Hallet e buxhetit dhe “lëmosha” e fundvitit

0

Ervin Kaduku

mbledhje qeverie –  Sa mund të blesh me 3 mijë lekë sot, zoti Kryeministër!!??

30 milionë dollarë të ardhura më pak se plani u mblodhën nga administrata tatimore e ajo doganore në nëntor. Bashkë me dhjetorin gjasat janë që mosrealizimi të shkojë mbi 60 milionë dollarë. Në rast se kësaj i shtohen edhe rreth 20 milionë dollarë shpenzime, që parashikohet të jepen si shpërblime, situata financiare e shtetit shqiptar duket se po rëndohet shumë.

 

Shpërblimi në kufijtë e talljes

Duke qenë se gjeli i detit as mund të mendohet me shpërblimet e premtuara modeste, të dhëna për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar, mund të llogariten se sa nga produktet e “shportës” mund të blihen me shpërblimin maksimal prej 3 mijë lekësh. Po të marrim një familje me katër persona, dy bukë kushtojnë 160 lekë, 10 kokrra vezë 180 lekë, 2 pako miell 160 lekë, 1 kg djathë i cilësisë mesatare 600 lekë, 2 ujë 200 lekë, 2 kg mish 1600 lekë, 2 shishe vaj 360 lekë, të gjithë këto kushtojnë 3260 lekë, duke lënë jashtë një pjesë të konsiderueshme të ushqimeve si sheqeri, orizi, makaronat, energjinë elektrike e cila konsumohet më shumë gjatë festave, me një rritje rreth 500 lekë në krahasim me muajt normalë.

Pra me këtë shpërblim nuk arrihet të blihen as produktet më elementare të shportës që nevojiten për të mbushur tavolinën për festat e fundvitit. Në këtë mënyrë shpërblimi për fundvit i dhënë nga qeveria, pavarësisht deklaratave të Kryeministrit Rama, vijon të mbetet sërish në kufijtë e mëshirës.

 

Buxheti

Në fakt, sipas statistikave, të botuara nga ministria e Financave, të ardhurat tatimore për 11 mujorin u rritën me afro 14% krahasuar me një vit më parë, por janë më të ulta se plani. Nga ana tjetër, realizimi i investimeve dhe shlyerja e detyrimeve të prapambetura vazhdon të jetë i dobët. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave arriti në 329 miliardë lekë, i mbështetur sidomos nga rritja e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar, por edhe nga tatimi mbi fitimin dhe nga akciza. Në rastin e TVSH-së, rritja pasqyron një rritje të ndjeshme të importeve gjatë këtij viti, ndërsa për tatimet e tjera, rezultati i detyrohet rritjes së ndërmarrë në paketën fiskale të vitit të kaluar.

 

Produktet e shportës

Buka 80 lekë

Veza 18 lekë

Mielli 80 lekë

Djathi masiv 400-750 lekë

Uji 100 lekë

Vaji 180 lekë

Orizi 160 lekë

Sheqeri 80 lekë

Mishi 800 lekë kg

Energjia elektrike 500 lekë

 

Kriza ruse dhe ekonomia evropiane

“Kriza e ekonomisë ruse është jashtë mase e rëndë, jo vetëm për vendin por edhe për pjesën tjetër të Bashkimit Evropian”, – kështu është shprehur ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet. Problemet e Rusisë, për shkak të zhvlerësimit të Rublës falë rënies së çmimit të arit të zi, nuk janë të izoluara dhe nuk i takojnë vetëm Kremlinit – paralajmëroi Trichet. Monedha kombëtare ruse ka rënë me 50% përkundrejt dollarit, që kur sanksionet e perëndimit ndaj Rusisë filluan të aplikoheshin.

Ndërsa Banka Qendrore e Rusisë ka bërë disa ndërhyrje në mënyrë që të shpëtojë monedhën vendase, duke tejkaluar çdo pritshëmëri këtë fillim-javë kur edhe vendosi të rrisë në mënyrë dramatike normën e interesit deri në nivelin 17%. Trichet u shpreh se rënia e lirë e Rublës ruse, reflekton pa diskutim pozitat e dobëta në të cilat ndodhet vendi, duke shtuar gjithashtu se ai nuk është i bindur se situata është menaxhuar në mënyrë optimale nga Banka Qendrore e Rusisë.

Një kritikë kjo që në njëfarë mënyre u prek edhe nga presidenti Putin gjatë fjalës së tij të fund-vitit ditën e enjte. Ish-Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane deklaroi se, është me rëndësi që Bashkimi Evropian të gjejë një zgjidhje për krizën e Ukrainës, duke qenë se ata vetë janë të kërcënuar nga kriza ruse e ekonomisë për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe ndërlidhjeve.

Inflacioni tepër i ulët në Eurozonë mbetet gjithashtu një problem kritik sipas Trichet. Banka Qendrore Evropiane, sipas tij, duhet të përdorë të gjithë arsenalin e saj të masave në mënyrë që të parandalojë një situatë të mundshme deflacioni, që do të ishte shkatërrimtare për Evropën. Ai nuk harroi të jepte komente rreth debatit mbi mundësinë e blerjes ose jo nga ana e BQE-së të bonove qeveritare, duke vlerësuar se diçka e tillë mbetet tërësisht legjitime.

 

Nënshkruhet marrëveshja e gazifikimit me Azerbajxhanin

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri i Energjisë se Azerbajxhanit, Natig Aliyev, nënshkruan dje memorandumin e bashkëpunimit për zhvillimin e masterplanit të gazit të Shqipërisë, që do të shpërndajë për konsum gazin natyror të sjellë nga tubacioni TAP.

Gjiknuri pas takimit me homologun azer Natig Aliyev, në një konferencë për shtyp deklaroi se TAP-i është një projekt me shumë rëndësi për Shqipërinë dhe “kompanitë duhet të jenë aktive”. Qëllimi i këtij dokumenti, tha ai, është nisja e bashkëpunimit të masterplanit të gazit, ku vendi ynë është një përfitues real i këtij projekti. Gjithashtu, kjo nënkupton diversifikim të burimeve të energjisë dhe siguri më e lartë për këtë sektor, tha ministri Gjiknuri.

Homologu i tij azer, Natig Aliyev, deklaroi se jemi të kënaqur për bashkëpunimin. “Qëllimi ynë nuk është thjesht të sjellim gazin, por ta gazifikojmë të gjithë Shqipërinë. Kompania kombëtarë e gazit në Azerbaxhan ‘Socar’ po përgatit terrenin për gazifikimin e vendit tuaj, me studimet e terrenit, pas një sërë projektesh të rëndësishme që ka kryer në vende të tjera, si Gjeorgjia etj.”, – u shpreh Aliyev. Ky masterplan, theksoi ai, është dokument i rëndësishëm, ndërsa informoi se brenda dy viteve do të realizojmë këtë projekt shumë të rëndësishëm me Shqipërinë, që është ai i gazifikimit të vendit.