Hetimi / Padia e Bashkisë, Prokuroria nis hetimin për ministrin Shkëlqim Cani

0
164

Bashkia-e-Tiranes

Alma Çuka

Bllokoi punimet e Bulevardit të ri. Në 14 nëntor nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, dorëzoi në Prokurori një material prej 45 faqesh. Pas verifikimit pritet komunikimi i akuzës

Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, pas kallëzimit të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo. Burime të besueshme pranë organit qendror të hetimit thanë për “Standard” se pas verifikimit të dokumentacionit të ardhur nga Bashkia e Tiranës, është vendosur nisja e hetimeve për ministrin e Financave Shkëlqim Cani, i cili dyshohet se me dashje nuk ka lëvruar fondet për vazhdimin e punimeve të bulevardit të ri. Të njëjtat burime theksuan se materiali referues në Prokurori nga Bashkia Tiranë ka të detajuar çdo informacion që i duhet hetuesve të njësisë task-forcë për të çuar deri në fund hetimet. Bëhet me dije se prokurorët kanë përfunduar verifikimin e të gjithë dosjes së dorëzuar nga Bashkia, ndërsa kanë kërkuar informacion shkresor edhe nga Ministria e Financave. Burimet thanë se pasi të ketë përfunduar faza e parë e verifikimit të dokumentacionit do të merret në pyetje si person që ka dijeni për gjithë sa është shkruar në kallëzim edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani. Vetëm pasi të ketë përfunduar faza e verifikimit dhe marrja në pyetje e ballafaqimi i fakteve me deklarimin e ministrit, Prokuroria do të vendos nëse do të marrë apo jo nën hetim ministrin, duke e cilësuar si person që me dashje pengon ndërtimin e një vepre madhore si ajo e zgjatimit të bulevardit.

 

Regjistrimi

Burimet e Prokurorisë pohojnë se materiali është regjistruar si procedim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pa shënuar emrin e ndonjë personi që do të hetohet. Organi i akuzës theksoi se pas verifikimeve paraprake do të vendoset më pas një lidhje me personat përgjegjës, nëse gjenden elemente të veprës penale të kallëzuar. Kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e kryeqytetit bën fjalë për bllokimin e pagesës financiare për dy kompanitë, që punojnë për zgjatimin e bulevardit “Zogu i Parë” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Materiali i padisë rreth 45 faqe ndaj ministrit të Financave, pas dorëzimit në regjistrin penal të Prokurorisë së Tiranës, i ka kaluar grupit hetimor që po bën shqyrtimin e tij.

 

Kallëzimi i Bashkisë

Më 14 nëntor 2014, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, dorëzoi në Prokurori padi penale ndaj ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Kallëzimi i Bashkisë së Tiranës, siç thanë burimet zyrtare, qe bërë për shkak të bllokimit të qëllimshëm dhe pa arsye të pagesave ndaj kompanive që po punojnë për ndërtimin e bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. “Ndalimi i këtyre pagesave, pavarësisht kërkesave të shumta, të njëpasnjëshme të Bashkisë Tiranë për zhbllokim, ka sjellë dëme ekonomike, penalitete të parashikuara në kontratë për Bashkinë e Tiranës”, – pati deklaruar nënkryetari i Bashkisë Bozdo më 14 nëntor, pas dorëzimit të kallëzimit penal në Prokurori. Ai pretendoi se bllokimi i pagesave ka dëmtuar rëndë interesin ekonomik të qytetarëve të Tiranës, të cilët do të përfitonin nga ndërtimi i këtyre veprave dhe nga ana tjetër, kanë lënë pa punë dy mijë punëtorë, të cilët ishin të punësuar direkt në ndërtimin e këtyre dy veprave të mëdha. Sipas kallëzimit, pas pengesave të vazhdueshme me bllokimin e buxhetit të Bashkisë dhe me ndërhyrjet e INUK, akti i fundit pengues për ndërtimin e bulevardit ka qenë vendimi i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. “Akti i fundit për të cilin do të hetohet ministri i Financave Shkëlqim Cani, është bllokimi i procedurave të financimit”, – ka deklaruar Bashkia e Tiranës në momentin e dorëzimit të kallëzimit në prokurori

 

Cani: Nuk jap fonde kur s’dihet destinacioni

Në të njëjtën ditë që nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo depozitoi në Prokurori kallëzimin, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë raportimit para Komisionit të Ekonomisë në Parlament, u përgjigj lidhur me akuzat. Ministri Cani theksoi në atë moment se financimi përmes kredisë nuk mund të lëvrohej, pasi nuk plotësonte kushtin kryesor që bënte fjalë për destinacionin e parave. “Kredia që ka kërkuar Bashkia e Tiranës, ka kohë që kërkohet, por ne nuk do të pranojmë të marrim më kredi, të cilave nuk u dihet destinacioni. Për më tepër, do të jemi pengesë për to, sepse kemi mjaft borxhe”, – tha Cani në 14 nëntor.

 

 

 

Drejtësi

Nderohet pas vdekjes me titullin “Toga e Artë” avokati Kleanthi Koçi

Shoqata e Avokatëve Penalistë nderon pas vdekjes me titullin “Toga e Artë” avokatin e njohur Kleanthi Koçi, i cili u vra në mënyrë misterioze nga persona që ende nuk janë identifikuar nga policia. I njëjti titull iu akordua edhe avokatit me një përvojë shumëvjeçare në këtë fushë, Ibrahim Lahi. Të pranishëm në ceremoninë e organizuar nga Shoqata e Avokatëve Penalistë, drejtuar nga avokati penalist Saimir Vishaj, ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Titulli i akorduar avokatit Kleanthi Koçi pas vdekjes iu dorëzua dy vajzave të tij, ndërsa Ibrahim Lahi, në fjalën e tij deklaroi se avokatët duhet ta ndiejnë vetën pjesë e imazhit të keq të krijuar për sistemin e drejtësisë në tërësi. “Falënderoj kreun e Shoqatës për dhënien e këtij titulli. Ne avokatët jemi pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe në këto kushte nuk duhet ta përjashtojmë veten nga imazhi i keq krijuar për këtë sistem”, – tha avokati Lahi. Ndërsa kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, e quajti ironi të fatit mosrespektimin që krerët e shtetit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë për avokatin Kleanthi Koçi pas vdekjes, në një kohë që dekorohen studentë të rinj dhe u jepet titulli i mirënjohjes. Vishaj tha se politika duhet të ndahet njëherë e mirë nga sistemi i drejtësisë.

 

 

Tiranë

Sherr në kazino, nis hetimi për të gjetur shkakun

Policia e kryeqytetit bëri me dije përmes një komunikate për shtyp se mbrëmjen e së premtes, dy të rinj kanë shkaktuar një sherr mes njëri-tjetrin, i cili ka përfunduar me goditje me sende të forta. Sherri, sipas policisë, ka nisur brenda në kazino për të përfunduar më pas jashtë ambienteve të saj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hoxha Tahsim”, ku nga raportimet e para mësohet se dy persona kanë qëlluar njeri-tjetrin me mjete të forta. Mësohet se sherri ka ndodhur mes një klienti dhe rojës së kazinosë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se roja është urdhëruar nga pronarët të nxjerrë jashtë klientin që, me sa dukej, ishte problematik, por ka hasur në kundërshtimin e tij, i cili ishte tepër i ashpër.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency