Korrupsioni/ Morën ryshfet nga biznesmeni kinez, kërkohen 9 vite burg për dy inspektorë të Mjedisit

0
129

Alma Çuka

korrupsion Genci Balla dhe Eduart Bejko akuzohen për “Korrupsion pasiv”. Merrnin 1 milion lekë të vjetra në muaj nga biznesmeni kinez, duke premtuar mungesën e kontrollit mjedisor

Prokuroria e Durrësit gjen fajtorë dhe kërkon dënimin me nga 4 vite e gjysmë burgim për secilin nga dy inspektorët e Mjedisit në këtë qytet, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”. Akuza thanë fjalën e saj përfundimtare se në përfundim të gjykimit, i cili u zhvillua me procedurë të shkurtuar, rezultoi e provuar se shtetasit Genci Balla, në detyrën e kryeinspektorit të Mjedisit në Durrës dhe shtetasi Eduart Bejko, në funksionin e inspektorit në këtë institucion, i merrnin një sasi të konsiderueshme parash një shtetasi kinez, administrator i një kompanie private në Durrës, në këmbim të mosaplikimit të masave administrative gjobë për parregullsi në ushtrimin e aktivitetit të tij. Gjithashtu, së bashku me dy drejtuesit e Inspektoratit të Mjedisit Durrës, Prokuroria kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim, me kusht, për shtetasen Dorina Nikolla, e akuzuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm…”, e cila ishte personi që kryente ndërmjetësinë mes administratorit të kompanisë private dhe dy zyrtarëve publikë. Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrnin nga administratori shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mosushtrimit të kontrollit në këtë kompani private.

 

Rrethanat e ngjarjes

Më datë 30.5.2014 në ambiente e kompanisë “D.I.T” sh.p.k, me seli në Xhafzotaj Durrës, ka shkuar kryeinspektori i Inspektoratit Rajonal të Rrethit Durrës, Genci Balla dhe një punonjës tjetër i quajtur Eduart Bejko. Pas debateve me administratorin e shoqërisë, dy zyrtarët e mësipërm, kanë pretenduar se shoqëria nuk i plotësonte kërkesat e ligjit për mjedisin dhe kanë tentuar të plotësojnë një akt konstatimi, duke pohuar se do të vendosin gjobë, e cila varionte në vlerën 5.000.000,00 deri në 10.000.000,00 lekë, të reja. E pranishme në këtë debat, ka qenë dhe shtetësia Doriana Nikolla, e cila kryen dhe detyrën e ekonomistes së kësaj shoqërie. Kjo shtetase duke shfrytëzuar njohjet me shtetasin Eduart Bejko me detyrë inspektor, ka ndikuar që të mos vendosej gjobë. Pas ndërhyrjes së saj është pranuar që të mos vendosej gjobë, por nga Inspektori dhe Kryeinspektori është kërkuar si përfitim të paligjshëm shuma prej 200.000 lekë të reja. Administratori i shoqërisë i gjendur nën presionin e punonjësve shtetërorë, ka pranuar që të paguaj shumën e kërkuar. Më pas nga Inspektori dhe Kryeinspektori, me qëllim që shoqëria të vazhdonte punën e qetë është kërkuar që administratori i saj të paguante atyre një shumë mujore prej 100 000 lekë, në muaj.

 

Marrëveshja

Për të realizuar këtë marrëveshje një javë më vonë janë takuar në një lokal administratori, inspektori Eduart Bejko dhe kryeinspektori Genci Balla, si dhe ekonomistja Doriana Nikolla. Gjatë bisedës nga dy zyrtarët publik, është kërkuar si përfitim i paligjshëm një pagesë mujore 100 000 lekë, ku nga ana e tyre është marrë përsipër që përveç se nuk do të shqetësoheshin por do të ndikonin dhe në Ministrinë e Mjedisit për çdo nevojë që do të kishte kjo shoqëri, për leje mjedisore.

Në funksion të faktit të mësipërm është proceduar me hetime proaktive, duke aplikuar metoda speciale të hetimit, përgjim të bisedave telefonike të shtetasve Genci Balla(kryeinspektor), Eduart Bejko (inspektor) dhe Doriana Nikolla (ekonomiste e shoqërisë). Ndërkohë nga prokurori është autorizuar vëzhgimi në ambiente publike i këtyre shtetasve dhe në dy raste është lejuar nga gjykata dhe vëzhgimi dhe përgjimi në ambiente private (zyra e shtetases Doriana Nikolla).

 

Arrestimi në flagrancë

Më datë 25.7.2014 shtetasi kinez X… W…, kishte ditën për të paguar këstin mujor prej 100 000 lekë. Ky shtetas është konstatuar rreth orës 13:30’ duke hyrë në bankë. Pasi ka dalë nga banka është komunikuar me shtetasin Eduart Bekjo dhe ky i fundit i ka thënë që ishte larg por duhej të takoheshin tek zyra e shtetases Doriana Nikolla. Pas disa telefonatave nga ana e tij i është thënë që sasia e lekëve që kishin biseduar t’i linin tek zyra e ekonomistes, shumë e cila është i është dorëzuar kësaj shtetësie rreth orës 19:25’ në zyrën “D&B” në posedim të saj. Më vonë është konstatuar shtetasi Eduart Bejko, i cili ka hyrë në zyrë dhe ka marrë shumën e mësipërme. Pas këtij momenti ka telefonuar shtetasin Genci Balla dhe përsëri janë takuar në lokal ku nga dy zyrtarët publik janë dhënë garancitë e premtuara se nuk do të kishte probleme dhe po ata do të ndikonin në Ministrinë e Mjedisit për çdo nevojë që do të kishte në të ardhmen. Më datë 10.9.2014, është konstatuar se inspektori Eduart Bejko, po kërkonte me insistim pagesën e dy muajve gusht dhe shtator, në shumën 200 000 lekë. Sipas bisedave telefonike midis administratorit dhe Eduart Bejkos, ishte lënë që kjo shumë të paguhej më datë 29.9.2014. Me datë 29.9.2014, ora 21:00, janë kapur dhe arrestuar në flagrancë, duke ndarë shumën prej 200.000 lekë, shtetasit nën hetim Eduart Bejko dhe Genci Balla. Shuma prej 200 000 lekë, ishte tërhequr në bankë nga administratori në orën 10:00’ të datës 29.9.2014, e cila është dorëzuar në zyrën e ekonomistes (pas kërkesës së shtetasit Eduart Bejko) rreth orës 13:30’. Sipas komunikimeve telefonike rezulton se Eduart Bejko, pasi ka marrë shumën e mësipërme ka komunikuar me Kryeinspektorin Genci Balla, që ishte takuar me shtetasin kinez dhe nga ky i fundit i është thënë që kishte një punë në Tiranë dhe se do të takoheshin pasdite. Rreth orës 18:30’ kryeinspektori është kthyer në Durrës dhe në vëzhgim dhe mbikëqyrje nga njësia e posaçme duke pritur momentin kur do të ndanin shumën e mësipërme, ku në orën 20:00’ të kësaj date, u arrestuan në flagrance.

 

 Kukës/ Abuzuan me 4.3 milionë euro fonde të ujësjellësit, në pranga 4 zyrtarë, një në kërkim

Uniformat blu të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, kanë prangosur dje 4 shtetas dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 4.3 milion euro, të destinuara për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit të ri të Kukësit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, bëhet e ditur se janë arrestuar shtetasit: Guri Aliaj, vjeç 56, me detyrë drejtor i Zbatimit të projekteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Gazmend Mucaj, 38 vjeç, përfaqësues ligjor i studios së projektimit “Mega Studio”, njëkohësisht supervizor i punimeve. Po ashtu është arrestuar Zeqir Isaku, vjeç 58, me detyrë inxhinier pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë dhe Halil Beta, vjeç 58, inxhinier pranë DPUK Tiranë, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi Ramadan Bunci, vjeç 58, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë “Gener 2 Alb Star”. Për katër shtetasit, Gjykata e rrethit Gjyqësor Kukës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi dyshohen për konsumim të veprës penale “Falsifikim të dokumenteve zyrtare të kryer në bashkëpunim”, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik shtetëror prej 4.3 milion euro. Kjo vepër është dokumentuar pas një hetimi disa mujor të kryer nga shërbimet e policisë së Kukësit në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Kukës. Këta, janë punonjës të enteve publike e private të cilët kanë tenderuar, zbatuar dhe supervizuar prej vitit 2009 projektin për ndërtimin e ujësjellësit të Kukësit. Nga hetimet e kryera, këta shtetas, në bashkëpunim, kanë abuzuar me fondet e këtij investimi publik ku si pasojë e këtyre abuzimeve Kukësi ka mbetur pa ujë të pijshëm.

 

 Korçë/ Vajza denoncon babanë për dhunë, lëshohet urdhër mbrojtjeje

Një vajzë nga Korça ka denoncuar në polici babanë e saj për dhunë. Pasditen e djeshme u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për 19-vjeçaren M. Xh., banuese në lagjen nr. 4 të Korçës, sepse i ati A. Xh., 52 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Burime zyrtare nga blutë e këtij qyteti thanë se vajza e cila ishte studente në vitin e parë në Universitetin e Korçës, dilte me shoqet dhe kthehej vonë në shtëpi. Kjo ka bërë që kryefamiljari të mos pranojë sjelljet “e padenja” të së bijës dhe ta dhunonte. Për shkak se konfliktet babë e bijë vijonin prej kohësh dhe 52-vjeçari kishte ngritur dorë ndaj saj, 19-vjeçarja e denoncoi në polici.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency