Projektligji sot në Kuvend/ Si mazhoranca do “shmangë” Presidentin për propozimet e emërimeve në Gjykatën e Lartë

0
81

Gëzim Saliu

Me ligjin e ri shumica propozon ngritjen e Këshillit për emërimet në Gjykatën e Lartë

komisioni-ligjeveDitën e sotme do të diskutohet në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve projektligji i mazhorancës për ngritjen e një Këshilli pranë Presidentit që do të shqyrtojë emërimet ne Gjykatën e Lartë. Drafti i firmosur nga katër ligjvënës socialistë, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Silva Caka  përbën një propozim përmes së cilit shumica e majtë kërkon ti japë fund ngërçit me vakancat në këtë gjykatë. Ndryshimet ligjore parashikojnë ngritjen e një trupe këshillimore pranë Presidentit të Republikës, që do të quhet Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë.  Ky Këshill sipas draftit rekomandohet të ketë në përbërjen e tij kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një anëtar të Gjykatës së Lartë. Do të jetë pikërisht kjo struktureë, e cila do të bëjë vlerësimin e kandidaturave për postet vakante në Gjykatëne  Lartë.  Më tej, në bazë të raportit të hartuar prej këtyre titullarëve, presidenti do të përzgjedhë mes emrave të propozuar.

 

Drafti dhe përplasjet

Sipas mazhorancës, qëllimi i ngritjes së kësaj trupe këshillimore pranë presidentit me 7 anëtarë, është të ulë ndikimin  politik në procesin e dekretimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Me  argumentin se përzgjedhja e kandidateve prej kreut të shtetit është bërë përmes një procesi jo transparent dhe subjektiv, të majtët i kanë rrëzuar  presidentit çdo dekret për Gjykatën e Lartë, duke lënë ende tre vende vakante në këtë institucion. Në të tira rastet kandidaturat e paraqitura nga kreu i shtetit nuk janë kundërsahtuar si të tilla, por mazhoranca i ka rrëzuar ato duke kërkuar konsulencë të kreut të shettit me shumicën në proçesin e përzgjedhjes së tyre. Nga ana e tij, Nishani i ka cilësuar si të pajustifikuara arsyetimet e nxjerra nga të majtët për rrëzimin e kandidaturave, duke theksuar se ai ka respektuar Kushtetutën me përzgjedhjen e emrave. Rreth dy javë më parë, Presidenti hapi procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë pas rrëzimit të kandidaturave të Sokol Ngresit dhe Elona Toros nga të majtët. Por përmes këtij projektligji të ri, mazhoranca po synon të ndyshojë tërësisht këtë mënyrë përzgjedhje, duke vendosur pranë kreut të shtetit, organin e Këshillit. Ndërkaq sipas juristëve, nisma e maxhorancës për të ndryshuar ligjin për funksionimin e Gjykatës së Lartë në pikën ku parashikohet krijimi i një Këshilli për emërimin e anëtarëve të këtij organi gjyqësor i kalon kompetencat që ka parlamenti. “Me ndryshimet që propozohen synohet krijimi i një organi të ngjashëm më Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, ka pohuar ish-kreu i KQZ-së, juristi Çlirim Gjata. Ligji “Për Gjykatën e Lartë” është ndryshuar për herë të fundit më 30 maj 2013 kur në pushtet ishte Partia Demokratike e ndërsa miratimi i tij në atë kohë ishte një nga tre kushtet e vendosura nga Brukseli që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat në BE.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency