I painformuari

0
123

(Reagim për shkrimin e botuar mbi fshatin Malbardhë)

kisha famullitare e Milotit Nuk do të kishim humbur kohë t’ju përgjigjeshim zoti Marku nëse nuk do të ishte për hir të transparencës dhe marrëdhënies me publikun që për ne ndryshe nga ju është e shenjtë. Ndaj do të donim t’ju kushtonim vetëm pak radhë, thjesht që të kuptoni atë që, me sa duket, nuk e keni kuptuar ose me keqdashje e keni deformuar.

E para: nuk e dimë zoti Marku nëse ju kanë informuar që fshati nuk kishte një rrugë që të çonte në territorin e Kishës e që kjo i dashur (i painformuar) u hap me fonde tërësisht të banorëve. Ata ofruan sa mundën, për të bërë të mundur që makineritë e nevojshme të arrinin deri në pjesën më të sipërme të zonës. Bëhet fjalë për më shumë se 800 metra rrugë deri atëherë këmbësore në një zonë jo pak të vështirë dhe të gurtë. Mjetet dhe gjithçka tjetër u paguan nga komuniteti. Por a mbaroi këtu ? Sigurisht që jo sepse ky komunitet së bashku me komunën mblodhi paratë me të cilat rrethoi jo pak por 18 dynymë të të gjithë territorit të Kishës. Kush ka qenë atje ka mundur të shikojë e të prekë atë rrethim të bollshëm e të sigurt të ngritur me kontribut vullnetar. Por a mbaroi këtu ? Sigurisht që jo sepse edhe në ndërtimin e Kishës kanë punuar banorët e fshatit, kanë punuar me duart e tyre, me shpirtin e tyre, me besimin, pavarësisht fesë që i takonin, me një tolerancë e dashuri për tu pasur zili për vëllezërit e tyre katolikë. Sigurisht askush nuk ka hedhur poshtë kontributin e dhënë nga Famullia e Milotit por nëse nuk do të kish qenë për 300 firmat e mbledhura nga banorët e Malbardhës ajo Kishë nuk do të ish ringritur kurrë. E pra ishin këto 300 firma me brenda 95 për qind të banorëve myslimanë që kërkuan ringritjen e atij vendi të shenjtë e më shumë se të rëndësishëm për të gjithë atë komunitet. E për ne kjo ka rëndësi më shumë se gjithçka, ka rëndësi më shumë se roli i njërit apo tjetrit besim, ka rëndësi sepse tregon një vlerë të jashtëzakonshme, të rrallë e të bukur .

Për ne ashtu siç edhe duhet të jetë ka më shumë rëndësi vepra e ajo flet vetë pasi si priftin edhe besimin nuk e bën thjesht veshja.

Askush kurrë nuk do të hedhë poshtë punën e shkëlqyer që po bën jo thjesht Famullia e Milotit, por edhe kleri i nderuar katolik për të cilin ndajmë një vlerësim të rrallë, e po ashtu ai Mysliman. Pa ta asgjë nuk do ishte e mundur, pa bashkëjetesën që rrjedh kudo e që ruhet me fanatizëm prej tyre. Por ju zoti Marku këto nuk i dini,ju keni shkruar një poemë të përçartur e të mbushur me gabime deri diku banale. Për hir të tolerancës,na lejoni t’ju bëjmë të paktën një nder qe komuniteti fisnik i këtij fshati me të cilin ju, siç thoni, keni ndare edhe “magjen” te mos t’ju padiste për shpifje para drejtësisë. Ju keni shkruar citojmë “ ndihmë e cila, në fakt, ka qenë vetëm dhe krejtësisht simbolike dhe në terma financiare e barabartë me zero” Mjafton ato që ju kemi renditur më sipër për të kuptuar a ka patur apo jo mbështetje financiare edhe pse ajo është pak ose aspak e rëndësishme. E kjo sepse në vende të tilla lekët janë gjëja e fundit që ka vlerë, në vende të tilla ngre krye ajo tolerancë që mesa duket e keni vështirë ta pranoni.

Ju mendoni se fjala kontribut do të thotë vetëm të derdhësh miliona (llaç e tulla), por harroni se ajo Kishë edhe sot është ngritur ne rrënojat e vjetra por që ndodhen në një lagje Myslimanësh .Ai territor mirëmbahet po nga ata banorë Myslimane, ai ruhet po nga ata. E këto kontribute,kanë vlerë shumë herë me shumë edhe se ato donacione të dhëna për rrugën, rrethimin e godinën. Mos harroni i dashur Marku (i painformuar) se gjatë kohës së komunizmit që fshiu besimin e kur priftërinjtë dergjeshin burgjeve ishin këta banorë që shkonin fshehurazi dhe luteshin, ishin nënat e tyre që mbulonin me rrobat e tyre ato mure të vjetra, ishin gjyshërit që drejtonin sytë këtejmi duke fshehur besimin e lidhjen me zotin.

E,jo më kot fshati me 95 për qind myslimanë feston një festë katolike, Shen Mëhillin e atje sipër ku ti thua se nuk ka pasur askush kontribut, mblidhen të gjithë Myslimanë e të Krishterë, mes atyre lisave shekullorë që askush nuk i prek edhe kur kalben. Kjo dashuri, kjo bashkëjetesë, kjo është të jesh në besim i ndryshëm por në zemër i afërt. Por këto nuk mund ti kuptojë askush si ju zoti Marku (keqdashësi i painformuar) sepse për ti kuptuar këto duhet mirësi, duhet hapësire e oksigjen, duhet mëndje kthjelltesi. Tolerancë! E pikërisht këta banorë myslimanë që ju zoti Marku, i shpërfillni turpshëm, ende nuk kanë një xhami për të prehur besimin e tyre, por ama kontribuuan për Kishën, atë Kishë që ti kërkon t’ua rrëmbesh, t’ua nëpërkëmbesh e tua barazosh me para të rëndomta.

Besimi nuk ka çmim, as toleranca, as bashkëjetesa,nuk janë thjesht para. Duhet lexuar për të kuptuar, duhet parë më shumë për të mësuar nga Fishta, tek Mjeda, tek Hafiz Ali Korça tek At Zef Pllumi drithërues, ata janë shpirti i këtyre njerëzve, janë poezia e ndjesia e tyre .

Fundja kjo është bota, ka Kishë, ka Xhami, ka Teqe e mes tyre ka edhe djaj… Ne jemi më se të qartë në udhën tonë ashtu si edhe të gjithë banorët fisnikë të Malbardhës… Ndaj duke marrë nga koha jonë e çmuar gjetëm disa minuta t’ju shkruajmë disa radhë, i dashur i Painformuar.

E për hir të gazetarisë së vërtetë, për hir të etikës e deontologjisë se medias, në respekt të banorëve të Malbardhës.

Agim Lika, kryeplak i Malbardhës

Vlash Gega, ish-kryetar i Komunës

Marin Mema, gazetar

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency