Kthimi i opozitës/ Fleckenstein, optimist për zgjidhjen e krizës, Basha: Dekriminalizimi s’është bamirësi

0
121

Erneta Shevroja

 Eurodeputeti mbyll takimet me Ramën, Metën dhe Bashën. Pritshmëritë janë pozitive

10863903_851689494882233_8608076976750631275_oSeanca e fundit parlamentare për këtë vit 24 dhjetor duket se nuk do të zhvillohet si këta pesë muaj, pa praninë e deputetëve të opozitës. Kjo është ajo që la të nënkuptohej i dërguari i posaçëm i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein, dje pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Menjëherë, pas takimit me liderin e opozitës, Lulzim Basha, eurodeputeti Knut Fleckenstein u shpreh mjaft optimist se javën që vjen deputetët e opozitës t’i rikthehen punimeve të Kuvendit. “Sot ishte biseda me Bashën, dhe jam mjaft optimist se kemi gjetur rrugën që javën tjetër Parlamenti të mblidhet i plotë”, – theksoi eurodeputeti. Ndërsa lideri i PD-së, Basha, duke ripërsëritur kërkesën për dekriminalizimin e Kuvendit, u shpreh se deri në këto momente është hedhur një hap i parë dhe ky është komunikimi që realizohet nëpërmjet ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian. “Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi”, – theksoi lideri i PD-së.

 

Takimi

Në takimin e fundit me kreun demokrat Lulzim Basha, raporteri i BE-së nuk doli i sigurt, por shumë optimist se opozita në 24 dhjetor do të jetë në Kuvend. Pas një takimi afro 1-orësh edhe kryetari demokrat ndoshta nuk u shpreh drejtpërdrejtë, tonet e tij ishin të qeta dhe pozitive sa i përket kthimit në Kuvend, pas gati 6 muajsh. Raportuesi i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein ditën e enjte u takua me Kryeparlamentarin Ilir Meta, ndërsa dje me dy liderët e partive, Kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Në të tria takimet, eurodeputeti, duke iu referuar deklaratave, krijon përshtypjen se misioni i tij u realizua. Ndërkohë, të hënën pritet ardhja e të dërguarit tjetër, Eduard Kukan. Menjëherë pas mbylljes së bisedimeve me kreun e PD-së, Fleckenstein u shpreh që është optimist se është gjetur rruga që javën tjetër, më 24 dhjetor, opozita të jetë në Kuvend. “Pata diskutime të mira me kreun e Parlamentit Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama ditën e djeshme (të enjten), ndërsa sot ishte biseda me Bashën dhe jam mjaft optimist që kemi gjetur rrugën që javën tjetër Parlamenti të mblidhet i plotë. Vërtet shpresoj në këtë gjë dhe jam mjaft optimist”, – ishte deklarata e shkurtër e eurodeputetit në ambientet e selisë blu.

 

Basha

Ndërkaq, lideri i opozitës ripërsëriti kërkesën për dekriminalizimin e Kuvendit, e megjithatë u shpreh se hapi i parë është realizuar me ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian. Sipas Bashës, dekriminalizimi i Kuvendit dhe rikthimi i jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës së konsensusit për reformat madhore janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Lideri i PD-së, Basha, e falënderoi zotin Fleckenstein për përpjekjet e tij dhe për rolin pozitiv e ndihmën konkrete që ai dhe Eduard Kukan po japin në misionin e ngarkuar për zgjidhjen e krizës parlamentare në vend. “Qytetarët shqiptarë dhe opozita nuk mund të pajtohen as me përdorimin e një grupi të strukturuar deputetësh me rekorde të krimit të organizuar, për të dhunuar, kërcënuar dhe shuar fjalën e lirë të opozitës në Kuvend dhe as me eliminimin e instrumenteve të mbikëqyrjes parlamentare nga mazhoranca përmes shkeljes flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, – theksoi Basha. “Çështja e dekriminalizimit të Parlamentit nuk është një kërkesë që e kërkon opozita, por është një domosdoshmëri për vendin, – tha kryedemokrati. – Dekriminalizimi i Parlamentit nuk është bamirësi ndaj opozitës, por domosdoshmëri për Shqipërinë, për interesat e qytetarëve shqiptarë dhe për rikthimin e jetës parlamentare”, – tha lideri i PD-së.

 

Opozita në Kuvend

I pyetur nëse opozita do të hyjë në Kuvend javën e ardhshme, kreu i PD-së nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por u shpreh për një proces që sapo ka nisur. Ky proces, sipas Bashës, është ndërgjegjësimi i Bashkimit Evropian për çështjen e pranisë së deputetëve të Parlamentit me precedentë penalë. “E kam nënvizuar që prej shtatorit se opozita kërkon të jetë në Kuvend, por në një Kuvend që funksionon sipas ligjit dhe Kushtetutës, që nuk i shkel dhe nuk i nëpërkëmb ato; në një Kuvend, i cili përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë dhe jo interesat e grupeve kriminale. Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi”, – tha Basha. Po sipas kryedemokratit, bojkoti i punimeve parlamentare është një hap që pret një qëllim të mirë. “Kjo është një kohë që do t’ia vlejë, – tha Basha, – për mirëfunksionim e Parlamentit dhe përfaqësimin e shqiptarëve sa më denjësisht. Mendoj se i vlen rezultatit që presim jo vetëm ne si opozitë, por edhe qytetarët shqiptarë: një Parlament mirëfunksional, ku përfaqësohen interesat e tyre, ku flitet për interesat e tyre, ku zbatohet dhe respektohet Kushtetuta dhe rregullorja e Parlamentit, ligjet e ku fjala e lirë nuk kërcënohet dhe as nuk dhunohet nga përfaqësues të krimit të organizuar”, – nënvizoi lideri i demokratëve.

 

Takimi me Ramën

Dje paradite, raporteri i Parlamenti Evropian u takua me Kryeministrin Rama. Gjatë takimit, kreu i qeverisë ka shprehur garancinë e tij për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me opozitën. Pika kryesore, për të cilën mazhoranca dhe opozita nën monitorimin e ndërkombëtarëve do të bien dakord do të jetë nisja e procesit për hapjen e rrugës së bërjes së një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit.

 

Misioni i eurodeputetit Fleckenstein, të hënën vjen Kukan

Eurodeputeti Knut Fleckenstein, raporter për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, ndodhet prej dy ditësh në Tiranë, me misionin për të gjetur pikat e përbashkëta mes mazhorancës dhe opozitës për arritjen e një marrëveshjeje politike. Ndërkohë, për të njëjtën çështje, më 21 dhjetor, do të vijë në Shqipëri dhe i ngarkuari tjetër i Parlamentit Evropian, Eduart Kukan.

 

 Zbardhet drafti/ Opozita kërkon marrëveshje në letër, Rama: Plotësim kërkesash pa firmë

Pavarësisht nga tonet pozitive, me të cilat u fol dje për një rikthim të mundshëm të Partisë Demokratike në Kuvend, gjërat duket se nuk janë dhe aq të thjeshta. Opozita kërkon angazhimin e të dyja palëve për funksionimin e jetës parlamentare sipas kuadrit ligjor e Kushtetues, si dhe për gjetjen e mekanizimit ligjor për dekriminalizimin e Parlamentit. Përmbushjen e këtyre pikave opozita e kërkon në formën e një marrëveshjeje të firmosur, në prani edhe të ndërkombëtarëve. Por duket se diçka e tillë nuk është e mirëpritur nga Kryeministri Rama, i cili si hap të parë cilëson kthimin e deputetëve në Parlament dhe më pas të miratohen nismat. Kryeministri, si edhe kreu i Kuvendit, kanë përsëritur disa herë në dy javët e fundit në mënyrë publike se janë gati t’i përmbushin propozimet e opozitës, përfshirë dhe nismën për dekriminalizimin e Parlamentit, por fillimisht, sipas tij, opozita duhet të zërë vendet e saj aty e të sjellë nismat që shumica t’i miratojë. Ndërkaq, drafti i fundit me pikat e mirëpërcaktuara pritet të dalë, pasi të zhvillohen edhe takimet dhe bisedimet me të dërguarin tjetër, Eduard Kukan.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency