Propozimi zyrtar/ Ndryshimet e plota të Kodit Rrugor, nga gjoba e pezullimi i patentës tek sistemi i pikëzimit

0
168

Gëzim Saliu

sigurimi i makinaveGjoba për semaforin e kuq do të jetë 20-30 mijë lekë, pezullim patente 9-12 muaj, nëse të njëjtën shkelje e përsërit më shumë se dy herë brenda 2 viteve

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese votoi dje variantin e fundit të projektligjit për ndryshimet në Kodin Rrugor, i cili më pas do të votohet në seancën e së enjte në Kuvend. Në mbledhjen e djeshme nuk munguan debatet e ripërsëritura tashmë për masën e gjobës për kalimin e semaforit me të kuq, por në fund u votua varianti i propozuar nga Komisioni i Ligjeve me 20-30 mijë lekë. Ndërsa relatori i projektligjit, Naim Kopliku, duke e cilësuar ligjin si të drejtë theksoi se gjobat nuk janë si taksat e për shkelje flagrante sipas tij ato duhet të jenë të larta. Në këtë kontekst ai kërkoi që masa e gjobës të shkonte nga 10-40 mijë lekë, propozim që u hodh në votim, por u rrëzua nga Komisioni. Ndërkaq, në ndërhyrje ndaj deputetëve Suli e Derveni që kërkonin masa më pak të ashpra me gjoba, duke marrë parasysh rrogat e qytetarëve shqiptarë, kreu i Komisionit, Eduart Shalsi, tha se deputetët nuk duhet të dalin në mbrojtje të shkelësve të ligjit. “Sa e besueshme është policia kur vendos një gjobë, ky është debati. Të dalim sot dhe të bëjmë mbrojtësin e atyre që në mënyrë flagrante shkelin semaforin, duke rrezikuar jetën, do ishte e papërgjegjshme. Ne kemi për detyrë t’i kërkojmë Ministrisë së Rendit që të sigurojë që akti i konstatimit është i pakontestueshëm”, – tha ai. Gjithashtu, anëtarët propozuan edhe riformulim të nenit në lidhje me automjetet që përdoren nëpër autoshkolla. “Ndryshimi konstruktiv i automjetit me destinacion autoshkollë realizohet vetëm me kërkesën e subjektit tregtar, i cili zotëron licencën për autoshkollë dhe ka në pronësi të vet automjetin përkatës”. Sa i përket debatit nëse kursi i ndihmës së parë do të kryhet tek Kryqi i Kuq apo jo, Komisioni votoi variantin e Ministrisë. Edhe relatori pohoi se nuk kishte pse përmendej Kryqi i Kuq në ligj, kur në këtë rast do të kemi të bëjmë me një urdhër të ministrit apo me akte nënligjore që do të përcaktojnë se ku do të bëhet kursi i ndihmës së parë.

 

Debati

Kopliku: Ky ligj nuk është ligji i gjobave, ka shumë pak gjoba. Aty ku s’duhej prek, aty u prek ligji në masën e kësaj gjobe. Nganjëherë krijohej përshtypja sikur po bëhej rritje takse dhe jo gjobë. Gjoba është për frikësim. Unë jam për ta çuar masën nga 10-40 mijë lekë. S’ka arsye pse të ulet 20-30 mijë lekë. Subjektivizëm ka shumë pak shanse të ketë nga ana e policit të trafikut, duke marrë parasysh se do vihen edhe kamerat, ndërsa për shkelësit e trafikut masa e gjobës duhet të jetë nga 10-40 mijë lekë.

Kryemadhi: Shikoj që ne paragjykojmë punonjësit e policisë. Ne s’mund të ecim me idenë se nuk duhet të vendosim fasha gjobash të mëdha se rrisim subjektivizmin. Unë jam dakord me relatorin se në raste kur shkelja është flagrante me koshiencë, nuk ka pse diskutohet gjoba.

Gaçi: Subjektivizmi është argumenti korruptiv, por mund të jetë edhe fjala e njërit kundër tjetrit, pra polici mund ta mendojë gabim. Kjo zgjidhet me shtimin e teknologjisë. Unë jam dakord që të rritet diapazoni i gjobës pra të bëhet 10-40 mijë lekë por vetëm me kushtin që të rritet teknologjia në pikat e semaforëve. Ne nuk kemi një vend ku ka mijëra semaforë, Shqipëria nuk ka më shumë se 100 semaforë.

Kryemadhi: Ne kemi Gjykatën Administrative, nuk ngel në dorë as të policit, as qytetarit.

Gaçi: Po kur s’ka provë?

Kryemadhi: Kur s’ke provë, ti e humb.

Gaçi: Po në rastin kur është llafi i tij kundër llafit të policit e s’ka provë si i bëhet?

Kryemadhi: E drejta e ankimimit të gjobës, ke GJykatën Administrative.

Gaçi: Po ç’kushton të merren masa në aspektin teknologjik, as 50 semaforë s’ka Shqipëria.

Suli: Po të bëjmë një llogari, masa nga 20-40 mijë lekë është e barabartë me një pagë mesatare mujore të një qytetari në Shqipëri. Infrastruktura sa u përket semaforëve në Shqipëri nuk është e mjaftueshme. Unë propozoj nga 10-30 mijë lekë.

Shalsi: Sa e besueshme është policia kur vendos një gjobë, ky është debati. Të dalim sot dhe të bëjmë mbrojtësin e atyre që në mënyrë flagrante shkelin semaforin, duke rrezikuar jetën do ishte e papërgjegjshme. Ne kemi për detyrë t’i kërkojmë Ministrisë së Rendit që të sigurojë që akti i konstatimit është i pakontestueshëm. Pra, nuk do të mjaftonte fjala e një polici pa u provuar me mjetet e teknologjisë.

Gjylameti: Kjo është gjobë dhe gjoba nuk mund të krahasohet me sa të ardhura ke. Gjoba është një masë parandaluese për të parë atë që po shohim çdo ditë. Semafori i kuq sjell vdekje, ne nuk duhet të diskutojmë gjobën, unë mendoj se duhet të jetë në masën e 40-50 mijë lekë.

 

Ndryshimet e Kodit Rrugor

 Neni 18– Të ndryshohet si vijon: Mbajtësit e lejeve të drejtimit i jepet një sasi prej 20 pikësh për çdo drejtues mjeti. Kjo sasi pikësh e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve. Tregtimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje. Në rast se mbajtësi i lejes së drejtimit nuk fiton provimin e kualifikimit brenda 30 ditëve nga data kur i lind ky detyrim organi epror i agjentit verifikues me tu njoftuar nga regjistri kombëtar procedon për tërheqjen e ruajtjen e dokumentit të lejet të drejtimit. Kur fiton lejen e drejtimit, sasia e pikëve e shënuar në regjistrin kombëtar i shkon në 20 pikë dhe i kthehet leja e drejtimit të pezulluar- Miratohet

Neni 23– Mbajtësit e lejeve të drejtimit gjatë kohës që ajo është e vlefshme lëshuar nga një shtet i BE, SHBA apo Kanada mund të marrin me anë të një kërkesë leje drejtimin e të njëjtës kategori për të cilin është e vlefshme leja e tyre, pa qenë nevoja të japin provimin e aftësisë. Kjo dispozitë është e vlefshme edhe për shtetasit shqiptarë që qëndrojnë në vendet e sipërpërmendura.

Neni 23/2– Propozimi i Komisioni të Ligjeve- Drejtuesi i mjetit që vazhdon lëvizjen, ndonëse drejtuesi i qarkullimit rrugor apo semafori e ndalojnë këtë lëvizje ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 20-30 mijë lekë.

Neni 23/ 4– Çdo drejtues mjeti që përsërit brenda dy viteve më shumë se dy herë shkeljen më shumë se dy herë përveç masës me gjobë ndaj tij merret edhe masa e pezullimit të lejes së drejtimit nga 9 muaj në 12 muaj.

Neni 24– Gjatë marrjes së lejes së drejtimit, çdo aplikant do të duhet të kalojë edhe një testim që ka të bëjë me ndihmën e parë (Nuk përmendet më Kryqi i Kuq, që në kodin rrugor para ndryshimeve të 2010-ë ka qenë përcaktuar e në vitin 2010 u hoq dhe u la me vendim qeveria apo ministri).

 

 Prej vitit 2015/ Ndalohet qarkullimi për makinat me timon në krah të djathtë

Me ndyshimet e fundit të kodit rrugor do të dalin jashtë qarkullimit makinat me timon në krahë të djathtë. Në 2015 kjo pritet të zbatohet dhe drejtuesit me të tillë model kanë vetëm 1 vit kohë të bëjnë ndryshimet teknike ose të mos përdorin më makinën e tyre. Makinat me timon në krah të djathtë do të dalin jashtë qarkulllimit në 2015. Në nenin 10 në pikën 2 thuhet: “Ndalohet të regjistrohen mjetet me timon dhe motor në krahë të djathtë”. Çka do të thotë se makinat e modelit anglez të cilat kanë paguar të gjtha detyrimet janë regjistruar e kanë paguar taksat, do të mbeten në qarkullim deri në afatin kur këto dokuemente përfundojnë dhe nuk kanë të drejtë të t’i ribëjnë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency