi X, i regjistruar si biznes i vogël me veprimtari në fushën e tregtisë me pakicë të artikujve ushqimore, ka dorëzuar deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2014. Shuma e fitimit neto të deklaruar është 800.000 lekë. Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin i llogaritur dhe i deklaruar për vitin 2014 është : 800.000 lekë x 7.5% = 60.000 lekë.

 

Për vitin 2015, shuma e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin që tatimpaguesi duhet të paguajë në formë parapagimesh do të jetë 60.000 lekë, e ndarë në katër këste si më poshtë : brenda datës 20 prill, 15.000 lekë, brenda datës 20 korrik, 15.000 lekë, brenda datës 20 tetor, 15.000 lekë dhe brenda datës 20 dhjetor, 15.000 lekë.

 

  1. Pagimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin nga tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në 2 milion lekë.

Gjatë vitit ushtrimor, tatimpaguesit subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, të cilët realizojnë qarkullim vjetor në intervalin nga zero deri në 2 milion lekë, paguajnë detyrim tatimor shumën fikse në masën 25 000 lekë në vit. Ky detyrim u njoftohet tatimpaguesve të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, brenda datës 1 prill të çdo viti. Pagesa e detyrimit tatimor në shumën 25 000 lekë për këtë kategori tatimpaguesish, kryhet brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti. Nëse tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, të cilët realizojnë qarkullim vjetor në intervalin nga zero deri në 2 milionë lekë, regjistrohen si tatimpagues dhe fillojnë veprimtarinë e tyre ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit, pra në periudhën korrik – dhjetor, ato e paguajnë detyrimin e tyre tatimor fiks të përcaktuar në bazë të proporcionalitetit, brenda datës 20 dhjetor të atij viti. Kështu, tatimpaguesi i regjistruar në muajin tetor të vitit vijues, i cili parashikon se do të realizojë një qarkullim vjetor nga zero deri në 2 milionë lekë, paguan tatimin e thjeshtuar mbi fitimin në proporcion me muajt e vitit që ka kryer aktivitet tregtar. Në këtë rast, tatimi për t’u paguar nga tatimpaguesi do të jetë 25.000 lekë shumëzuar me raportin 3/12 (6.250 lekë).

 

Periudha për të cilën llogaritet detyrimi tatimor

 

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin deklarohet dhe paguhet për periudhën gjatë së cilës tatimpaguesi ka ushtruar veprimtari ekonomike. Në rastet kur veprimtaria e biznesit hapet, mbyllet apo pezullohet gjatë vitit fiskal, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, llogaritet në mënyrë proporcionale me kohën e ushtrimit të veprimtarisë, mbështetur në vetëdeklarimin e tatimpaguesit. Në rastin kur tatimpaguesi, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit te vogël, regjistrohet për herë të parë gjatë vitit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin llogaritet në bazë të qarkullimit dhe të fitimit të tatueshëm, të parashikuar nga vetë tatimpaguesi, për periudhën nga data e regjistrimit deri në fund të vitit të parë kalendarik.

 

Shembull: Nëse tatimpaguesi X regjistrohet në QKR dhe në administratën tatimore në datën 1 korrik 2014, dhe deklaron se për periudhën e mbetur të vitit do të realizojë një fitim prej 1.200.000 lekë, ai do të llogarisë 1.200.000 x 7.5% = 90.000 lekë tatim të thjeshtuar mbi fitimin, të ndarë në dy këste për tremujorin e tretë dhe për tremujorin e katërt, të cilët do të paguhen: brenda datës 20 tetor, 45.000 lekë dhe brenda datës 20 dhjetor, 45.000 lekë.

Kur tatimpaguesi e fillon aktivitetin e tij gjatë një muaji, ky muaj llogaritet si muaj i plotë për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor. Kështu, nëse tatimpaguesi regjistrohet për herë të parë në 20 Korrik të vitit vijues, tatimi i thjeshtuar i fitimit për t’u parapaguar brenda vitit do të përpjesëtohet me 6/12. Në të njëjtën mënyre si më sipër në këtë pikë, veprohet edhe në rastet kur tatimpaguesi çregjistrohet apo kalon në regjistrin pasiv të tatimpaguesve.

 

Llogaritja e kësteve në mungesë të deklaratës së tatimpaguesit

 

Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit paraardhës deri në datën 10 shkurt të vitit pasardhës, Drejtoria Rajonale Tatimore llogarit vetë shumën e detyrimit tatimor të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të tatimpaguesit dhe mbi këtë bazë përcakton këstet tremujore që duhet të paguhen nga ai. Drejtoria Rajonale Tatimore njofton tatimpaguesin për këstet e tatimit që ai duhet të paguaj për çdo tremujor. Llogaritja e detyrimit tatimor në mungesë të deklaratës vjetore, bëhet duke u bazuar në metodat alternative që marrin në konsideratë dokumentacionin dhe informacionin që disponohet për tatimpaguesin, faktet dhe rrethanat e biznesit të tij, situatën e tatimpaguesve të tjerë të ngjashëm, etj.

 

Ndryshimi gjatë vitit i kësteve të parapagimit

 

Llogaritja e detyrimit tatimor vjetor dhe e kësteve tremujore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin vijues, bazohet në fitimin e realizuar nga tatimpaguesi në vitin paraardhës, të deklaruar nga ai nëpërmjet “Formularit të Deklarimit të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin”. Në rastet kur tatimpaguesi, mbas dorëzimit të “Formularit të Deklarimit të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin” kërkon, argumenton, provon dhe vërteton se fitimi i tij për këtë periudhë tatimore vijuese do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se fitimi i periudhës paraardhëse, mbi bazën e të cilit është përcaktuar detyrimi tatimor vjetor dhe këstet tremujore, Drejtoria Rajonale Tatimore zvogëlon shumën e parapagimeve për tremujorët e mbetur, pas paraqitjes së kërkesës.

Si prova të cilat justifikojnë uljen domethënës të fitimit, mund të jenë:

rënia e ndjeshme e qarkullimit e vërtetuar me raportet e kasave regjistruese, rënia e klientelës, hapja e veprimtarive të ngjashme në të njëjtën zonë, reduktime në oraret e biznesit, largime të përkohshme nga biznesi për arsye të ndryshme.

Në këtë rast, Drejtoria Rajonale Tatimore duhet të njoftojë tatimpaguesin për pranimin ose jo të uljes të kësteve të parapagimit, brenda një muaji nga kërkesa e tatimpaguesit. Brenda kësaj periudhe, Drejtoria Rajonale Tatimore ka të drejtë të bëjë verifikime dhe kontrolle në lidhje me vërtetësinë e kërkesës.

Nëse Drejtoria Rajonale Tatimore vlerëson dhe ka të dhëna se fitimi i tatimpaguesit për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10 për qind tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, mund të rregullojë në rritje parapagimet. Rritja bëhet për këstet e periudhës nga moment i konstatimit deri në fund të vitit. Tatimpaguesi njoftohet për rritjen e kësteve të parapagimit, si dhe për faktet dhe argumentet që kanë çuar në këtë rritje. Rritja e kësteve bëhet si pasojë e kontrolleve apo verifikimeve që mund të bëhen në vendin e biznesit të tatimpaguesit apo të dhënave të tjera që mund të disponon Drejtoria Rajonale Tatimore nga burime të ndryshme informacioni.

 

Procedura e pagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin

 

Pagesa e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël kryhet në bankat e nivelit të dytë për llogari të organeve tatimore. Për të paguar shumën e detyrimit tatimor ose këstet e parapagimeve të përcaktuara, tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël përdorin Urdhërpagesën e cila gjenerohet nga sistemi informatik i tatimeve dhe printohet nga vetë tatimpaguesi. Tatimpaguesi dorëzon në bankë apo në Postën Shqiptare dy kopje të Urdhër-pagesës, të cilat pasi verifikohen dhe pasi bëhet pagesa, firmosen dhe vulosen nga banka/posta shqiptare. Një kopje e Urdhër-pagesës mbahet nga banka/posta dhe kopja tjetër i jepet tatimpaguesit.

Tatimpaguesi, kopjen e Urdhërpagesës të firmosur dhe vulosur nga banka/posta, së bashku me mandat-arkëtimin e bankës/postës për shumën e detyrimit të paguar (i cili vërteton pagesën e kryer) dhe një kërkesë formale për pajisje me “Pullë Tatimi”, i’a paraqet Zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku ai është regjistruar. Zyra e Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku tatimpaguesi është i regjistruar, mbas verifikimit dhe konfirmimit të pagesës së bërë, e pajis tatimpaguesin me “Pullën e Tatimit” të këstit të detyrimit tatimor për të cilin ka bërë pagesën. Dokumentet e mësipërme, përfshirë kërkesën për pajisje me “Pullë Tatimi”, Urdhër-pagesa dhe mandat-arkëtimi, të dorëzuar nga tatimpaguesi, protokollohen dhe depozitohen në dosjen e tatimpaguesit.

Tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit, të cilët paguajnë katër këste të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në një vit fiskal, pajisen me “pullë tatimi” për çdo pagesë të bërë, pra me katër “pulla tatimi” tatimi për një vit. Tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë në vit, të cilët paguajnë tatimin fiks, në masën 25.000 lekë në vit vetëm me një këst, pajisen vetëm me një “pullë tatimi” të cilën e vendosin në pjesën e sipërme të Certifikatës së Regjistrimit në QKR.

 

Deklarimi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin

 

Të gjithë tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, përfshirë: tatimpaguesit që realizojnë qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit dhe paguajnë katër këste parapagimesh të detyrimit tatimor në vit; tatimpaguesit që realizojnë qarkullim nga zero deri në 2 milionë lekë në vit dhe paguajnë një shumë fikse detyrimi tatimor në vit, janë të detyruar që, brenda datës 10 shkurt të vitit pasardhës, të dorëzojnë formularin e “Deklarimit të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin” për vitin raportues. Deklarata e Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin përmban informacion në lidhje me të ardhurat gjithsej, shpenzimet gjithsej, shpenzimet e zbritshme, të ardhurat neto të tatueshme, tatimin për t’u paguar, si dhe informacione të tjera të kërkuara në deklaratë.

Deklarata dorëzohet nga tatimpaguesi në rrugë elektronike.

Për tatimpaguesit që realizojnë qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit, tatimi i llogaritur në bazë të “Deklaratës së Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin”, pakësuar me parapagimet e bëra gjatë periudhës tatimore, paguhet nga tatimpaguesi në llogarinë e organeve tatimore, pas dorëzimit të deklaratës vjetore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency