24-vjetori i krijimit të PD/ Basha: Mes nesh s’ka vend për ndasi, të hapur për “zemërthyerit” për Nisjen e re

0
131

“PD përfaqëson shumicën e shqiptarëve, ringritja jonë është realitet”

photoPartia Demokratike organizoi mbrëmjen e djeshme ceremoninë për kremtimin e 24-vjetorit të krijimit të saj. Me një pjesëmarrje të rreth 800 të pranishmëve, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbajti një fjalë të gjatë për të shkuarën dhe të ardhmen e partisë që drejton. Ai deklaroi se sot PD-ja është një forcë politike e ringritur, që përfaqëson shumicën e shoqërisë shqiptare. Po ashtu, kryedemokrati tha se partia më e madhe opozitare sot është e gatshme për të përballur çdo sfidë dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve që shqetësojnë shqiptarët. “Sonte, një vit më pas, ringritja e Partisë Demokratike është një realitet. Zgjedhjet e reja, bashkimi, hapja dhe përtëritja janë në një proces dinamik i pandalshëm”, – deklaroi kryedemokrati. Basha parashtroi edhe sfidat e vitit të ardhshëm. Sipas kryedemokratit, “ky vit i ri politik do ta gjejë Partinë Demokratike më të fortë, më të organizuar dhe më të rinuar se më parë. Ne po përgatitemi t’i prijmë përballjes së re të shqiptarëve me oligarkinë”.

 

Historia

Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se PD ka një histori të gjatë si forcë politike. “24 vjet më parë, ne shqiptarët bashkë me Partinë Demokratike nisëm procesin e pakthyeshëm të Shqipërisë së lirë, demokratike dhe evropiane. Ne u ndamë nga e kaluara e hidhur, nga diktatorët dhe ideologjitë e së keqes. Fituam të drejtat tona dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e kombeve të lira. Sot është rasti të kujtojmë me krenari se jemi pjesë e kësaj trashëgimie, se i kemi rrënjët tona në mobilizimin më të madh të lirisë dhe ndryshimeve demokratike në historinë e kombit shqiptar”, – kujtoi Basha, duke risjellë në vëmendje 3 data kryesore, më 8 dhjetor shpërtheu Lëvizja Studentore; më 11 dhjetor lëvizja mori përmasa popullore dhe imponoi pluralizmin politik; po atë mbrëmje, duke u gdhirë 12 dhjetor, shqiptarët themeluan dhe shpallën partinë e parë politike të tipit perëndimor, me një program thellësisht demokratik dhe proevropian.

 

Kundërshtarët

Kreu i PD-së u shpreh edhe për kundërshtarët politikë. Sipas tij, e majta me mjetet e veta qeverisëse po zhbën vlerat e demokracisë. “Kundërshtarët tanë politikë të së majtës dhe veglat e tyre janë përpjekur gjithmonë të përbaltin përmes mashtrimit këtë pasuri kombëtare. E kanë kot. E vërteta e Lëvizjes Studentore, sikurse ajo e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, është shkruar në arenë, me akte, me vepra, me vlera, me arritje që vendi dhe shoqëria shqiptare nuk i kishin njohur kurrë më pare dhe sot i nderojnë me respekt”, – deklaroi Basha.

 

Zemërthyerit

Kryedemokrati u bëri thirrje të gjithë atyre që për arsye të ndryshme janë larguar apo distancuar nga Partia Demokratike të rikthehen. “Me këtë rast, në ketë ceremoni përkujtimi dhe kremtimi, kur demokratët ndihen më të bashkuar se asnjëherë tjetër më parë në historinë e tyre të përbashkët, unë i bëj thirrje përsëri dhe i shtrij përsëri dorën vëllazërore të pajtimit, mirëseardhjes dhe respektit në shtëpinë e hapur të demokratëve cilitdo që për një arsye a tjetër mungon akoma në ribashkimin tonë apo ndihet zemërthyer, për arsye që do të duhet dhe do t’i shterojmë duke punuar së bashku për qëllimin e përbashkët, për nisjen e re, për alternativën e re, për fitoren. Nuk ka vend për ndasi. Të bashkuar do ngremë një alternativë të re, alternativën fituese për demokratët dhe të gjithë shqiptarët”, – u shpreh kreu i PD-së.

 

Figura të pastra

Dekriminalizimi i Kuvendit ishte një tjetër pikë ku u ndal kreu i PD-së. Verifikimi i figurave në Parlament, – tha Basha, – është një objektiv të cilin PD-ja e konsideron objektiv jetik për demokracinë. Dekriminalizmi i Kuvendit është për ne kushti i domosdoshëm për funksionimin e tij si një institucion i fjalës së lirë, i debateve të shëndetshme dhe dialogut të nevojshëm në të mirë të vendit. Kemi sakrifikuar e po sakrifikojmë për këtë objektiv jetik për demokracinë – kemi ndërprerë marrëdhëniet me Kuvendin – një masë in ekstremis për një virtyt in ekstremis, por jemi të vetëdijshëm se qytetarët shqiptarë pa përjashtim e çmojnë, madje edhe vetë kundërshtarët tanë politikë do ta çmojnë lart vlerën e betejës tonë kur partitë të vendosin bashkërisht flakjen e mekanizmit që promovon trafikantë dhe kontigjentë”, – nënvizoi Basha.

 

Rinovimi

“Anëtarësimet e reja në Partinë Demokratike janë një hap drejt rinovimit të PD-së”, – tha Basha. Kreu i PD-së u ndal edhe në situatën e vështirë që po kalon Shqipëria sot. “Bashkimi, rinovimi, demokracia pjesëmarrëse nuk janë një proces i mbaruar, por një rrugëtim i përhershëm. Ndonëse ndihemi më të bashkuar se kurrë në historinë tonë politike, kjo nuk mjafton. Bashkimi bën fuqinë dhe ky proces nuk do ndalet. Shqipëria po kalon momente të vështira. Shumë nga arritjet 24-vjeçare janë vënë në pikëpyetje. Shoqëria është në pragun e mbijetesës. Zëri i Shqipërisë reale na thërret. Ne e dëgjojmë dhe duhet t’i dalim zot. Ky vend na ka thirrur gjithnjë për punë të mëdha dhe ne i jemi përgjigjur. Koha po afron sërish. Ne po përgatitemi. Ne po hapemi, po shtrihemi në çdo familje shqiptare. Kemi nevojë të bashkohemi me këdo që ka besuar ndonjëherë apo beson sot tek Partia Demokratike. Të hapur dhe bindës edhe për më skeptikët”, – deklaroi Basha.

 

PD e shumicës

Referuar vështirësive, Basha tha se PD-ja sot përfaqëson shumicën morale dhe numerike të shqiptarëve. “Ne po përfaqësojmë sot interesat e shumicës morale dhe numerike të shqiptarëve. Ne duhet të mbrojmë të gjithë ata që ndihen të harruar, të braktisur, të shpërfillur. Ne duhet të jemi me ata që nuk përmbushin dëshirat legjitime për një jetë më të mirë. Lidhja jonë e re duhet të kalojë kufijtë tradicionalë të ndarjeve politike”, – shtoi Basha.

 

Falënderim të rinjve

Basha nuk anashkaloi të rinjtë në parti. Ai tha se të rinjtë e shumtë që kanë vërshuar në PD janë shpresa e së ardhmes. “Një falënderim të zjarrtë u drejtoj sot të rinjve që kanë vërshuar në Partinë Demokratike. Ju jeni forca më e madhe lëvizëse e kësaj shoqërie. Idealizmi dhe optimizmi juaj është shpresa e ndryshimit të madh. Në emrin tim por dhe në emrin e të rinjve demokratë ftoj sot çdo të ri të Shqipërisë të na bashkohet. Ejani në Partinë Demokratike. Merrni përgjegjësi në forcën e lirisë, të atdhetarisë, tolerancës, gjithëpërfshirjes dhe europianizmit. Ne jemi mbështetja e idealeve, shkollës, punës dhe sipërmarrjes. Ejani t’i vini shpatullat një lëvizje kombëtare që po konturohet. Ejani në lëvizjen më të madhe në histori për vlera, mirëqenie dhe Shqipëri evropiane e perëndimore”, – iu drejtua të rinjve Basha.

 

Viti i ardhshëm

“2015-a do të jetë viti i 25-vjetorit të rilindjes së madhe demokratike të Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ju ftoj ta presim me dinjitetin e një vendi të lirë”, – vijoi Basha duke shtuar se viti i ardhshëm “do të jetë viti i udhëtimit në historinë e sakrificave dhe përpjekjeve shqiptare për liri i ilustruar në projektin tonë “drejt lirisë”. Do të jetë viti i modernizmit të mëtejshëm të Partisë Demokratike, viti i daljes së saj fuqishëm në pahun e kohës dhe shpresave të shqiptarëve si alternativa e re e zhvillimit dhe prosperitetit të tyre. Ky vit i ri politik do e gjejë Partinë Demokratike më të fortë, më të organizuar, dhe më të rinuar se më parë. Ne po përgatitemi t’i prijmë përballjes së re të shqiptarëve me oligarkinë. 24 vjet më parë ne mposhtëm të keqen, dhe mund ta mposhtin kudo që shfaqet. Forca jonë qëndron tek idealet dhe trashëgimia që po u lëmë brezave. Jetën tonë politike duket se e ndjek si bekim dhe urdhër i shenjtë deviza: të shohim të ardhmen, ta arrijmë atë, ta bëjmë të sotme dhe trashëgimi të brezave. Kjo është Shqipëria jonë, kjo është Partia Demokratike – forca e ëndrrës, besimit dhe suksesit për të gjithë”.

 

Nderimet për themeluesit

 Kryedemokrati nuk mbylli fjalimin pa nderuar figurat që kanë themeluar Partinë Demokratike dhe atyre që nuk jetojnë. “Azemin të parin, prijësin dhe Heroin e Lëvizjes Studentore, themeluesin dhe drejtuesin e lartë të Partisë Demokratike; kujtojmë dhe nderojmë tre themelues të tjerë, anëtarë të kryesisë së parë të PD-së, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin dhe Ali Spahinë; kujtojmë me dhimbje akoma të freskët më të fundit e këtij panteoni politik Sokol Olldashin dhe Ferdinand Ponin”.

 

Falënderime Berishës

Një falënderim Basha rezervoi për ish-kreun e PD-së, Sali Berisha. Ish-kreu i PD-së, tha Basha e ka mbajtur PD-në të bashkuar në çdo situatë në këto 24 vjet që prej themelimit të saj në 1990. “Kemi fatin të kemi mes nesh shumë prej themeluesve të orës dhe vijës së parë, protagonistë të ndryshimit dhe udhëtimit evropianoperëndimor të Shqipërisë të këtyre viteve. Nderim dhe mirënjohje në radhë të parë për liderin historik të Partisë, Sali Berishën, i cili më shumë se askush ka meritën historike që e mbajti të madhe dhe të fortë Partinë Demokratike, e mbajti alternativë në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Me Doktor Berishën dhe themeluesit e tjerë të spikatur, Partia Demokratike është më e fortë, më e bashkuar, më e urtë dhe më e mençur. Themeluesit, qëndrestarët, vazhduesit dhe të rinjtë janë një trup i vetëm politik janë pjesë e së tërës që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Kjo është Partia Demokratike”, – u shpreh kryedemokrati.

 

 Itinerari kronologjik/ Si u krijua PD-ja, historiku në 24 vite i demokratëve

Lëvizja e studentëve të dhjetorit ishte pikënisja e krijimit të forcës së parë opozitare në Shqipërinë e kohës së regjimit komunist. Partia Demokratike e Shqipërisë u krijua më 11 dhjetor të vitit 1990 nga një grup studentësh dhe intelektualësh shqiptarë midis të cilëve Sali Berisha, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj., për të luftuar për të drejtat e njeriut, pluralizmin politik, lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe për një Shqipëri më të mirë e të zhvilluar dhe me orientim perëndimor evropian. Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike u zgjodh studenti Azem Hajdari. Më vonë kryetar i Partisë Demokratike u zgjodh mjeku kardiolog Sali Berisha. Ajo ishte partia e parë opozitare pas lejimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Në zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit 1991, Partia Demokratike nuk arriti të fitonte shumicën në parlament, por në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, Partia Demokratike fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament. Ajo qeverisi deri në vitin 1997. Gjatë kësaj periudhe qeveria e Partisë Demokratike kreu një sërë reformash për të liberalizuar vendin, për të ndërtuar ekonominë e tregut të lirë, për të siguruar sundimin e ligjit dhe për ta konsoliduar sistemin demokratik zgjedhor. Gjatë trazirave të vitit 1997, që u shkaktuan nga rënia e firmave piramidale, qeveria e Partisë Demokratike me Kryeministër Aleksandër Meksin dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga një qeveri kalimtare, e drejtuar nga Bashkim Fino i Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit të vitit 1997, të zhvilluara në një atmosferë jo të qetë, ku kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike nuk mund të bënin fushatë zgjedhore, për shkak të dhunës së bandave të armatosura, Partia Demokratike kaloi në opozitë. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Në vitin 2005, Partia Demokratike u rikthye në pushtet me sloganin “Koha për ndryshim”, duke premtuar përçimin e vlerave dhe vazhdimin e ndryshimeve të nisura në vitin 1992 – si liria, liberalizimi dhe rruga drejt prosperitetit. Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike fitoi më shumë vende në Parlament se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, por iu desh koalicioni me partinë e majtë Lëvizja Socialiste për Integrim për të krijuar qeverinë. Gjatë këtyre mandateve të qeverisjes së Partia Demokratike dhe aleatëve të saj u ndërtuan më shumë se 10.000 km rrugë, duke lidhur me rrugë të asfaltuara mbi 900 fshatra me komunat dhe 169 komuna me infrastrukturën rrugore kombëtare. Një tjetër arritje e qeverisjes së Partisë Demokratike ishte sigurimi i energjisë elektrike pa ndërprerje për qytetarët shqiptarë për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike u krijuan kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjë që u realizua më 2 prill 2009. Gjithashtu u plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Mbas miratimit të këtij vendimi nga Parlamenti Evropian, ai hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010. Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike humbi ndaj koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dha dorëheqjen nga posti i tij. Një muaj më vonë, u zhvilluan zgjedhjet sipas parimit “një anëtar – një votë” për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Në këto zgjedhje kandiduan ish-ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ku zgjedhjet u fituan nga ky i fundit me një rezultat bindës. Në 1 vit të opozitarizmit, krahas betejave politike me mazhorancën, të përkthyera shpeshherë edhe në protesta popullore, PD ripërtëriu tërësisht përmes parimit “një anëtar – një votë” strukturat e saj që nga degët në rrethe e deri në drejtuesit e kupolës në qendër, duke zgjedhur kryesinë e re, krerët e departamenteve dhe sekretariateve, sekretarin e ri të përgjithshëm dhe dy nënkryetarët.

 

Detajet e 24-vjetorit të PD-së, cilët ishin pjesëmarrësit. PS dhe LSI mungojnë

Në festimin e 24-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike, të organizuar në ambientet e hotelit “Sheraton”, ishin pjesëmarrës thuajse 800 persona. Mes tyre ishin përfaqësues të PD-së, deputetë, kontribuues të kësaj force, studentë të dhjetorit, diplomatë të akredituar në vend, drejtues të komuniteteve fetare si edhe atyre të medias. Pjesë e organizimit ishin edhe aleatët e PD-së, si deputetët e PDIU-së, ata të PR-së, ku nuk mungoi edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ndërkaq, ftesat e dërguara nga kryedemokrati Basha joindividuale për krerët e mazhorancës, por në emër të subjekteve politike duket se janë “refuzuar” nga të majtët, të cilët nuk kishin asnjë përfaqësues në këtë përvjetor të demokratëve. Nga ana tjetër, në këtë eveniment nuk munguan as ata të cilët janë shprehur më parë “kritikë” ndaj disa vendimmarrjeve të PD-së si ish-deputetët Besnik Mustafaj dhe Mark Marku. Pikërisht ndaj ndasive dhe atyre që më parë janë shprehur me mendime të ndryshme, kryedemokrati përçoi një mesazh duke thënë: “Nuk ka vend për ndasi, të bashkuar të ngremë një alternativë të re”. Organizimi i djeshëm nisi me dokumentarin ku ishin të përfshira protestat e PD-së, fushata e zgjedhjeve të brendshme si edhe takimet e ndryshme me qytetarët. Pas dokumentarit, në fjalën e saj, sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma, përçoi mesazhin e urimit dhe pas ekzekutimit të himnit kombëtar ftoi kreun e PD-së të mbante fjalën. Në rreshtin e parë të të ftuarve ishin vendosur ish-kryeministri Berisha, Eduard Selami, bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari, bashkëshortja e kreut të PD-së, dy nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka si edhe sekretari i përgjithshëm Arben Ristani. Pas mbylljes së fjalës dhe urimit për të gjithë shqiptarët e demokratët në veçanti, Basha rroku gotat me të gjithë të pranishmit, duke shkëmbyer edhe diskutimet e çastit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency