Guvernatori / Koha e sulmit të Presidentit ka marrë fund, mungesa e opozitës në zgjedhje, vetëvrasëse

0
99

dt.common.streams.StreamServer

“Kërkesat e opozitës, qesharake, ne si mazhorancë ia kemi zgjatur dorën për bashkëpunim”

Për guvernatorin e ri, Kryeministri nuk preferoi të flasë. Ndërsa sa u përket marrëdhënieve me Presidentin e Republikës, Rama u shpreh se është duke u vendosur një model të ri komunikimi. Në një intervistë në “Albanian Screen”, në emisionin “Bugajski Hour”, Rama deklaroi se ai është duke komunikuar intensivisht me Presidentin dhe ka përfunduar koha e sulmit për arsye se ai është i zgjedhur nga krahu tjetër politik. “Nuk është e lehtë, por është lehtë tani, ka përfunduar koha kur Presidenti sulmohej me ligësi, nga salla e konferencave të Kryeministrit”, – tha Rama.

 

Zgjedhjet lokale

Kryeministri Edi Rama është përgjigjur edhe në lidhje me deklaratat e deritanishme se me hartën e re territoriale PD-së nuk do të hyjë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Rama tha se nuk do të ketë asnjë lëshim. Zgjedhjet vendore do të mbahen edhe nëse opozita nuk do të hyjë. Gjithashtu, ai shprehu bindjen se edhe nëse opozita hyn në garë, e majta do të fitojë. “Nuk e besoj se do të bojkotojnë zgjedhjet. Por edhe nëse ndodh kështu, zgjedhjet do të mbahen edhe pa praninë e opozitës. Ne di t’i fitojmë ato edhe me PD-në në garë. Jam i bindur se do hyjnë në garë, por nëse jo mungesa në zgjedhje do ishte vetëvrasje”, – tha Rama.

 

Marrëdhëniet me Presidentin                                                          

Shefi i qeverisë preferoi të mos fliste për dekretin e Presidentin, Gent Sejko, për guvernator të Bankës së Shqipërisë. I pyetur nëse kjo ketë ndonjë hezitim për shkak se propozimin e bën Presidenti, Rama e mohoi. Ai tha se është duke u ndërtuar një marrëdhënie e re me Presidentin e Republikës. “Nuk është e lehtë, por tani ka përfunduar koha kur Presidenti sulmohej me ligësi nga salla e konferencave të Kryeministrit”, – tha Rama.

 

Bojkoti i opozitës

I pyetur për bojkotin e opozitës, Rama përsëriti qëndrimin se janë plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara nga deputetët e djathtë. Kërkesat e tyre, tha Rama janë qesharake: “Ne si mazhorancë ia kemi zgjatur dorën për bashkëpunim. Ata duan të flasin më shumë se në parlament, le të flasin, por nuk ka për ti ndihmuar ata, se e rëndësishme është sa çfarë flet dhe jo sa flet. Në Kuvend ata janë të mirëseardhur”, – vijoi Rama.

 

Shifrat për punësimin

Lidhur me papunësinë, Kryeministri Rama tha se këtë vit janë hapur mbi 78 mijë vende të reja të punës. Industrinë që ai e cilësoi “të shkëlqyeshëm” ishte ai fason, ndërsa punësim ka në sektorin e bujqësisë, në shërbime etj. “Kemi një rritje të madhe të numrit të njerëzve që janë regjistruar, mbi 78 mijë vende të reja pune, kjo është arritje e madhe. Në bujqësi, industrinë fasone, në shërbime, në fasone kemi ecur shumë mirë, duhe të bëjmë më shumë në turizëm.

 

Kostoja e energjisë

“Jemi akoma nën kosto, por kjo nuk është detyra jonë, ne duhet të sigurohemi të paguajnë energjinë, pra ne kemi vendosur të heqim fashën, 330 kV, e cila u shpik për të mbrojtur të varfrit, por është bërë mburojë e hajdutëve. Me heqjen e kësaj fashe ne kemi ndarë 16 milion për ndihmën sociale, ndërsa të tjerët do të paguajnë çmim mesatar”, – tha Rama lidhur me ndryshimin e çmimit të energjisë.

 

Marrëdhënia me Serbinë

Tashmë, shteti fqinj nuk duhet konsideruar një armik, por një vend mik. Kështu u shpreh Rama ndërsa theksoi se prioriteti i qeverisë është anëtarësimi i vendit në BE. “Serbinë nuk e kemi armike. Ne me Serbinë do vendosim një marrëdhënie të re. Puna duhet të përqendrohet tek integrimi.

 

Rehabilitimi i komunizmit

“Kjo është kritikë që vjen nga njerëz krejtësisht injorantë, nuk denjoj të përgjigjem. Reagimi i njerëzve ka qenë fantastik, po ashtu dhe ata ndërkombëtarë”, – u shpreh Rama.

 

 

Ligji për hartën territoriale

Të hënën vendimi, zgjedhjet lokale në pikëpyetje

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve lokale

Ditën e hënë pritet që Gjykata Kushtetuese të shpallë vendimin për ligjin e ri për ndarjen administrative-territoriale, e miratuar gjatë muajit shtator pa votat e deputetëve të opozitës. Ndërkaq, brenda datës 15 dhjetor, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka detyrimin ligjor të shpallë datën e zgjedhjeve vendore, 9 muaj para mbarimit të mandatit 4-vjeçar të kryetarëve të bashkive, komunave dhe këshilltarëve të tyre. Paralel me debatet në Gjykatën Kushtetuese, në Partinë Demokratike është zhvilluar një konsultë mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, dhe grupit të ekspertëve demokratë, sipas llogarive të të cilëve ndarja me 61 bashki i jep fitoren në tavolinë koalicionit qeveritar.

 

Qëndrimi i demokratëve

Demokratët që në hartimin e hartës së re territoriale me 61 njësi bashkiake janë shprehur se nuk do ta pranojnë këtë hartë dhe me këtë ndarje do të bllokohen zgjedhjet e ardhshme vendore. Në reagimet e tyre të vazhdueshme, ekspertët e PD-së janë shprehur se kjo ndarje është bërë në mënyrë të njëanshme dhe u jep të majtëve “fitoren në tavolinë”.

Pak ditë më parë, përfaqësuesi ligjor, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, para hyrjes së Gjykatës Kushtetuese u shpreh qartë se më këtë hartë nuk do të ketë zgjedhje lokale. “Me këtë hartë, e cila i bën gjëmën procesit zgjedhor, i cili ka njohur deri më sot arritje, kjo mazhorancë do të kërkojë që të mos bëjë asgjë më pak dhe asgjë më shumë, por të konsolidojë oligarkinë Rama-Meta, e cila kërkon të krijojë tashmë oligarkët lokalë”, – është shprehur deputeti. Këtë qëndrim e ka shprehur edhe kryedemokrati: “Harta është e papranueshme dhe nuk do ta pranojmë kurrë”. Këtë bindje e ka deklaruar edhe kreu i grupit parlamentar i PD-së, Edi Paloka, ditë më parë në një intervistë për gazetën “Standard”. “Ne nuk dimë se çfarë mendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese. Jemi të bindur për drejtësinë e kërkesës sonë, sepse jemi të bindur që kjo e ashtuquajtur reformë vetëm ajo e duhura nuk është, për shumë arsye. Kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim harte sipas orekseve elektorale të Ramës dhe të Metës. Kanë përgatitur zona zgjedhore, në mënyrë të tillë që të kenë të lehtë fitoren në tavolinë. Nesër, nëse zhvillohen zgjedhje me atë hartë, atëherë 3-çereku i punës së kësaj mazhorance është mbyllur, sepse harta është bërë në formë të tillë, që në shumicën e këtyre zonave mazhoranca e majtë të fitojë prapë. Pra, ne nuk mund të hyjmë në një palë zgjedhje ku pothuajse gjithçka është vendosur në tavolinë. Ne kemi besim se Gjykata Kushtetuese, duke parë shkeljet e Kushtetutës që janë bërë lidhur me përgatitjen e kësaj harte, dhe minimalja është pika që qytetarët cenohen nga kjo hartë, mjafton kjo pikë për ta hedhur poshtë këtë ndarje. Ne kemi besim që Gjykata do të marrë vendimin e duhur. Por, nëse nuk do të jetë kështu, edhe ne do të marrim vendimet tona”, – pati thënë Paloka. Pyetjes nëse hyn në zgjedhjet vendore, në rast se Gjykata Kushtetuese e miraton ndarjen e re të territorit me 61 njësi bashkiake, nënkryetari i Partisë Demokratike, iu përgjigj në këtë mënyrë: “Jo. Me ketë hartë nuk do të ketë zgjedhje”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency