Replika / Rama: Opozita meriton mëshirë, Basha: Përkrah qytetarëve të mashtruar nga Vajmedeti

0

basha dhe rama ne nje foto

Erneta Shevroja

Kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, replikë për gjendjen ekonomike të qytetarëve

Kryeministri Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha kanë shkëmbyer dje replika në distancë sa i përket gjendjes aktuale, në të cilën ndodhen sot qytetarët shqiptarë. Ishte fillimisht Kryeministri Rama që ironizoi deklaratat e herëpashershme të demokratëve për gjendjen e vështirë të qytetarëve. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i kryedemokratit Basha, i cili nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ripërsëriti atë që tashmë është thënë: “Jemi përkrah çdo qytetari që ndihet i goditur dhe i fyer nga arroganca, mashtrimet dhe cinizmi i Vajmedetit”. Basha u shpreh për mungesën e vendeve të punës, për varfërinë, falimentimin e bizneseve të mesme dhe të vogla. Sipas kryedemokratit Basha, kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më. Ajo duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt, “është koha të ndryshojmë ecurinë e vendit tonë”.

 

Rama

Ashtu siç është shprehur edhe herë të tjera, Kryeministri Rama është i mendimit se opozita nuk meriton përgjigje për denoncimet që ka bërë deri më tani. Shefi i qeverisë tha se opozita meriton vetëm të mëshirohet. Sipas Ramës, shoqëria shqiptare sot jeton më mirë se para ardhjes së të majtëve në pushtet. “Një opozitë që u thotë përditë shqiptarëve sa mirë keni jetuar o njerëz e s’e keni ditur, nuk meriton përgjigje po vetëm mëshirë”, – shkroi dje shefi i qeverisë, Rama, në rrjetet sociale.

 

Basha

Ndërkohë, lideri i demokratëve, Basha, nuk është ndikuar fortë nga “mëshira” e Kryeministrit. Ai reagoi duke deklaruar se Partia Demokratike ndodhet në krah të të gjithë qytetarëve që jetojnë në vështirësi dhe me mungesa të gjërave bazë. Basha e vlerësoi vitin 2014 si një nga më të vështirët në gjithë këto 20 vitet e fundit. “Viti 2014 ishte nga me të vështirët e 20 viteve të fundit. Jemi përkrah të gjithë qytetarëve që jetojnë mes vështirësive”, – shkroi Basha në “Facebook”. Sot, sipas kreu të PD-së, njerëzit janë të papunë, bizneset kanë falimentuar, tarifat e shkollës janë shtrenjtuar, duke mos u dhënë mundësi shumë të rinjve të arsimohen, ndërsa sjellja e mazhorancës është cinike dhe arrogante.
“Jemi përkrah të gjithë atyre që humbën vendet e punës, që jetojnë në pragun e varfërisë, që u ranë të ardhurat, që iu rrënuan shtëpitë, që nuk mund të paguajnë shkollat, faturat apo kreditë, që u ka rënë apo falimentuar biznesi i vogël dhe i mesëm. Jemi përkrah të rinjve, pensionistëve, punonjësve, sipërmarrësve, çdo njeriu që jeton dhe punon me punë të ndershme”, – deklaroi kreu i PD-së. Kryedemokrati thotë se partia që ai drejton është afër çdo qytetari, ndaj të cilit është ushtruar padrejtësi nga qeveria. “Jemi përkrah çdo qytetari që ndihet i goditur dhe i fyer nga arroganca, mashtrimet dhe cinizmi i Vajmedetit”, – vijoi Basha. Kjo gjendje, shton Basha në reagimin e tij, nuk duhet të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Ndaj ai u bën thirrje njerëzve të reagojnë për një jetesë më të mirë. “Është koha të ndryshojmë ecurinë e vendit tonë. Së bashku mund ta shkulim të keqen nga rrënjët e t’i hapim rrugë punës dhe mirëqenies për çdo shqiptar”, – përfundoi reagimin lideri i demokratëve.

 

 

 

Banorët në protestë

PD: Prishje masive të ndërtimeve në Lushnjë, goditen 723 familje

Partia Demokratike denoncoi dje prishjen masive të ndërtimeve të 723 familjeve në Lushnjë, pa transparencë dhe pa u bazuar në ligj. Banorët janë ngritur në protestë, duke kërkuar transparencë për prishjen e ndërtimeve, që, sipas pronarëve, janë me dokumente të rregullta, të ngritura me mund e sakrificë. Vetëm në zonën e Çermës po prishen 53 ndërtime, për të cilat banorët tregojnë se kanë certifikata të rregullta pronësie. Por dëmshpërblimi për ta është qesharak dhe, për më tej, atyre nuk u është bërë e ditur asnjë arsye se pse po hidhen në tokë banesat dhe bizneset e tyre. Kreu i departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në PD, Ervin Salianji, vizitoi banorët së bashku me drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike, dhe deklaroi se ndërtimet e banorëve të Lushnjës po prishen në mënyrë selektive, pa transparencë, pa njoftime, pa ligj dhe pa dëmshpërblim të rregullt. “Janë lëshuar lajmëtarët e shkatërrimeve në çdo cep të Shqipërisë. Ka lëshuar lajmëtarë të lajmërojnë qytetarët dhe të sjellin kartolinën e fundvitit, një kartolinë të zezë, ku u thotë se do t’u prishë pronat dhe banesat private, si një armik i pronës private. Banesat po u prishen pa njoftim, pa shkresë, pavarësisht se kanë certifikatën e pronësisë. Kjo këtu që ka 1496 metra katrorë dhe 328 metrA katrorë ndërtim, qeveria i thotë se do ta prish kundrejt 19 milionë lekësh të vjetra. Rruga kryesore është diku rreth 60 metra katrorë larg që këtu. Pak më sipër rrethrrotullimi mund të bëhet duke prishur vetëm një biznes të vetëm, i cili ka lidhje me qeverinë”, – tha Salianji dje. Krahas banesave, janë duke u shkatërruar edhe mjaft biznese që punësojnë me dhjetëra banorë të zonës. Sipas kryetarit të PD-së në Lushnjë, Myslim Murrizi, janë 723 familje që preken nga shembjet e ndërtimeve në këtë rreth. “3 mercenarë të qeverisë terrorizojnë qytetarët lushnjarë duke trokitur derë më derë dhe u bërë presion me fletushka. Janë 723 familjeve të këtij rrethi”, – tha Murrizi.

Ndërkohë, ndaj kësaj situate janë ankuar qytetarët. Sipas tyre, ata disponojnë dokumentacion të rregullt ndërsa qeveria ofron një dëmshpërblim qesharak. “Ky nuk është shtet ligjor, por një shtet kriminal për njerëzit. Mundin dhe djersën time e kanë hedhur në tokë pas 20 viteve, në pronën time me dokumente të rregullta”, – tha një prej banorëve. “Jemi me certifikatë pronësie, me leje ndërtimi, me dokumente të rregullta. Po na çmojnë padrejtësisht. Çmimi është tepër qesharak”, – u shpreh një prej pronarëve të prekur. “Mezi i kemi ndërtuar dhe të vijnë të na e shembin… kjo është padrejtësi. E kemi objektin të rregullt, me leje. Jemi me hipotekë dhe po na nxjerr jashtë”, – tha një qytetare nga Lushnja. “Ma kanë vlerësuar pronën sa një kasolle lope”, – u ankua një tjetër banor.