Dashunia për ty

0
165

At the Dressing-Table. Self-portrait - Zinaida SerebriakovaNjë tufë poezi nga përmbledhja antologjike “Lule nate”, të poetit nga Shkodra, Primo Shllaku. Libri ka 100 poezi të pabotuara, të shkruara prej viteve `70 deri në fillimvitet `90. Rreth 25 vjet që dëshmojnë ekzistencën e një realiteti të brendshëm shpirtëror në jetën e intelektualit, njeriut të dashuruar që ka jetuar nën ankth, frikë, ndrydhje, mungesë lirie… Heshtja si akt social apo artistik?! Dilemat që marrin shkëndija shpërthyese sa herë Shllaku takon shpirtin me realitetin e jetuar në diktaturë, kohë kur shkruante tinëz poezitë. Poezitë janë të shoqëruara me shënime, që tregojnë atmosferën se si ato u krijuan

 

Primo Shllaku

           Dashunia për ty

Me të dashtë ty

domethanë me pasë nji plagë gojëhapun në gjoks,

nji plagë që duhet rritë,

që sduhet ta shëroj,

nji plagë që mduhet ta mbaj të thartë e të dhimbshme

për t’i pjellorue kshtu

të gjithë fluturimet

gjithë vullnetin

që kam nevojë

sa herë që më duhet të vorros

të kaluemen tande

që merr fund

me ardhjen time.

1977

 

Dashunia për ty

Kjo poezi asht njeni prej kuajve të mi të betejës. Gjatë ktij vjeti, pra 1977-ës, vjetë legjendar korrjesh të mdha të atypëratyshme e mbjelljesh diakronike, varianti i krijimit ka fillue e po vepron si qëllim në vete. Kanalet e dhimbjes hapen në raste plagosjesh. Por organizmi çon për kundërveprim ushtarë qc t’i mbyllin kta kanale prej frikës së vdekjes. Për ata që vdekjen e kanë element, stacion, ortak e studio, frikë kall vetëm asgjasimi. Kshtu që plagët mbahen të hapuna, natyra sfidohet që të favorizohet krijimi, Natyra, me tanë madhshtinë e vet, krijon simbas modelesh, imiton vetveten, përsërit me saktsi të përbindshme. Shkendia hyjnore që banon le poeti gjithmonë c zmadhon botën. Rrit sferën e dritës që asht e matshme, sepse kulturë, dhe pushton domenet e errsinës që asht e pamatë, sepse natyrë. Kjo ka qenë ma magjikja e të gjitha lodrave në duert e njeriut krijues.

Në vazhdim të idesë beaudelaire-iane se Koha asht anmiku ma i madh, eksperienca të reja vijnë për ta zgjanue konceptin se Koha asht anmik jo vetëm se të plak, por se edhe nuk të takon. Koha e rrallon jetën e ne na duhet vazhdimisht me ba operacionc në mnyrë që ta krijojmë objektin e mandej të përpiqemi me i dhanë kuptim asaj.

 

             Mosprani

Dora ime shpërdan heshtjen,

nji heshtje të rrasun

si njimbasnjishmënia e trungjeve të shtyllave në tempull.

Ajo e di se kjo heshtje

ndrit si hanë lirike

në nji qiell prej guri.

(Qielli asht i dhimbshëm.

Ai na mson dashuninë.

Rëtë janë letrat e tij të parat. )

Dora në letër shpërdan heshtjen,

dita largohet

dhe nata hyn si sallë e vjetër teatri

që mërdhet në orët e shurdhëta të mëngjesit.

Kurse mbi pullazet e shtëpive

deri te vetulla ime

naltohet nji oxhak i pamatë, pingul,

që shqisat e mia ma përkthejnë të pjerrët,

eshtnat në ramje,

mushknitë në pluhun.

Në ketë orë teatri hap.

Karrigat hanë pluhnin me nofulla pa dhambë.

Nxehtsia njerzore asht tjetërkund.

Në skenë heshtja, me gjeste foshnjore, zhveshet lakuriq.

Veshi fillon të shofë.

(Sepse çdo lule qiellit të vet i përngjet.)

Kadifja bahet qiell vertikal.

Kandilat e vemendshëm na msojnë

se heshtja nuk asht gjithnji e ftoftë.

Në fundin e sallës nji heshtje tjetër po lën.

E imja.

1978.

 

Mosprani

I rritun në mjedise teatrosh, për mue hapsina ma e madhe asht ajo që blaton salla e nji teatri. Stadiumet janë të papërfshishëm, pra të papërfillshëm.

Ktu teatri asht veshtrue ma fort si arkeologji se sa si ndërtesë eficiente shfaqjesh. Vegimet janë plotsisht onirike. Diçka midis klasikes e modernes, arkeologjikes së re e asaj të vjetrës. Heshtja si virgjinitet, si pafajsi pra si ngushllim, Ndryshe prej zakonit me i pa sendet në kuptimin literal, qytetet e anijet e mia ishin retë. Atje ndërtoja, atje shkatrroja, atje kullosnin bletët e mia, atje vinin vërdallë zogjtë e mi të hekurt, prej andej vinin sulmet. Qielli ishte laboratori im, fleta ime sovrane që m’i priste vegimet, por që shpesh edhe m’i mbante mend. Prej andej, e thashë, e prisja edhe shkatrrimin, prej andej vinte kërcnimi i bamë për masën e reve, të qiellit e të planeteve. I ndodhun esull pranë oxhakësh fabrikash e tue kqyrë përpjetë, nji fjollë e hollë reje në udhtim më jepte pershtypjen se ai oxhak ishte nisë ngadalë me ra, tue kërcnue me pamjen e vet jashta gravitacionale shqisat e mia ma të brishta të përgjimit. Heshtja ktu si nji hiperbolë e egoizmit sepse lemja e saj shenon pronsinë time të plotë mbi të gjitha e mbi të gjithë, mbi andrrën e mbi zhgjandrrën, mbi realen e mbi irrealen, mbi të përjetshmen e mbi ikanakën, mbi triumfin e absurdes e impotencën e logjikës. Darvinizmi ban kërdinë mbi speciet sepse “çdo lule qiellit të vet i përngjet”.

 

         Homo

Nuk jam i bukur

sepse nuk jam i lirë

Po të jem i lirë veç,

do të jem edhe ma i shëmtuem.

1987

 

Homo

Disa vjet mbas shkrimit të saj, kjo poezi ma vërtetoi intimisht se nuk isha krejt i përjashtuem prej dhuntisë së profecisë. Ngjarjet e mbas yjetit 1990 vërtetuen se bashkëpatriotët e mi, të vuejtun e të mohueni prej nji diktaturë të pashembullt, i shpërthyen agresivitetet e tyne në nji mnyrë kaq të paqytetnueme, sa shumkush u detyrue me mendue se kjo soj race do diktaturë për t’u mbajtë në zap.

Prandej asnjiherë nuk kam pasë revolta ndaj regjimit në shkrimet e mia. Gjithmonë më dukej se jemi na kundër nesh. Kurse ajo më dukej si nji diktaturë shtëpiake e vendosun prej disa pjestarëve të familjes mbi pjesën tjetër të pjestarëve të po asaj familje. Ishim na që ishim ngritë kundër nesh, na ia banim vetes dhe duronim, pra e meritonim. Nëse nuk e meritonim, të paktën ajo diktaturë ishte ba për masën tonë. Edhe sot e kam të ngultë mendimin se, po të mos ishte kshtu, ajo nuk do të jetonte kaq gjatë si e tillë, se ajo nuk do të kishte ato bilance, se në faza të caktueme historike ajo do t’i kishte qasë e pranue moderimet.

Nuk due të them tamam se na nuk ishim të denjë për liri. Liria asht shum e gjanë. Ajo, si vetë jeta asht totale. Në Pogradec thonë: Rron shqiponja në maje të malit, por rron miza në bythë të kalit. Kurrsesi nji pushtues i huej nuk do te shtyhej me ba mbi ne mizoritë e E. Hoxhës. Ai do ta kishte frikë urrejtjen, hakmarrjen, reagimin tonë, gjithsesi do të na konsideronte si subjekt tjetër. Kurse diktatori, përmes sistemit unifikues e barazues rrafshues që krijoi, e bani historinë e sundimit të tij nji histori marramendse totalizimi e identifikimi të vetes me popullin, me atdheun, me të tashmen, me të ardhmen. Ai na shifte si zgjatje e projeksion të vetes së vet. Me veten e vet njeriu ka liri të tjera, mund të bajë çfarë të dojë, në fund të fundit. Edhe vetvrasje mundet.

Liria asht nji e mirë që vjen aposteriori, mes sakrificash e krijimtarie në kahe të Qytetnimit. Liria e dhanë asht ma e rrezikshme se liria e hequn. Liria e hequn ka për pasojë të atypëratyshme organizimin për ta fitue atë si nji të mirë të pazavendsueshme, kurse liria e dhanë nuk e përmban metrin e mirëperdorimit, ajo ka prirjen me u keqpërdorë.

 

            Kush po të puth?

ex-voto simbas Baudelaire-it

-Ndigjo:

“Dhe ajo shum e dashuna

që qejfin ma di…”

Goja vret gojën.

Fjalët mbysin fjalët.

Trupi yt kitarrë nën sqetullën time.

Koka ime shtamë për etjen tande.

-Ndigjo të vazhdoj.

-Goja më ngurron, kujtohet,

mandej…

Duert ma gjejnë lkuren

e trupi të ra kndej nga unë.

-Prit të vazhdoj. Ka prap.

Dhe vetë i vazhdove vargjet që mbesin

nën synin tim të shqetsuem prej pyetjes:

-Kë po puth ti? Poetin, mue apo veten tande?…

1986

 

Kush po të puth?

Vazhdon kataliza e krijuesve të mdhej si faktorë universalë krijimi. Recitohen në nji seancë intime erotizmi vargje haulement erotikë të Charles Baudelaire-it. Mbas reticencës vazhdojnë vargjet ose fjalët: Ishte krejt lakuriq e kishte mbajtë vetërn stolitë tringlluese. Akti konsumohet në vargjet 6-7. Në kso rastesh çastore, perdja hapet dhe të vërtetat vetojnë nji hop. Unë si të vërteta quej edhe ardhjen e kollajtë me formulue pyetje. Fjala eksiton.

 

             Të kam dashtë

Të kam dashtë…

Dashunia nuk ka të tashme

Dashunia nuk ka të ardhshme

Ajo ka vetëm të kaluemen.

Të kam dashtë…

 

Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë.

Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura.

Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish.

Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët.

Dashunia vdes kur i shërohen plagët.

Dashunia fillon prap prej fillimit…

 

Dashunia i beson të gjitha.

Dashunia i shpreson të gjitha.

Dashunia i “ha” të gjitha.

Dashunia i fal të gjitha.

Dashunia banon te duert.. .

 

Të kam dashtë…

Dashunia nuk ka të tashme.

Dashunia nuk ka të ardhshme.

Ajo ka vetëm të kaluemen.

Të paskam dashtë, pra…

 

Të kam dashtë

Nji libër që iexova mbi erotikën mbas treqind faqesh perfundonte se dashunia nuk mund të përcaktohet, ajo vetëm mund të rrethohet dhe “t’i ngushtohet rrethimi”. Dashunia i ikë analizës dhe në çastin kur e përcakton, ajo s’asht ma ajo që the.

Deshta me thanë edhe unë diçka dhe bana ketë poezi. Më duket se mosshtrimja e dashunisë në të gjithë aksin e kohës e sugjeron sadopak idenë se dashunia nuk ndalet për t’u kundrue si send. Ajo rrshqet dhe kur na kujtohemi për të, ajo mund të mos jetë ma e tashme ose prani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency