“Shqiptarët e mi” dhe “Mali i Zi – yni”

0
182

Jovan-Nikolaidis-web

Jovan Nikolaidis

Për një muaj Jovan Nikolaidis ka qëndruar në Tiranë në shtëpinë e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, në programin “Tirana in Between” organizuar nga “Poeteka”. Një përvojë njohjeje që nuk e sjell për herë të parë shkrimtarin malazez në Shqipëri, qoftë fizikisht, por edhe në metafizikën, shpirtëroren e krijimtarisë së tij. I njohur në hapësirat e gjuhëve slave edhe si aktivist kulturor, shpesh polemikat e tij përmes botimeve kërkojnë dialogun kulturor ndërmjet shkrimtarëve të rajonit, sidomos mes Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë

 

Pashë një ëndërr. Sikur Mali i Zi dhe Kosova ishin bërë të pavarur. Kori në aulat e senatit të Uashingtonit këndon himnin amerikan në gjuhën malazeze dhe shqipe, ndërsa refrenin e këndonin njëkohësisht në të dyja gjuhët. Me dekret të të dyja shteteve, në Sallën e Rrumbullakët, kufijtë janë shpallur si vende ku njerëzit nuk ndahen, por bashkohen, rojat e kufirit po ndërrojnë flamujt shtetërorë, të cilët i ngjajnë njëri-tjetrit. Tani kompozitorët e kompozojnë himnin shqiptar dhe malazez si kontrapunkt, merret vendim (i shqiptuar në anglisht) që fëmijët shqiptarë të mësojnë në shkollat e fshatit pasazhe të painkriminuara nga “Kurora e maleve”, kurse nxënësit e shkollave të mesme malazeze të krahasojnë pjesë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit me Enciklikat e Shën Pjetrit. Ligji për multikulturën, i ndërtuar mbi parimet e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut, nënkupton përfshirjen e “besës” në matricën e eposit heroik malazez, ndërsa pleqtë e Malit të Zi, në Ditën e Krishtlindjeve dhe në Ditën e Flamurit, të vajtojnë Mark Miljanovin si në ditën e vdekjes së tij…

 

*

Shoh një ëndërr sikur mua, i sëmurë për vdekje, më mban në duar një nënë plakë nga Prizreni dhe pëshpërit: “Çou, Rexho, çou djalo, se s’ka nana tjetër o!”, ndërkohë përreth meje çikat e Belasicës shtrojnë çarçafë të bardhë në shtegun ku do të kalojë kolona e UÇK-së, që mua, poetit, jo ushtarit, para se të më dalë shpirti, të më vendosin në gjoks, në vendin ku zemra ime rreh gjithnjë e më dobët, unazën e Skënderbeut: një përkrenare mesjetare në miniaturë e heroit kombëtar nga mali i Krujës.

Pastaj dëgjoj klithmën e shqiponjës, e cila zbret thikë mbi qytetin e vjetër tivaras dhe i vërsulet me kthetra kryqit të kupolës së manastirit benediktian.

Ngryset shpejt, sepse është vjeshtë, i ftohti ka filluar dhe mjegulla e Rumjes ka ra, por ajo s’mund ta mbulojë muzikën e dasmave myslimane të Goranës… Daullet e kërcimtarëve të Rugovës hyjnë në vallet çrmikase, ku vajzat u hedhin livandë dhe bisqe vojmësi, ndërkohë princat e Seocës, Godinjës, Limljanës, Draçevicës dhe Krnicës i thërrasin të gjithë Lekiçët, Lekoviçët, Orlandiçët, Pekiçët, Dobreçët, Lukiçët dhe Karanikiçët e tyre në parlamentin malazez për ta miratuar dekretin e kumbarisë së Krajnës me Sanxhakun e Shkodrës…

Dëgjohet nga larg thirrja e Krajlit Nikollë për vëllazërimin e tri feve.

 

*

Vazhdoj të shikoj ëndërr. Sikur nata është e pafund dhe e sigurt, se si në Durrës miku im, Ariani, më pret në sallën ngjyrë jeshile pastel, kurse unë i lutem të hedhim një valle dervishësh. Nuk pranoj të më shpojnë me gjilpërë majën e gishtit, por marr nga dora e mikut një gjethe borziloku dhe e vë në vesh – thith erën e shpirtit të ortodoksëve të mi.

Në atë kohë, veshi na kap këngën e furrtarit të sokakut të Gjirokastrës, ku gruaja e priftit të këtushëm kishte fshikulluar me thupër Enver Hoxhën fëmijë, kurse unë dhe Ariani filluam të përsërisim “aman-aman…” Pastaj ca shqiponja të fuqishme na marrin në krahët e tyre dhe na çojnë në një anije të linjës Sarandë – Ulqin. Anija është e bardhë, kuverta e saj është plot me pasagjerë të veshur me kanotiere të kuqe me mbishkrimin në cirilik: “Shqiptarët e mi” dhe në latinicë (latin) “Mali i zi – yni”.

 

*

Jam ende në ëndërr, kështjellë strehimi dëshirash, por tani një mik nga Vasojeviç më ka marrë me vete dhe më shpie në varrezat e tij. Lexoj në kryqet e varreve: Veshi, Bulati, Zogu, Kolashini, Leshi, Peraj, Gjurbaj.

“Të gjithë këta janë partizanë nga anët tona, rënë nga dora tradhtare”, më pëshpërit në vesh miku im.

“Cilët tradhtarë?”, pyes unë.

Ai përgjigjet: “Ata që nuk kanë besuar në komunizëm, nuk kanë besuar në vëllazërimin e popujve të botës, nuk kanë besuar unitetin në diversitet, ata që nuk kanë respektuar të Ndryshmin si veten e tyre”.

 

*

Kështu, më tej shoh ëndërr për një mision të pamundur, por diçka më thotë se kjo natë është mjaft e gjatë për të duruar galimatiasin fisnik. Një xhuxh plak, që ka hyrë në ëndrrën time pa radhë, kërkon të më mësojë historinë, më deklamon betime për identitetet, po e dëgjoj atë recitim në gjuhë të përziera ballkanike, një deklamim për atë se si që nga trako-iliro-grekët është komplotuar kundër mirësisë njerëzore dhe naivitetit, por edhe për shpirtligësinë politike, kurse unë po ndiej, megjithëse shpjeguesit e ëndrrave më pëshpëritin se në ëndërr ndjenjat nuk ndihen, sesi në ëndrrën time ngjitet, si bollujcë që zvarritet vjedhurazi drejt folesë plot me zogj, mbresa se pikërisht ngulmimi në identitet ka sjellë humbjen e identitetit të tërë popujve dhe etniteteve tona ballkanike. Në ëndrrën time nuk mund t’i provoj askujt se identiteti nuk provohet por nënkuptohet, sepse, sa fillon me provat, rritet bezdia trako-iliro-greke deri në gjakderdhje, çka nuk e dua në ëndrrën time.

 

*

Ëndrra që dëshiroj të shoh për Malin e Zi të pavarur dhe të njohur botërisht dhe për Kosovën e pavarur multietnike dhe multifetare, ndoshta me të vërtetë po vjen dhe vendoset tek unë më fort se shpresat, me të cilat po më mbushin udhëtarët që kanë pushtuar krejt hapësirën e ëndrrës sime, pasi kanë dalë nga anija që i solli nga Saranda në portin e Ulqinit. Futem në turmën e udhëtarëve nga ëndrra dhe i kërkoj njërit kanotierën e kuqe. Ai e heq dhe ma zgjat, unë e vesh dhe ua tregoj me krenari të gjithëve.

Bërtas, sikur nuk dihet, sikur secili në ëndrrat e mia s’e ka tashmë të qartë, se slogani i përgjigjet dimensionit të shpresës. Fjalë të bardha në copën e kuqe prej pambuku në gjoksin tim: “Shqiptarët e mi” dhe “Mali i Zi – yni”.

Shoh ëndërr, sepse kam frikë të zgjohem. Sepse në ëndrrën time për të satën herë ndërfuten shqiptarët, të cilët po më ruajnë nga malazezët tanë, kurse shqiptarët tanë po shpëtojnë malazezët e tyre nga shqiptarët e mi, të cilët janë dhe malazezët tanë. Gjithçka sillet në hipnozën e dëshirave të mia, që fati ynë i përbashkët, i përvuajtur në pjesën e mirë të tij, të drejtohet në rrugën e bashkëjetesës, e cila nuk është aq larg, as aq e vështirë, në qoftë se arrihet të shkrihet “imja” dhe “jona” në një të vetme, të madhe, deri në ditën kur të bëhet realisht një jetë e përbashkët.

Atëherë do të vijë çasti kur për një dëshirë, për një shpresë dhe për një mundësi të tillë, nuk do të duhet ëndrra, pasi do të jetoj realitetin e jetës së përbashkët, të fatit dhe të ardhmes së përbashkët.

E deri atëherë… po shoh ëndërr.

Përktheu Janka Selimi

 

 

 

 

Vetërrëfimi i një shkrimtari tek Tjetri

 

Për një muaj Jovan Nikolaidis ka qëndruar në Tiranë në shtëpinë e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrare, në programin “Tirana in Between” organizuar nga “Poeteka”. Një përvojë njohjeje që nuk e sjell për herë të parë shkrimtarin malazez në Shqipëri, qoftë fizikisht, por edhe në metafizikën, shpirtëroren e krijimtarisë së tij. I njohur në hapësirat e gjuhëve sllave edhe si aktivist kulturor, shpesh polemikat e tij përmes botimeve kërkojnë dialogun kulturor ndërmjet shkrimtarëve të rajonit, sidomos mes Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Ja ç’shkruan ai, në një fragment te “Shqiptarët, malaziasit dhe serbët” (Identitetet tona)

“…Nuk ka në Ballkan popuj që i përngjasin më shumë njëri-tjetrit, pos këtyre që përmenden në titull. Dhe nuk ka popuj nga Evropa e Jugut deri në Lindjen e Afërt që do t’i zemëronte më shumë ky krahasim. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron t’i ngjajë tjetrit, gjatë tërë kohës ata kultivojnë armiqësi, i pari ndaj të dytit dhe i dyti ndaj të tretit dhe i treti ndaj të parit… Ideologët serbomalazezë nuk i duan malazezët dhe as shqiptarët, ashtu siç nacionalistët serbë nuk i duan malazezët e aq më pak serbomalaziasit, posaçërisht shqiptarët nuk i durojnë dot. Shovinistët malazezë nuk i duan serbët kurse shqiptarët i fyejnë, ndërsa udhëheqësit militantë shqiptarë nuk duan asnjeri tjetër përveç grupit të vet të imagjinuar fisomadh kuazi-ilir. E të gjithë janë aq të ngjashëm, janë pranë tjetrit dhe për shkak të atij tjetrit janë armiq të njëri- tjetrit. Gjithashtu, nëse ekzistojnë popuj në Evropë, të cilët bota i njeh më pak dhe më sipërfaqësisht, atëherë, përsëri janë këta tre popuj…”

Shqetësimet e shkrimtarit mbi politikën bëhen dukshëm një mision, prej së cilës nuk resht së kërkuari shkaqet pothuaj antropologjike pse aq shumë urrejtje ndodhin në këtë rajon, e paqja është e vështirë. Megjithatë, Nikolaidis gjithë angazhimin e tij e ka kaluar në botime, revista e gazeta të pavarura politikisht në Mal të Zi, botuar edhe në gjuhën shqipe.

Gjatë këtij qëndrimit në Tiranë, Jovan Nikolaidis, siç informon botuesi i “Poetekës”, përjetoi intensivisht jetën e kryeqytetit, hyri në komunikim me shkrimtarë, përkthyes dhe krijues; vizitoi galeri, muze, teatro dhe kafene letrare; gjurmoi jetën e Tiranës në periferi dhe qendra; shkroi shënimet e tij rreth jetës së këtij qyteti dhe njerëzve që njohu, tekste këto që po botohen në shtypin rajonal nën titullin “Tirana Forever”. Në mbyllje të kësaj përvoje, Nikolaidis është vetërrëfyer për publikun mbi veten, krijimtarinë ditët e tij, multikulturën, për patologjitë shoqërore në Ballkan, demagogjitë, mbylljen përballë ideve të reja, frikën nga “Tjetri”, mohimin e lirive, kultin e fqinjit të mirë, rolin e minoriteteve, propagandën në shoqëritë e hapura, për izolimin, vetëmashtrimin, amnezinë sociale, falsifikimin apo zbukurimin historive lokale, krenarinë dhe cinizmin.

Ja ç’thotë shkrimtari në një dorëshkrim të tij, për veten: “Jovan Nikolaidisi është i lindur në Ulqin, në kasabanë më të bukur në planet. Dashuria ndaj vendlindjes ia ka përcaktuar temën për opusin e tij letrar, duke tërhequr vërejtjen se për atë krijimtari vlen rregulli që: ajo që është provinciale shpesh ka vlera universale”.

  1. M.

 

 

Info/kult

 

Orhan Pamuk dhe Elif Shafak akuzohen nga qeveria dhe shtypi turk

 

Një artikull në një gazetë pro Erdoganit këtë javë ka shkruar se Pamuk ekziston në këtë grup, i cili zgjedh disa autorë dhe i përdor ata për të sulmuar qeverinë.

Autorët Orhan Pamuk dhe Elif Shafak së fundmi janë akuzuar nga shtypi proqeveritar si dy autorë që “nuk janë njerëz” si dhe i takojnë një lobimi ndërkombëtar letrar, i cili e ka qeverinë turke në atakim.

Një artikull në një gazetë pro Erdoganit këtë javë ka shkruar se Pamuk ekziston në këtë grup, i cili zgjedh disa autorë dhe i përdorë ata për të sulmuar qeverinë.

“Kurdo që unë shkruaj, një libër, një kritikë, ku merrem me Turqinë, unë merrem si një person kundër Turqisë, person i deleguar nga ndërkombëtarët. Për këtë lobimin ndërkombëtar letrar, është hera e parë që po dëgjoj”, – ka thënë Shafak, e cila së fundmi ka publikuar librin e saj “The Architect`s Apprentice”.

PEN International, në anën tjetër, ka reaguar ndaj këtyre sulmeve duke thënë se autorët edhe në të kaluarën janë sulmuar për shkak të gjoja ofendimeve të tyre ndaj turqizmit, por kjo duhet të ndalojë dhe letërsia duhet të thyejë barrierat.

 

 

“Ata hyjnë pa trokitur”, në skenën e Tetovës

 

Historia e veprës “Ata hyjnë pa trokitur” është historia e një çifti intelektualësh të izoluar brenda ambienteve të shtëpisë së tyre në kërkim të pjesës së fajit. Në këtë kërkim i kthehen dhe rikthehen jetës së tyre duke e parë dhe analizuar, për të gjetur gabimin.

“Ata hyjnë pa trokitur” pas prezantimit në skenën teatrore në Tiranë u shfaq mbrëmë për publikun në Tetovë. Premiera që çeli sezonin e ri artistik në Teatrin e Metropolit, të shtunën në mbrëmje do të shfaqet në teatrin e Tetovës. Vepra nuk ka munguar dhe në skenat e Kosovës, dhe është një komedi, e shkruar vite më parë nga autori Armand Bora, njëkohësisht edhe regjisor i veprës. Është një vepër që në aspektin dramaturgjik bën përpjekje për ta parë në largësi; kohën, familjen, historinë e shoqërisë shqiptare, në periudhën e diktaturës e sistemit komunist. Është një tekst që e sheh në këndvështrimin satirik, komik, ironik, pa anashkaluar thelbin; dramën e asaj periudhe.

“Është folur shpesh ndoshta pas viteve ‘90 për historinë e familjeve dhe fiseve, të cilët e kanë vuajtur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhunën dhe diktatin e shtetit komunist. Fare pak për të mos thënë aspak është folur për atë pjesë të shoqërisë, e cila edhe pse nuk ka pasur një dënim konkret a situatë konkrete dënimi, dhuna dhe trysnia e shtetit, nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë në jetët e tyre”, shprehet regjisori i veprës Armand Bora.

Historia e veprës “Ata hyjnë pa trokitur” është historia e një çifti intelektualësh të izoluar brenda ambienteve të shtëpisë së tyre në kërkim të pjesës së fajit. Në këtë kërkim i kthehen dhe rikthehen jetës së tyre duke e parë dhe analizuar, për të gjetur gabimin. Kjo jetë, e cila del nga kujtesa ashtu siç edhe ata futin dhe nxjerrin nga valixhja plaçkat (rrobat) e tyre që i kanë bërë gati për t’i marrë me vete, për të shkuar në kampet e përqendrimit, kalon si një film përpara spektatorit, me të gjitha ngjyrimet e tij, duke nisur nga situatat komike, e duke përfunduar tek ato më dramatiket.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency