Reali i Madridit, mbreti i fushës dhe i shifrave…

0
113

Jurges Veizaj

 Reali i Madridit, mbreti i fushës dhe i shifrave…2Skuadra e galaktikëve ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për të sjellë yjet e mëdhenj në “Bernabeu” dhe për të krijuar këtë skuadër që sot ka këtë peshë

Reali është ekipi më i madh në botë. Me më shumë tituj në Ligën e Kampioneve dhe rivalizon me Barcelonën në kampionatin spanjoll. Një ekip që nuk ka se për çfarë të kritikohet, pasi është një “industri e rëndë” dhe që bën gjithmonë bujë me lëvizjet e tij në merkato. Edhe në këtë aspekt duhet thënë që është “mbret”. Ndër vite galaktikët kanë bërë lëvizje të lojtarëve të mëdhenj në merkato. Emrat më të mëdhenj janë tunduar nga shifrat që kanë ofruar spanjollët dhe kanë shkuar të shkruajnë historinë me “Los Blancos”. Një histori suksesi, e cila vazhdon edhe sot. Veçanërisht kjo periudhë njeh lulëzim me Florentino Perezin. Nuk është sheik, por më i çmendur se ata. Arrin që çdo dëshirë të tijën ta bëjë realitet, pavarësisht prej çmimit. Shumë herë i kritikuar se prish futbollin, por që ekipit të tij i sjell gjithmonë sukses. Më i fundit ishte Xhejms Rodrigez, ndërkohë që vjet u ble Bejli, që ishte blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit. Paraja dhe Reali kanë një marrëdhënie shumë të mirë dhe e shfrytëzojnë njëra-tjetrën sa herë në lojë vihet prestigji dhe suksesi.

 

 Gareth Bejl

U bë bujë e madhe kur Gareth Bejl u konfirmua si futbollist i Realit të Madridit. Klubi mbretëror në fund e dha deklaratën e shumëpritur se uellsiani do ta vazhdonte karrierën në “Santiago Bernabeu”. Lojtari ishte dhe më i shtrenjti në histori, pasi blerja e tij shkoi në shifrën e 100 milionë eurove, çka e bën edhe më të shtrenjtën në histori. Bejl është i lidhur me Realin për gjashtë vitet e ardhshme, ndërsa prezantimi i tij zyrtar u pasua nga shumë njerëz. Nga ana tjetër, edhe menaxheri i Totenhemit në atë kohë, Andre Vilas-Boas, konfirmoi se 24-vjeçari do ta vishte fanellën e “Los Blancos”. Kreu i spërsave, Daniel Levi, ka thënë se Gareth ishte një futbollisti të cilin nuk kanë dashur ta shesin, sepse e donin për ndërtimin e të ardhmes së klubit, mirëpo kjo duket se ka qenë e pashmangshme.

 

Kristiano Ronaldo dhe Kaka

Mançester Junajtid pranoi një ofertë rekord prej 96 milionë eurosh nga klubi i Realit të Madridit, për të lënë të lirë lojtarin e krahut, Kristiano Ronaldon. “Junajtid ka rënë dakord që t’i japë leje Realit të Madridit, për të folur me lojtarin”, – thuhej në një deklaratë për shtyp, që lëshoi klubi i Realit. Vendimi që 24-vjeçari i Mançester Junajtidit të mos ishte me pjesë e djajve të kuq, lidhej me faktin se “kishte shfaqur dëshirën për t’u larguar nga klubi”. Klubi i Junajtidit theksonte se oferta kërkonte edhe disa ditë të tjera, që të jepej verdikti përfundimtar. “Reali i Madridit konfirmoi se i kishte bërë një ofertë klubit të Mançester Junajtidit për lojtarin Kristiano Ronaldo dhe është dhënë vistoja e klubit”, – shkruhej në një deklaratë që lëshoi Reali. Sipas burimeve pranë pronarëve të klubit të Mançesterit, vendimi përfundimtar për shitjen e Kristiano Ronaldos ishte marrë nga ana e trajnerit të ekipit, Aleks Ferguson. Shuma që i kishte afruar Reali klubit anglez të Mançester Junajtidit, shkonte në 95 milionë euro. Zëdhënësi i lojtarit theksonte: “Ishte një vendim i vështirë dhe nuk kishte të bënte fare me strukturën financiare të klubit të Mançester Junajtidit”. Pas shitjes së Ronaldos, klubi anglez do të afronte disa yje të tjerë të futbollit evropian. Reali i Madridit firmosi një kontratë me brazilianin Kaka për një shumë prej 65 milionë eurosh, por me blerjen e Ronaldos vendosi një rekord të ri në tregun botëror të lojtarëve. Kjo uli Zinedin Zidanin nga froni i lojtarit më të kushtueshëm në botë. Dy marrëveshjet, për të sjellë në Madrid lojtarë të klasit botëror, u realizuan falë një projekti të presidentit Florentino Perez, që mori në dorë drejtimin e klubit dhe nisi menjëherë një epokë të re, e ashtuquajtura “Galacticos II”. Perez ka bërë të qartë se “çdo gjë është e mundur”, për Ronaldon. Ronaldo u bashkua me djajtë e kuq në vitin 2003, kur kaloi nga Sportingu i Lisbonës për një shumë prej 12. 2 milionë sterlinash.

 

Xhejms Rodrigez

Ylli ka shkuar pranë yjeve të tjerë për të bërë kështu një ekip të frikshëm për sezonin tjetër. Gjithçka duket se ka mbaruar me fund të lumtur për telenovelën “Rodrigez”. Një goditje e madhe që u pasua nga komunikata e klubit, pasi në mëngjes kolumbiani kishte kryer vizitat mjekësore në një klinikë të Madridit. Talenti kolumbian ishte një ndër sensacionet e Brazil 2014-ës. Lojtari zhvilloi një turne fantastik, duke arritur të jetë protagonist me ekipin e tij. Vetëm 22 vjeç dhe u shpall golashënuesi i kompeticionit. Vetë lojtari u shpreh se ekipi i tij i preferuar ishte Reali dhe se po të bëhej një ofertë nga spanjollët, do të shkonte symbyllur. Një deklaratë kjo që tërhoqi vëmendjen e Perezit, që u hodh në sulm për të parë opsionet me lojtarin. Kolumbiani ushtroi presion te klubi aktual që të pranonte ofertën e fundit të “Los Blancos”, 80 milionë euro. Reali do të derdhë në arkat e klubit të principatës 80 milionë euro. Vetë futbollisti ka firmosur një kontratë 6-vjeçare prej 7 milionë eurosh në vit.

 

Zinedin Zidan

Në vitin 2001, “magjistari francez” u transferua nga Juventusi te klubi spanjoll, Reali i Madridit, që për ta pasur mes radhëve të tij, përveç një kontrate trevjeçare, shpenzoi rreth 135 miliardë lireta, duke e bërë lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit në atë kohë që më pas u thye nga Ronaldo dhe Bejl. Edhe pse ai u kritikua shumë gjatë kohës që luante atje. Francezi së bashku me “yjet” e Realit do të bënin që në 2002-shin madrilenët të çonin në Spanjë Kupën e Kampioneve, në finalen kundër Bajern Liverkusenit. Aventura e tij te spanjollët do të përfundonte në sezonin 2005-2006. Në prill të 2006-ës deklaroi se do të tërhiqej nga futbolli pas Botërorit të Gjermanisë. Në 7 maj të këtij viti, Zizu luajti ndeshjen e fundit në nivel klubesh kundër Vilarealit, në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Tifozët e Realit i kishin rezervuar një surprizë të këndshme, duke mbajtur në duar pankarta me emrin dhe numrin e tij, ndërsa shokët e tij të skuadrës kishin veshur bluza me mbishkrimin “Zidane 2001-2006”, nën logon e klubit.

 

Luis Figo, nga Barcelona te Reali

Fansat e Barcelonës janë ndier shumë të fyer nga “tradhtia” e Luis Figos, sa i kanë hedhur shishe të mbushura me urinë në fushë dhe kanë shpalosur në stadium banderola të Figos duke folur me një derr. Portugezi u transferua nga skuadra katalanase te Reali i Madridit për 72 milionë euro në vitin 2000. Ai fitoi me “Los Blancos” 2 tituj në La Liga, si dhe Ligën e Kampioneve të vitit 2002. Gjatë kohës së tij në “Bernabeu”, Barcelona që kishte fituar 2 tituj La Liga me të, nuk pati asnjë sukses, ndërsa te Reali ishte pjesë e skuadrës së madhe të galaktikëve bashkë me Zidanin dhe arritën të fitonin Champions-in.

 

Modeli i suksesshëm i të bërit biznes

Reali i Madridit shpenzoi gjithsej plot 80 milionë euro për ta bërë të vetin Xhejms Rodrigezin dhe deri tani të dhënat flasin për një investim të mençur nga ana e gjigantëve të Spanjës. Gjatë prezantimit të kolumbianit në “Bernabeu”, në harkun kohor të 60 minutave u shitën 900 fanella me emrin e tij për një shumë totale prej 90 mijë eurosh. Në një ditë, të dhënat jozyrtare tregojnë shifra edhe më stratosferike, 40 mijë fanella, nga të cilat në arkën e Realit shkuan plot 4 milionë euro. Kjo do të thotë se vetëm nga bluzat e stampuara me emrin e Xhejms Rodrigezit, “Los Blancos” siguruan 5% të shumës që u investua për transferimin e tij nga Monakoja. Është një sukses i jashtëzakonshëm falë epidemisë “Xhejmsmania”, që infektoi sa hap e mbyll sytë një botë të tërë madrilene. Pa dyshim që çmimet e fanellave gjatë kësaj kohe kanë qenë pak më të kripura se zakonisht, sepse është marketing në fund të fundit dhe Reali është munduar të përfitojë sa më shumë nga kjo çmenduri kolektive, ndërkohë që Perez edhe njëherë u ka treguar të gjithëve se shikon shumë larg. Për ta rikuperuar çdo qindarkë të investimit te Xhejms Rodrigez, mbetet ende shumë, por duhet të kemi parasysh se sezoni nuk ka nisur ende dhe përpara janë abonimet, turnetë, si dhe evente të tjera që gjithashtu sjellin fitime.

 

1 miliard eurot e shpenzuara për “La Decima”-n

Reali ka dhe dështime. “La Decima” është një numër i madh te Reali i Madridit. Akoma më e madhe është shuma e parave që klubi ka shpenzuar për ta ndjekur atë. Që nga koha kur Zinedin Zidan fitoi titullin e nëntë të Champions-it në historinë e “galaktikëve” në vitin 2002, të ardhurat e shpërndara nëpër kontinent në ndjekje të “të dhjetës” mbledhin një shumë të jashtëzakonshme, 999 milionë sterlina. Ndërsa që nga ardhja e Florentino Perezit në vitin 2009 në postin e presidentit, madrilenët kanë shpenzuar 620 milionë sterlina. Kjo pa dyshim përfshin dy futbollistë të blerë për shumën e 80 milionë sterlinave, që janë Kristiano Ronaldo dhe Gareth Bejli, shifra që e kanë thyer tri herë rekordin e transferimeve në botë. Çeqet e lëshuara për më të mirët dhe pjesën tjetër të ekipit në vit kapin shifrat e 83. 5 mln sterlinave. Për shumën e 13. 4 milionë paundëve erdhi Xhonathan Udgeit, i cili shënoi gol në portën e vet dhe mori një karton të kuq në debutim. Për 22. 8 milionë sterlina u morr Mahamadu Diarra, i cili për herë të fundit në një kampionat prestigjioz u pa me Fulhamin, ekip që ra nga kategoria në Angli. Ndërkohë që për 11. 5 mln sterlina u morr Roiston Drenthe, i cili shënoi dy herë në 24 paraqitje me Ridingun në këtë sezon. Shifra të larta u shpenzuan për sulmuesin Karim Benzema (25 mln paund), ndër më të kërkuarit nga talentet e reja dhe 39. 6 mln sterlina për brazilianin Ronaldo. Mirëpo, shifra më e madhe u harxhua në sezonin 2009- 2010 më shumë se 220 milionë sterlina, ndërsa në “Bernabeu” erdhën Kristiano Ronaldo, Kaka dhe Benzema. Pavarësisht kësaj, progresi më i madh në fazën e Champions-it, për “galaktikët” në 11 sezonet e luajtura kanë qenë gjysmëfinalet. Për 6 vite radhazi ata dështuan që të shkonin përtej 1/8-ve. Ndërsa më në fund këtë sezon arritën të shpallen dhe kampion.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency