Futbolli serb në krizë, FIFPro paralajmëron lojtarët

0
126

auto_Serbia1413272578Problemet me pagesat, por edhe dhunën nëpër stadium janë dy nga arsyet kryesore pse lojtarët duhet të mendohen mirë para se të nënshkruajnë në Serbi

Shoqata e Lojtarëve Profesionistë, FIFPro, paralajmëron të gjithë anëtarët e saj të tregohen të kujdesshëm nëse nënshkruajnë me klubet serbe, pasi rrezikojnë të mos paguhen prej tyre. Sipas informacioneve të grumbulluara nga kjo organizatë, 8 nga 16 klubet e Kategorisë Superiore i kanë llogaritë të bllokuara nga Banka Kombëtare e Serbisë dhe në këtë mënyrë nuk kanë mundësi reale për të paguar lojtarët apo punonjësit e tyre. “Nuk më pëlqen ta bëj një gjë të tillë, por detyra jonë kryesore është që të dalim në mbrojtje të lojtarëve, të cilët nuk paguhen prej muajsh, për shkak të problemeve të mëdha financiare. Klubet janë në prag të greminës financiare”, – shprehet Sekretari i Përgjithshëm i FIFPro, Teo Van Segelen, citon “Goal. com”. Ai shtoi gjithashtu se një klub madje ka lejuar grupet ekstremiste të tifozerisë të kërcënojnë lojtarët. Nga ana tjetër, presidenti i organizatës dha detaje më interesante në lidhje me këtë situatë, duke theksuar se në të ardhmen disa klube serbe mund të shpallin falimentin, ndërsa lojtarët e Radnicki Kragujevac janë kërcënuar nga tifozët në dhomat e zhveshjes pasi ata nuk pranuan të dilnin në fushën e lojës pasi nuk paguhen që prej tre muajsh. “Vuk Sotiroviç, i cili është edhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në kampionatin serb është goditur në fytyrë ndërsa tentoi të dialogonte me tifozët që po kërcënonin lojtarët”, shprehet FIFPro. Muajt e fundit, futbolli serb është përfshirë nga situata të tensionuara dhe të paqarta për shkak të problemeve financiare të Cervena Zvezdas por edhe për shkak të dhunës në derbin e Beogradit mes dy tifozerive. Ndërkohë që kjo pasqyron edhe më së miri dhunën dhe parregullsitë që janë në futbollin Serb. Situata më e mirë dhe shembulli më i mirë ishte ai ndaj Shqipërisë, mirëpo sipas UEFA-s dhe Apelit nuk ndodhi asnjë akt i tillë. Ky qëndrim vjen në një kohë kur vendimi i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka shkaktuar në të njëjtën kohë habi dhe pakënaqësi në mbarë opinionin ndërkombëtar me vendimin e tij për t’i hequr tri pikë përfaqësueses Shqipërisë, që ishte pala e dëmtuar në Beograd. Kjo, duke pasur parasysh faktin se kuqezinjtë u bënë objekt i dhunës dhe fyerjeve raciste deri në thirrjet kolektive për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes me Serbinë.

 

 FIFA rendit Shqipërinë të 50-ën

FIFA publikoi dje renditjen e kombëtareve të futbollit për muajin dhjetor. Asnjë risi për sa i përket Top 10 që kryesohet nga Gjermania e ndjekur nga Argjentina dhe Kolumbia, ndërsa ajo që bie në sy është Kombëtarja shqiptare. Nëse një muaj më parë renditeshim të 50-ët në renditje sot jemi 8 vende më poshtë, duke qëndruar pas Trinidad e Tobako, Kongo apo Panamasë, ndërsa lemë pas Malin e Zi dhe Egjiptin. Portugalia që është në një grup me ne në eliminatore renditet e shtata, Danimarka 30, Serbia 38 dhe Armenia 79.

 

 Radas dënohet 6 javë pezullim, Kukësi një ndeshje pa tifozë

Veprimi antisportiv ndaj futbollistit të Tiranës Selemani Nikumana i ka kushtuar rëndë lojtarit të Skënderbeut, Marko Radas. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, e ka pezulluar gjashtë javë kroatin për pështyrje të kundërshtarit, episod që ndodhi në fund të pjesës së parë Tirana – Skënderbeu 2-0, e vlefshme për javën e 16-të të kategorisë superiore. Dënimi i Radas është një goditje e rëndë për kampionët në fuqi, pasi 31-vjeçari është një nga elementët kryesorë të formacionit të Mirel Josës. Por masat ndaj klubit korcar nuk mbyllën me kaq. Skënderbeu, për sjellje të keqe të tifozerisë së tij dhe përdorimin e mjeteve ndezëse pa shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, dënohet me gjobë me vlerë 50. 000 lekë. Hedhja e mjeteve ndezëse në fushë në ndeshjen Kukësi – Tirana, duke shkaktuar ndërprerjen e saj, i ka kushtuar zhvillimin e një ndeshjeje pa tifozë skuadrës verilindore. Ndër vendimet e shumta në kategoritë më të ulëta bie në sy pezullimi dy javë i trajnerit të Luftëtarit Bledar Devolli për gjeste ofenduese ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency