Shoqërimet e adoleshentëve/ Ankohen qytetarët për fëmijët e tyre, pa shkaqe në komisariat

0
110

Hetohen efektiv të komisariatit nr. 2, 3, 5 dhe 6. Hetimi, pas ankesave të shumta të qytetarëve se fëmijët e tyre shoqërohen pa shkaqe të arsyeshme në komisariate

arrest 2 Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim të detajuar ndaj një pjese të punonjësve të policisë, për të cilët ka dyshime të arsyeshme se kanë bërë shoqërime të pajustifikueshme të qytetarëve. Kështu, bëhet me dije se prej disa ditësh efektivë të komisariateve nr. 2, 3, 5 dhe 6 të kryeqytetit po hetohen për raste konkrete, mes tyre atë të shoqërimit të pajustifikueshëm në polici të adoleshentëve pa arsye. Sipas të njëjtave burime, qytetarë të shumtë janë ankuar se janë shoqëruar në komisariate të rinj, të cilët janë parë në orët e vona të mbrëmjes duke qëndruar pranë pallateve të tyre. Kjo metodë e policisë është bërë shumë e shpeshtë kohët e fundit duke sjell në të njëjtën kohë pakënaqësi tek një pjesë e mirë e qytetarëve. Të rinjtë janë shoqëruar për shkaqe të cilët nuk dihen dhe ndaj tyre dyshohet se është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Si të mos mjaftonte kjo këta të rinj janë mbajtur edhe në vëzhgim nga policia për disa kohë, jashtë çdo norme ligjore. Këto shkelje janë konstatuar nga efektivë të komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe 5 që ndodhet në Kamëz.

 

Pezullimi

Burime nga policia bëjnë të ditur se pas konstatimit të këtij fakti janë lëvizur dhe pezulluar nga detyra disa efektiv të policisë në të dy këto komisariate. Lëvizja është bërë me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Raste të tilla kanë arritur deri në organin e prokurorisë, e cila është duke kryer hetime të hollësishme pas kallëzimeve që kanë bërë prindërit e fëmijëve të shoqëruar dhe ndaj të cilëve dyshohet se është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Por Prokuroria nuk po heton vetëm rastet e shoqërimit të të rinjve. Ditët e fundit bëri jehonë edhe shoqërimi në polici i një nëne me fëmijën e saj 5 vjeç.

 

Hetimi

Prokurorët thonë se rastet më flagrante, të cilat po hetohen kanë të bëjnë me shoqërimin e nënës me fëmijën e saj në ambientet e komisariatit nr. 3. Për disa orë aty u mbajt fëmija 5 vjeç së bashku me nënën, e cila kishte bërë rilidhjen e energjisë elektrike. Për këtë shkelje, efektivët e policisë e kanë shoqëruar atë dhe fëmijën, duke i mbyllur të dyja në qeli, së bashku me persona të tjerë. Ndërkohë, ligjërisht fëmija duhet të shoqërohej në ndonjë qendër sociale ose pranë familjarëve të tjerë, deri sa nëna e saj të sqaronte pozitën para ligjit. Rasti më flagrant, sipas hetuesve, është kallëzimi i dy vëllezërve nga Kombinati, të cilët kanë denoncuar punonjësit e policisë për shoqërim të pajustifikueshëm për disa orë në komisariat dhe mbajtjen e tyre brenda këtyre dy kontejnerëve. Ata pretendojnë, se nuk kishte ambient të lirë brenda qelive të komisariatit, pasi ishin të tejmbushur dhe për këtë fakt ishin izoluar në kontejner. Për këtë pretendim, mësohet se Prokuroria ka bërë edhe ballafaqimin e policëve që kanë shoqëruar vëllezërit dhe vet këta të fundit, të cilët i kanë qëndruar kallëzimit. Pas këtyre rasteve flagrantë drejtues të lartë të policisë, kanë lëshuar një qarkore ku urdhërojnë vartësit të mos bëjnë shoqërimet të panevojshme nëpër Komisariate.

 

 Gjyqtari Pojanaku/ Prokuroria: 5 vite burg dhe 5 vjet jashtë sistemit për gjyqtarin Pojanaku

 Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 5 vjet burg si dhe 5 vjet heqjen e të drejtës për ushtrim të detyrës për ish-gjykatësin Dhimitër Pojanaku, i cili akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.Në pretencën e paraqitur, organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 5 vjet burg për ish-gjykatësin Pojanaku, si dhe heqjen me 5 vjet të së drejtës për ushtrim të detyrës nga ana e tij, dënim ky që hyn në fuqi në përfundim të vuajtjes së dënimit me burg. Pas kërkesës së paraqitur nga ana e Prokurorisë, tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Gjyqtari Dhimitër Pojanaku u arrestua në kushtet e flagrancës, teksa ishte duke marrë një sasi prej 45 mijë lekësh nga një qytetare për mbylljen e një çështjeje. Vetë Pojanaku ka mohuar akuzën, ndërsa ka deklaruar se paratë e marra nga qytetarja e cila e ka denoncuar i përkasin një qiraje dhe nuk janë ryshfet për ndihmë në proces gjyqësor.

 

 Gjirokastër/ Arrestohet vëllai i Gate Mahmutajt, iu gjet drogë dhe municion

 Policia e Gjirokastrës njoftoi dje se pas disa muaj kërkimesh arriti të vinte në pranga shtetasin Xhezo Mahmutaj, akuzuar për mbajte të lëndës narkotike dhe municioneve. Në njoftimin e saj, policia shprehet se efektivat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë kapjen dhe ndalimin e një personi  të shpallur në kërkim dhe konkretisht. Xhezo Mahmutaj, vjeç 56, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Ky ishte person i shpallur në kërkim pasi, më datën 19.6.2014, në kuadër të operacionit antikanabis këtij shtetasi gjatë kontrollit në banesë në fshatin Lazarat ju gjetën municione luftarake, 68 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, 495 rrënjë të dyshuara narkotike, 76.8 gram farë e dyshuar narkotike, një armë gjahu teke si dhe një thikë. Materialet shtesë në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Kultivimin i bimëve narkotike”, “Prodhim e shitje të narkotikeve “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

 

Kërkesa/ Largimet nga puna, Avokati i Popullit hetim urdhrit të ministrit të Drejtësisë

 Pas largimit të menjëhershëm nga puna të 131 efektivëve të Policisë së Burgjeve me motivacionin se nuk kishin shlyer detyrimet e energjisë elektrike ndër vite, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim konkret. Për këtë qëllim ai u ka kërkuar dy institucioneve, Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, urdhrat e posaçëm të largimit për secilin nga punonjësit. Më konkretisht, është kërkuar informacion lidhur me numrin e punonjësve të larguar nga puna për këtë rast, motivacionin e përdorur për zgjidhje të marrëdhënieve të punës si dhe baza ligjor të cilës i janë referuar nëse ka raste të tilla. Gjithashtu, në shkresë thuhet se institucionet përkatëse duhet të dërgojnë bashkëngjitur një kopje të urdhrave të largimit nga puna si dhe çdo dokumentacion tjetër që provon shkaqet ligjore për zgjidhje të marrëdhënieve të punës. Avokati i Popullit shkruan se në mbështetje të nenit 51 të Kodit të Procedurës Administrative përgjigjen, duhet ta marrin brenda afatit 10 ditor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency