Torturat e CIA-s/ Majko, kundër publikimit të raportit nga Senati: Shqipëria ka bashkëpunuar në disa operacione

0
122

intervista e majkosIsh-kryeministri i vendit, deputeti socialist Pandeli Majko, duke komentuar raportin e Senatit Amerikan për torturat e CIA-s ndaj të dyshuarve për terroristë, deklaroi në një intervistë për rrjetin amerikan “Fox News” se Shqipëria ka bashkëpunuar në disa operacione. “Sigurisht që jemi përfshirë në operacione, që janë specifikuar me kërkesat zyrtare nga institucione të ndryshme dhe pikë së pari nga Ambasada e SHBA në Tiranë. Jo sepse kemi ndonjë lloj frikë nga faktet e ndryshme të publikuara në raportin e fundit në Senat. Më duhet ta them hapur se kjo luftë, kjo luftë e re, lufta kundër terrorizmit, është shumë e rëndësishme. Ne kemi bërë detyrën tonë, duke u bazuar në besim, konfidencë dhe në sigurinë kolektive që funksionon mes vendeve të NATO-s”, – u shpreh Majko. Nga ana tjetër, ligjvënësi socialist e quajti raportin e Senatit kontroversial, me detaje të tilla që e bëjnë të papërshtatshëm në kohën që jetojmë. Ai tha se bota ende ndodhet në mes të luftës kundër terrorizmit dhe se një botim i tillë mund të ketë pasoja. “E kuptoj që në të tilla kushte raporti ka detajuar fakte të ndryshme, dua ta përsëris që ne kemi qenë të papërgatitur për këtë luftë të re. Në të tilla kushte e kuptoj shumë mirë se duhet të marrim leksione nga gabimet tona dhe nuk mund ta imagjinoj një luftë pa gabime. Por që të trajtosh këto gabime për të ndryshuar rregullat hap pas hapi është një tjetër gjë, dhe të publikosh të tilla fakte është tjetër gjë”, – theksoi Majko. Raporti i Senatit është kritikuar në të dy këndvështrime të kundërta në SHBA, ku njëra palë kërkon që të ketë dënime penale për zyrtarë të CIA-s deri lart në politikën amerikane. Ndërkohë pala tjetër sheh raportin si një prirje të gabuar sepse injoron rrezikun e lartë të njerëzve të hetuar me informacione që mund të shmangin sulme terroriste katastrofike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency