Vrasja në Selitë/ Prokuroria: Ymeri dyshohet se nuk ka vrau për t’u vetëmbrojtur

0
152

Alma Çuka

 shtepia qe u grabit ne selite  Adnand Luli, 23 vjeç, dhe Ervin Shaba hajdutetKapërceu kushtet e vetëmbrojtjes. Një gëzhojë në vendin e ngjarjes hedh poshtë alibinë e të pandehurit. Dyshohet se është qëlluar nga dy armë të ndryshme

Vrasja e dy djemve të rinj mëngjesin e 17 dhjetorit në zonën e Selitës në Tiranë nuk është mbyllur me deklarimin e autorit të krimit, Flamur Ymeri. Burime nga Prokuroria e Tiranës, bëjnë me dije se nga verifikimet e para kanë mundur të grumbullojnë një sërë provash të cilat ngrenë dyshime për një vrasje të kryer në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, akuza, kjo e cila dënohet deri në 7 vite burg. Një tjetër element sipas akuzës është edhe gjetja e një gëzhoje në vendin e ngjarjes, e cila nuk i përket gëzhojave të qitura nga armët që dyshohet se i kanë pasur me vete dy viktimat. Kështu Prokuroria e Tiranës ka depozituar në Gjykatë dosjen duke arritur të ngrejë një akuzë konkrete, ndryshe sa pretendonte vet i pandehuri. Pas tre ditësh në dilemë, Prokuroria vendosi të ngrejë akuzë për Flamur Ymerin, për të cilin do të kërkojë arrest me burg në Gjykatën e Tiranës për vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme të shtetasve Ervin Shaba dhe Adnan Luli, si edhe për armëmbajtje pa leje.

 

Versioni i Prokurorisë

Burime të Prokurorisë së Tiranës shprehen për Standard se ende nuk kanë një version të plotë mbi ngjarjen. Teksa thonë se të shtunën do të kërkojnë ndaj të pandehurit Ymeri masën e sigurimit arrest me burg, prokurorët nuk thonë të njëjtën gjë për paraqitjen e të gjitha provave që lidhen me ekzaminimin e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes dhe marrjes së përgjigjes së autopsisë nga Mjeksia Ligjore për dy viktimat. Para gjykatës deklarata e të pandehurit Flamur Ymeri se vrau dy djemtë e rinj për tu vetëmbrojtur pasi ata i kishin shkuar në banesë për ta vjedhur dhe të armatosur, do t’i serviret gjykatës si pretendim i tij dhe jo si provë lehtësuese. Ndaj të pandehurit rëndon edhe vepra penale e armëmbajtjes pa leje. Por, pikërisht akuza e fundit e armëmbajtjes bie ndesh me pretendimin e të pandehurit se ai nuk kishte armë në banesën e tij në kohën kur është sulmuar sipas tij nga dy grabitësit e maskuar, të cilët sipas të pandehurit, pasi u përlesh me ta, i qëlloi me armët që ata mbanin në duar. Në trupin e një prej viktimave është konstatuar një predhë, për të cilin laboratori i kriminalistikës dyshon se nuk përputhet me asnjërën nga armët e sekuestruara në vendngjarje. Por, këtë armë grupi i hetimit nuk e ka gjetur ende, ndonëse i pandehuri thotë se i ka hedhur në vendin e krimit. Grupi hetimor punoi gjatë ditës së enjte me orë të tëra në banesën e Ymerit, pasi një nga predhat e gjetura nuk korrespondon me asnjë nga armët e gjetura në vendin e ngjarjes. Kjo predhë e ka detyruar grupin hetimor që të rindërtojë edhe një herë skemën e krimit, pasi dyshohet se ndaj 23-vjeçarit, Adnan Luli dhe 25-vjeçarit, Ervin Shaba është qëlluar edhe me një armë tjetër, e cila rezulton e zhdukur dhe akoma nuk është gjetur.

 

Rrëfim i të pandehurit

Kam qenë në dhomën e katit të parë, përballë derës së dhomës ku u gjet njëri nga viktimat. Gruaja ishte në korridor. Dëgjova zhurmë dhe zëra që i kërkonin bashkëshortes të dinin se ku isha unë. U fsheha fillimisht pas murit të dhomës pasi dera ishte e hapur. Gruaja i tha që ndodhesha në katin e dytë në gjumë. Në momentin që njëri prej tyre hyri te dhoma përballë, tjetri po i mbante pistoletën gruas te koka dhe tentoi të hipte shkallëve. Sapo është afruar te dera ku isha unë e kam shtyrë atë dhe gruan. I kapa pistoletën dhe e qëllova personin që kishte hyre në dhomën përballe dhe më pas në drejtim të kokës së personit që e kisha rrëzuar në korridor. Në këtë kohë, I kam kapur edhe automatikun skorpions dhe e kam shkrepur në drejtim të tyre edhe pse ishin të shtrirë në tokë. Më zuri gjaku dhe nuk mbaj mend ca kam bërë, pasi edhe një pistolete që e kisha në dorë nuk e di ku e kam fshehur. Pas kësaj kam ngritur gruan dhe kam njoftuar policinë, duke i thënë se kam kapur dy grabitës. Ata ishin me maska, me doreza e armë me silenciator dhe kisha frikë se do më vrisnin.

 

Rrëfimi i gruas

Ka qenë ora 8 e pak e mëngjesit, vetëm pak minuta pasi kisha hipur fëmijët në furgon të shkollës. Jam kthyer në kuzhinë duke bërë punët e shtëpisë. Në një moment kur kam dale në korridor kam parë dy persona me maska, u tremba por më thanë mos bërtit. Njëri me vendosi pistoletën në kokë dhe kërkoi të dinte ku është bashkëshorti., Unë i thashë- lart duke fjetur. Në atë moment Flamuri më ka shtyrë dhe nuk kam parë gjë vetëm kam dëgjuar krisma armësh. Kur jam ngritur kam parë dy persona të vrarë”.

 

 “Babagjyshat”/ Hetohen 4 punonjës të argjendarive, dyshohen se kanë bashkëpunuar

Prokuroria e Tiranës, sektori i Krimeve të Rënda, ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda kërkesën për marrjen e masës sigurisë “Arrest me burg” për bandën e “Babagjyshave”. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se banda e “Babagjyshave” është një grup i strukturuar kriminal me qëllim grabitjen. Organi i akuzës ka arritur në konkluzion se numri i personave të implikuar në këtë bandë është 13, nga 8 persona që dyshoheshin fillimisht. Masa e sigurisë do të jepet për Ilir Kupën, Agustin Sulën, Julian Qerushin, Hajdar Sefën, ndërsa tre të akuzuarit Fatmir Pjetri, Dritan Kola, Saimir Kalan do të gjykohen në mungesë, pasi janë në kërkim. Sa i takon aktivitetit të bandës, Policia pas arrestimit të tre prej te dyshuarve, është shprehur se banda përgjegjëse për nëntë grabitje, 7 prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë. Në dosjen e prokurorisë mësohet se grupi kriminal i njohur për vjedhjen famshme të argjendarisë në një qendër tregtare në Tiranë, një vit më parë ka realizuar edhe disa grabitje të tjera. Grabitjet e realizuara nga banda e “Babagjyshave” janë shtrirë në të gjithë vendin si, Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër, ku grabitjet kishin një të përbashkët: ato kryheshin pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe ne një kohë prej 3 minutash nga keqbërësit.

Shkodër/ Gjendet i vrarë një burrë në banesën e tij

 Një burrë është gjetur i vrarë në banesën e tij. Rreth orës 13.00 të mesditës së djeshme në fshatin Bërdicë e Madhe të Shkodrës, është gjetur në banesën e tij i vetëvrarë me armë zjarri tip pistoletë, P. J., 51 vjeç. Kanë qenë familjarët ata që kanë gjetur trupin e pajetë në banesë, pasi kanë dëgjuar të shtënat. Lidhur me këtë ngjarje po kryhen veprimet hetimore, për të zbardhur rrethanat e plota të vetëvrasjes. Të dhënat janë ende të pakta për shkak të gjendjes së rënduar të familjarëve, të cilët po merren në pyetje aktualisht .

 

 Shijak/ Dhunojnë me sende të forta një grua në tentativë për ta grabitur

Një tentativë grabitje ka ndodhur në Shijak, ku gjatë saj një grua është dhunuar. Rreth orës 23.00 të natës së lënë pas, në lagjen “Erzen” të Shijakut dy persona rreth moshës 20- vjeçare me kapuç në kokë dhe një thikë në dorë kanë hyrë për të vjedhur me dhunë në banesën e 44 -vjeçares M.F. Gruaja e cila në momentin e grabitjes ndodhej e vetme në banesë ka bërë rezistencë ndaj tyre, por dy të rinjtë e kanë goditur me grushte dhe i kanë lidhur gojën që të mos nxirrte zë, por nuk kanë arritur ti marrin asnjë gjë nga banesa. Pasi grabitësit u larguan nga banesa, gruaja u drejtua në polici ku dhe bëri denoncimin. Aktualisht nga ana e uniformave blu, bazuar dhe në dëshminë e të dëmtuarës, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” .

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency