Ndërtimet pa leje/ Debati në Kuvend, Blushi: Nuk është zgjidhje burgu. Rama: Je bërë si opozita

0
130

Gëzim Saliu

 rama-blushiNegociatat pa kamera, Rama ngre zërin në Kuvend. Qeveria tërhiqet pas kundërshtive të deputetëve, dënimi për ndërtimet pa leje nga 5 ulet në 3 vite burg

Amendamenti i propozuar nga ana e qeverisë në kuadër të ndryshimeve të Kodit Penal për ashpërsimin e sanksioneve për ndërtimet pa leje që çojnë deri në burgosjen e personave të përfshirë në këto ndërtime, solli debate të forta në radhët e mazhorancës. Në seancën e djeshme parlamentare, ku u diskutua ligji, nuk munguan replikat dhe ironitë mes Kryeministrit Rama dhe deputetit Ben Blushi, si edhe kundërshtitë e ligjvënësve Spartak Braho e Fatmir Xhafaj. Ndërkaq, kreu i qeverisë i ka qëndruar deri në fund variantit të tij se vetëm me masa radikale dhe jo fakultative do të mund të zgjidhet problemi me ndërtimet pa leje, ashtu siç po merr zgjidhje, sipas tij, edhe situata e energjisë elektrike. Por deputeti Braho shprehur pakënaqësi në lidhje me formulën e dispozitës, e cila, sipas tij, nuk ishte në kuadrin e duhur ligjor. Nga ana e tij, deputeti Xhafaj, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, tha se ndërhyrjet në Kod duhet të jenë më të kujdesshme. Më i ashpër në reagimin e tij ishte ligjvënësi socialist Ben Blushi, i cili në replikë me propozuesit e ligjit dhe më pas me kreun e qeverisë tha se burgu nuk duhet parë si zgjidhja e çdo problemi që kalon vendi.

 

Replikat dhe negociatat

Sipas deputetit Blushi, ligji i qeverisë është i mjegullt, pasi nuk bën dallimin mes keqbërësit dhe nevojtarit. Në këtë kontekst, Blushi theksoi se qeveria nuk duhet të gjejë zgjidhje për të gjitha problemet tek burgu. “Po e përdorim pak si pa masë kohët e fundit dhe nuk besoj se burgu është mundësia e vetme që kanë shqiptarët për t’u korrektuar. E kanë provuar 50 vjet, për 50 vjet kushdo futej në burg, por ka instrumente të tjera shteti për t’i korrektuar”, – tha ai. I menjëhershëm ne reagimin e tij, kreu i qeverisë i ka kujtuar Blushit se kjo akuzë e fundit nuk është origjinale nga ana e tij, pasi këtë ka kohë që e ka ndërmarrë opozita. “Përballë këtij kanceri unë vetë nuk shoh mundësinë e një terapie tjetër, veç asaj radikale”, – u shpreh Rama. Pas ndërhyrjes së radhës të deputetit Braho, i cili kërkoi 5 minuta pushim, me qëllim mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe zgjidhjen e dispozitës që krijoi debatin në Kuvend, palët u përfshinë në debatin pa media. Për më shumë se 20 minuta në sallën e Parlamentit nuk munguan debatet dhe argumentet e palëve për ligjin, ku shpeshherë zëri i kreut të qeverisë ishte më i lartë nga të gjithë deputetët. Mësohet se kreu i qeverisë ka argumentuar edhe një herë, duke mos kursyer ngritjen e zërit, para deputetëve “rebelë” si edhe ligjvënësve të tjerë se vetëm përmes këtyre masave, ashtu si edhe në aksionin e energjisë, do të mund të zgjidhet çështja e ndërtimeve pa leje. Pas mbledhjes edhe të Komisionit të Ligjeve, si edhe debateve në sallë pa kamera, palët kanë rënë dakord që të ulet dënimi i burgimit nga 5 në 3 vite. “Në emër të Komisionit të Ligjeve dhe z. Kopliku e z. Bare (bashkërelatorë të ligjit) paraqesim këtë riformulim të Kodit Penal. Neni 199 b vijon si më poshtë: Cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të paligjshëm ndërtohet me burgim deri në 3 vjet. Dua të sqaroj se kjo dispozitë nuk ka fuqi prapavepruese, po do të zbatohet nga organet ligjvënëse që nga momenti që do të hyjë në fuqi”, – bëri të ditur Braho ndryshimin e dakordësuar mes mazhorancës së majtë.

 

 Debati i plotë mes Ramës, Xhafajt, Brahos dhe Blushit

 Kopliku: Qëllimi ka qenë që në një ndërtim pa leje, askush që merr pjesë në këtë ndërtim të mos e fshehë kokën si struci që nuk di gjë që po bëjnë një ndërtim pa leje dhe një shkelje të ligjit. Amendamenti ynë është ky: Kush ndërton pa leje në tokën në pronësi të vet, në tokën e tjetrit ose në pika shtetërore nga sipërmarrësi, mbikëqyrësi ose zbatuesi i punimeve dënohet me burg deri në 5 vjet.

Rama: Propozoj të hiqet fjala shkelje e rëndë, por shkelje, se shkeljet janë të gjitha të rënda.

Blushi: Jam dakord në parim se duhen disa sanksione pas një kaosi disavjeçar me ndërtimet. Po kam një pyetje për propozuesit për të shkuar deri ke burgu ka disa hapa përpara, masa administrative, ka gjoba. Ne shkojmë direkt ke burgu. Qëllimi mund të jetë i drejtë, por më duket pak e nxituar.

Kopliku: Në fakt, për të dyja ndërhyrjet, është e drejtë që të hiqet fjala shkelje e rëndë. Për komentin e z. Blushi që jam i sigurt që këto masa janë të domosdoshme për gjendjen ku ka shkuar situata për ndërtimet pa leje, mund të duken të ashpra, por shumë më i ashpër është realiteti.

Xhafaj: Kam një objeksion, kur ndërhyhet në Kod, nuk duhet ndërhyrë në këtë mënyrë, duhet ndërhyrë me kujdes. Kodi vetë ka një strukturë, një logjikë dhe sidomos për pjesën e Kodit Penal duhet respektuar dhe sot ne do ta kalojmë, por mendoj se në raste të tilla të ngjashme, kur bëhet fjalë në një kod, duhet të jemi më të kujdesshëm.

Braho: Unë e respektoj vullnetin e amenduesve, por nuk do ta votoj këtë amendament, sepse bëhet fjalë për një amendament tepër specifik, ku juristët mendojnë shumë, kur e formulojnë, sepse nuk mund të bëhen ndryshime në Kodin Penal, duke parashikuar dispozita kaq të rënda, me gjithë problematikën e tyre që shkojnë deri në 5 vjet burg, aq më tepër se nuk janë formuluar në mënyrë profesionale. Dhënia e ndihmës është pozitive si nocion, çfarë do të thotë kjo. Së dyti ç’punë ka projektuesi, mbikëqyrësi, mirë ai që e realizon, por projektuesi përse duhet dënuar? Unë e paguaj projektuesin, pse duhet dënuar?

Meta: Fjala projektuesi është hequr.

Braho: Mbikëqyrësi, zbatuesi pra. Ndërtimi ose është me leje, ose është pa leje. Për të mos e zgjatur, le të shkojë edhe kjo me amendamentet e tjera dhe të rishikohet. (Meta telefonon Brahon)

Rama: Të njëjtin diskutim kemi bërë kur kemi ndërhyrë në Kod për energjinë. Rezultatet i keni përpara syve. Të njëjtin debat kemi bërë edhe për shkeljen e semaforit. Vetëm përpara pak ditësh, në Parlamentin e një vendi fqinj është miratuar gjoba me 800 euro për përdorimin e fishekzjarrëve. Dhe dihet pse. Në Bashkimin Evropian, projektuesi mban drejtpërdrejt përgjegjësi, në rast se e drejta e tij e autorit mbi lejen shkelet nga ndërtuesi. Dhe pa certifikimin e projektuesit nuk mund të bëhet asgjë. Shqipëria ka dështuar në mënyrë spektakolare në implementim, në zbatim të legjislacionit dhe në zbatim të kushteve të parashikuara nga dokumentacioni ligjor. Jam i bindur se këto sanksione duhet të përdoren minimalisht ose hiç fare, sepse mjafton qenia e tyre në Kodin Penal për t’i dhënë fund kësaj historie.

Braho: Z. Kryeministër, patëm një keqkuptim bashkë, për procedurë, ndonëse ndërhyrja i dha rast Kryeministrit të vlerësojë situatën e rëndë dhe unë bashkohem me situatën dhe problematikën. Unë hyj tek ata që janë kundër sjelljes akademike të qeverisë, por jam për profesionalizëm në hartimin e dispozitës. Prandaj, ju lutem 5 minuta pushim ta riformulojmë dispozitën ashtu siç duhet, kështu nuk është profesionale, ta rregullojmë dhe ta votojmë.

Rama: Unë jam 100% dakord. Unë mbrojta qëllimin, nuk mbrojta formulimin. E kjo besoj është edhe mënyra se si duhet të veprojë qeveria me Komisionin e Ligjeve. Kështu që, 5 minuta, 10 minuta, 15 minuta, absolutisht dakord, thjesht dhe vetëm që të mbrohet ky qëllim. Pastaj formulimi është i tëri kompetencë juaja.

Blushi: Unë dua të bëj një sqarim. Kam përshtypjen se edhe Kryeministri nuk mendon se ka ndonjë këtu që është përgjegjës për abuzime me ndërtime, aq më tepër gjithë këta burra e gra këtu kanë qenë në opozitë dhe nuk kanë inkurajuar shkeljet. Ky amendament nuk përzgjedh mes keqbërësit dhe nevojtarit. Këtë ky amendament nuk e merr përsipër. Penalizojini ndërtuesit e mëdhenj, por ky amendament konsideron njëlloj një fshatar në Ibë, të cilit i ra shtëpia jo për fajin e vet dhe është i detyruar të rregullojë murin e shtëpisë, për shkak se komuna nuk jep më leje ndërtimi, i ka bllokuar ato leje, njësoj si për industrialistët e mëdhenj të Tiranës dhe i fut të dy në një thes. Besoj se kjo është e padrejtë, kështu që pa dashur ta kthej në polemikë, sepse unë hyj tek ata njerëz që fjala burg më shqetëson në fakt, po e përdorim pak si pa masë kohët e fundit dhe nuk besoj se burgu është mundësia e vetme që kanë shqiptarët për t’u korrektuar. E kanë provuar 50 vjet, për 50 vjet kushdo futej në burg, por ka instrumente të tjera shteti për t’i korrektuar. Ne si shoqëri kemi të drejtë të vetëkorrektohemi, por nuk mund të shkojmë në burg që ditën e parë. Kështu që, edhe unë jam dakord me propozimin e zotit Braho, ky amendament duhet të rishikohet. N.q.s. në një fshat ndërton një mur apo rregullon shtëpinë dhe merr një punëtor në fshat, të ndihmon të ndërtosh murin dhe ky duhet të shkojë në burg për 5 vite njësoj si ti që e ke paguar… Është e padrejtë. Ka shumë mundësi që ky amendament të rishikohet për ta rregulluar.

Rama: Së pari, ju faleminderit për vërejtjen! Nuk është origjinale, pasi ka kohë që e bën me zë të lartë dhe me zhurmë të madhe opozita, për përdorimin më tepër se ç’duhet të fjalës burg, por unë dua t’i vë çdo gjëje fjalën që ka. Përballë këtij kanceri unë vetë nuk shoh mundësinë e një terapie tjetër, përveçse një terapie intensive dhe radikale. Nuk ka asnjë shpikje dhe asnjë tendencë për të ekzagjeruar asgjë. Jemi në dispozicion për ta votuar formulimin që juristët shikojnë më të arsyeshmin, duke i qëndruar deri në fund qëllimit. Qëllimin besoj e shpreha fare qartë.

Pas pushimit rreth gjysmë ore

Meta: Ka një formulim përfundimtar që do ta lexojë zoti Braho.

Braho: Në emër të K. Ligjeve dhe z. Kopliku e z. Bare paraqesim këtë riformulim të Kodit Penal. Neni 199 b vijon si më poshtë: Cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të paligjshëm ndërtohet me burgim deri në 3 vjet. Dua të sqaroj se kjo dispozitë nuk ka fuqi prapavepruese, po do të zbatohet nga organet ligjvënëse që nga momenti që do të hyjë në fuqi.

Votimi në tërësi – 84 vota pro, 1 kundër

 

Pa opozitën/ Mazhoranca voton “Nëpunësin”, BSH-në dhe Gjykatën e Lartë. Presidenti kundër Këshillit

Mazhoranca e majtë miratoi dje me shumicë votash disa ligje të rëndësishme, ndërmjet tyre edhe atë për nëpunësin civil si edhe ndryshimet e ligjit të Gjykatës së Lartë. Të dyja këto ligje janë votuar më së pari me një konsensus të gjerë mes palëve, si pjesë e paketës së tri ligjeve të integrimit e në këtë kontekst, votimi i djeshëm i të majtëve “përjashtoi” opozitën. Përkatësisht përmes ngritjes së Këshillit pranë Presidentit, mazhoranca i jep një shtysë më shumë konfliktit me opozitën që lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas të majtëve, përmes këtij Këshilli do të zgjidhet ngërçi i krijuar me Presidentin, ku ndërkohë ky i fundit e ka cilësuar ndryshimin e ligjit nga ana e të majtëve si një shkelje të Kushtetutës. Po ashtu shumica votoi dje edhe ndryshimin e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar””, një tjetër nismë kjo që nuk duket se do të marrë dakordësinë e opozitës, pasi, sipas të djathtëve, mazhoranca po kërkon kapjen e çdo institucioni të pavarur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency