Pretenca/ Vjedhja e Bankës, kërkohen 56 vite burg për dhjetë të pandehur

0
127

Alma Çuka

 bsh 2U procedua me gjykim të shkurtuar. Vetëm dy seanca për të mbyllur një çështje, e cila lidhet me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Ish-guvernatori, së shpejti në gjykim

Prokurorisë së Tiranës iu deshën vetëm dy seanca gjyqësore për të dhënë konkluzionet përfundimtare ndaj dhjetë të pandehurve të parë, akuzuar për “Shpërdorim detyre”, e cila çoi në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga arka stok. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkoi dje nga Gjykata shpalljen fajtor dhe dënimin e 10 ish-punonjësit e parë të Bankës së Shqipërisë, me 56 vite burg gjithsej. Hetimi ndaj këtyre personave filloi pas vjedhjes së një sasie të konsiderueshme parash nga arkat e këtij institucioni. Për Dorian Çollakun, Bashkim Xhilagën, Lavdim Canin, Myzejen Belbën. Liljana Kolën Prokuroria kërkoi dënimin me nga 6 vite burg. Ndërsa për Bahri Allushin, Gentjan Jahen, Fatbardha Gurthin dhe Mehdi Markun, dënimin me nga 5 vite burg. Dorjan Çollaku ka mbajtur detyrën e përgjegjësit të arkës stok, ndërsa pesë të tjerët kanë qenë në pozicionin e punonjësve të arkës stok, arkës transit e arkës në veprim. Për dhjetë të pandehurit gjykata procedoi me gjykim të shkurtuar pas pranimit të kërkesës së bërë në seancën e parë gjyqësore. Të pandehurit pranuan të gjykohen në gjendjen që janë aktet duke shmangur zvarritjen e procesit dhe ballafaqimin me provat e akuzës, ku pjesë e tyre do të ishin dhe një numër i madh dëshmitarësh, përfshi dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës.

 

Hetimi i Prokurorisë

Sipas akuzës, të pandehurit në fazën e kërkesave paraprake kërkuan që gjykimi ndaj tyre të zhvillohej me procedurën e gjykimit të shkurtuar, kërkesë e cila mori miratimin e Gjykatës me vendimin e ndërmjetëm të datës 4.12.2014. Ndërsa për të pandehurit Elivar Golemi, Petrit Ramohitaj, Ilir Dedja, Mehdi Molla dhe Emiljano Lamçe Gjykata vendosi ndarjen e çështjes. Në përfundim u administrua në tërësi fashikulli i hetimit me të gjitha provat dhe aktet bashkëngjitur, ku nga analiza e tyre u provua vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” për secilin. Në konkluzione prokuroria tha se hetimi nisi pas kallëzimit të Bankës së Shqipërisë në 21 korrik 2014 për veprën penale të “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit” parashikuar nga neni 135, 248 dhe 300 i K. Penal, në ngarkim të personave nën hetim Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Në datë 30.7.2014, është regjistruar emri i personave nën hetim Dorian Çollaku, Bashkim Xhilaga, Petrit Ramohitaj, Lavdim Cani, Myzejen Belba, Dhimitër Davidhi, Liljana Tusha, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në vijim të hetimeve, në datë 28.8.2014,janë regjistruar emrat e personave nën hetim Gentian Jahja, Ilir Dedja, Emiljano Lamce, Mehdi Marku, Bahri Allushi, Fatbardha Gurthi, dhe Mehdi Molla, me detyrë inventarizues në Bankën e Shqipërisë.

 

Rrethanat e kryerjes së veprës penale

Rezulton e provuar se departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin “X” Linzë në janar 2013, në përbërje të të cilit funksionojnë krahas të tjerave edhe të ngarkuarit me vlera në arkën për veprim dhe në arkën stok. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma transit që në organizmin e vjetër quhej “Rondo”. Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma transit, organizimi i punës në këto tre arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore si udhëzime apo rregullore por ka vazhduar me rregulloret e vjetra. Arka Stok është një ambient magazinimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për tu hedhur në qarkullim, pra lekë i ri i pa hedhur më parë në qarkullim. Ky lekë vjen nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat Banka e Shqipërisë ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Në përbërje të arkës stok kanë qenë shtetasi Ardian Bitraj (i arrestuar në këtë procedim penal) si dhe punonjësit Lavdim Cani dhe Myzejen Belba. Në gjuhën bankare ky ekip quhet treshe e ngarkuar me vlera dhe merr në dorëzim fondet e prodhuara dhe pasi vërteton gjendjen fizike të mallit me dokumentacionin shoqërues bën hyrjen në ambientet e arkës stok. Më tej me urdhër të guvernatorit ngrihet një komision për kontrollin sasior dhe cilësor të fondeve. Ky komision hap 20% të të gjithë ngarkesës së ardhur dhe verifikon cilësinë dhe sasinë sipas kontratës me firmën prodhuese. Më pas përpilon procesverbalin me dokumentacionin shoqërues dhe ia përcjell departamenteve të kontabilitetit dhe administrimit. Arka stok furnizon me fonde arkën për veprim, e cila është në të njëjtin departament me arkën stok. Në përbërje të arkës për veprim janë po tre punonjës, përgjegjësi i zyrës i quajtur Petrit Ramohitaj dhe dy specialistët të ngarkuar me vlere, Mimoza Bruzi dhe Liliana Kola. Të tre këta formojnë treshen e ngarkuar me vlera, ashtu si tek arka stok.

 

Ardian Bitraj dhe vjedhja

Shtetasi nën hetim Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të arkës stok dhe asaj për veprim që gjenden pranë departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ky shtetas, ka përvetësuar shuma të mëdha parash veprime të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Personi nën hetim Ardian Bitraj ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë arkës stok dhe asaj për veprim, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej arkës stok në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë duhet të asgjësoheshin. Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues e në vijim si person nën hetim shtetasi Ardian Bitraj i cili ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje mekanizmin e vjedhjes. Nga procesverbali i këqyrjes së vendeve i datës 22.7.2013, konkludohet se rrethanat dhe mekanizmi i shpjeguar nga personi nën hetim Ardian Bitraj, përputhet plotësisht nga konstatimet e bëra në këqyrje. Po kështu me procesverbalin e sekuestrimit të datës 22.7.2014 janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje me veprën penale.

Nga deklarimet e shtetases nën hetim Mimoza Burzia pranohet fakti se ka pasur dijeni se shtetasi Ardian Bitraj vidhte shumë parash në arkën për veprim por nuk e kallëzuar këtë fakt. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, që mbikëqyrin ambientet e brendshme të Godinës së Departamentit të Emisionit, ka rezultuar se shtetasi Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht në datë 15.7.2014, rreth orës 08:45 min ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok (transit). Siç është provuar nga hetimi si në arkën stok ashtu dhe në arkën për veprim janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që janë lejuar nga kontrollori i pandehuri Bashkim Xhilaga për shkak të mosushtrimit të funksioneve të tij. Si rezultat i kësaj, përgjegjësi i arkës stok shtetasi Ardian Bitraj, ka arritur të përvetësojë nga të dy arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 700 milionë lekëve.

Nga procesverbali i këqyrjes në arkën për veprim së datës 4.8.2014 ka rezultuar se arkat e prekura, janë ato me prerje 5 mije lekëshe, ku secila,prej tyre si rregull mban një sasi prej 20 mijë kartëmonedhash të prerjes 5 mijë lekëshe.

 

Prerjet e kartëmonedhave dhe arkat e vjedhura

Nga këqyrja e mëtejshme ka rezultuar se arkat e prekura janë:

AR297 ka në brendësi 3 mijë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe;

AN133 ka në brendësi 4 mijë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe;

AN136, ka në brendësi 16 mijë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe;

AR266, ka në brendësi 13 mijë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe;

AN135, ka në brendësi 10 mijë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe.

Ndërsa kutitë me kode AM91 dhe AE11 dhe AP180 nuk kanë kartëmonedha në brendësi,pra është vjedhur e gjithë shuma. Sipas procesverbalit të ardhur nga BSH vlera e dëmit të ardhur është 713 milionë lekë.

 

Të pandehurit dhe dënimi i kërkuar nga akuza        

Dorian Çollaku, 6 vite burgim

Bashkim Xhilaga, me 6 vite burgim

Lavdim Cani, me 6 vite burgim

Myzejen Belba, 6 vite burgim

Lilajan Kola (Tusha), 6 vite burgim

Dhimitër Davidhi, 6 vite burgim

Bahri Allushi, 5 vite burgim

Gentjan Jahja, 5 vite burgim

Fatbardha Gurthi, 5 vite burgim

Mehdi Marku, 5 vite burgim

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency