Legalizimet/ Kush përjashtohet nga aplikimi, si do të veprohet me objektet që preken nga planet urbanistike

0
159

Gëzim Saliu

 Lame ne komisionLame: 31 dhjetori, afati i fundit për vetëdeklarimin. Nga legalizimi siguruam 80 milionë lekë, 300 mijë objekte informale në pritje

Të gjitha hollësitë e procesit të legalizimet që nga nisja e tij e deri për vazhdimin më tej u bënë publike dje nga kreu i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit e Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI-t), Artan Lame. Në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Lame raportoi për ecurinë dhe synimet e procesit, afatet e reja të aplikimit, problematikat që janë shfaqur me matjet në terren si edhe fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Në këtë mbledhje, kreu i ALUIZNI-t tha se të gjithë qytetarët, të cilët kanë objekte të palegalizuara, por preken nga ndërtimi i planeve urbanistike, do të dëmshpërblehen. Duke iu referuar banesave që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, tha se janë 500 banesa, të cilat preken nga projekti, por që qeveria do të kompensojë si ato me leje, edhe ato pa leje. “Kriminale për qeverisjen ka qenë që duke e ditur që kanë qenë këto projekte. Projekti p.sh. i Unazës së Tiranës dihet që në kohën e Adil Çarçanit. Askush nuk do nxjerrë askënd nga shtëpia pa u dëmshpërblyer. Kjo vlen për shtëpitë me leje, por kjo vlen tashmë, bëhet një program shpërblimi edhe për banesat pa leje, ato që janë banesa”, – tha Lame.

 

Procesi

Në fjalën e tij para anëtarëve të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Lame bëri të ditur se në fund të këtij muaji do të mund të aplikohet për legalizimet e reja. Por ky proces nuk do të përfshijë objektet tregtare në zonat publike, ku ALUIZNI ka pezulluar punën për t’i lënë hapësirë Inspektoratit të Ndërtimit. Ndërkaq, sipas tij, ajo që ka ndikuar në shtimin e numrit të vetëdeklarimeve ka qenë pikërisht aksioni i prishjeve të INUK-ut si edhe vetë ndërgjegjja e qytetarëve. “E para rritja e koshiencës që kuptuan se në 31 dhjetor mbyllet procesi i vetëdeklarimit. Dhe e dyta gjykoj që ndërhyrja e INUK-ut, presioni i tij ka bërë që njerëzit të thonë se shiko se më këtë nuk mund të bëhet më shaka”, – u shpreh ai. Nga ana tjetër edhe pse fjala falas ishte termi kryesor i përdorur nga mazhoranca për procesin e legalizimeve, në 1 vit janë siguruar prej tij 8 milionë dollarë, të cilat më së shumti do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve. Pjesa tjetër e parave do të shkojë për të larë borxhin e trashëguar të ALUIZNI-t prej 1 mld dollarësh. Krahasuar me procesin e legalizimit të qeverisë së shkuar, Lame tha se ky proces ka ecur me ritmin e breshkës, ku në këto gjashtë muaj janë dhënë gjysma e legalizimeve që janë bërë në 8 vjet qeverisje. “Tetë viteve të deritanishme, del shumë kollaj. 21 mijë objekte pjestim për 80 del rreth 2500 objekte në vit. Do mbajmë ritmin e 10-fishimit të këtij ritmi pra n.q.s. bënin 2500 në vit ne do arrijmë në 25 mijë në vit”, – tha ai. Duke u ndalur në punën e institucionit që drejton në gjashtë muajt e fundit për procesin e legalizimit, Lame tha se numërohen rreth 300 mijë objekte informale në pritje të procesit të legalizimit dhe se ALUIZNI ka mundur të fusë në procesin e matjes rreth 57 mijë objekte, ndërsa për 12 mijë banesa ka përfunduar procesi i legalizimit. Ndërkohë, Lame pohoi se mospërputhja e të dhënave të pronës në hipoteka me verifikimet që grupet e punës të ALUIZNI-t bëjnë në terren është një problem madhor, i cili vështirëson gjithë procesin e legalizimeve.

 

Lame: Pengohet legalizimi i 14 mijë objekteve në Kamzë nga plani urbanistik

Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame tha dje se një problematikë e cila po pengon procesin e legalizimit është mosbashkëpunimi me pushtetet lokale, ku u ndal tek Bashkia e Kamzës, e cila sipas tij ka miratuar një plan urbanistik jashtë çdo kriteri ligjor. “Plani regullues i Kamzës i cili parashikon që gjithë Kamzën ta ndërtojë me pallate të larta dhe në këtë moment bllokon procesin e vijimit të legalizimeve, pengon rreth 14 mijë objekte që të legalizohen”, u shpreh kreu i ALUIZNI-t.

 

Preken nga ndërtimet informale/ Kompensim me 256 milionë për 490 pronarë në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Korçës dhe Lezhë

 Qeveria vendosi dje në mbledhjen e saj për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale. Duke u mbështetur në ligjin e legalizimit si edhe në atë “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, Këshilli i Ministrave vendosi që të shpërblehen pronarët “për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Vlorës, të Korçës dhe të Lezhës. Vlera e përgjithshme e kompensimit të jetë 256 161 718.23 (dyqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë pikë njëzet e tre) lekë dhe sipërfaqja që shpronësohet të jetë 13 738.9 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e tetë pikë nëntë) m²”, – thuhej në vendim. Më tej nënvizohej se zyrat përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency