Superliga Shqiptare / Flamurtari surprizon Partizanin, fiton 1-0

0
128

url

Vlonjatët kanë fituar falë golit të Ardit Shehajt, që ka shënuar pak para përfundimit të ndeshjes, duke marrë një triumf shumë të rëndësishëm

Superliga Shqiptare e ka nisur javën e 16-të me surpriza dhe ndeshje të rëndësishme. Kanë mbetur edhe pak ndeshje nga ky vit dhe pikët në këtë fazë janë tepër të rëndësishme, pasi çdo pikë ndihmon ngjitjen në një tabelë ku diferencat nuk janë të mëdha. Një sfidë tepër e veçantë ishte ajo midis Partizanit dhe Flamurtarit. Të kuqtë vinin pas një derbi të madh ndaj Tiranës, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme që i mbante në vend të parë. Kurse Flamurtari me probleme po tenton të rikuperojë pikë, edhe pse nuk ka pasur shumë sukses. Një gol që i dha siguri skuadrës së Ernestino Ramelës, që merr kështu fitoren e dytë radhazi dhe zbret me këmbë në tokë Partizanin pas triumfit në derbi. Ishte vula e një ndeshjeje emocionuese që do të mbahet mend edhe për një fakt historik, thyerjen e rekordit me minutazhin më të gjatë të paprekur në portë për një skuadër shqiptare. Në sezonin 1983-1984 Bujar Gogunja e ruante të paprekur portën e Elbasanit për 1037 minuta, sot ky rekord i përket Alban Hoxhës që ka regjistruar plot 1084 minuta pa pësuar gol në portën e Partizanit. Për Flamurtarin riktheheshin dy Likat, Ilioni në portë dhe Gilmani në 3/4, me Gilberton që pas shumë kohësh i jepej një shans nga fillimi në sulm, ndërsa te Partizani kishte një fanellë titullari për Fejzullahun. Ndeshja nisi me iniciativën në krahun e vendasve me Flamurtarin që krijonte me shume volum, por duke vuajtur në krijimin e rasteve. Në minutën e 16 vlonjatët patën shansin e parë të mirë me Vucajn, por goditja e tij u devijua në këndore nga Vrapi që rikthehej në prapavijën e Duros pas derbit. Në minutën e 18-të Telushi lëshoi një goditje potente nga distanca por Hoxha tregoi aftësitë e tij duke ndalur me një pritje spektakolare tentativën e kapitenit të Flamurtarit. I qetë dhe gjithmonë gati Hoxha në këtë ndeshje që do ta ruajë gjatë në albumin e memories si sfidën që e ktheu në rekordmenin e portës së futbollit shqiptar edhe pse nuk ishte e lehtë përballë një Flamurtari agresiv në kërkim të golit, por gjithsesi ja ku erdhi dhe minuta e 38, asgjë e veçantë në fushë, dhe në pamje duket një moment krejtësisht normal, por në fakt është momenti kur Hoxha me 1038 minuta pa pësuar gol thyen rekordin e paprekshmërisë së vendosur plot 30 vjet më parë nga Bujar Gogunja, me Labinotin e atëhershëm, për brezat e rinj sot Elbasanin. Ndeshja edhe pse e luftuar ishte taktike si një sfidë shahu dhe pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura me Flamurtarin që regjistroi një epërsi territoriale të papërkthyer në rrezik para portës. Skenari nuk ndryshoi as në të dytën, me Partizanin të kujdesshëm për të mos pësuar duke kërkuar të përfitonte nga çdo gabim i mundshëm i vendasve dhe vlonjatët që pavarësisht qarkullimit e kishin të pamundur për të ngjallur drithërima. Në minutën e 68 Muzaka pretendoi për një 11-metërsh pas një kontakti me Trashin, por për gjyqtarin kryesor Andi Koci gjithçka ishte e rregullt. Vetëm një minutë më pas mundësi e shkëlqyer për Partizanin por Racic këtë herë nuk shfaqi cinizmin që e karakterizon në tentativën e tij fluturimthi para Likës. Në të 82 një dalje e pasigurt e Alban Hoxhës detyroi Endri Vrapin që të bënte mbrojtësin ekstrem duke shpëtuar portën dy hapa larg vijës fatale, por nuk që e thënë që katërkëndëshi i Partizanit të mbetej i paprekur. Në minutën e 85 goditje këndi e Flamurtarit, Dagllas Mendez kalon topin nga qendra në shtyllën e dytë ku Ardit Shehaj ishte gati të shënonte golin e avantazhit. Flamurtari në delir, me tribunat, stolin e lojtarët në festë aq sa Shehaj mbeti me të mbathura,  episod interesant menjëherë më pas me Partizani tentoi menjëherë rinisjen e lojës falë dhe moskordinimit të gjyqtarëve për të tentuar barazimin ndërsa Flamurtari ende festonte, por, në fakt, gjithçka u kthye nga e para mes tensionit e protestave në fushë. Ilion Likës ju desh të kryente edhe një ndërhyrje decizive në minutën e 90 për të ruajtur të paprekur portën e vlonjatëve dhe Flamurtari rezistoi për një fitore me peshë që e ngjit skuadrën e Ramelës, në vendin e 5 në kuotën e 22 pikëve ndërkohë që Partizani mbetet në kryesim me 33 pikë dhe Tirana e Kukësi janë vetëm një pikë larg, pas fitores në derbin skuadra e Duros ndien sërish nga afër dihatjen e rivalëve.

 

 

Çelsi nuk gabon ndaj Hull Sitit

 

Çelsi rilind nga disfata e pësuar javën e kaluar për të mposhtur Hull Sitin në shtëpi me rezultat të pastër 2-0. Ndeshja e zhvilluar në ‘Stamford Bridge” e pa të rikthyer Diego Kostën në formacion, ku edhe sulmuesi realizoi. Pas shtatë minutash lojë ishte Eden Hazard ai që me asistim të Kostës realizoi duke çuar blutë në epërsi. Në vazhdim Çelsi mbizotëroi, por goli i sigurisë erdhi në pjesën e dytë. Hadëllston së pari u përjashtua me karton direkt të kuq pas një orë lojë, teksa shumë shpejt erdhi dhe goli i dytë për Çelsin. Diego Kosta në të 68-ën shënoi me asistim të Hazardit për 2-0, që ishte dhe rezultati përfundimtar i këtij takimi. Me këtë fitore Çelsi ka 39 pikë në vendin e parë në Premier Ligë, tri pikë më shumë se Mançester Siti që mposhti Leicesterin në udhëtim.

 

 

Dortmundi në krizë, humbet përsëri

Dortmundi ka dështuar përsëri, duke humbur në transfertë ndaj Hertës së Berlinit. Ndeshja filloi me dominimin e mysafirëve, që bënë maksimumin më të mirën për të realizuar. Megjithatë, ish-lojtar i Dortmundit, Shiber, realizoi pas 40 minutash lojë golin e vetëm të këtij takimi. Në pjesën e dytë, Dortmundi provoi për të barazuar rezultatin, por nuk ia arriti dhe ndeshja përfundoi me rezultat 1-0. Kështu, Dortmundi kthehet në vendin e 16-të me 14 pikë nga 15 javë, teksa Herta vazhdon ngritjen me 17 pikë në vendin e 12-të.

 

 

Barcelona ndalet nga Getafja

Barcelona është ndalur në një barazim 0-0 në Madrid te skuadra e Getafes, për të mbetur kështu prapa rivalit të përbetuar, Realit të Madridit. Në ndeshjen e zhvilluar te Getafe startoi nga fillimi Pedro në vend të Nejmarit, teksa mungoi edhe Iniesta, pasi në vend të tij startoi Rakitiç. Barça kishte dominim të plotë në këtë ndeshje, por përkundër 23 goditjeve drejt portës. Në këtë sfidë ishte më i dalluari Lionel Mesi që pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti të realizonte. Pavarësisht dominimit kishte edhe situata kontestuese ku gjyqtari edhe u mohoi katalanasve penallti. Me këtë barazim Barcelona mbetet prapa Real Madridit, me 35 pikë, katër më pak se rivali i përbetuar që ka vendin e parë. Barça mund të humbë vendin e dytë nga Atletikoja, që pret Vilarealin. Barça nuk ka arritur asgjë më shumë se një barazim pa gola ndaj Getafes dhe kjo ka ndikuar që katalanasit të mbesin pesë pikë prapa mbretërve të Realit. “Ne ishim shumë më të mirë se Getafe. Kishim rastet dhe me përjashtim të disa rasteve nga vendasit, kontrolluam ndeshjen. Ishim katër pikë përpara, por tani jemi katër pikë prapa Realit, por ka ende shumë ndeshje të mbetura në La Liga”, – u shpreh Enrike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency