A janë zhdukur?! Flet Adrian Kati/ Ja arkivat ku gjenden dosjet e krimeve

0
324

Intervistoi: Violeta Murati

Stasi-FilesHapja e dosjeve të krimit komunist; A janë zhdukur vërtet dosjet?

Krimi komunist gjendet brenda: Arkivit të Partisë së Punës; Arkivit të Shtetit; Arkivit të Prokurorisë; Arkivit të Organizatës së Masave; Arkivit të Sigurimit; Arkivit të Degës së Dytë; Arkivit të Degës XVI; Arkivit të Degës Speciale.

Drejtori i Qendrës së Traumës dhe Rehabilitimit, një nga ish-të përndjekurit politikë, Adrian Kati, rrëfen për herë të parë se ka dëshmi të gjalla për zbardhjen e krimeve të diktaturës

Është hapur çështja e dosjeve të krimit komunist…, por dosje nuk ka. Thonë se ato janë shitur jashtë vendit, në Greqi dhe në vende të tjera. Thonë se ka njerëz, publikë e jopublikë, që kanë privatisht dosjet me emrat e bashkëpunëtorëve për ta përdorur “procesin e dosjeve” si lojë politike. Ana tjetër e medaljes, grupi i ish-të përndjekurve politikë është një “specie” në zhdukje, janë në një gjendje social- psikologjike të rënduar, të lodhur, të zhgënjyer, nuk kanë marrë as shpërblimin moral, e fëmijët e tyre po lindin me probleme të zhvillimit mendor. Këto janë deklaratat që lëshon drejtori i Qendrës së Traumës dhe Rehabilitimit, Adrian Kati, në një kohë kur hapja e dosjeve është kthyer në një rend dite në debatet politike, në Parlament dhe media.

Në këtë qendër janë vizituar rreth 20 mijë të persekutuar politikë, të cilët kanë dëshmuar emrat e krimit komunist, torturat e burgjeve komuniste, post-traumën e tyre në 16 vite të demokracisë. Çdo gjë është regjistruar në shirit diktofoni dhe me kamera. Duke ndier akoma frikën e persekutimit, emrat e të përndjekurve që dëshmojnë, janë me kode, sidomos kur ata denoncojnë krimin dhe emrat. Por si do të administrohet ky dokumentacion i gjallë? Kati tregon se për aq kohë sa procesi i zbardhjes së krimeve vazhdon, këto do të shërbejnë si prova e dëshmi të krimeve të diktaturës. Për njeriun që i ka vuajtur vetë mbi kurriz pasojat e diktaturës, këto dëshmi janë gjithashtu edhe kundërvënia ndaj dosjeve të falsifikuara të historisë komuniste, që mbajnë peng dhe sot.

Përse të djathtët e sotëm janë kaq shumë të dashuruar me materialet e policisë sekrete komuniste? Kujtojmë kështu një thënie të një personaliteti të përndjekjes politike në Poloni, Adam Mishnik.

Ky është ndikimi i ideologjisë së diktaturës.

 

A duhet të hapen dosjet për të nxjerrë një emër apo për të dënuar një krim?

Dosjet duhet të hapen për të identifikuar një krim, e sigurisht, emrat që lidhen me krimin.

 

Por, sipas deklaratave të specialistëve, dosjet në vendin tonë qenkan eliminuar me shumicë pas vitit 1990, e ajo që ka mbetur qenka një listë e gjatë emrash, bashkëpunëtorësh. Shumë pak dosje paskan mbetur.

Në qoftë se kjo është e vërteta, hapja e tyre nuk është se ndihmon të gjejmë shtratin ku ka lëvizur krimi komunist, në këtë rast evidentimin e elementëve që dëmtuan vërtet të tretët. Në këtë rast “shkelje” nuk përbën hapja e dosjeve, por mënyra e hapjes së tyre, e cila mund të jetë objekt manipulimi. Hapja e dosjeve nuk duhet të bjerë ndesh me rregullat e shtetit ligjor. Qëllimi i hapjes nuk është që të ndëshkojë njerëzit, të cilët pandehen si fajtorë – detyrë e prokurorëve – por të mbrojë demokracinë, duke mos lejuar keqpërdorimin politik dhe social. Hapja duhet administruar prej një komisioni të pavarur specifikisht, të krijuar prej qytetarësh të nderuar, emëruar nga kryetari i shtetit dhe aq nga Parlamenti.

 

Cila është përvoja juaj personale me diktaturën?

Shkollën fillore e kam kryer në Moskë dhe Pekin, ku për 6 vjet babai, Vasil Kati, përfaqësonte Tregtinë e Jashtme Shqiptare. Në mes të viteve ‘60, kthehemi në Tiranë.

Disa nga përshtypjet që më kanë mbetur nga ajo kohë, p.sh, rrugës për në shkollë, te lulishtja, aty ku tani është hoteli “Rogner”, na zinin pritë për t’u grindur, fëmijë më të rritur. Thjesht për t’u rrahur, ose se kishim ardhur nga jashtë. Më vonë, shpesh babai më qortonte: “Mos bëj akte rrugaçërie!” E vetëm se vishesha me ngjyra e kisha një motor “Vespa”. Një ditë më tha: “Adrian, Sigurimin e ke mbrapa”. Kjo ishte eksperienca ime e parë me organin e Sigurimit.

Në vitin 1975, babai arrestohet. E si pasojë, ne internohemi familjarisht për 15 vjet. Vendimi ishte marrë sipas rekomandimit të Komitetit të Partisë, prej Degës VIII dhe degës speciale. Vitet e para nuk arrinim të kuptonim qartë se në ç’botë kishim përfunduar. Në shtëpitë kasolle ku na çonin, jo vetëm që i gjithë shiu binte brenda, por nuk na linin as… Uji i pusit ishte rrafsh me sipërfaqen e tokës. Banorëve iu thoshin: “Po u miqësuat me të internuarit, do t’ju internojmë edhe ju”. Ata tmerroheshin. Por sinqerisht, nuk besoj se mund të gjesh vende më të studiuara në botë, se ato ku na internonin. Nuk dukej as televizori. Nuk dua të përmend vuajtjet e mëdha fizike dhe ekonomike. Buka e misrit me copa minjsh ishte nga gjërat e zakonshme. Për të punuar na çonin në ato vende që ishin mbi 2 orë larg dhe ku norma nuk mund të realizohej.

Aty gjetëm të internuar të tjerë, të cilët e kishin pësuar vite përpara nesh, të lodhur, të përgjuar, depersonalizuar, të imponuar, drejt degradimit fizik e moral.

Nuk mjaftonte armiqësia e banorëve, por “ujqërit e Sigurimit” vinin vazhdimisht rrotull, duke lëshuar parulla: “Jemi ne që ju mbrojmë, se po ju lamë në duart e popullit, ata do t’ju shqyejnë fare”. Dy ishin armiqtë më të spikatur – mungesa e perspektivës dhe balta, po, balta. Një nga ëndrrat më të bukura ishte pamja e asfaltit.

Batuta më e gjetur ishte: “Jemi punëtorë në kooperativën bujqësore”.

Nuk kishim as privilegjet e kooperativistëve, të cilët me të vërtetë ishin skllevërit, mbi shfrytëzimin e të cilëve mbështetej ai regjim. Njëherë erdhi një ekip, sepse disa njerëz që punonin me ne kishin bërë letra lart, duke iu thënë se pse punojmë ne të internuarit. U erdhi përgjigjja: “Partia ju konsideron të nderuar, sepse gjithmonë keni qenë të punës, ndërsa këta që i sollëm nga qyteti këtu, janë armiqtë të dënuar gjithë jetën”.

Ne ishim në kafaz, ku luhej me ne si miu me macen. Për të drejtat as që mund të mendohej, ata kishin në dorë jetën tonë. Gjatë një transferimi, në rimorkio të Skodës, nipi 10-vjeçar më pyeti: “Pse janë këta policë?” – Për të na ruajtur nga populli, – i thashë. Dëgjoj një zhurmë. Polici pranë, hoqi karikatorin e kallashit.

“Më fal”. – tha.

Ndërsa babai bëri 2 vjet hetuesi speciale. Speciale do të thotë në një qeli të veshur me jorganë, me duar të lidhura, helmetë në kokë. Torturat çnjerëzore le të mbeten turpi i atyre që i bënë, gjithë grupit të hetuesisë speciale. Ne për dy vjet nuk kishim asnjë lajm. Në momentin e arrestimit ai ishte mbi 110 kg, doli vetëm 56 kg. Duhej të firmoste se ishte spiun amerikan, meqenëse Enveri e kishte thënë diku. Tani mora vesh se babai, Vasil Kati, ishte shtetas amerikan. Një nga gjërat që kam peng ishte pamundësia për t’i çuar ushqime në burg. Por shumë nga të burgosurit, që i kam miq tani, ndanin bukën me të. Jam me fat që pata mundësinë për këto 16 vjet të jem pranë familjes së madhe të të përndjekurve politikë.

 

A mund të na thoni, si njeri që keni vuajtur në diktaturë, përse shteti komunist shqiptar kishte nevojë për këto dosje, të cilat i ruajti gjatë gjithë regjimit me shumë fanatizëm?

Për të mbajtur nën tutelë, kontroll dhe pushtetin e frikës shtetasit e vet, i ndikuar nga ndjenja e paranojës.

 

Mos vallë kjo ka të bëjë me transferimin e fajit diku, te bashkëpunëtori?

Kjo ka të bëjë më tepër me shikimin e fajit inekzistent.

 

Si është e mundur që shteti i përdorte deponimet e disa shtetasve për të dënuar disa të tjerë, pra po flasim për një fjalë të përdorur më shpesh në këto ditë, për spiunët?

Spiunët kanë qenë përdorur si njerëz që në fillim ishin bashkëvuajtës e bëheshin miq me “viktimën”, derisa ai dëshmonte dhe i besonte plotësisht, e më pas binte në kurth. Në librin e zi të komunizmit jepet një ngjarje e treguar nga një prift katolik hungarez, i cili kishte kaluar si në hetuesinë naziste, ashtu edhe në hetuesinë komuniste. Dhe kur e pyetën se cili është ndryshimi midis të dyjave, ai tregon: “Që të dyja përdorin të njëjtat skema torture, por n.q.s nazistët i përqendronin pyetjet e tyre gjatë torturës, duke thënë “na trego shokët”, komunistët thoshin: s’ka nevojë të na tregosh gjë, se i kapim vetë, duam të na firmosësh ato që duam ne”.

 

Në këto vite kemi parë artikuj pafund në media nga njerëz të ish-Sigurimit të Shtetit, që kanë treguar historitë e tyre në diktaturë. Madje, ata kanë thërritur për hapjen e dosjeve, si e komentoni këtë?

Nga rastet që kanë ndodhur pas vitit ‘90, sipas pohimeve të z. Bezhani, kryetar i komisionit të verifikimit të figurës, janë më shumë situata emocionale ose personale. Oficerë të lartë kanë treguar pranë komisionit emrat e bashkëpunëtorëve, për të goditur personat e ndryshëm publikë. Nga ana tjetër, thonë se ish-Sigurimi i Shtetit ka në dorë gjithë Shqipërinë. Thonë se ka njerëz publikë e jopublikë, që kanë privatisht dosjet me emrat e bashkëpunëtorëve për ta përdorur “procesin e dosjeve” si lojë politike. Ndërkohë që thonë se këto dosje janë shitur edhe jashtë, në Greqi e vende të tjera…, por thonë…

 

Po çfarë thotë raporti i vitit 1996 nga evropianët për Shqipërinë, mbi mënyrën se si është shpërdoruar misioni i hapjes së dosjeve?

Shqipëria pas rënies së komunizmit aplikoi dy ligje lustracioni: 1. Ligjin e gjenocidit dhe e dyta, verifikimin e figurave zyrtare (30 nëntor 1995). Të modeluara sipas ligjit çek (i cili në Çeki u amendua nga Gjykata Kushtetuese Çeke). Një çështje që përfshinte gazetarë dhe nëpunës të pozitës së lartë në gazeta me qarkullim mbi 3000 kopje, u përpilua. Raportuesit Columberg, Lordi Finsberg dhe Ruffy bënë kritika në lidhje me të drejtën për t’u zgjedhur, me të drejtën për t’u zgjedhur, si dhe me përbërjen dhe karakterin e komisionit verifikues, tërësisht në duart e qeverisë. Ligji shqiptar duhet të ndryshojë në disa pika (më të rëndësishme); lustracioni duhet administruar nga një komision i pavarur; lustracioni mund të përdoret vetëm për të eliminuar kërcënimin që paraqet subjekti i lustracionit; lustracioni nuk mund të përdoret për ndëshkim, poshtërim apo hakmarrje; lustracioni do të kufizohet për pozicione, ndër të cilat ka arsye të shëndosha për të menduar se subjekti do të mund të paraqesë rrezik serioz për të drejtat e njeriut dhe demokracinë; lustracioni nuk aplikohet nga pozicione zyrtare në zgjedhje; lustracioni nuk do të aplikohet për pozicione të organizatave private e gjysmë private.

Skualifikimi i pozicionit zyrtar nuk mund të zgjasë më tepër se 5 vjet.

Lustracioni do të imponohet vetëm për ato akte, realizuar prej 1 janarit 1980 deri në periudhën e rënies së diktaturës. (Jo për dhunimet e të drejtave të njeriut proceduar sipas ligjeve penale). Lustracioni i “bashkëpunëtorëve të ndërgjegjes”, i lejueshëm vetëm në rastin e individëve që dëmtuan vërtet të tretët dhe që dinin se sjellja e tyre ishte dëmprurëse.

Lustracioni nuk duhet të aplikohet.

Persona, që nuk kishin mbushur moshën 18 vjeç.

Persona, që vullnetarisht u larguan përpara tranzicionit.

Persona, që vepruan të detyruar.

Në asnjë rast, dikush nuk mund t’i nënshtrohet lustracionit pa iu siguruar

ndihma e qartë ligjore.

 

A përbën shkelje të të drejtave e njeriut ky proces?

Ky proces përbën një hap të domosdoshëm historik. Ne kërkojmë të dënojmë krimet, nuk duam të denigrojmë personalitetin e zbatuesve të krimeve, por as nuk mund të heshtim para një gjëje të tillë.

 

Konventa evropiane kundër torturës shprehet se “n.q.s. një njeri me pushtet shtetëror i kërkon një shtetasi pohim… ose firmosje dokumentesh, kemi të bëjmë me torturë”. Ky nen duhet projektuar mbi procesin “dosje”?

Patjetër. Termi i torturës në atë kohë jo vetëm që nuk njihej, por ne nuk ishim as të ndërgjegjshëm se kjo që po na ndodhte ishte një makabritet. Ishte shumë e vështirë ta pranoje një gjë të tillë. Legjislacioni shqiptar nuk ka një përkufizim për termin torturë. Tortura nënkupton çdo akt, me anë të të cilit një personi i shkaktohet në mënyrë të qëllimshme dhimbje apo vuajtje fizike apo mendore, me qëllim marrjen nga ana e tij apo e një personi të tretë të një pohimi, duke e dënuar atë për një akt të kryer, apo që dyshohet të jetë kryer nga ai vetë apo një person i tretë, ose për çdo arsye mbi bazën e diskriminimit të çdo lloji, kur dhimbja apo vuajtja është shkaktuar nga një punonjës që kryen një detyrë zyrtare; apo që vepron në kapacitetin e një punonjësi zyrtar, apo është nxitur nga ana e tij, apo është kryer me miratimin apo dijeninë e tij. Tortura nuk përfshin dhimbjen dhe vuajtjen, që rrjedh vetëm nga sanksionet ligjore të qenësishme, apo rastësishme. Neni 25 i Kushtetutës dhe nenet 86 dhe 87 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë ndalojnë dhe dënojnë aktet e torturës, pa dhënë ndonjë përkufizim të saj. Megjithatë, që nga 11 maji 1994 në Republikën e Shqipërisë ka hyrë në fuqi Konventa e OKB-së kundër torturës dhe dënimeve, ose trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese, dispozitat e së cilës, në bazë të nenit 122 të Kushtetutës, janë pjesë përbërëse e legjislacionit të brendshëm.

 

Si duhet gjykuar, sipas jush, ajo periudhë historike?

Është një periudhë fatkeqësisht aq e gjatë, sa do të ishte e pamundur të mos linte pasojat në jetën e sotme të kombit shqiptar dhe në mentalitetin postkomunist, të vështirë për t’u shndërruar në mentalitet të mirëfilltë demokratik.

 

Në vitet në qendrën që ju drejtoni, sipas statistikave tuaja, janë realizuar mbi 20 mijë vizita të të përndjekurve në të gjithë Shqipërinë. Çfarë ka rezultuar nga dosjet e tyre, cilat janë dëshmitë që keni rezervuar? 

Dosjet, të cilat Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka në dispozicion, kanë të bëjnë me gjendjen sociale, psikologjike dhe somatike të personit të asistuar. Sigurisht, brenda regjistrohet edhe kalvari i vuajtjeve të tyre, si edhe emrat e atyre që ia kanë shkaktuar këto vuajtje. Qendra ka një database me mbi 42 mijë emra të persekutuarish politikë, të ndarë në kategori: të pushkatuar, të vdekur në burgje, që kanë humbur aftësitë mendore të burgosur, të internuar, të dëbuar. Ky database përbën pasurinë bazë statistikore të qendrës. Këto materiale përfaqësojnë statusin e të përndjekurit politik.

QSHRT ka filluar që në themelet e saj procesin e këtij memorizimi apo regjistrimit të historive, pasojave, jetën e sotme, në të cilin vetë viktimat apo të afërmit e tyre japin dëshmitë e gjalla të asaj periudhe dhe krimet apo torturat çnjerëzore të ushtruara mbi dhjetëra mijëra persona të pafajshëm. Gabimi i tyre ishte se nuk pranuan të mbartnin pafundësisht prangat e skllavërisë dhe ndrydhjes totalitare, pavarësisht se sa u kushtoi kjo përpjekje. Një nga modalitetet e asistencës psiko-sociale të QSHRT-së është edhe dëshmia e regjistruar me kamera ose diktofon, e cila është një dëshmi që mbetet dhe ideja është që i kalon të afërmve, nipërve e mbesave. Dhe nëse procesi i zbardhjes së krimeve vazhdon, këto mund të shërbejnë si prova e dëshmi të krimeve të diktaturës.

Këto janë dosje të gjalla, që mbase do të zëvendësojnë dosjet e humbura nga arkivat.

 

Këto dëshmi, për të cilat thoni “të gjalla”, a do të jenë të hapura për studiuesit, ekspertët, për të mbështetur debatet e sotme politike, apo për historianët? Si keni menduar t’i administroni këto dëshmi?

Qëllimi i punës tonë është të krijojmë memorien e persekutimit komunist dhe ne jemi të bindur se po bëjmë një gjë me vlera të mëdha për të ardhmen e kombit, që shqiptarët të mos dëgjojnë më debatet e ndezura politike, që mbajnë peng të vërtetën. Kjo është edhe kundërvënia jonë ndaj dosjeve të falsifikuara të historisë komuniste, që mbajnë peng akoma dhe sot. Sigurisht, emrat e të përndjekurve atje janë me kode, sidomos kur ata denoncojnë krimin komunist. Këto në shumicën e rasteve janë dhe kërkesa të ish-të përndjekurve, sepse akoma ata ndjejnë frikën e persekutimit. Ne kemi bërë disa botime dhe do të vazhdojmë të bëjmë të tjera dhe në fokus të veçantë kemi njohjen së pari me atë çka ka ngjarë realisht në diktaturë. Ne shpresojmë që botimet tona të arrijnë të krijojnë frymën e nevojshme në vend për të vërtetën dhe zgjimin e vetëdijes.

 

Kjo do të thotë se ju keni dokumentacione të vlefshme për zbardhjen e krimeve të diktaturës?

Dokumentacioni ynë arkivor konsiston në statistika, të cilat përpiqemi t’i saktësojmë gjithnjë e më shumë: krime, tortura, literaturë mbi torturën e traumën, letërkëmbime, regjistrime në video apo kasetofon të dëshmive. Ne edhe sot e kësaj dite vazhdojmë t’i mbledhim këto dokumentacione. Sigurisht që këto do të jenë mjaft të vlefshme më vonë, për zbardhjen e krimeve të diktaturës, me qëllim dënimin e tyre dhe rehabilitimin e të mbijetuarve apo familjeve të viktimave.

 

A i keni emrat e kriminelëve dhe cila është ndjeshmëria e të përndjekurve politikë ndaj tyre?

Zakonisht ka dy grupe të ish-të përndjekurve: shumica prej tyre nuk dëshirojnë të flasin për torturuesit apo kriminelët e tyre, megjithëse nuk e kanë harruar dëmin e shkaktuar. Duket sikur ata kanë falur në heshtje, megjithëse duket e pamundur të falësh, atë që të shkatërron jetën tënde dhe të të afërmve.

Ndërsa një pjese të tyre duket sikur u fle një ndjenjë hakmarrjeje në miniaturë, flasin vazhdimisht për torturat dhe megjithëse shfaqin mllefin e drejtë të tyre, duket sikur brenda vetes kanë parimin: “Kurrë mos dëno për krimin që të kanë dënuar ty”.

 

A keni tentuar të mblidhni informacione nga arkivat shtetërore, pasi flitet për zhdukjen e dokumentacioneve bazë që dëshmojnë krimet komuniste?

Ne nuk jemi institucion shtetëror i evidentimit të historisë së krimit komunist, por jemi një OJQ, punojmë me donatorë të huaj, të cilët nuk kanë në programet e tyre mbështetje kaq të gjerë për këto aktivitete. Por, duke qenë se ne merremi me rehabilitimin e personave të persekutuar politikisht, gjë që do të thotë rehabilitim moral, material dhe mjekësor, jemi munduar ta kapim edhe këtë fushë. Ne kemi pasur dhe kemi bashkëpunim me Arkivin e Shtetit, nga i cili kemi marrë një numër të rëndësishëm dokumentesh si dhe me Muzeun Kombëtar dhe me arshivën e Ministrisë së Brendshme. Por në përgjigje të pyetjes suaj ne kemi kërkuar nëpërmjet arkivit të Ministrisë së Brendshme një informacion për 80 gra të ekzekutuara me gjyq e pa gjyq nga komunizmi dhe na u përgjigjën se dispononin informacion vetëm për pesë prej tyre, një fakt që është bërë publik edhe në gazetën tuaj.

 

Procesi i dosjeve tashmë është kthyer në një vëmendje mediatike. Ju si e gjykoni këtë atmosferë debatesh?

Atmosfera e debatit në media paraqet interes për të kuptuar më tepër rreth pozicioneve të ndryshme që afrojnë grupe të caktuara. Sigurisht, debati nuk mund t’i shpejtojë pasojat e mbetura nga totalitarizmi gjysmë shekullor. Diskutohet shumë, sidomos në rastet si ky i hapjes së dosjeve, por shpesh kuptohet pak se ku duan të dalin. I munguari i medias shqiptare është ai i persekutuari i zakonshëm, ai që s’ka strehim, s’ka ilaçe, në moshë të thyer, shpesh me fëmijë të vegjël dhe jo rrallë me probleme të zhvillimit. I lodhur, i zhgënjyer, i mashtruar….

 

Sot, kush mund të merret, sipas jush, me përcaktimin e “fajtorit” pasi janë shumë zëra që kërkojnë hapjen e dosjeve?

Me formulimin e rezolutës pas Konventës së parë kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit, ne, jo pa qëllim, pikën 4 e formuluam: “Të hapen arkivat e krimit komunist”, duke marrë parasysh dyshimin se politika do të sulej te manipulimi i dosjeve. Të kesh vullnetin e dënimit të krimit komunist, së pari duhet të shpjegohet se si komandanti i krimit arriti të mbijetonte 16 vjet në pluralizëm, si hero i pluralizmit, e dy herë hero i punës dhe vazhdoi të jepte udhëzime për t’i lënë të përndjekurit politikë të parehabilituar, duke realizuar plotësisht planin e tij 16-vjeçar.

Tarasi apo Shpati ia hodhi politikës. Mbi gjysma e atyre që ai dënoi, vdiqën në mjerim dhe mijëra të tjerëve që ai ekzekutoi, nuk iu gjetën dot eshtrat. Krimi komunist gjendet brenda: Arkivit të Partisë së Punës; Arkivit të Shtetit; Arkivit të Prokurorisë; Arkivit të Organizatës së Masave; Arkivit të Sigurimit; Arkivit të Degës së Dytë; Arkivit të Degës XVI; Arkivit të Degës Speciale.

Për të evidentuar të gjithë krimin komunist, është i nevojshëm krijimi i një atmosfere favorizuese, duke hartuar një strategji kombëtare.

Gjithashtu, është e domosdoshme të krijohen komitete të pavarura ekspertësh, të cilat jo vetëm të marrin në dorë dokumentacionin sekret, por edhe të mbledhin dëshmi nga ata, të cilët për fat të keq janë ende gjallë. Dënimi i krimit komunist njëkohësisht do të thotë evidentimin e gjendjes social-ekonomike të të gjithë të persekutuarve politikë, duke marrë masa të menjëhershme dhe urgjente, për t’i çuar ata mbi standardin jetësor mesatar kombëtar. Si është e mundur pra, që shteti shqiptar pas 16 vjetësh, ende nuk ka numrin e saktë të të dënuarve politikë? Hapni arkivin e prokurorisë brenda në Arkivin e Shtetit. Mund ta gjeni brenda ditës. Si është e mundur që në një shtet demokratik, të përndjekurit politikë të vdesin nga mungesa e ilaçeve. Shyqyr që shpëtuan veteranët …. Janë këto disa nga gjërat që tregojnë se kush do të marrë për shqyrtim zgjidhjen e menjëhershme të këtyre problemeve, mund të dënojë krimin komunist.

 

Botimi i qendrës suaj, “Antologjia e krimit komunist”, që është publikuar në gazetën tonë prej një muaji, ka shërbyer si material bazë për diskutimet në Parlament. A mendoni se shërben kjo si fushatë sensibilizuese për hapjen e dosjeve?

Është gjëja e duhur. Nëse e kaluara harrohet, përsëritet.

 

Cilat janë eksperiencat e vendeve që mund të adaptohen këtu, si një model për procesin e dosjeve?

Në shtyp, gjatë këtyre 16 vjetëve është folur shumë se si janë hapur dosjet në vendet e ish-bllokut lindor, që përfshin Gjermaninë, Çekinë, Poloninë, Bullgarinë, Rumaninë etj. Sigurisht, këto janë detaje që kanë të bëjnë me individualitetin që ka kaluar çdo vend gjatë diktaturës. Gjermanët bënë hapje totale, të nisur nga nevojat e tyre për të shkulur influencat e zbulimit rus dhe njëkohësisht, duke harxhuar miliarda dollarë. Polakët patën debate deri për Les Valesën, në të cilat është interesante shprehja e disidentit të madh Adam Mishnik, që iu drejtua partive politike të djathta se si është e mundur që të jeni kaq të dashuruar me dokumentet e policisë sekrete komuniste. Bullgaria pati problemet e veta si një vend kufi me Rusinë, por mendoi të përdorte një variant, që t’i linte për pesë vjet që të shihnin dosjet. Rusia ende nuk i ka hapur dhe as nuk ka për t’i hapur dosjet. Por interesant është fakti i Greqisë, vendit të preferuar të shqiptarëve, ku, sipas një studimi, të dënuarit politikë të kolonelëve nuk duan më t’iu kujtohet e kaluara e tyre si të dënuar. Shteti grek arriti në mënyrë të shpejtë të dëmshpërblinte të dënuarit dhe pastaj, në mirëkuptim, dogji të gjithë dokumentacionin komprometues. Shembuj të tjerë ka, si komisioni i së vërtetës në Afrikën e Jugut, ku para një jurie si të persekutuarit, ashtu dhe bërësit e krimit rrëfehen përpara një komisioni, që regjistron pohimet e tyre. Dhe në Kili është sugjeruar e njëjta metodë. Siç e shihni, rasti i Shqipërisë gjithmonë është rasti i vetëm që përherë ka lidhje me terrorin total të ushtruar mbi këtë popull.

 

A keni konstatuar që disa nga atitudat e torturave vazhdojnë edhe në vitet e tranzicionit?

Patjetër dhe do të thosha se kjo është edhe shfaqja më e mirë e mentalitetit të trashëguar të dhunës nga e kaluara totalitare. Mënyra pasive e reagimit të viktimave është edhe kjo një pasojë e heshtjes, ndrydhjes dhe gjumit të gjatë si një tregues i frikës për të kërkuar të drejtën dhe për t’u rebeluar ndaj padrejtësive.

 

A jeni të mendimit se dosjet zvarriten qëllimisht, ndërkohë që qendra juaj ka lëshuar alarmin se të dënuarit politikë janë grupe në zhdukje?

 Për këtë nuk mund të prononcohem, sepse është një ndërthurje komplekse faktorësh, që ndikojnë në zvarritjen e këtij procesi. Por hapi i parë i kryesor është të kuptojmë rëndësinë historike e morale të këtij procesi. Ndryshe do të kemi gjenerime të njëpasnjëshme traumash dhe viktima të tjera, të “minidiktatorëve”, doza të të cilit i mbartim të gjithë sot.

*Ribotim nga “Standard”, nxitur nga debati aktual për hapjen e dosjeve dhe ligjin e lustracionit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency